26/12/2024
Don-Nikoll-Gazulli

Nga Fritz RADOVANI:

DON  NIKOLL  GAZULLI

(1895 – 1946)

Pesha e randë e gurit shpesh ban që, mbasi mbulohet me pluhun, me kohë dhe dalngadalë, shiu, era, fortuna e përmbytjet e zhysin në baltë.

Për shumë kohë këta gurë mbahen mend si shenja drejtimi rruge, pushimi shtegtarësh ose ngjarjesh të mëdha historike. Ndonjëherë, këta ishin edhe skuta prite. Me kohë këta gurë edhe lëvizin e zhduken.

Ndër malet tona nuk ka gurë të tjerë të daltuem veç ndër vorre e aty këtu në prakun apo shkallat e ndonjë Kishe apo kulle të vjetër. Shumë prej tyne janë shembë e prrojet e “pabesa” i kanë marrë me vete dhe i kanë tretë e derdhë ndër zgavrrat e errta të historisë.

Shumë prej atyne gurëve të daltuem me aq kujdes dikur, sot janë ende të mbuluem me dhé e trungje pemësh të kalbuna, shpesh nën kambët tona, që, padashje, shkojmë tue i zhytë edhe ma thellë në tokë dhe, me kohë, tue i vorrosë ndoshta përgjithmonë. E pra, nuk janë aq pak sa kujtojnë disa.

Kujtoj një udhtim në kambë nga Vrithi në drejtim të një fshati të quejtun Vuçë. Shpesh ka ngja që dijetarët kanë gërmue dhe mbasi kanë gjetë një shenjë jete, janë përqendrue aty e, mbas sa kohe, kanë nxjerrë në dritë një vepër me të cilën janë ba të pavdekshëm.

I tillë ishte për ne edhe At Shtjefën Gjeçovi, që, me lotoret e Tija shekullore, përjetësoi në parathanje tek “Kanuni i Lekë Dukagjinit” edhe Faik Konicën e madh. Shumë vite ma vonë, kur pata lexue për ngjarjet e ndodhuna ndër ata vise aq të bukra e aq krenare në kohën e ramjes së tyne, nën atë dhunë të shfrenueme e të pashpirtë të komunistëve, pata mendue me vete: Si asht e mujtun me kenë aq e pamëshirëshme historia, që mbrenda pak viteve, mbas vitit 1944, arrijti me shpërba edhe karakterin e pathyeshëm të atyne “gurëve” shekullorë, që nuk i pat thye as sllavi e as turku?!

Njeriu që më ka shtye me gërmue edhe mue ndër ata prroska apo zallishta prrojesh, mbas të cilave, tue ecë ndër gjurmët e ujqëve, njeriu ndodhet përballë një shpelle, e aty ende sot gurtë vazhdojnë me lotue gjak Martirësh.

Ishin po Malet e fushat e gjithë Shqipnisë Martire kapë flakë.

Shqiptarët që ikën e morën malet, ishin të ndjekun nga bishat e terbueme e të quejtunit “bijtë e Stalinit jemi ne!”, të pangopun me gjak.

Ishin pikrisht Ata Atdhetarë që nuk duronin një pushtim tjetër të ri!

Ishin po bash pyjet e saj të zemrueme, që lëkundeshin e rrëzonin landë lisi e pishe ditë e natë, tue thye Fidanat e selvijave t’ Asaj Shqipnie së Re e tue i rroposë përdhe shka merr me Kelmend, Dukagjin, Pukë e deri thellë në Mirditën e Mark Gjon Markagjonit, që edhe Ai pranoi plumbin e “shokut të vet” maparë se, t’ plangprishësve komunistë antishqiptarë!

Ndoshta, e me siguri, janë dafinat e Atdheut që bijnë atë ditë mbi gropat e humnerat ku kalben Ata Burra, e Ata guxuen e bane vdekjen si me le!

Këtu mendja nuk mundet me depertue ma thellë, se ndër rrajtë e larit që ndër shekuj thuri kunora lavdije për Shqiptarët e vet besnikë. E nën gjethët e atij lari, që s’njohu mort, asht prap një tjeter Vigan që vazhdon me kenë i humbun e i tretun ende nën gurë nder shpella shekullore t’ atyne Maleve!

Asht prap një tjetër histori e pashkrueme ndër letra të prarueme!

Asht prap një tjetër Burrë që as Ai nuk ka vdekë.

Asht prap një tjetër Shqiptar që daltoi shkronja mbi këta gurë!

Asht prap një tjetër “gurë” që rritej e rritej e bahej sa një shkamb!

Asht prap një dorë që u tregoi Malësorëve tanë “Hyllin e Dritës”.

Asht prap një gisht drejtue nga “ylli i kuq” robnues i Moskovit!

Asht prap një gjuhë shpatë që i grishi Alpet në beteja nderi, e Lirije!

Asht prap një kambë e zdathun zadrimori që mori malet!

Asht prap një “gjuhë Shqipjet” që u këndoi Atyne Bjeshkëve Arbnore.

Asht prap një Ushtar i Krishtit që ruen në gjoksin e Tij Flamurin e Gjergj Kastriotit, “Mbrojtësit të Krishtenimit”, të lamë me Gjakun e vet të Shejtë në Elterin e Atdheut, mbi të cilin asht Betue atë ditë kur Ai asht Shugurue Meshtar Shqiptar. Asht po, aty, Don Nikollë Gazulli! E, edhe guri topitet e fillon me u thermue kur ndigjon përsëri këte mbiemen të salvuem ndër shekuj për fatin e Lirinë e Atdheut të cilin e deshti aq shumë!

E, edhe orët e zanat e At Fishtës së Madh, mbas ramjes së diellit, aty kah e vona, tue zhgulë flokët, do të pyesnin me zanin e tyne të marrun në vajë:

E çka do Ky Burrë me veladon ndër ata Male të përgjakuna?

Vepra e Tij e pavdekshme difton kush asht Ky mbasardhës i Gazullorëve.

Që, pa i shkrepë qerpiku, njëditë guxoi me shkelë ndër gjurmët e sandaleve të At Shtjefën Gjeçovit.

GERMONI  THËMELIN..!

Gurë të shkapërndamë andej e këndej i mblodhën në një fushë.

Disa shekuj ma parë ishin vue disa themele në këte tokë të bekueme!

Shqiptari i shkretë, në dheun e vet gjithë jetën, tue u mundue me vue një cak e me jetue me djersen e ballit qyshë se ka lé. Atë ditë porsa fillon me shqiptue fjalën “Nanë”, të duket se kushedi sa shkollë ka ba.

I prirun gjithmonë prej natyre nga ditunia. Çobani ma i tretuni në kullotat pa rrugë e shtigje të bjeshkve, dinte me këndue “Lahuten” e, i binte asaj me aq dëshirë e pasion, sa të dukeshin se janë krijue njëherit.

Ndër ato ograja të bukra të Zadrimës pat zanafillen edhe fisi i njohun i Gazullorëve tonë të vjetër. Të vjetër sa “Formula e Pagëzimit”, që njihet njëheri me një nga të parët dijetarë shqiptar, Don Gjon Gazullin. Edhe Ai një Meshtar i dijtun, si Imzot Pali i Ejllorëve tonë.

Në të parët Gazullorë që kam njohtë në vitët 1957 – 58 kur kam punue në Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës si disenjator, asht kenë një nga pinjollët e kësaj familje të vjetër, mësuesi Simon Gazulli, i cili aso kohe shërbente ndër fshatra të Shkodrës. Jam njohë me Te nga mësuesi dhe miku im i shtrejtë Sandër Troshani, që kur na prezentoi, më tha: “Ky asht një mësues që nuk i len gja mangut biografisë tande, e besoj, se keni me kenë miq, se të dy keni pasë në rrethin tuej klerikë ‘reaksionarë!” Në atë moment na u qeshëm, por me të vertetë u bame miq të përjetshem me Simonin nga i cili, ruej në kujtesën teme buzqeshjen e Tij të pastër dhe joshëse, me të cilen mujshe me kuptue Shpirtin e tij të formuem dhe të edukuem, në ambjentin e shumë akademistëve të përkryem të Gazullorëve të vjeter.

Shumë pak kemi bisedue atëherë për paraardhësit e nderuem të Atij Fisi, që gjithnjë rrinë tue gërvishtë e tue lanë njolla gjaku të forta e të pashlyeshme ndër fletët e lavdishme të Historisë së Shqipnisë, e cila edhe pse ka disa fletë të shkrueme me gjakun e Atyne Martirëve të njohtun të Gazullorëve,  prap edhe sot vazhdon me mbajtë fletët e ngjituna e të palexueshme prej ma shumë se 75 vjetësh, nga gjaku i Tyne i ngrimë e shpesh, të xanun njak nga dora e dhunuesit të pabesë që i perkasin t’ ashtuquejtunes “Akademi”.

E pse? – “Ata gabuen..!” E deshtën me Shpirt Shqipninë!

Ishin pikërisht ato armë që rrenuen e zhbinë me rrajë themelet e qytetnimit jo vetëm në Moskë e Petrograd rus, por morën mbarë vendet Baltike e u shtrinë ndër të gjitha shtetet e zhvillueme të Europës Lindore, tue i ra e shkallmue si mos ma keq, deri tek Shqipnia e Gjergj Kastriotit, që u ba plaçkë e sllavëve kolonizatorë marksistë-leninistë, barbarë e grabitçarë tokash të cilët, nuk patën të ngimë tue i vra e pre deri në ditët ma të vona.

Shqiptarët e porsadalun nga robnia e osmanllijve, në dukje ishin një nga vendet ma të pazhvillueme të Europës, po realiteti nuk asht ai që komshijtë tonë janë mundue me na paraqitë para të tjerëve, ma fort për qellimet e veta grabitçare, sesa na ishim të atillë.

Kjo mund të vërtetohet me një fakt që sot asht i njohun botnisht.

Si mundet me ndodhë që Ajo Shqipni e mbrapambetun dhe e “pazonja” me u qeverisë vetë, në vitin 1924 formoi Qeverinë Demokratike Shqiptare?

Duhet ndalue në këte pikë dhe me kërkue kush ishin Ata, që në ato rrethana e kushte të Asaj Shqipnie të mbrapambetun, na i dolën për zot zhvillimit politik modern dhe, me guxim të panjohun deri atëherë, kanë arrijtë në një kohë rekord me punue për liritë dhe të drejtat e njeriut, tue mos i lanë asgja mangut vendeve të zhvillueme të Europës? Një brez i tanë intelektualësh, të përgatitun ndër universitetet ma të zhvillueme e të përparueme Europiane, ishte pikrisht ai që vuni themelet e shtetit tonë.

Asht e vërtetë se Shkodra para vitit 1900 pat vetem dy shkolla europiane të plota, ate të jezuitëve dhe ate të françeskanëve, por përgatitja e kuadrit intelektual laik e fetar, nuk i la asgja mangut asnjenit prej shteteve ma të zhvillueme Europjane Perëndimore.

Ndërsa, po të analizojmë Klerin Katolik Shqiptar, Ai asht i papërsëritshëm.

Kësaj fidanishte i përkasin në disa brezni edhe Gazullorët.

Tue ju referue studjuesit të Atij trolli, Danielit, vërejmë se nga shek. XV njihet Gjon Gàzulli i madh, astronomi, dhe mbas tij Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës në vitet 1452-1459, që asht edhe Rektor i Shkollave të asaj Republikë. Mbas tij vjen Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1783). Në shek. XVII asht njohë Abati i Mirditës Don Ndre Gazulli. Ndërsa Andrea Gàzulli ishte komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës, deri me sulmin të tij barbar mbi Kardhiq. Pra, në pak rreshta, këta ishin gurtë e parë të themelit të Tyne. Asht për t’u theksue se deri në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gazullorët kanë pasë gjithmonë një pinjoll të familjes së tyne të talentuem, që edhe do të shkonte për studime jashtë Shqipnisë.

Po të kësaj plejadë të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, ishin tre vëllaznit Gazulli njëherësh, Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964), të cilët, jo vetëm që kanë studjue ndër universitete të hueja europiane, po edhe u dalluen qysh atje si gjenialitete në fusha të ndryshme të dijes.

Ndoshta pa u kujtue asnjëherë, ndodhë që një “ngjyrë” ngacmon aq shumë trunin e njeriut, sa për vite të tana ajo mbetë si njollë aty. Ishte një vorr fare i thjeshtë çimentoje, i ngjyrosun me gelqere, pranë një selvije në krahun e djathtë, në të hyme në Fushen e Rrëmajit. Aty ishte gjithmonë një qiri i djegun dhe i shkuem rrëkajë ose i porsa ndezun, që nuk fikej as nga era as nga shiu, derisa u mbaronte së djeguni.

Ditën e të Shuemëve, ai vorr i thjeshtë ishte qendër pelegrinazhi i sa e sa vizitorëve, që vinin ndër ato vorreza nga të katër anët.

Nana më pat tregue se ai asht vorri i një Prifti, që ka pasë varë disa vite ma parë Ahmet Zogu. Më dukej një çudi e madhe sesi një njeri i quejtun “shqiptar” me mbërrijtë deri aty, sa me varë në litar “një Prift”!

Shqipnia asht e mbushun me “mozaikë” të të gjitha kohëve ku, fatkeqsisht, ndër këto vepra të lyme me bojë të bardhë, ku përveç një Shpirti që kishin të tillë këta njerëz, gjithkah dominonte ngjyra e zezë e aq e zezë, sa vetë jeta e të gjithë Atdhetarëve Shqiptarë që ka kalbë kjo tokë.

Ajo që asht e pafalshme per brezat e rij, mbetet indiferentizmi ndaj disa prej Këtyne personaliteteve që nuk i vijnë kurrma Shqipnisë!

E shpesh, po të njajtin fat kanë pasë mbrenda një fisi disa vetë njeni mbas tjetrit! Pa u largue nga ky Fis i nderuem, do të ndalohem pak çaste me njenin prej figurave ma të mëdha të shkencës së Gjuhës Shqipe:

Don Nikollë Gazulli asht vëllaj i dytë i Don Gjonit. Dy vjet ma i ri, pra asht le me 15 Qershor 1895. Vazhdoi njëherësh me vllanë Gjonin shkollën fillore në fshatin e vet, në Dajçin e Zadrimës, e porsa hapun në vitin 1902.

Shkollën e mesme e vazhduen në Shkodër dhe mandej të naltën në Austri.

Don Nikolli ishte në Grac dhe Insbruk ku studjoi për teologji, por tue kenë i pasionuem për gjuhësi, kreu aty edhe për gjuhësi e mbet mik i dalluem ndër studentat e albanologut të njohun dhe të shquem Norbert Jokel, me të cilin vazhdoi me kenë edhe bashkpunëtor e studjues i Shqipes.

Fenë me Atdhe e lidhë Gjuha. Gjuhësia asht vepra me të cilen Don Nikolli do të daltojnë shpirtin e trazuem të Maleve, dhe asht ajo penë që nuk do të qendrojnë asnjë minut e thame mbi tavolinën e Tij.

Erdhi në Atdhe dhe mori rrugët e Malësisë së Rrjollit dhe të Shkrelit, ku njëheresh ishte me detyrën fetare, filloi me germue thesarin e madh të gjuhës sonë, me fjalët e rralla të atyne krahinave, me toponomastikë e onomastikë, tue mos i veçue kurrë nga etnografia i mbështetun në gjurmët historike dhe gjeografike të malësive tona. Porsa fillon me u pa në revistat e kohës puna fillestare e tij në lamën e gjuhësisë, u kuptue se nuk asht një hop rinor i Don Nikollit pasioni i tij, por asht një gurrë e vertetë që nuk shuhet kurrë e një gjenialiteti që po shpërthente si vullkan dijet e shkencet nga ata burime të pashterrshme të prrojeve që, me doren e vet i bashkoi në një lum të madh të fuqishem burimi të pavdekshem të shkencës së Gjuhës Shqipe. Asht ajo gjuhë që nuk e len Don Nikollin me u ba plaçkë e anmikut ma të madh të shqiptarëve, plaçkë e shovenistëve sllavë, që po lëshonin rrajë me veglat e veta mu në krye të shtetit shqiptar, të ardhun nga Beogradi dhe me shpatën e çveshun të padijes, filloi me ba edhe flijimet e para me vllajn e madh të Don Nikollit, Don Gjonin e Gazullorëve, tue e varë në litar.

Në kryengritjen e Veriut në 1926, arrestohet edhe ky me të tjerë klerikë dhe dënohet 101 vjet burg të përjetshëm. E çojnë në burgun e Kalasë së Gjinokastrës, “historia” e të cilit do të vahdojnë edhe me kohën e vonë ku, mbas ndërhymjes së përsonalitetëve ma të njohuna të kohës, Joklit, Viktor Eftimiut dhe Asdrenit etj., mbas katër vjetësh e lirojnë.

