22/12/2024

ÇMIMI I LIRISË ËSHTË PO AQ I LARTË SA AI I POSHTRIMIT

0
u1_Shahu-Nela

(Fragment nga libri i Rexhep Shahut, Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelen)

NGA REXHEP SHAHU

Ti the, Jo, Havzi, në atë kohë kur nuk guxohej të thuhej jo, sepse të shkonte koka.

Por ti the jo, krenar e i bindur. Jo! Nuk ju dua, the ti. Unë nuk ju dua ju. Unë jam kundër jush.

Këto gjëra sot merren lehtë, Havzi, por atëhere në 1975 kur diktatura nxirrte zjarr prej goje, të shkonte shurra pika – pika po ta mendoje e jo më të shpreheshe, siç shpreheshe ti. Nuk të pikonte shurra, por pshurrje gjak po të mendoje e jo më të veproje, siç veprove ti.

Ti ëndërroje të ardhmen Havzi. E mendoje të bukur. Të linin të ëndërroje, ishin gati me ta falë të ardhmen, por nuk të duronin në të tashmen që jetove ti, ishe i ashpër ndaj tyre e ndaj vetes tënde, u shkaktoje frikë Havzi. Jetohej nën frikë, Havzi.

Le të gënjejë kush më shumë e kush më pak se nuk kemi patur frikë. Frikë deri në qiell, frikë sa bëheshim gogla dushku nga frika.

Për këtë që ishe, siç ishe, siç të njoha vonë ndër vite përmes të tjerëve, përmes veprimeve e sjelljeve të mira e të këqia të të tjerëve, unë të desha e të nderova gjithnjë e më shumë.

Ti Po-në e kishe po dhe Jo-në e kishe jo.

Unë nuk u angazhova as në 1996 e as herë tjera që kam shkruar e as në 2005 kur u bëre Nderi i Qarkut Kukës, as 2018, për ty e me ty se isha apo jam antikomunist apo komunist, disident apo jo disident. Jo! Nuk kam konkuruar, as konkuroj këtu për këto gjëra. Unë kam një veprimtari shkrimore në tri dekada dhe aty konkuroj me veten e kohën në të cilën jetoj.

Unë u angazhova dhe dua ta çoj deri në fund idenë, mendimin, projektin që ndërtova me mend për ty Havzi. Busti yt, Shtëpia jote, nr. 14, nr. special i revistës Illz, revistë lëtrare e e Tiranës kushtuar ty dhe shkrimtarëve martirë, libri Shkrimtarët për Havzi Nelën – Shpirti i lirë i Lumës, përgatitja e botimit të librit tënd Shtatë Fletore me 5548 vargje tuat, ky ishte projekti im që u mbështet fisnikërisht nga kryetari i bashkisë Kukësit dhe humanisti Flamur Hoxha. Aktiviteti i fundit i projektit tim është ky libër: Bisedë me Havzi Nelën.

Unë e çmova dhe e çmoj shumë qëndresën tënde që duhet të jetë model për të gjithë.

Mësova prej teje të them Po dhe Jo, ashtu siç ta gjykoj. Ti je shkollë e madhe vlerash, shkollë morali, qëndrese, dinjiteti.

Gjithkujt i lejohet me ndryshue, nuk është mëkat as krim ndryshimi. Mund të jesh komunist e bëhesh anti- komunist, njeriu i lirë e bën lirinë e vet, bën zgjedhjen e vet.

Shpikësit e armëve, të kallashnikovit, të katjushkave, të bombave shfarosëse i kemi gjeni, i kemi shpallë gjeni ani se me armët që ata kanë shpikë janë shfarosë njerëz. Shpikësi i dinamitit aq i nevojshëm për ekonominë e zhvillimin, aq shkatërrues e rrënues, krijoi me emrin e tij çmimin Nobël të paqes që e lakmojnë pothuaj gjithë të diturit e botës, Nobël në shumë fusha të kulturës e dijes njerzore. Ndoshta edhe këto vertetojnë atë që po dua të them, që nuk është mëkat ndryshimi dhe gjithkujt i lejohet të ndryshojë mendje e sjellje, gjithkush ka të drejtë të ndryshojë, të pendohet, të njerzohet a të bëjë ç’të dojë me veten e jeten e tij dhe askush nuk ka të drejtë ta gjykojë me stilin e mënyrën socialiste a komuniste të thashethemnajës që i keqi është i keq gjithmonë, që i keqi nuk “lejohet” të bëjë mirë as të bëhet i mirë, edhe të bëjë mirë nuk i quhet e mira, nuk bëhet dot i mirë, që e mira e të keqit duhet refuzuar, që një njeri me biografi të keqe nuk quhet i mirë as rehabilitohet në sytë tanë edhe pse ia shpëton jetën një fëmije apo një gruaje apo dikujt kujtdo.

Shkurt për “komunistin” e “antikomunistin” damka nuk të hiqet kurrë edhe pse ke kryer dënimin që të është caktuar, nuk je i pranueshëm kurrë, ose bisht qeni do të mbetesh gjithmonë. Kjo është ajo që shefat apo pronarët e partisë nuk duan të pranojnë të tjerë se ju duket se po zvogëlohet copa e tyre por edhe pronarët apo shefat e antipartisë nuk lejojnë të afrohet kush se rrezikohen nga të ardhurit e rij që ndjehen të rehabilituar. Shkurt posti i qelbur tek partia ose te antipartia mbrohet me refuzimin e tjetrit, me dëbimin e linçimin e tjetrit.

***

Ti nuk u pendove, për asnjë vuajtje, ndonëse i pate të rënda e shkatërruese për mëse dy dekada. Ti Havzi u mësove me dhimbtat e tua, me plagët e shpirtit, me dërmimet që t’i bënë dhe sikur nuk bëje pa ato dhimbta, ato plagë shpirti që shpesh të dukeshin si lëvdata mbase ngaqë nuk ishe mësuar kurrë të dëgjoje një lëvdatë po veç qortime, përbuzje, linçim, urrejtje, të dukeshin mbase si dekorata të qëndresës tënde ato plagë që kishe në shpirt.

Si askush, e pagove shumë të lartë e të rëndë çmimin e lirisë, e pagove me litar në qafë. Besoj plotësisht se ti ke qenë gjithmonë i bindur se liria ka çmim shumë të lartë por nuk janë dakort njerzit ta paguajnë çmimin për të, nuk janë gati njerzit ta paguajnë çmimin e lirisë. Ti e pagove Havzi dhe u bërë i lirë. I lirë me qenë trim, i lirë me qenë vetja, i lirë me vdekë krenar. Ti e ke ditë mirë se të gjithë do të vdesim, por çeshtja është se ti vendose me vdeke me nder e dinjitet si trim e jo si zvarranik. Ti e ke ditë se çmimi i lirisë është po aq i lartë sa ai i poshtrimit, i zvarritjes. Ti zgjodhe të mos paguash për poshtrimin e zvarritjen, por për lirinë.

Një gjë ta dish edhe pse s’ta kanë thënë kurrë. Të kanë patur e të kanë zili të gjithë ata që të kanë njohur. E vështirë me qenë si ti, e vështirë të bësh si ti.

Fati të përplasi të jesh në burg me të dënuar ordinerë ë kamufluar si të dënuar politikë, me përdhunues e ngacmues nxënësesh që për hir të ruajtjes së cipës publike, duheshin fshehur veprat e vërteta penale të tyre e duheshin ndryshuar akuzat nga përdhunues e ngacmues nxënësesh në agjiacion e propagandë, nga fajtorë të pështirë ordinerë, i shndrruam në fajtorë politikë, e më pas në heroj…

Çfarë nderi u bëri monstrave diktatura dhe ne me heshtjen tonë…

Ty të ra gjatë të rrish me monstra të tilla, që në Amerikë i fusin në karrike elektrike. Këto lloj monstrash të shiteshin ty si politikanë, si të burgosur politikë.

Ti ke qenë naiv e besues përtej çdo kufiri ndershmërie. Edhe u ke besuar këtyre lloj monstrave.

Tani i kemi nëpër këmbë këto monstra Havzi, dhe të zvogëlojnë ty e zmadhojnë veten në tavolina të pista ku rreken ta shkruajnë historinë e fallsifikuar të disidencës së tyre që të mashtrojnë brezat që do të vijnë…

Por ti që e doje veten dhe dinjitetin nuk bëje lojra.

Nuk u përgjërove, nuk spiunove që të të merrnin me të mirë, nuk u lute nëpër gjyqe, nuk the asnjëherë se jo, nuk e kam thënë apo nuk e kam bërë këtë, jo, me keni keqkuptuar, jo, më kanë ngatërruar me tjetër kënd, unë jam i pafajshëm por më kanë marrë në qafe…

***

Shoh e dëgjoj njerëz që flasin shkëlqyeshëm në tavolina, tubime e tribuna, por gjithmonë kanë një hije frike në sy, rrotullojnë sytë sa andej këndej nga një frikë e madhe se mos po vjen ndokush që nuk duhet me ardhë, nuk duhet me qenë i pranishëm aty…

Është luks i madh e privilegj i jashtëzakonshëm të jesh e të ndjehesh i lirë, të mos kesh frikë nga vetja jote, nga e djeshmja dhe e sotmja, nga bëmat e tua apo nga njerëz të tjerë të cilëve u fshihesh në jetë…

Është bekim të mos i fshihesh askujt, të mos fshihesh prej askujt. S’ka paqe më të bardhë e më të hijshme se sa të mos i trembesh askujt.

Po vetes a mund t’i fshihesh?!

***

Sa herë ngushtohem e vihem në siklet nga presioni banal e i pandershëm i “antikomunistëve” të shpikur që shtiren si të tillë, që shtiren se kanë bërë namin dhe e kanë palosë për vdekje kushedi sa herë Enverin a Ramizin, pra sa herë ngushtohem Havzi, u bëj një pyetje të thjeshtë e të vogël, ku ke punuar gjatë diktaturës, çfarë ke punuar, çfarë shkolle ke mbaruar… Dhe aty zbulon falsitetin e disidencës së tyre ndaj regjimit të kaluar komunist.

Ti Havzi, Trifoni, Vilsoni e Genci jeni heroj, të varur ose të pushkatuar. Por ndokujt nuk i mjafton kjo gjë por thonë se jeni treguar mosmirënjohës ndaj partisë, pasi partia u ka çelë sytë, u ka shkolluar e ju i jini kundërvënë. Nga shkaku i mosmirënjohjes tuaj partia u ka dënuar…

Stuhi të tilla fjalësh shpesh bëjnë shpjella të mëdha mërie. Gjenden njerëz të pistë në radhët e të dënuarve që mallkojnë në bllok komunistët. Gjenden si të porositur nga sigurimi i shtetit antikomunistë me lejë që drejtojnë gishtin e mallkimit ndaj komunistëve të thjeshtë por jo ndaj Ramiz Alisë dhe byroistëve, pasi marrin rroga nga bizneset e pinjollëve të byroistëve.

120 mijë anëtarë të Partisë së Punës të Shqipërisë kanë jetuar në Shqipëri gati gjysmë shekulli, kanë qenë anëtarë të thjeshtë partie, bujq, blegtorë, mjelse, kooperativiste, minatorë, sharrtarë, saldatorë, sondistë, oficerë, etj etj. 120 mijë anëtarë partie janë shumë. Por nuk janë kriminelë këto anëtarë partie. Me to kemi bashkëjetuar dhe rrallë familje që nuk ka qenë e lidhur dhe e përzier me ta. Të shash komunistët pa pushim edhe me libër shtëpie njejtë si me recitue parullën “Parti Enver – jemi gati kurdoherë”, do të thotë ta shpikësh një ndarje, ta thellosh dhe të mbash ndezur një flakë urrjetje e refuzimi ndaj të përndjekurve e të dënuarve të diktaturës. Këtë e bëjnë besoj ordinerët se atyre u mungon fisnikëria.

***

Tri dekada pas rënies së diktaturës, që është më shumë se një brez njerzor, ne përgjithësisht sillemi si në diktaturë, ashtu mendojmë, bardh e zi, ashtu akuzojmë, ashtu gjykojmë, ashtu vendosim. Ndoshta jemi ne ata njerzit e rij të socializmit, njeriu i ri i partisë që kemi mbete tani në hava në udhëkryqe dhe nuk e gjejmë veten tonë në këtë kaos.

Pa aspak droje dhe me turr i thuhet gjithkujt komunist, spiun. Edhe komunisti i dikurshëm i thotë dikujt sot kështu edhe spiuni i dikurshëm i thotë dikujt kështu. Si është e mundur që shoqëria ka mbetur në vendnumëro, ka qëndruar në vendnumëro. Po 30 vitet që ikën, po gjithë këto ndryshime të jashtëzakonshme që kanë ndodhur, gjithë këto përparime e pozitivitete, gjithë kjo liri që na është dhënë, liri edhe me tepri. Si mundet të mos i kuptojme e të mos e pranojme çfarë ka ndodhë në 30 vite por të qëndrojmë e të kalojmë në të shkuarën dhe me kutin e të shkuarës të gjykojmë të sotmen. Nuk arrij ta kuptoj Havzi këtë katastrofë, kështu e quaj unë nuk i vë dot emër tjetër.

Dikush që ka qenë fëmije 5-6 vjeç në komunizëm nuk mund të jetë komunist edhe pse ne e akuzojmë kështu. Është e pamundur.

Po duhet të jetë e pamundur që dikush të shprehet kështu për të rinjtë. Ata që kanë qenë të rritur e kanë infeksionin e kanë mikrobin enverist por jo fëmijët.

***

Për sytë e botës… për veten tonë tek tjetri përballë.

Ne më shumë jetojmë tek tjetri e për tjetrin, jo për veten. Vdesim ta dimë si është vetja jonë tek tjetri, si na sheh tjetri, a jemi të mirë tek tjetri, tek sytë e tjetrit, a i vlejmë tjetrit, a na pranon tjetri.

Ndodh kështu në përditshmërinë tonë gjithmonë. Ndodh kështu mbase nga pasiguria në veten e për veten që kanë shumica e njerzve.

Gratë psh, rrinë me orë para pasqyrës, vish këtë, vish atë,… gjithmonë kryesisht për sytë e botës, më shumë për sytë e të tjerave, pak për sytë e të tjerëve, akoma më pak për sytë e të tuve.

Gjithmonë ankth për t’u pëlqyer nga të tjerët, për të sfiluar para të tjerëve, gjithë jeta sfilim, paqetësi, ankth për pëlqim e pranim, dyshim i pafund që prevalon mbi problemet e tjera…

Shumëkush, në pamundësi të gjetjes së paqes e të vetpranimit nga vetja, rri peng e në varësi ankthi a po pelqehet, a po pranohet nga tjetri përballë i afërt a i largët, nga eprori, nga shefi, nga partia, nga udheheqja… Tjetri, tjetri, ky është problemi, si dukemi tek tjetri. Pasiguria në vetvete bëhet vrasëse para të tjerëve.

Tjetri ka bërë burg, ka përjetuar tmerre në burg, ka mbijetuar, ka dalë në liri prej dekadash dhe kur vjen puna, rri si kukuth para shefit të tij të të përndjekurve politikë, shef që nuk ka vuajtur asnjë orë burg, shef që është më i mangët intelektualisht, shef që është një copë pijaneci ordiner, që ka patur babanë spiun, që ia kanë shembur në hu babanë në burg e jashtë burgu, që mund t’i ketë shtuar një germë emrit të tij në fund, shef që nuk e ka mbaruar shkollën 8 – vjeçare, që ka blerë diplomën e gjimnazit, që ka blerë diplomë fakulteti në ndonjë kioskë në vendet fqinje ose në kioskat e Tiranës, që me këto diploma dhe me presione si i përndjekur politik ka fituar poste e grada në qeverisjen e PD duke qenë total analfabet funksional, që si pasaportë morali e presioni përdor fotografitë me liderët e partive.

Para këtij tipi, pse duhet të kompleksohet i përndjekuri politik real, pse nuk duhet të revoltohet e ta refuzojë këtë tip, këtë tip shefi. Pse duhet të sforcohet i ndershmi për t’i pëlqyer të pandërshmit… tjetrit të pandershëm. Para tjetrit, në rastin tonë shefave të tillë, i përndjekuri politik real rri si para zotit, sikur ia ka shpirtin në dorë. Si e sheh veten njeriu i ndershëm tek ky lloj tjetri… Havzi, neveritem kur shoh se si këmbëngulin ca të përndjekur politikë të paguajnë kafe apo dreka për shefat e të përndjekurve politikë apo për xhelatët e tyre të dikurshëm, për kuadrot e dikurshëm. Nuk arrij ta kuptoj këtë marrëdhënie, këtë përulje, këtë sjellje kaq të sjellshme ndaj tjetrit të pështirë. Nuk e kuptoj këtë të përndjekur tek tjetri, te sytë e tjetrit.

Nuk e kuptoj këtë varësi të padukshme tek tjetri… Besoj se kjo ndodh së pari kur nuk ke të konsoliduar veten, personalitetin, kur je në hava, kur je as mish as peshk e aq më pak kur je karakter deledash. Kur matesh me hijen e mëngjesit, kur mendon se je gjigand ndërsa zoti të ka falë liliput dhe rri varur në hekur që të zgjatesh…

Asnjëherë nuk e deshem veten më shumë se sa dukjen para syve të të tjerëve, e trusim veten, nuk e përfillim dhe vetem të dukemi mirë tek të tjerët, kjo është çeshtja kryesore tek shumë njerëz.

Një tendencë interesante vrasëse është edhe ajo që para të njohurve të rinj duam të shfaqemi sa më bukur, dhe shpërfillim të njohurit e vjetër, shpërfillim njerzit që kemi pranë, sikur nuk na hyjnë në sy njerzit që kemi pranë nga siguria ndoshta se i kemi pranë në mënyrë të padiskutueshme, na duket se ata janë të dënuar të na rrinë pranë, janë të dënuar të na duan e të na pranojnë gjithmonë, ndërsa ne shpërlahemi t’u pëlqejmë të huajve, të tjerëve, tjetrit të largët apo tjetrit të ri, të njohur të ri.

Jetojmë kështu shumicën e orëve të jetës për sytë e tjetrit, për sytë e botës, për të tjerët, duke lënë në harrim ata që ke pranë, ata që flenë dhe zgjohen me ty, ata që i ke apo të kanë në sy.

Jetojmë larg vetes, atje ku mbërrin shikimi, te tjetri jetojmë e për tjetrin jetojmë, duke e braktisur pa mëshirë veten dhe sytë që të mbajnë brenda…

Nuk e di se ç’ndodh në vende e në popuj të ndryshëm, nuk e di a është planetare apo vetëm fat popujsh të vegjël, apo fat njerzish të vegjël ky ankth i njeriut për veten tek tjetri përballë, tek sytë e mendja e tjetrit përballë. Njeriu duket ndjehet rehat brenda lëkurës së vet kur është mirë në sytë e mendjen e tjetrit përballë, larg apo afër qoftë tjetri përballë.

Duket se jetojmë të jemi mirë tek tjetri… Ti Havzi ishe i lirë nga këto lloj prangash, nuk të interesoi vetja tek tjetri përballë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok