DANTE ALIGHIERI NË BOTËN SHQIPTARE
Holliday (1883). Takimi i Dantes me Beatriçen, në urën Shen Triniteti në Firence
(MEDITIME NË 700 VJETORIN E VDEKJES)
Nga Lutfi ALIA
Dante Alighieri, poeti, prozatori, teoricieni i letërsisë, mendimtari politik dhe babai i gjuhës italiane, u lind në Firence në maj të vitit 1265 në një familje fisnikeme gjendje ekonomike modestedhevdiq në Ravenna më 14 shtator 1321. Në 700 vjetorin e vdekjes të madhit dhe të paharruarit Dante, në veçanti në Itali dhe në shumë vende të tjera të botës, janë aktivizuar institucionet kulturore, letrare dhe arësimore, për të nderuar jetën e tij të tronditur nga padrejtësitë e kohës dhe sidomos përveprat e shquara të princit të poezisë, të letërsisë dhe të gjuhës italiane.Në këtë përvjetor është e pranishme dhe bota shqiptare, me kontribute në krijimtarinë danteske, me nderime të veprave të shquara që prej shumë shekujsh e kanë pushtuar kulturën dhe letërsinë gjithëbotërore.
Ndonëse për fëmijërinë, adoleshencën dhe vitet e para të rinisë nuk ka shumë informacione për formimin arsimor, rezulton se që herët frekuentonte mjediset kulturore të Firences, duke krijuar raporte miqësie me poetë dhe shkrimtar të kohës, madje ishte i influencuar shumë nga veprat e politikanit dhe eruditit Brunetto Latini. Në vitin 1286 shkoi në Bolonjë, ku kompletoi formimin e tij kulturor pranë Bartolomeo da Bologna, ku dhe perfeksioni njohuritë në interpretimet teologjike. Shpejt përvehtësoi artin e “thurjes të vargjeve me rimë” dhe së bashku me miqtë e tij Guido Kavalkanti dhe Lapo Xhiani, kontribuan në lindjen e një mënyre të re të shkruari poezi, e bazuar në elegancën e shprehjes dhe në ekuilibrin e vargjeve, që u quajt “Stili i ri i ëmbël”. Në vitet 1283 – 1293 shkroi poezi dhe proza, që i mblodhi në lirikën “VitaNova”, e konsideruar një kryevepër e stilit të ri. Dante shkruante në latinisht traktate për gjuhën, shkruante dhe komentonte argumentat filozofike dhe politike, por nuk reshte të shkruante poezi e në këtë kohë janë dhe shkrimet në lirikën vulgare në veprën “De vulgari eloquentia”, në gjuhën italishte, që shpejt do të përqafohej nga tërë popullata e gadishullit dhe do të bëhej gjuha letrare, me vepra dhe kryevepra të shquara botërore.
Një ndër ngjarjet e rëndësishme në jetën e Dante ishte takimi me të bukurën BeatriçePortinari, e cila vdiq në vitin 1290, ende pa mbushur 24 vjeçe. Ndjenjat e thella të dashurisë së dlirtë për Beatriçen ndikuan te Dantia ta shndërronte në një simbol të ndjenjave delikate të dashurisë dhe të hijëshisë hyjnore.
Me insistimin e të atit, në vitin 1285 Dante u martua me Xhema Donati, me të cilën lindën tre fëmijë (Jakopo, Pietro, Antonia e cila u shugërua murgeshë me emrin motra Beatriçe dhe shërbeu në Ravena).
Në vitet e fundit të shekullit XIII, Firence dhe shumë komuna italiane ishin përfshirë në konflikte violente të brendëshme, të nxitura nga ndryshimet politike, ekonomike dhe sociale. Në vitin 1295 Dante u impenjua në jetën politike të komunës. Në vitin 1300 zgjidhet Prior, funksioni më i lartë publik i asaj kohe. Një vit më pas ngjarjet precipitojnë dhe ndërkohë që ndodhej në Romë si ambasador pranë Papës Bonifaci VIII, kundërshtarët(guelfi neri) e morën pushtetin në Firence, madje në vitin 1302 e akuzuan Danten për disa krime dhe e dënuan me vdekje, me djegie në flakët e turrës së druve. I persekutuar dhe i përndjekur nga guelfinët, u detyrua të mërgoi dhe për rreth 20 vite u end ikanak nëpër treva të ndryshme italiane, duke bujtur ndër miq, duke krijuar miqësi të reja dhe kontakte me realitete të reja miqësie, politike, sociale dhe kulturore, që ndikuan në zgjerimin e horizonteve të formimit letrar dhe kulturor. Fillimisht u mirëprit nga Skalieri në Verona, shkoi në Bologna (1305), Padova (1306), më pas vazhdoi në Marka Trevixhiana dhe Lunixhiana, ne Luka (1308) dhe së fundi, në vitin 1318 u stabilizua në Ravena. në rezidencën e fisnikut Guidi Novello da Polenta.
Dante Alighieri vdiq në Ravena më 14 shtator 1321, në moshën 56 vjeç.
Në vitin 1307, Dante Alighieri filloi të shkruaj kryeveprën e tij, poemën madhështore “Commedia” e shumënjohura La Divina Commedia – Komedia hyjnore, një vepër voluminoze, e konsideruar vepra më e madhe e shkruar në gjuhën italiane dhe kryevepër e letërsisë italiane dhe botërore. Komedinë hyjnore e shkroi në vargje, menjë mjeshtëri të rrallë, ku përfshiu personazhe reale të kohës, me difektet dhe virtytet, duke i trajtuara me një stil alegorik. Komedia hyjnore përbëhetnga tre pjesë: “Ferri – me dramën e të mallkuarve dhe të ndëshkuarve; Purgatori – memundimet pa fund dhe Parajsa – melavdinë qiellore”, një krijimtari lapidare morale dhe etike, që e ka bërë Daanten të famshëm në të gjithë botën.
Dante Alighieri ka shkruar dhe shumë vepra të tjera, ndër të cilat rendisim:
– Il fiore e detto amore (lulja dhe e thëna dashuria)
– Le rime (Rimat)
– Vita Nova (Jeta e re)
– Convivio (Gostia)
– De vulgari eloquentia (Gojtaria në gjuhë vulgare)
– De Monarchia (Monarkia)
– Commedia (kryevepra e letërsisë botërore: Komedia Hyjnore, vepra e parë e shkruar në italishte).
– Le epistole e l’Epistola XIII a Cangrande della Scala (Letrat dhe letra XIII për Kangrande della Skala)
– Egloghe (thurje poezishë me karakteristikat e poezisë pastorale)
– La Quaestio de acqu et terra (Ҫështjet e ujit dhe e tokës)
Veprat e Dante Alighierit dhe në mënyrë të veçantë “Komedia Hyjnore”, janë studiuar dhe analizuar nga shumë studiues, kritikë arti, poetë, shkrimtar, teologë, historianë, analistë, etnografë dhe të gjithë kanë evidencuar kulturën e gjërë erudite, njohuritë e thella të ngjarjeve historike dhe mjeshtërinë e rrallë, që arrijti t’i përfshijë, t’i përshtasi, t’i pasqyroi dhe t’i konkretizoi realitetet e kohës që jetoi. Veçoria e kësaj vepre është se Dante është personazhi i parë rrëfimtar në udhëtimet nëpër Ferr, Purgator dhe Parajsë, çka e prezanton autor modern, krahas aspekteve që e bënë të pavdekshëm si vendimi për t’i thurur vargjet në gjuhën vulgare, e përd-orur me thjeshtësi, ndryshe nga latinishtja e “ngurtë”, që përdorej në tekstet e asaj kohe. Dante autor, Dante personazh dhe Dante tregimtar, janë tre aspekte të unifikuara në një, për të kuptuar kompleksitetin e kësaj vepre, në udhëtimin e gjatë e të ndërlikuar në tre pjesët e botës së përtejshme.
Në ato vite mesjete, shumë autorë inspiroheshin nga veprat e autorëve antikë dhe në këtë aspekt dhe Dante Alighieri mjeshtërisht mori ngjarje nga autorë të vjetër, po ashtu dhe plot personazhe nga mitologjia klasike, të cilët i integroi në Komedinë Hyjnore. Krahas Virgjilit, mentorit të tij, profetit të poezisë si e quan dhe inspiruesit në krijimtarinë poetike të Dantes, ai zgjodhiudhërrëfyes dhe poetin ilir Publio Papini Staci i riu, në udhëtimet nëpër Ferr dhe Purgator.
Dante Alighieri dhe poeti ilir Publio Papini Staci.
Studiuesi P. L. Cormiliolle, në parathënien e botimit në frengjisht të veprës të Publio Papinus Statius“Thebaide”: ”Oeuvres de Stace, Société Libre des Sciences, Lettres et Arts de Paris. Tome 1, 1783,ribotuar në vitin 2009)shkruan: “Në shekullin I pas Krishtit, u shquan dy poetët ilirë Publius Papinus Statius – Plaku, mjeshtër i retorikës, gramatik dhe poet dhe i biri Publius Papinus Statius i Riu dhe ai poet i shquar, eksponent i poezisë epike në periudhën flavia”.[1]
Poema epike “Thebaide”, vepra më e mirë e Publio Papini Staci, u botua në vitin 92 pas K. Në këtë poemëtregon historinë e luftës të shtatëve kundër Tebës dhe konfiktin mes vëllezërve Eteokle dhe Poliniçe, për të hypur në fronin e të atit Edipit. Në pjesë të veçantë tëlibrave, Publio Staci përmend ilirët dhe Ilirinë. Stili tregimtar i Stacit dhe metrika përkojnë me leksionet e Ovidit, ndërsapërshkrimet janëtë ndikuar nga Seneka. Krijimtaria epike e Stacit, qëndron ndërmjet stilit të traditës Virgjiljane dhe krijimtarisë moderne, duke imituar pak sa dhe Lukanin, andaj veprat e tij u mirëpritën dhe mbijetuan gjatë.[4, 6, 7]
Veprat e Publio Papini Staci, kanë inspiruar krijuesit për shumë shekuj, mbi të gjitha dy veprat Tebaide dhe Akileide kanë inspiruar shumë shkrimtar mesjetarë në krijimtarinë e epikës allegorike dhe mes tyre frymëzuan dhe Dante Alighierin. Natyrisht ishte e vështirë në ato vite të gjendeshin veprat antike dhe në se në këtë kohë Dante do të kishte lexuar veprën “Silviae” të Publio Papini Staci, do të kishte njohur dhe aspekte të veçanta të personalitetit të Stacit, që do ti kishte përshtatur mjeshtërisht në ndjenjat që shprehte për Beatriçen.
Dante Alighieri, në Ferrin dhe Purgatorin, krahas Virgjilit ka përfshirë dhe Publio Papini Staci si personazh dhe si udhërrëfyes.
Shfaqia e papritur e Publio Papini Staci në vargjet 1 – 39 në Ferri.
Ndërsa Dante ecte i turbulluar dhe me dyshime për tërmetin dhe për këngën Gloria (Lavdia), si i përshkruan ne këngën XX dhe ndërsa nxitonte pas Virgjilit, shfaqet një personazh që i ndjek nga pas pa u ndjerë, deri sa më së fundi afrohet dhe iu foli të dyve, duke i përshëndetur me urime paqe. Virgjili pasi iu përgjigj po me të njejtën kortezi, kthehet nga Dante dhe pasi i bën shenjën “P” në ballin e tij, i tregon se dhe ai është guida – udhërrëfyes, që do t’i shoqëronte gjatë udhëtimit në Ferr dhe nëpër Purgator.
Valerio Raffaele, në studimin kritiko – estetik të Divina Commedia, konstaton se Dante Alighieri jo vetëm ka udhërrëfyes dhe personazh Publio Papini Staci, por ka huazuar episodin mizor të Tideo dhe Melanipo, të përshkruar nga Ai në veprën “Tebaide”, në librin VIII, vargu 733 duke ia përshtatur këtëngjarje Kont Ugolinit, si e përshkruar në mënyrë dramatike në këngën XXXII të Ferrit. [3]Gjithashtu Dante Alighieri, përshkrimin e dy flakëve të shpirtave të Odiseas dhe të Diomede në këngën XXVI të Ferrit, e ka huazuar nga libri XII i Tebaide, ku Publio Papini Stacirrëfen fundin e dy vëllezërve Eteokle dhe Poliniçe, djemtë e mbretit Edip, që bashkëndajnë të njejtin zjarr funebër, duke u djegur në dy gjuhë flakësh të ndara, larg njeri nga tjetri, si shprehet Staci “dhe të vdekur shpirtrat e tyre nuk gjetën paqe në luftën mes tyre pa fund për pushtet”.[2]
Publio Papino Staci, në vargjet 40 – 75 i spjegon Dantes natyrën metafizike të Purgatorit.
Dante Alighier,i gjatë udhëtimit në Purgator, ka dy shoqërues Virgjilin dhe Publio Papini Staci, si e përshkruan në këngën XXI, strofa 93. Në këngën XXI të Purgatorit, ndërmjet të penduarve të ndëshkuar në rrethin V për mëkatin “dorëçpuar – për shpenzime pa kritere”, ndodhej Publio Papini Stasi, i cili kur ishtenë përfundim të masës të dënimit, ndjeu një lëkundje e fortë termeti,që e tundi malin dhe shpirtërat e penduar kënduan njëzëri këngën Gloria. Në pjesën e fillimit të këngës XXI, Virgjili ia prezanton Dantes pikërisht Publio Papini Stacin, por p aia treguar emrin, duke i thënë se ai do t’i spjegoi arsyet e tërmetit, që ishte dhe shenja që shpirtërat e kishin përfunduar purufikimin dhe se mund të ngjiteshin në Parajsëën Tokësore.
Publio Papini Staci si udhërrëfyes, i tregon Dantes se mali i Purgatorit, me pak përjashtime, ka shpate shumë të pjerrët dhe nuk ka asnjë lloj agjenti atmosferik si ato tokësoret, madje nuk ekzistojnë dhe ato që provokojnë tërmete, të cilat Dante i quan “avujt e thatë” dhe avujt e dendur”. Lëkundjet e tërmetit që Dante ndjeu në përfundim të këngës Gloria, që këndoi kori i shpirtrave, në fakt ishte shkaktuar nga kalimi i shpirtërave në Parajsën Tokësore, madje këto lëkundje do të shoqërohen nga kori, sa herëqë do të ndihet kalimi i shpirtërave. Më tej, Publio Papino Staci i spjegon Dantes, se nuk është ndërhyrja e jashtëme që dikton kalimin në rrugën tonë në vazhdim dhe se janëpikërisht vetë këto shpirtëra, që vendosin purifikimin tonë (pastërtinë shpirtërore).
Gjithashtu Staci i tregon se ka qëndruar në rrethin e pestë pesëqind vite dhe se e kishte provuar herë pas here lirinë të ngjitej nëpër shpatet e Purgatorit, i shoqëruar me këngën Gloria, të kënduar nga kori i shpirtërave. Kur Staci e përfundoi rrëfimin, Virgili e pyeti shpirtin e Stacit: përse kishte qëndruar për kaq shumë kohë i mbyllur në këtë rreth? Në këngën XXII të Purgatorit, Staci tregon se ka bërë mëkat në shpenzimet e tepruara, pra ishte dorëçpuar dhe se ishte çliruar nga ky mëkat pasi kishte lexuar librin Eneide të Virgjilit, saktësisht ku Virgjili dënon dhe mallkon “urinë për floririn”. Në këtë pasazh, Dante e interpreton si ndëshkim “lakminë e shenjtë për arin”. Publio Papini Staci i përgjigjet dyshimeve të Virgjilit, i cili mendonte se ishte pagan dhe befasohet kur i tregon se ishte konvertuar në të krishterë, si e shpreh Virgjili në vargjet e Egloga IV. Pra Staci ishte i krishterë por nuk shprehej nga frika e persekutimit nga Diokleciani, andaj po e kryente ndëshkimin në rrethin IV, ndërmjet të plogëtëve – dembelëve. Publio Papini Stacii shoqëroi të dy udhëtarët në rrethin VI ku ishin grykësit (të pangopurit) si e përshkruan Dante në këngët XXIII – XXIV, ku takuan Bonagiunta da Luka, para se të ngjiteshin në rrethin VII, ku ndo-dheshin luksuriozët (epshorët). Gjatë këtij udhëtimi Staci i spjegoi Dantes teorinë e gjenerimit të shpirterave (kënga XXV).
Publio Papini Stacit dhe Virgjilit (vargjet 76 – 136)në Purgator.
Gjatë bashkëbisedimittë Dantes me shpirtërat e Virgjilit dhe Stacit, këta të dy nuk e shihnin njeri tjetrin, ndërsa Danti i shihte dhe i dëgjonte të dy. Stacio tregon si ishte i famshëm për poezitë e tij gjatë kohës të Vespasianit, në kohën e shtypjes të revoltës të hebrejve nga Tito, që përfundoi me shkatërrimin e Jerusalemit dhe shpërndarjen e hebrejve. Në këto rrëfime, Stacci përmend dhe dy veprat e tij kryesore, të njohura në kohën e Dantes, pikërisht Teabaide dhe Achilleide, duke deklaruar se për hartimin e tyre ishte inspiruar nga veprat e Virgjilit, poeti i tij inspirues dhe i admiruar. Ndër të tjera i thotë Dantes se Eneida e Virgjilit ishte frymëzuesja e të gjitha poezive të tij dhe duke shprehur mirënjohjen për Virgjilin, i thotë se do të kishte pranuar ta zgjaste praninë në Purgator, në se do të kishte pasur fatin të jetonte ne kohën e Virgjilit. Pas këtij rrëfimi, Dante dhe Virgjili shkëmbenin shikime mimikekënaqësie dhe buzëqeshje, nga fakti se Staci e lavdëronte Virgjilin, por nuk e shihte shiprtin e tij, që i qëndronte përballë. Duke parë fytyrën e Dantes që ndriste nga buzëqeshja, Staci e pyeti përse ky gëzim i veçantë dhe Dante i tregoi se Virgjili ndodhej përballë tij dhe në çast Staci u ul në gjunjë në këmbët e Virgjilit me një gëzim entusiazmues, duke harruar paqëndrushmërinë e shpirtërave të dyve, si i përshkruan Dante në këngën II të Purgatorit dhe episodin e Kazellës (Casella).
Dante Virgjili dhe Staci në Parajsë.
Të tre poetët Dante, Virgjili dhe Staci së bashku u ngjiten në Parajsë (kënga XXVII), ku Dante fillimisht u takua me Matelda (kënga XXVIII), e cila iu spjegoi tre udhëtarëve se poetët antikë, e kishin vizituar parajsën kur këndonin në epokën e artë, fjalë këto që i bën të qeshnin Virgjilin dhe Stacin. Në vazhdim shfaqet Beatriçia dhe nga këtu largohen nga skena Virgjili dhe Publio Papini Staci. Danten e shoqëroi e adhuruara e tij Beatriçia, udhërrëfyesja në proçesionet simbolike (kënga XXXII), e cila e shoqëroi Danten në ujrat e Eunoè (lumi i shpikur nga Dante, kënga XXXIV, me kuptimin “kujtesa e mirë”), ku kryen ritet, që e paraprinë ngjitjen në Parajsë së bashku me Beatriçen.
Dante, Virgjili dhe Staci.
Dante zgjodhi Virgjilin si udhërrëfyes sepse e njihte mjeshtëritë e tij në prezantimin e alegorisë të arsyes njerëzore, që udhëhiqte në rrugën e shpëtimit të njerëzve nga mekatet. Në vargjet 79 – 80 të Purgatorit, Dante prezanton roline Virgjilit në krijimtarinë danteske: “Or se’ tu quel Virgilio e quella fonte che spandi di parlar sì largo fiume?”. Dante e admiron Virgjilin, sidomos veprën “Eneide”, e cila i shërbeu si model inspirimi si për personazhet dhe për krijimin e udhëtimit në zbulimin e botës së përtejshme, që Virgjili i kishte trajtuar në udhëtimin e Odises në botën e përtejshme, duke theksuar “O de li altri poeti onore e lume, vagliami ‘l lungo studio e ‘l grande amore che m’ha fatto cercar lo tuo volume.” (Kënga I, vargjet 82-84).
Dante zgjodhi si personazh dhe si udhërrëfyes dhe poetin ilir Publio Papini Staci, nga i cili mori epikën alegorike dhe ngjarje nga mitologjia antike, të cilat i përshtati mjeshtërisht në hartimin e Komedisë Hyjnore. Dante e vlerëson me admirim Publio Papini Staci, madje i përkushton dhe lëvdata, si shprehet në fillim të vepres:” Stazio la gente ancor di là ti noma: cantai di Tebe, e poi del grande Achille – Stacio njerëzit atje ende të përmendin ty, si i këndove Tebës dhe pastaj të madhit Akil”.
Dante Alighieri dhe Pashko Gjeçi, që i dha shpirtin shqiptar Komedisë Hyjnore.
Dante Alighieri është njohur kaherë nga bota shiptare, si e ka prezantuar piktori Kol Idromeno (1860 – 1939) ne tabllonë unikale “Dy rrugët – ferrparajsa shkodrane”, e realizuar në vitet 1890 – 1909, ashtu dhe me shkrime e komente në shtypin e kohës nga Pashko Gjeçi dhe Lazër Radi. Që herët veprat e Dantes u studiuan në gjimnazet shqiptare, sidomos të Shkodrës. Një ndër personalitetet e kulturëa shqiptare, që përktheu në gjuhë shqip Dante Aligierin, është përkthyesi i talentuar, latinisti shquar Pashko Gjeçi.
Pashko Gjeçikreu studimet e larta në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku u laureua “Doktor në letërsi dhe filozofi”. Ndonëse e propozuan asistent – pedagog në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, Pashko Gjeçi, i nxitur dhe nga miku i tij Ernest Koliqi, në vjeshtën e viti 1942 u kthye në Atdhe. E emëruan pedagog i letërsisë dhe i latinishtes në Gjimnazin Femëror të Shkodrës e gjatë kësaj kohe filloi të përkthejë dhe Dante Alighierin. Më 4 shtator 1947 dënohet me burgim me akuzën absurde “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Pas lirimit nga burgu, regjimi komunist e transferoi në Fushë Krujë, ku u impenjua intensivishtnë përkthimin e krye-veprës “Komedia Hyjnore”, një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përtejshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Në një bisedë me At Zef Pëllumbin, Pashko Gjeçi i tha: “A din Zef, m’bahet sikur Alighieri e ka shkrue nj’at Ferr për ne t’ndrymunit këtu, n’ket terr!”
Në vitin 1960 u botua Ferri, pjesë e parë e Komedisë Hyjnore. Veprës nuk i u bë ndonjë jehonë atë kohë, por Nasho Jorgaqi theksonte se një vepër të tillë madhore mund ta realizonte vetëm Pashko Gjeçi.“Komedia Hyjnore”e përkthyer mjeshtërisht në dialektin e ambël gegënisht nga i madhi dhe i paharruari Pashk Gjeçi u botua e plotënëvitin 1962, si e ka theksuar Ismail Kadare: “Princi i madh erdhi në Shqipëri si një paradoks, kur mendojmë se përkthyesi i madh Pashko Gjeçi, e prezantoi këtë vepër gjigande para lexuesve shqiptar”. Edhe unë, si shumë breza të tjerë kam pas fatin ta lexoj e të magjepsem me vargjet e thuruna harmonishëm dhe aq ambëlsisht në Komedinë Hyjnore të Pashko Gjeçit. Në orët e letërsisë, në klasën tonë të gjithë përfshiheshim në magjinë e atmosferës danteske, kur pedagogia e jonë Nexhmie Bordi ikëndonte vargjet e përkthyera prej Pashko Gjeçit dhe në mbyllje theksonte: “Vlerat e Komedisë Hyjnore, shprehin afësitë poetike dhe kulturën erudite të Dantes, por atyre iu shtohen dhe vlerat e përkthimit të përkryer, me art letrare gjuhësor të rrallë të mjeshtrit Pashko Gjeçi”. Me shqipërimin e kryeveprës të Dante Alighierit, Pashko Gjeçi i dha shpirtin shqiptar Komedisë Hyjnore. Sa dëshirë kam të prezantoj vargje nga përkthimi mjeshtëror i Pashko Gjeçit,por në këtë shkrim po kufizohem duke përsëritur si shprehet bukur dhe plot ndjenja Ledia Shamku: “Shqipërimet e tua më kanë magjepsë e më kanë kënaqë, Pashk, deri në galdim. Ato të trandin. Sa i kobshëm duket n’shqipen tënde dhe në shqipen tonë, Kont Ugolini – banor i Ferrit – kur “gojën fill e çoi nga e zeza gjellë / tuj e mshi me flokt e kresë, që mbrapa ja kish grrye shpellë”!
Për vlerat letrare dhe meritat në shqipërimin e Komedisë Hyjnore nga Pashko Gjeçi, Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të Komedisë Hyjnore. Në vitin 2004,Pashko Gjeçi u dekorua nga Presidenti i Republikës Italiane Azelio Çampi me “Ordine della stella, della solidarietà italiana”, pikërisht për përkthimin e Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit. E për këtë eveniment, Ledia Shamku shprehet: “Ky fakt aherë mjaftonte me e zhdavaritë legjendën urbane (që sot ka nisë sërish të ndërmlytet posht-e-lart), se shqipja nuk paskësh fuqi të matet me lisat e letërsisë botnore; me e zhdavaritë posikur dielli mjegullën në agshand. E sa për sot, nuk është shqipja në vetvete e pafuqishme, por është flashkë pa-hiri dija e shqipfolësve mbi gjuhën amtare. Prandaj kishim me t’u lutë tash me na marrë gjithsecilin përdore e me na udhëheqë si Virgjili drejt fuqisë së gjuhës që ti njohe”.
Pashko Gjeçi është nderuar dhe me disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Për 90-vjetorin e lindjes,Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë i akordoi Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa 1.) të Gëtes.
Dante Alighieri dhe Isamil Kadare, princi i letërsisë mbarëshqiptare.
Viti 2005, shënoi një evenimet të rëndësishëm në veprimtarinë letrare të Ismail Kadaresë .Pas një pritje të gjatë, mëdyshjesh dhe paragjykimesh të padrejta ideologjike dhe i renditur në garë përkrah me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore si Gabriel Garcia Marquez, Milan Kundera, Margaret Atwood, Philip Roth, John Updike e me shumë të tjerëve, më së fundi dhe për merita, Grande Giuria i akordoi Ismail Kadares çmimin prestigjoz “Man Booker International”. Pas nderimit me këtë çmim të shumë pritur dhe të merituar, Ismail Kadare iu prezantua lexuesve me disa vepra të reja e ndër ato, po në vitin 2005 botoi “Dantja i pashmangshëm ose Histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligerin”, e përkthyer në italisht “Dante l’inevitabile” nga Françeska Spinelli.
Atë kohë, shqipërimit të mrekullueshëm të Pashko Gjeçit, i mungonte një esse, një vepër dedikuar Dantes dhe këtë boshllek e mbushi denjësisht Ismail Kadare. Kjo vepër e Kadares u mirëprit me entusiazëm jo vetëm nga lexuesit shqiptarë, por dhe nga të hujat e sidomos nga lexuesit e shumtë italianë. Në atmosferën e suksesit të ri, Ambasada Italiane në Tiranë, organzoi promovimin e librit të Ismail Kadare dhe në këtë aktivitet mori pjesë dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Dr. Attilio Massimo Ianucci, i cili në diskutimin e tij e vlerësoi këtë sprovë të Ismail Kadares me komplimenta dhe lëvdata të merituara, nga ato që i mungojnë fjalorit të kritikës shqiptare. Kjo vepër e re e Ismail Kadare nuk erdhi rastësisht, përkundrazi pritej prej kohësh, sepse mungonte një vepër që të trajtonte raportet e bashkëpunimit historik dhe kulturor të popullit shqiptar me Danten dhe me popullin italian. Në shtator të vitit 1997, në Certaldo (Toskana – Itali), Ismail Kadares i akorduan çmimin ndërkombëtar “Giovanni Boccaccio” dhe në diskutimin e tij, Kadare e përkufizoi fisnikun toskan Dante Alighierin “Princi i letërsisë dhe babai i gjuhës italiane, princi i unitetit të Italisë, një shembull për të gjithë ne”. Prej shumë kohe, Kadare kishte menduar dhe kishte hedhur shënime për Danten dhe ishte vetë Dante që e kishte inspiruar t’i dedikohej në një sprovë, e cila më së fundi arrijti natyrshëm, si çdo libër i krijimtarisë Kadareiane.
Shumë lexues, të nxitur nga kurjoziteti mund të pyesin: kush janë të rejat që na sjell Kadare me këtë libër me 70 faqe? Përgjigjiet janë të shumta, së pari është fakti, që në çdo botim të ri, Kadare është plot me risi, por përgjigjien më të plotë e ka dhënë vetë autori: “Kam filluar të shkruaj i inspiruar nga dashuria Danteske, sipas Dante Alighieri dashuria është forma ideale e inteligjencës humane, gjithë të tjerat vijnë pas dashurisë”. Më tej Kadare shton: “Në historinë e popujve ekzistojnë paradokse shenjtërimi, Dante është një ndër ato të pashmangëshmit”.
Dante Alighieri ka shkruar shumë vepra, por mbi të gjitha shquhet kryevepra e tij “Komedia Hyjnore” dhe veprimtarisë së tij krijuese i janë dedikuar me dhjetramijëra shkrime, komente dhe vepra të shumta, por në se shkohet në bibliotekën e Santa Croce (Kryqi i Shenjtë) në Bologna, që ndodhet në një mjedis të madh mesjetar të shekullit XI, do të gjendeni të rrethuar me rafte të mbushura me libra të Dantes dhe të shkruara për Danten, por nuk është e nevojshme të shkohet aq larg e për më tepër në këto kohë të tronditura nga koronavirusi (Covid-19), por mjafton të shkohet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar dhe aty do të gjeni pesë kilometra dokumenta të Dantes dhe për Danten.
Një përgjigjie tjetër autori e jep me nëntitullin e kësaj sprove, që shpreh atë që mungonte: një Histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligerin dhe më tej “kjo është një përpjekje për të prezantuar marrëdhëniet e fqinjës më të afërt të Italisë dhe të Dante Alighierit me Shqipërinë e vogël (faqe 14) dhe në vazhdim shton: “… është pasioni i Shqipërisë së vogël të shprehi historinë e saj me Dante Alighierin”. (f. 71)
Në prezantimin e veprës të Kadares “Dantja i pashmangshëm”, kritiku i artit Aurel Plasari theksoi: “Në leximin e parë të kësaj sprove, të lidhjeve të Shqipërisë me Dante Alighierin, të krijohet përshtypja se jemi mbledhur në nje festë poezie, ku ndodhen Dante Alighieri në një anë dhe Ismail Kadare në anën tjetër, por në fakt më lejoni të theksoj se më shumë se një festë për poezinë dhe për poetët, kjo është një ceremoni dedikuar dy mentorëve (saggisti), njeri italian – Dante Alighieri dhe tjetri shqiptar – Ismail Kadare”.
Me botimin e “Dantja i pashmangshëm”, Ismail Kadare prezantohet përsëri si esseist, ku shpreh në mënyrë sintetike dhe fuqishëm mendimet e tij me një alegori të sofistikuar Kadareiane. Dihet se Dante studiohet jo vetëm në lëndët e letërsisë, por studiohet dhe për mendimet folizofike dhe në historinë e mendimit italian. Kështu si veprohet me Danten, nuk ndodh me Kadaren, kritika dhe letërsia shqiptare ende nuk është ulur të studioi dhe të përgjithësoi mendimet Kadareiane, që janë një pasuri e madhe letrare dhe kulturore.
Me botimin e sprovës “Dantja i pashmangëshmi”, Ismail Kadare i rikthehet përsëri raporteve të kulturës shqiptare me kulturat europiane dhe botërore, ashtu si kishte vepruar me esset për Eskilin, Dosjen H, Servantes etj, duke shprehur sa aktual është ky motiv i vjetër, në mënyrë të veçantë kur na kujton si Shqipëria e kishte humbur përkohësisht Europën. Këtë rrethanë, Kadare e përshkruan si paralele me humbjen e Dantes, duke e trajtuar fatin e Shqipërisë me vdekjen e poetit të madh. Dialogu i Kadares me kulturat europiane, prezantohet si një provë e re, duke bashkuar historinë dhe kulturën shqiptare, me atë europiane. Këto aspekte, Kadare i përshkruan me stil lakonik dhe elokuent, me pasuri admiruese gjuhësore, me stil dantesk, duke shprehur dhe shqetësimet e brendshëme, duke prekur vuajtje dhe pengjet, i trajton ngjarjet shqiptare me preokupim patriotik, pra me të njëjtën mënyrë si Dante Alighieri trajtonte Italinë e kohës së tij. Ky trazim shpirtëror i Kadares është i lidhur me fatin e Shqipërisë, me afërsinë dhe largësinë me Europën. Për të shprehur këtë realitet, Kadare zgjodhi Dante Alighierin, frymëzuesin e tij. Historia e Shqipërisë është e mbushur me plot ngjarje dantekse, me të mira dhe të këqia, me suksese dhe dështime, me lufta dhe paqë hyjnore, me konflikte dhe harmoni, ku emocionet dhe pasionet herë pas here janë shndërruar në materie eksplozive, për të krijuar frikën dhe nënshtrimin, ku pushtet janë ushqyer nga hakmarrjet primitive, çka jo rrallë dëshirat për progresjanë penguar nga mediokrit dhe karieristët. Këto realitete Kadare nuk i fsheh, përkundrazi, ashtu si në shumë vepra të tij dhe në këtë sprovë, i shpreh hapur gjatë bashkëbisedimeve me Dante Alighierin, duke e prezantuar Shqipërinë si një realitet dantesk “në krizë morale”, por dhe duke treguar rrugët për daljen nga këto situata. Në Komedinë Hyjnore Dante kishte udhërrëfyes Virgjilin, Stacin dhe Beatriçen, ndërsa Ismail Kadare në sprovën e tij, ka udhërrfyes Dante Alighierin.
Bibliografia:
- Cormiliolle P. L. ”Oeuvres de Stace – Veprat e Stasit”, botim i Société Libre des Sciences,
- Lutfi Alia. Poeti Ilir Publius Papinius Statius. Zemrashqiptare.net 02. 04. 2020.
- Valerio Raffaele. Stazio nella Divina Commedia. Studio critico-estetico. Arezzo.
Tipografia del XX sec. 1901.
- Erasmo di Valvasone. La Thebaide di Statio. In Venetia. 1570, 18 – 47
Appresso Francesco de Franceschi Senese.
- Bonino Mombrisio. Della Tebaide. Milano 1478. F. 12 – 18
- Giulio Lisati. Saggio di traduzione in ottava rima del libro VII della Tebaide di Stazio.
Ediz. 1923.Ribotim ne anglisht 2002 dhe Editore Nabu Press 2012, f. 16 – 20
- Cornelio Bentivoglio. La Tebaide di Stazio. Edizione UTET, Torini 1928, vol 2, 268 – 280
- Marti B. M, “La structure de La Pharsale”, in Entretiens sur l’Antiquité classique, tom XV, Lucain,
Genève, 1968, f 21 – 40.
- Publio Ovidio Nasone.Metamorphoses: 1471. Editio princeps Bologna IV, 562 – 603
- Radi J., Skeda Biografike e Pashko Gjeçit, radiandradi.com, 2 gusht 2013.
- Lutfi Alia. “Dante l’inevitabile” di Isamil Kadarè. Rivista Passags, Nr. 3, 2006, pp. 275 – 278