Dijetari Don Nikoll Gazulli asht njohës i gjuhëve të latinishtes, greqishtes, gjermanishtës, frengjishtes, italishtes dhe sllavishtes, gjuhë me të cilat i la shkences sonë të gjuhësisë veprat e pavdekshme të vetat, shumë prej të cilave na fillojmë me i pa në revisten “Hylli i Dritës”, prodhimet e një truni të rrallë, që në pak vite të jetës la vepra madhështore. Duhet theksue se “Gojëdhanat” që Ai ka mbledhë janë labirintet e panjohuna të burimeve historike, që na sot sikur të gjurmojmë vetem ato, kemi aq shumë fakte historike sa pak popuj mund të maten me ne në fushen e historisë së vjetër shqiptare. Me një durim dhe mjeshtri lidhë mitologjinë me etnografinë tue i vue me dorën e vet në hartat e vjetra dhe tue i lanë shkencës edhe një burim tjeter të vyeshem të atyne fakteve historike që, bota përrreth nesh asht kenë mundue atëherë e sot me i shue, me i fshi, tue përdorë mjetet ma të dhunëshme dhe të panjohunat e kohës primitive mbi trupat dhe mendjet e dijtuna të një populli, që u punue në shekuj për zhdukjen e Tij dhe, të kulturës disa mijavjeçare të vorrosun ndër trojet e qytetet tona historike.

Kombi Shqiptar asht burim visaresh dhe, janë pikrisht ata visare që u grumbulluen në vëllimet e vlefëshme të shkencës, “Visaret e Kombit”, mbi të cilat dijetarët tonë kanë lanë pasuninë e tyne mendore, shpirtnore e Atdhetare. Aty edhe Don Nikoll Gazulli la Vëllimin XI të “Visareve të Kombit” dhe “Fjalorin e Ri”, si dhe “Fjalori toponimostik”, botue pjesë pjesë ma vonë në vitet 1939 – 1943 në revisten “Hylli i Dritës”, revista ma me vlerë shkencore e letrare e themelueme nga At Fishta.

Janë ato vepra ku autori Don Nikoll Gazulli ka vue themelet e tij në fushen e leksikografisë krahinore dhe onomastikës. Ashtu si të gjithë dijetarët klerikë, edhe Don Nikolli në këto dy vepra të kulturës sonë kombëtare tregon, siç e thekson edhe pasardhësi i Tyne: “Nivelin e naltë shkencor, ku duket dora e një dijatari të mirfilltë, metodologjia e hartimit, objektiviteti i landës gjuhësore, ekuilibri në përzgjedhje, dhe sidomos shpjegimi analitik i landës.” “Fjalorthi ngërthen mbi 5.000 fjalë të rralla të shtrime në 524 faqe. Çdo za asht shoqnue me shpjegim kuptimor, sinonimor – kur ka kenë rasti – etimologjik, e krahasue jo rrallë edhe me përkatëset në gjuhë të tjera dhe, sidomos në gjermanisht dhe italisht.”

E të mendojsh: këto fjalë të rralla të mbledhuna nga Gazulli ndër Malet tona, fjalë të mirëfillta shqipe, që nuk u përfshinë në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1982! Sigurisht, sëpse “dijetarët” e sotëm as nuk i kuptojnë.

Veçanarisht me vlerë janë shpjegimet kuptimore të fjalëve me ndryshimet që ato kanë pësue në rrjedhë të shekujve.

Vepra e parë e këtij lloji në gjuhën tonë e Don Nikoll Gazullit, asht vepër që e ban Ate themelues të leksikografisë onomastike. Po a e di kush këte edhe nëse ai dikush, ka përfundue Universitetin e Tiranës?

Atdhetarët e vertetë nuk studjohen në shkollat tona “socialiste” apo si thirren tashti “demokratike”. Ndër katedrat e tyne nuk ka mbetë asnjë vend për dijetarët që jetën e tyne ia kushtuen lirisë së Atdheut e dijes!

Kleri Katolik Shqiptar, aq sa ishte antikomunist, ishte edhe antifashist e antinazist, sepse doktrina e Krishtenë, me të cilen ishin paisë dhe mishnue Ata, nuk pajtohet me diktaturat, të cilitdo lloji e vendi kjofshin ato.

E nga ky kler “reaksionar” ishte edhe Don Nikolli. Ditën e Pashkëve, me 9 Prill 1939, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit të Tij, Ai iu drejtue gjithë besimtarëve: “Mos i lëshoni armët! Këta, skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombëtarizue! Prandej, si dikur bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist!”

Dom Nikollë Gàzulli, ato fjalë ua përsëriti edhe Malësorëve të Shkrelit në vitin 1945, kur Shqipnia po kthehej në një republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue  pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste!

Pra, o burra, armët për syni!”

Don Nikoll Gazullin e vranë me 2 shkurt 1946.

Nga dorshkrimi “Kujtime” për At Konrrad Gjolaj OFM. 1996, unë kam shkëputë një fragment kur ishe tue daktilografue librin “Çinarët”, dhe At Konrradi po më shpjegonte sesi jugosllavët kishin sjellë nga Jugosllavia një diversant aso kohe, me vra Kapiten Gjergj Vaten (me pseudonim Cukali) i dalun në mal.

Ai më tha se: “Po kështu kanë veprue jugosllavët edhe me Don Nikollë Gazullin. Don Nikolli asht kenë një nga klerikët ma të prëgatitun për nga kultura dhe bashkpuntor i “Hyllit të Dritës”. Ai ka vue theksin mbi shumë krahina shqiptare, që nga dhuna sllave kanë pasë fillue me u kthye në ortodoksë dhe me ndrrue edhe gjuhën. Shkruente me fakte e dokumenta për kenjen e tyne  nga ana autoktone Fise Shqiptare.

Aso kohe pra, në vitet 1944 – 46, në ato zona të Malësisë, ishin edhe Don Aleksander Sirdani, Don Pjeter Çuni (shumëi ri, por shpresdhanës), që njiheshin si studjues të atyne krahinave dhe që ishin ba shumë të njohun për nga ana historike dhe kryesisht për njohje të folklorit, dokeve dhe zakoneve të Malësisë sonë.

Një ditë, aty nga janari i 1946, vjen në Kuvendin e Fretenve të Gjuhadolit një malësuer dhe kërkon për “një fjalë” At Konrradin. Kishte dalë dhe po ecshin në oborrin para Kuvendit. Mbasi i kishte tregue se asht i lidhun me “njerëzit e malit” (kështu thirreshin ata që ishin ndër shpella), i kishte tregue se vijnë e futen shpesh ndër ato zona edhe disa oficera jugosllavë, në kerkim të malësorëve të anës së tyne nga Mali i Zi, që janë bashkue me malësorët tonë ndër shpella. Ai i kishte tregue At Konrradit se njeni prej tyne asht i dijtun dhe flet edhe për Ungjillin tonë. I kishte tregue se ky jugosllavi i “dijtuni”,  një ditë, i kishte folë sesi një nga malësorët tonë andej nga Jugosllavia kishte vra një prift, sepse prifti kishte punue “kundër Atdheut”, gja të cilën e lejon edhe Ungjilli i juej, kur “Prifti asht tradhëtar i Atdheut e i Fesë”, dhe i kishte shprehë habinë e tij At Konrradit se, a mundet me kenë e vertetë një gja kësisoj “me vra priftin”, gja të cilën  ia kishte shpjegue oficeri i “dijtun” jugosllav?

At Kondradi ishte njohës i mirë i ligjeve kanonike dhe i kishte pohue se këto gjana kanë ndodhë, por asht vështirë me përcaktue shkallen e “tradhëtisë” së Priftit. Malësori kishte shpreh se prandej kishte ardhë ai me pyet At Kondradin, se nuk i ka besue atij jugosllavit të “dijtun” e, tash që po ma thue edhe ti se, “mundet me ndodhë” dhe nuk asht fajtor vrasësi i Priftit para Zotit e robit, po më mbushet mendja se nuk na paska rrejtë jugosllavi. Deri atë ditë ai fshatari nuk i kishte besue atij jugosllavit!

Kishin bisedue edhe ndonjë gja tjetër, por At Kondradi, i ardhun nga studimet prej Italie nga viti 1943, as nuk i njihte ata njerëz për të cilët bahej fjalë dhe as ato krahina, për të cilat fliste malësori.

Kështu, mbas pak bisedash malësori ishte përshndetë me At Kondradin e shkue në Malësi. Mbas pak ditësh, vjen lajmi në Kuvendin Françeskan se ishte vra Don Nikollë Gazulli, i rrethuem nga forcat e ndjekjes komuniste në Vrith. At Kondradi as nuk ishte kujtue fare për biseden e bame para pak ditësh me malësorin në oborrin e kuvendit. Don Nikolli kishte strehue Don Alfons Trackin, por për mos me ia gjetë kush në qelë, e kishte çue me fjetë ndër njerëz të besueshëm të vetë malësorë. Kur e kanë lajmue se forcat e ndjekjes po silleshin si shumë nga fshati ku shërbente Don Nikolli, dhe dishka po kerkonin andej ky, e kishte dërgue për siguri Don Alfonsin tek Don Injac Gjoka në Dushman, i cili e ka mbajtë derisa Don Alfonsi, asht bashkue me Kapiten Gjergj Vaten në shpellë të Mëri Kokës, në Cukal, vend ku Don Alfonsi asht kapë kur asht vra Ndoc Jakova tue i ba Shartet e fundit.

Don Nikolli, tue pasë frikë se Idriz Çoba, kryetar i ndjekjes në Dukagjin, me kriminelat Asllan Lici, Toger Baba, Xhemal Selimi, Haxhi Hajdari etj., që tashma njiheshin si vrasës terroristë në ato zona, do të masakronin malësorët me të cilët kishte lidhje Don Nikolli, merr malet dhe ikë e shkon në Vrith. Vendi ku ishte vra Don Nikolli quhej Kujej. Vrasësi në ditët e para nuk dihej. Flitej se Zoji Themeli kishte shkue vetë atje.

Mbas disa ditësh, po në Kuvendin Françeskan, vjen “malësori” që ishte kenë para sa kohe dhe i kishte kërkue me dijtë At Konrradit, sesa asht e lejueshme nga Feja dhe Ungjilli me vra Priftin “tradhëtar”.

At Konrradi kishte marrë vesht se me Don Nikollin asht kenë malësori Nikoll Prekushi, për të cilin nga forcat e ndjekjes flitej se i ka ba hjeksinë Don Nikollit për me e vra ndjekja, e cila thonte se “vrasësi apo dorasi” asht kenë vetë Nikoll Prekushi bashkë me malësorin që tashti kishte ardhë me u “rrëfye” tek At Konrradi, emnin e të cilit, At Konrradi nuk mund ta tregonte në bazë të ligjit të ruejtjes së sekretit të sakramendit të Rrëfimit, gja e njohun prej të gjithëve. Këta të dy ishin kenë në shpellë me Don Nikollin, por me e vra Don Nikollin nuk e ka vra Nikoll Prekushi por një tjetër i ndodhun aty, “i panjohuni”, që ka mbetë i pazbuluem nga ruejtja e sekretit të Rrëfimit të tij me At Konrradin.

At Konrrad Gjolaj ishte shumë i zemruem me pabesinë e atyne malësorëve të cilët, kanë vra pabesisht Don Nikollë Gazullin, tue krye kështu një sherbim të flliqtë të sigurimit të shtetit dhe jugosllavëve.

Të gjitha variantet tjera që shpjegohen nga ato ana “janë vetëm rrena me bisht”, theksonte shumë i nervozuem At Konrradi, aqsa, kur fliste për atë vrasës, mbas plot 50 vjetësh që ai kishte ba pjesë në grupin e atyne kriminelave që kanë vra Dijetarin e Madh dhe Atdhetarin e flaktë, Meshtar i divoçëm e Shqiptar i Vërtetë, Don Nikoll Gazulli, një Martir i Kishës Katolike, i dridhej buza e i mbusheshin sytë me lot dhe thonte:

“Me beso, ishte e para herë që, mbasi Rrëfeva atë kriminel, kam shkue dhe jam Rrëfye për vete.., mbasi po mos t’ ishe tue krye një shërbim aq të madh ndaj atij të “penduemi” sot, Kisha do të më kishte edhe mue në fletën e zezë të kriminelave të saj.” (At Konrrad Gjolaj 1996).

Ky akt më kujton letrën e lanun nga i Ndjeri kapiten Gjelosh Luli, dërgue Llesh Marashit nga shpella e Vrithit: “Llesh, po u nise tek unë me ardhë këtu, kujdes, se malësorët kanë ndryshue shumë dhe nuk janë ma ata që kemi njoftë na.” (Dosja e Llesh Marashit, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998).

Dijetari At Gjon Shllaku OFM., shkruente në vitin 1942, atëherë, kur ndoshta parandiente dishka dhe që u shpreh për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gazullin: “Fatosa të vramë dy herë, një herë kur i mbyten, dhe një herë kur i lanë në harresë”.

Koha vërtetoi Ate shka Shqiptarët sot me vështirsi edhe e pranojnë, se komunizmi ka shpartallue mjerisht cilësitë e tyne morale, zakonore dhe shpirtnore tue i ba me ecë me sy mbyllë të kapun për dore, nga komunistët ose bijtë e tyne. Dhe, me i pyet kush: “Ku veni?”, të gjithë “kujtojnë” se janë tue shkue në Europë. Po, a e njohin Shqiptarët sot fjalen “Drejtësi”?!

(Prej librit F.Radovani “Vllaznit Gazulli dhe Peshoria e Drejtesise Shqiptare” 2011.)

“DREJTËSIA..!”

Një fjalë e ndigjueme ndër shekuj… Ndoshta nder prralla!

Një fjalë krejt e pakuptueshme për shumë popuj!

Një fjalë sa e “panjohun”, aq “jashtë kohe” për Shtetin Shqiptar.

Një fjalë që asnjë “Kushtetutë” Shqiptare nuk e shpjegon!

Një fjalë e përkthyeme për qejfin e sunduesëve tonë!

Një fjalë që asht mohue nga vetë “krijuesit”  e saj toksorë!

Një fjalë që në të gjitha katedrat politike ngjason “banale”!

Një fjalë që në universitete mësohet “përmendsh”.

Një fjalë që në disa organe shtetnore përkthehet: “Me rrejtë!”.

Një fjalë që në shumë Parlamente kuptohet: “Me mashtrue!”.

Një fjalë që në shkolla shpjegohet e “shpikun” nga grekët!

Një fjalë që mendohet se asht “zhdukë” me gjuhen latine.

Një fjalë që e përdori edhe Pilati… Mandej, “lau duertë”.

Një fjalë që e njeh vetëm një “liber”. Ma i përkthyemi në Botë!

Një fjalë që nuk duhet të përdoret ma nga klerikët e vërtetë!

Një fjalë që nuk njihet ndër kasaphana as n’ mejhanë!

Një fjalë që pushtuesit e quejnë privilegj të tyne!

Një fjalë që udhëheqësit e thonë: “Ma i forti, ma i drejti!”

Një fjalë që asht në “kasaforten”  e Presidenti të Republikës.

Një fjalë që gjykatësve, kur e shqiptojnë, “u merret” goja.

Një fjalë që ndryshon me drejtimin e erës, thonë avokatët.

Një fjalë që të gjithë akademikët e përkthejnë si do “qeveria”.

Një fjalë që të gjithë shtetasit “nuk e besojnë”!

Një fjalë që asht e kundërta e fjalës “demokraci”.

Një fjalë që shpjegohet për me u kuptue me fjalën “padrejtësi”.

Një fjalë që u thohet fëmijëve për me i zanë gjumi!

Një fjalë që kur u thohet fëmijve ata nënkuptojnë “thupren”.

Një fjalë që kur u thohet pleqve ata, ndezin një cigare.

Një fjalë që nuk e besojnë as diplomatët.

Një fjalë që gënjeshtarët nuk e hjekun goje.

Një fjalë që duhet e para në fushata elektorale.

Një fjalë që po e kuptove drejtë të merr edhe jeten.

Një fjalë që peshohet me monadha ari, ndër gjykata.

Një fjalë që vehet reklamë edhe ndër pallate.., me drita.

Një fjalë që nuk e përdorin kurrë diktatorët.

Një fjalë që nuk e kanë as fjalorët e shteteve të zhvillueme.

Një fjalë që përdoret vetem në shtresat shoqnore të vorfna.

Një fjalë që matet me “rrypin” e belit të një burri.

Një fjalë që kontrollohet me aparate nga hetuesit.

Një fjalë që vlenë me zhdukë Atdhetarët e vertetë.

Një fjalë që asht e shkrueme në gjuhën shqipe, po nuk përdoret.

Një fjalë që kur thuhet duhen “mbyllë” sytë, mos me të kuptue!

Një fjalë që përfaqsohet edhe me vepra arti. Ashtu si fjala “Liri”

Një fjalë që .., edhe pak vite në Shqipni “harrohet”!

Melbourne, 12 Maji 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok