22/12/2024
Ndue-Dedaj

Tregim

NGA NDUE DEDAJ

Ai njeri i vetmuar ngjante si një statujë në parkun qendror të qytetit. Rrallë e lëvizte kokën, si t’i peshonte mbi supe trefishin e asaj që ishte. Thinjat i kishin mbuluar veshët, por nuk ishte aq i moshuar sa dukej. Njerëzit që kalonin atypari ndaleshin një çast dhe nuk ia ndanin sytë, a thua se në portrertin e tij kishte diçka enigmatike. Por jo, sytë e tij nuk thoshin asgjë. E çfarë mund t’i shohësh një njeriu, nëse nuk i sheh sytë! Vetullat? Hundën? Mjekrën? Të ishte ndonjë mis, mbase do t’i shiheshin linjat. Të ishte ndonjë mundës, do t’i shiheshin muskujt. Kurse ai qe si një qenie e ngurtësuar mes gjelbërimit. Mbante një libër të bëshëm në duar, që e rrotullonte ashtu kot, si duket zakoni i tespieve paradokohe. Nuk është se nuk i kishin bërë përshtypje ato shikimet ngultas të njerëzve, sa erdhi një çast e nuk iu durua më, por nisi t’iu hakërrehej:

“Ore, mos jeni çmendur gjë, që shihni ashtu?”

“Çmendur, ne?”

“Ju, e kush tjetër?”

Ata e këqyrnin dhe më me ngulm, pikëzuar në dy anët e fytyrës. Nuk kishte dyshim që e shihnin nga veshët. Po çfarë mund të kishin veshët për t’u parë! Nëse kishte një si atavizëm në kokën e njeriut, ata ishin veshët, me ato llapat si kërpurdha. Nëse për sytë kishte qindra vargje dashurie, për veshët kishte veçse batuda gazmore, si veshgjatë për gomarin, i curron veshët si lepuri, ndërsa mua më pëlqente fort fjala veshtak. Nejse, nuk ishte punë gjuhe kjo. Burri i botës ishte fantaksur.

Kaloi një doktor dhe njëri nga ata soditësit, iu drejtua:

“Këqyre, doktor, këtij njeriu i janë rritur veshët! A mund t’i bëni derman?”

Doktori pa me vërejtje, por nuk dalloi ndonjë gjë. Tjetri këmbënguli:

“Ta them unë, veshët e tij janë rritur dy gisht vetëm javën e fundit, deri në darkë bëhen tre gisht!…”

Kjo tërhoqi një turmë kureshtarësh, që gjer atë çast kishin qenë indiferentë. Njeriut i dukeshin veshët dhe pa u rritur aspak, jo më po të rriteshin, jo me milimetra, por me gisht!?…

Burri veshërritur nuk po kuptonte asgjë. Ç’ishin ata njerëz? Ç’donin aty, rreth tij? Ai tashmë i kishte tejkaluar ata! Ai këndej vahut, ata matanë duke pritur kohën. Kështu mendonte. Doktori u largua duke thënë se ai njeri nuk ishte ndonjë i sëmurë, rritja e vëshëve, nëse ndodhte, nuk ishte diçka patologjike. Nuk e përmbante asnjë literaturë. Nuk ishte as në Gines… Më kureshtarët vendosën të rrinin aty nëpër stolat dhe gëmushat e parkut deri në darkë, të shihnin nëse më të vërtetë veshët e atij burrit do të rriteshin dhe një gisht atë pasdite? Se vajmedet, ashtu nuk do të ndaleshin pa u bërë tri pëllëmbë, në pak kohë! Po a duroheshin tri pëllëmbë vesh në të majtë e tri në të djathtë? Nuk ta rrokte mendja, sado vesh-llapush të ishte njeriu!…

“Mos jeni gjë dijës? Nga e dini ju se veshët e tij do të rriten në progresion gjeometrik?…”

“Ah, jo, jam thjeshtë një so-ditës si ju, por ju ende nuk jeni përqendruar te veshët e tij. Po të përqendroheni sadopak, do të vëreni se dy llapat e veshëve, që ia kanë mbuluar pjesërisht flokët, era i lëviz si gjethe fiku.

Njerëzit në park zunë të shtoheshin, sikur do të ndodhte ndonjë mrekulli. Me siguri që lajmëronin njëri-tjetrin. Nisen të viheshin edhe kamera, në pritje të sensasionit. Një njeri me tre gisht veshë më shumë se të tjerët, në një kohë aq të shkurtër, ishte ta shkundje tik-tok-un nga Tirana në Tokio.

Po sikur ai burri të luante nga vendi e të ikte? Doli garant lulishtari i parkut, veshur me bluzë të blertë, se ai aty e ngryste çdo ditë.

Veç kur u pa këshilltari i Presidentit me një dekoratë të lartë, që erdhi e ia ngjiti në gjoks burrit, që, si duket nga emocioni, veshët iu bënë spec i kuq. Aq shpejt ngjau ai dekorim, sa kamerat ishin krejt të pavëmendshme, si të përgjumura dhe nuk filmuan asgjë. Por, gjithsesi, u bënë nja dy-tre shkrepje amatore, kështu që çasti solemn u fiksua në celuloid.

Njeriu gjysmë statujë befas u gjallërua. Duket se mezi e kishte pritur atë çast.

“More, kemi kaq orë këtu, duke pritur… dhe nuk pyetëm se kush është ky njeri?” – pyeti një djalosh esmer.

“Aha! Me gjasë, Politikan i rënë nga vakti, kështu bëjnë me disa kokoroça si ky, i dekorojnë që të mos iu përzihen nëpër këmbë”, foli si kompetent njëri nga të pranishmit.

“Mundet që është Deputet, duket që e kanë përjashtuar nga grupi parlamentar, duke e lënë si peshkun pa ujë!” u hodh një tjetër.

“Jo, ky është Shkrimtar që i ka rënë dielli në kokë dhe pikë!”

“Historian, ndoshta? Nuk ia shihni se ç’çantë ka? E zë krejt Mesjetën aty!…”

“Për zotin, asht Filozof! Apo si u thonë këtyre që flasin tash e parë në televizion?…”

“Bëj be që ky është Oligark, o i atyre “Gjirafave” të nalta të Tironës, o i plehra -përpunuesve, o i HEC-eve grabitqarë në male…

“Ore, që ky është një Gjësend nuk ka diskutim, po se çfarë është fiks nuk e dimë!” – tha dikush andej nga cepi.

Kaloi sërish doktori me bluzën e bardhë, njërën mëngë veshur, tjetrën zhveshur.

“A ju thashë se ky tipi nuk është për doktor? Kurse ju ngulnit këmbë, a thua se po i binte të fiktë nga veshët”.

Aty në të errur u dha kryetari i Bashkisë me “çelësin e qytetit” në dorë sa një drapër, që ia vari në qafë zotërisë gjithë përulësi dhe pasi e përqafoi ngrykaz u largua. Së afërmi ishin votimet e babushi i parkut kishte farefis të gjërë atje në katundishtën e tij nga e kishte origjinën…

Merrej me mend që kishin të bënin me një njeri të rëndësishëm, por se cili na ishte ky xhentelmen, askush nuk i jepte dum?

“Nuk ju falet, a thua se ky është ndonjë jashtëtokësor?” – u dëgjua zëri i mprehtë i një gruaje, që siç u mor vesh më pas, ishte kryetarja e shoqatës së VIP-ave për atë rajon.

“Si ta gjejmë, nuk e ka të shkruar në ballë emrin!” – iu përgjigjen asaj.

Dhe gruaja u nis ta pyeste vetë drejpërdrejt. Ishte njeri dhe jo mumje, do të fliste se s’bën. Nuk u besoi syve kur pa se libri që ai mbante në dorë kishte në kopertinë fotografinë e atij vetë dhe mbi të shkruhej “Don Katrapuzi” – libri i bëmave të jetës – vëllimi i dytë (çfarë ka thënë ai për veten dhe çfarë kanë thënë të tjerët për të)”. Prandaj atë libër nuk e lëshonte nga dora. Si të mbante shpirtin e tij mes gishash duke e përkëdhelur. Gruaja vuri re se në stolin e drunjtë bri tij ishte një çantë meshini me grykën gjysmë hapur, ku sytë i zunë një tjetër libër të vëllimshëm, që kishte të njëjtat gjëra në kopërtinë, fotografinë e tij, titullin me germa kapitale që ishte emri, me të vetmin ndryshim se aty shkruhej: vëllimi i parë (jeta dhe vepra). Deshi ta shfletonte, të merrte sadopak vesh se cili ishte ai, por burri i vuri dorën sipër dorës së saj, duke i thënë “Prit, ka punë puna!”

“A je ti një VIP?” nuk iu ndejt asaj.

“Paske shumë fjalë! Apo ju të shoqatave kështu jeni të gjithë? Ngaqë nuk keni gjë tjetër në torbë, keni vetëm fjalë!” – i tha ai.

Gruaja, si për të treguar se nuk kishte vetëm fjalë, por dhe sajdi, nxori nga çanta e saj rozë një fletë të trashë kartoni me lulka ku shkruhej “Mirënjohje VIP” dhe iu drejtua atij:

“Të pyeta për emrin, që ta shkruaja këtu! Me siguri që jeni një VIP?” – tha ajo.

Ai nuk foli, por vetëm nënqeshi, hajde e merre vesh pse – në. Ndërkohë që turma nuk ua ndante sytë veshëve të tij, pasi po afronte koha t’ia masnin, nëse i ishin rritur dhe një gisht…

Sakaq, në anë të rrugës, u ndalua një veturë pa ngjyrë, prej së cilës doli një krijesë gjithashtu pa ngjyrë, që mbante në dorë një qese celefoni. Nuk u kuptua ishte femër apo mashkull ai që zbriti, shkoi pranë burrit me veshët ngritur dhe i zgjati gjënë e rëndë që ishte brenda asaj mbështjellësje xixëlluese. VIP-i i tha gruas së shoqatës që ta hapte. Ishte vëllimi i tretë i bëmave të tij (album fotografik – pesëqind faqe).

Nga ngazëllimi që ndjeu, VIP-it iu morën mendtë. Askush nuk e shihte më nga veshët, përpos njërit që i ishte afruar në frymë e që ishte so-ditësi.

“E sheh, doktor, që fole para kohë, kur the se ky nuk ka nevojë për doktor?”

“Të vërtetën thashë, nuk e ka asnjë literaturë, as Gines-i, shihni kur t’i kalojë!…”

Burri provoi ta fuste librin e sapoardhur në çantë, bashkë me atë tjetrin që deri atë çast s’e kishte hequr nga dora, por kur pa se çanta nuk i zinte tre librat, i kërkoi lulishtarit një thes, që ai e mbante për të mledhur gjethet e vjeshtës dhe i rrasi aty librat.

Me biografinë e tij stivosur në thes u nis për në shtëpi, ku e prisnin djemtë e vajzat, nipat dhe mbesat, që nuk ia kishin idenë se çfarë shkruhej në ato tri libra të “shenjtë”. Këta të fundit, adoleshentë të shkujdesur me ajfona në duar, gjyshin e tyre e kishin si të moskushit, yll bote, ç’e donin ata një gjysh “tjetër”, mbërthyer ashtu nëpër fletë të trasha, si të kishte veshur një kostum që i rrinte keq!…

“Ore, si na iku ashtu, ne s’e morëm vesh se kush qe, vetëm një emër në tri kopertina pamë, asgjë më shumë!”

“Ishte ai, pra, politikani, që e dekoruan për me e nxjerrë në pension politik!…”

“O, jo, deputeti i përjashtuar! Ju kujtohet ai kllouni me frak?”

“S’e luan topi, është shkrimtar i vetëshpallur dhe pikë, shkruan gjithë ditën bejte…”

“Nëse është fjala për historian, dakord, me të dyja duart!”

“Që është filozof, nuk ka medyshje, nuk e patë sa i menduar ishte gjatë gjithë kohës!”

“Thoni ç’të doni, ama nuk përjashtohet mundësia të jetë oligark!…

“E sigurtë është një gjë, që ai ishte VIP”, deshi t’i vinte kapak gruaja e shoqatës, me një frikë të brendshme se po binte në dashuri pas aq shumë kohësh!…

Doktori nuk foli, por u nis të merrte turnin e tretë, pa filluar ende shiu që po i setullonte retë andej-këndej, që nëse e zinte zotërinë pa shkuar në shtëpi, do t’ia bënte librat bersi në thes. I erdhi të qeshte: “Deri ku mund të shkonte ashtu ai njeri, në qiellin e tij të shtatë, apo në vetminë e pashmangshme?”

Kurse so-ditësi i ishte vënë nga mbrapa, jo për ta ndihmuar me thesin, por për ta parë nga afër, nëse i ishin rritur veshët një gisht? Bastin tashmë nuk e kishte vetëm me veten, por me të gjithë ata njerëz, që nuk do të lëviznin nga parku, për gjithë natën, pa ardhur përgjigja e tij.

Por nuk vonoi e rrebeshi sa nuk e përmbyti parkun, si një ëndërr të keqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok