23/12/2024

BOTA SHQIPTARE – VËSHTRIM KRITIK

0
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX shqiptarët hynë në pluralizëm politik. Që atëherë filloi edhe faza e tranzicionit. Për arsye të caktuara, kjo fazë kalimi, edhe pas 30 vjetëve nuk ka përfunduar. Në kohën e shembjes së regjimit monist:

– Shqipëria ndodhej në një shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik;

– Shqipëria nuk kishte një klasë politike me formim demokratik;

– inteligjencia shqiptare ishte ajo e periudhës komuniste.

Me fjalë të tjera, në kohën e shembjes së diktaturës komuniste, Shqipëria nuk kishte një faktor ideologjik dhe politik, i cili të kishte qenë oponent i sistemit diktatorial. Individë dhe grupe politike që i prinë popullit për ta shembur sistemin komunist, ishin bij të atij sistemi.

*   *   *

Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, shqiptarët ishin më të bashkuar. Ishin të bashkuar rreth një kauze të përbashkët. I bashkonte kauza kombëtare. Kosova duhej të çlirohej nga pushtimi serb. Shqiptarët në Maqedoni duhej të çliroheshin nga shtypja e egër e sllavo-maqedonasve. Shqiptarët në Mal të Zi duhej të çliroheshin nga dhuna e egër e malazezëve. Gjenocidi i sllavo-maqedonasve dhe i malazezëve ndaj shqiptarët kryhej me mbështetjen e Beogradit.

Pas çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb, filloi pluralizmi politik. Kosova hyri në fazën e tranzicionit. Shqiptarët menduan se kauza e Kosovës mëri fund. Dikur të bashkuar rreth kauzës së çlirimit të Kosovës, tani në periudhën e pluralizmit filloi lufta për pushtet e grupeve politike.

E njëjta ndodh edhe ndër me shqiptarët në Maqedoni, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Mal të Zi. Pra kudo ku ka shqiptarë.

Nga kauza kombëtare, shqiptarët kaluan në luftë për pushtet. Dikur të bashkuar rreth kauzës së përbashkët, tani të përçarë në luftën për pushtet.

Për shkak të shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik, lufta për pushtet në botën shqiptare është shumë më e ashpër se te popujt e tjerë.

Ngecja e shqiptarëve është determinuar:

– nga sundimi osman;

– nga rrethimi tragjik i shqiptarëve prej sllavëve dhe grekëve.

Shkaktarë të ngecjes së shqiptarëve janë edhe vetë shqiptarët.

– shqiptarët nuk manifestojnë aftësi shtetformuese të duhur;

– shqiptarët njihen edhe si popull tejet individualist.

Të jesh individualist, pak të mungon të bëhesh arrogant, mendjemadh dhe megaloman. Ka pikëpamje sipas të cilave shqiptarët vështirë i bën bashkë rreth një ideje.

*   *   *

Politika shqiptare e pluralizmit politik karakterizohet:

– nga polarizimi i skajshëm i hapësirës politike,

– nga pasurimi i paligjshëm i individëve apo i klaneve;

– nga korrupsioni në nivelet politike më të larta;

– nga nepotizmi.

Që nga viti 1991 e deri më sot Shqipëria nuk ia doli të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe të rregullta. Rezultatet e zgjedhjeve, pala humbëse asnjëherë nuk i ka njohur. Nuk u njohën as rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit të vitit në vazhdim. Cilado parti që rezulton humbëse e zgjedhjeve, i konteston rezultatet zgjedhore. Për nga realizimi i zgjedhjeve, parlamentare apo vendore, Shqipëria zë vendin e fundit në rajon. Për nga polarizimi i hapësirës politike, Shqipëria zë vendin e parë në rajon. Në asnjë vend të rajonit nuk kemi një polarizim aq të thellë midis partive politike. Në asnjë vend të rajonit nuk zhvillohet betejë aq e ashpër politike si në Shqipëri. Në kuvendin e asnjë vendi të rajonit nuk dëgjohen fjalë dhe shprehje triviale, vulgare, fyese, ofenduese, denigruese midis oponentëve politikë si në Kuvendin e Shqipërisë. Në asnjë vend të rajonit nuk kemi një animozitet aq të theksuar midis politikanëve, sa në Shqipëri.

Të preokupuar me luftën e paskrupullt për pushtet, politikanët shqiptarë fare nuk çajnë kokën për imazhin e vendit. Kjo është tradhti.

*   *   *

Në botën shqiptare mungon mendimi kritik apo kritika politike e mirëfilltë. Mungesa e mendimit kritik, e kritikës politike të njëmendët flet për shkallën e ulët të demokracisë në botën shqiptare.

Mediumet në botën shqiptare janë në kontrollin:

– e shtetit;

– e pushtetit qendror;

– e pushtetit vendor,

– e pushtetarëve;

– e qeveritarëve,

– e oligarkëve;

– e shërbimeve të huaja.

Në botën shqiptare nuk mund të flitet për mediume të lira dhe të pavarura, nuk mund të flitet për lirinë e shtypit, për shtyp të pavarur, për lirinë e fjalës, për lirinë e shprehjes, për lirinë e mendimit. Në botën shqiptare ka censurë si në kohën e monizmit.

Analistët politikë të botës shqiptare janë instrumente dhe vegla të shtetit, të pushtetit, të pushtetarëve, të qeveritarëve, të botës së biznesit, të shërbimeve të huaja. Analistët politikë të shoqërisë shqiptare, nuk janë veçse mercenarë të faktorëve të pushtetshëm.

Debatet televizive në botën shqiptare, më tepër janë të dëmshme sesa të dobishme. Nëpër ato debate, më tepër krijohet mjegullnajë, sesa zbardhet realiteti. Mediumet në botën shqiptare, me përjashtime, janë në funksion të shpëlarjes së trurit të publikut.

*   *   *

Gjatë periudhës së pluralizmit në Shqipëri kemi:

– vrasje, plagosje si në asnjë vend të rajonit;

– kultivim, përdorim dhe trafikim të lëndëve narkotike,

– trafikim qeniesh njerëzore,

– trafikim armësh;

– aksidente rrugore, me pasoja vdekjesh dhe lëndimesh të rënda, si në asnjë vend të rajonit, në mos të botës;

– vjedhje shtëpish, banesash, pikësh karburanti, zyrash këmbimi, bankash;

– vjedhje të dhunshme, herë-herë të shoqëruar edhe me vrasje;

Një pjesë e muzikës në botën shqiptare përshkohet nga skena pornografike, nga muzika shund, pa kurrfarë vlere artistike. Në këtë pikëpamje, pjesa pornografike e muzikës në botën shqiptare nuk ngec pas porno-muzikës në Serbi dhe në Bullgari. Kjo muzikë pornografike nuk promovon art. Ajo u sjell aktorëve përfitime financiare.

Gjatë periudhës së pluralizmit Shqipëria u ballafaqua me skemat piramidale si dhe me ngjarjet tragjike të ’97-ës.

Në botën shqiptare lulëzojnë kazinotë, bastoret dhe klubet e natës, ndërsa sistemi arsimor dhe ai shëndetësor ballafaqohet me vështirësi të theksuara.

Gjatë tranzicionit në botën shqiptare nuk patëm një plan urbanistik bashkëkohor. Si pasojë, në shumë qendra urbane, në qytete, madje edhe plazhe vërshuan ndërtimet pa leje.

Gjatë tranzicionit, në botën shqiptare u krijua një administratë publike përmasash gjigante, si në asnjë vend të Evropës. Më tepër se gjysma e administratës publike, e etbluar në zyrat e institucioneve, nuk punon asgjë. Kjo tepricë jofunksionale paguhet prej tatimpaguesve shqiptarë.

Në botën shqiptare ka sunduar dhe vazhdon të mbizotërojë politizimi dhe partizimi i skajshëm i të gjitha poreve të shoqërisë – i administratës publike, i sistemit arsimor, i shëndetësisë, i gjykatave, i doganave, i mediumeve publike etj. S’ka vend ku partitë politike në pushtet s’i kanë futur gishtërinjtë, këmbët dhe kthetrat.

Sektor privat në botën shqiptare është i pazhvilluar. Kjo ndikon në politizimin e  skajshëm të shoqërisë. I shtyn njerëzit të politizohen. Si pasojë e mungesës së sektorit privat, njerëzit kërkojnë shpëtim në sektorin publik që ndodhet nën kontrollin e rreptë të partive në pushtet. Po qe se s’je i partisë, nuk mund të punësohesh as edhe shërbëtor shkolle katundi. Që të zësh një vend pune duhet t’i përkasësh një partie. Ndryshe mbetesh në margjina.

Një shtet i tillë është jashtë standardeve evropiane. E keqja dhe e liga në botën shqiptare është bërë normale. Me të keqen, shqiptarët bashkëjetojnë normalisht, mu si në dramat e Beketit apo në tregimet e Kafkës.

*   *   *

Gjatë periudhës së tranzicionit, që zgjatë pafundësisht, bota shqiptare u ballafaqua:

– me shpërnguljen dhe dyndjen e popullsisë drejt Greqisë dhe vendeve të Perëndimit;

– me rënien e shkallës së lindshmërisë;

– me zvogëlimin e numrit të popullsisë;

– me rritjen e numrit të shkurorëzimeve,

– me shtimin e numrit të fëmijëve të prindërve të ndarë.

*   *   *

Në kohën e pluralizmit bota shqiptare u ballafaqua me ndikime të jashtme. Ndikimet e huaja mbi shqiptarët vërshojnë nga të katër anët: nga Lindja, nga Perëndimi, nga vendet e orientit.

Ndikimet politike vijnë:

– nga Rusia, nga Serbia, nga Greqia;

– nga Turqia, nga vende të caktuara arabe, nga Irani;

– nga vende të caktuara të Perëndimit.

Ndikimet politike që vijnë nga shumë anë, paraqesin rrezik për një popull të vogël, siç janë shqiptarët.

Shqiptarët janë zonë perëndimore e interesit dhe sferë perëndimore e ndikimit. Ndikimet politike që vijnë nga Lindja dhe nga vende të caktuara të orientit janë të dëmshme për shqiptarët.

Për t’i arritur qëllimet e veta, qendrat e ndikimit kanë krijuar edhe infrastrukturën e tyre në botën shqiptare. Instrumente të tyre janë: politikanë, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, klerikë, kryeredaktorë gazetash, drejtues mediumesh, portalesh, analistë politikë, historianë, osmanologë, veprimtarë shoqatash humanitare, veprimtarë shoqatash joqeveritare etj. Të gjithë të lartpërmendurit janë kolonë e pestë e shërbimeve të huaja. Qëllimet e qendrave të huaja të ndikimit janë politike. Qëllimet e tyre s’janë as fetare, as humanitare.

*   *   *

Shqiptarët janë popull i vogël me probleme të mëdha. Në një situatë të tillë s’flitet dot për kauzë kombëtare, as interes kombëtar apo shtetëror. Në rrethana të tilla s’mund të flitet për bashkim kombëtar. Në rrethana të tilla, bashkimi kombëtar është një iluzion, një utopi. Për çfarë bashkimi kombëtar mund të flitet në një kohë kur qindra mijë shqiptarë, të të gjitha trojeve, janë shpërngulur për në Perëndim dhe përtej oqeaneve?! Për ç’bashkim kombëtar mund të flitet në një kohë kur shqiptarët ballafaqohen me një eksod biblik, me shpopullimin e trojeve historike?!

Dikur shqiptarët shpërnguleshin si pasojë e elaboratit të Vasa Çubrilloviqit, ndërsa sot emigrojnë edhe pa të. Në botën shqiptare kemi edhe ikjen e trurit. Shkojnë, për të mos u kthyer, edhe të rinj të shkolluar. Askush s’e lë vendin e vet prej të mirave. Në një vend ku vlojnë të ligat, të rinjtë nuk rinë. Në një vend të tillë, të kapur nga politikanët dhe nga bijtë e tyre, të rinjtë s’e gjejnë dot veten. Në rrethanat në të cilat funksionon bota shqiptare, vlerat nuk vijnë në shprehje. Në shprehje vijnë kuazivlerat.

*   *   *

Marrëdhëniet kapitaliste në Evropë janë shfaqur para shumë shekujsh. Për herë të parë manifestohen në Itali në shekullin XII dhe XIII. Ndër politikanë shqiptarë ka edhe të tillë që janë të etshëm për pushtet, për para, për pasuri. Ka të tillë që janë të pangopur, që duan sa më shumë pushtet, sa më shumë para dhe sa më shumë pasuri. Politikanët shqiptarë, bijtë, familjet dhe farefisi i tyre duan të bëhen kapitalistë dhe shtresë borgjeze brenda një kohe të shkurtër. Milioner për kohë të shkurtër s’bëhesh në mënyrë të ndershme, s’bëhesh pa i thyer ligjet. Mund të pasurohesh shpejt vetëm kur punon në kurriz të popullit.

Në botën shqiptare s’ka majtizëm apo djathtizëm, s’ka të majtë apo të djathtë. Kjo ndarje ideologjike apo politike në botën dhe në shoqërinë shqiptare është fiktive, joreale. Për majtizëm dhe djathtizëm duhet të kesh industri, ekonomi, teknikë, teknologji, fuqi punëtore të kualifikuar, faktor prodhues, duhet të kesh prodhim, eksport, sistem bankar, potencial financiar dhe jo kredi të jashtme pa mbulesë, që dita-ditës shtohen me norma të larta interesi.

*   *   *

Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë të rajonit, në kuvendin shtetëror të cilëve ka pasur deputetë me të kaluar kriminale. Me të kaluar të dyshimtë në botën shqiptare ka pasur edhe ministra. Shteti i tillë është larg Evropës. Shqiptarët çdo ditë e përsërisin refrenin: “Jemi popull evropian”. Nuk mjafton të jesh gjeografikisht evropian, duhet edhe punët t’i bësh si në Evropë.

Inteligjencia e botës shqiptare është e heshtur. Intelektualët shqiptarë s’guxojnë të çelin gojën. Janë konformistë dhe oportunistë. Ndër ta gjen edhe poltronë. Heshtja e inteligjencies shqiptare të përkujton kohën e monizmit. Në regjimin monist inteligjencia duhej t’i nënshtrohej apo t’i bindej partisë, Nënës Parti. Edhe sot, në dëshiron të arrijë një interes, ajo duhet t’i nënshtrohet dhe t’i bindet njërës prej partive kryesore.

*   *   *

Në vendin me shkallë të lartë korrupsioni vendet e Perëndimit nuk investojnë sa duhet. Në botën shqiptare investimet nga vendet perëndimore janë të vogla. Perëndimorët nuk hedhin para në thes të çjerrët. Thesi i tillë s’mbushet kurrë.

Në rrethana të tilla, politikanët shqiptarë, për të mbijetuar politikisht, kërkojnë alternativë. I drejtohen Orientit, sidomos Ankarasë apo Rexhep Taip Erdoganit. Me të parë perëndimorët orientimin e Tiranës apo të botës shqiptare kah Orienti, përkatësisht kah Ankaraja, akoma më shumë i reduktojnë investimet dhe ndihmat për shqiptarët.

*   *   *

Gjatë periudhës së tranzicionit, në botën shqiptare janë ndërtuar qindra objekte fetare dhe fare pak shkolla apo spitale. Shqiptarëve u duhen ndërmarrje prodhuese, fabrika, uzina, çelje vendesh pune, punësime, ndalje e shpërnguljeve, shkolla bashkëkohore me kabinete dhe laboratorë, spitale të furnizuara me infrastrukturë mjekësore bashkëkohore.

Në vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare, të njohur si PISSA, nxënësit e Maqedonisë dhe të Kosovës disa herë radhazi renditen ndër të fundit të botë.

Politikanët shqiptarë duhet ta dinë se shqiptarët jetojnë në Evropën e krishterë. Kontinenti i vjetër, i krishterë kurrë s’ka për të mbështetur një shtet apo një popull që funksionon me sistem turk, arab dhe persian vlerash.

Ndër shqiptarë ka segmente që janë joperëndimore, në mos dhe antiperëndimore. Segmentet e tilla të shoqërisë shqiptare, në thelb janë kundër interesit kombëtar të shqiptarëve.

Kleri shqiptar duhet ta dijë se pa ShBA-në, shqiptarët nuk mund të jenë të lirë. Pa Uashingtonin, shqiptarët në rajon mund të rrezikohen nga fqinjët grabitqarë, nga rrethimi sllavo-bizantin, të mbështetur nga Rusia. Kleri shqiptar duhet ta dijë se pa Amerikën s’bëhet dot Kosova.

Kleri serb, kleri grek, kleri rus etj. i mbrojnë interesat e popujve të vet, interesat e shteteve të veta. Të njëjtën duhet ta bëjnë edhe klerikët shqiptarë të të tri besimeve fetare. Ndryshe, klerikët shqiptarë do të shndërrohen në përçues të interesave turke, arabe, të Teheranit, të Athinës, të Romës.

Beogradi, Athina dhe Moska pa reshtur u thonë kancelarive perëndimore: “Mos i mbështetni shqiptarët. Ata janë përçues të interesit turk, arab, iranian në Evropën e krishterë”.

Feja në botën shqiptare garantohet me kushtetutë. Por, shndërrimi i fesë në ideologji dhe në politikë, për interesa të huaj, është antishqiptarizëm. Në rrethana të tilla, shqiptarët kurrë s’kanë për t’u çliruar nga rreziku sllavo-bizantin. Segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare kanë shkallë të ulët të vetëdijes kombëtare.

*   *   *

Në vitet ’90 të shekullit XX shqiptarët siguruan mbështetjen politike të Uashingtonit dhe të fuqive historike të Evropës. Kjo mbështetje politike ka kohë që është zbehur. Madje, bie në sy favorizimi dhe përkëdhelja e Serbisë. Aty kemi investime të mëdha nga Gjermania, nga Franca, nga Turqia, nga vende të caktuara arabe. E çon mirë me Beogradin edhe Uashingtoni.

Politika e Tiranës dhe e Prishtinës kurrë s’është ndalur të mendojë, përse është zbehur mbështetja e perëndimorëve për shqiptarët apo për Kosovën.

*   *   *

Kur një popull ballafaqohet me probleme ekonomike dhe sociale të theksuara, e harron kombin dhe lufton për mbijetesë. Në anën tjetër, shqiptarët e pasuruar në mënyrë të paligjshme, nuk çajnë fort kokën për komb. Po të kishin menduar për fatin e popullit të vet, nuk do të ishin pasuruar në kurriz të tij. Kombësia dhe feja e tyre janë pasuria, paraja, materialja, jeta luksoze, vilat, veturat e shtrenjta, shëtitjet nëpër botë.

Aty ku ka probleme ekonomike, sociale, varfëri, skamje, papunësi, paga të ulëta, aty shfaqen edhe probleme morale. Aty kryhen veprime të paligjshme formash të ndryshme. Hasen skena në romanin “Të mjerët”Viktor Hygosë.

*   *   *

Si kryetar shteti, Ilir Meta nuk u tregua faktor integrues dhe baraspeshues. Gjuha refraktare e tij rrënon imazhin dhe reputacionin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nuk është në interes të kombit që ambasadores Juri Kim t’ia përmendësh raketat ruse dhe të Koresë së Veriut. Politika shqiptare nuk duhet të bëjë veprime që e dëmtojnë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

*   *   *

Shpallja e Sali Berishës person të padëshiruar nga Departamenti amerikan i Shtetit dëmton imazhin dhe reputacionin e Shqipërisë dhe të kombit. Bëhet fjalë për personin i cili katër vjet ka qenë kryetar shteti dhe tetë vjet kryeministër. Bëhet fjalë për personin i cili ka qenë themelues i PD-së dhe vite me radhë edhe kryetar i saj. Berisha është ndër kryeministrat e rrallë, në mos i vetëm në Evropë e më gjerë, që për arsye korrupsioni hyn në listën e zezë të ShBA-së.

Politikanët shqiptarë duhet të dinë se shteti nuk është pronë private e dikujt. Partia politike nuk është pronë private apo ndërmarrje e një individi dhe e rrethit të tij të ngushtë. Nga përfshirja e Berishës në listën e zezë amerikane duhet marrë mësim sesi nuk duhet të qëndrosh tridhjetë vjet në skenën politike. Nga goditja morale e Berishës duhet marrë mësim se përqendrimi i pushtetit të pafund në duart e një politikani shpie në autoritarizëm. Qeverisja autokratike nuk është larg tiranisë dhe despotizmit. Kjo mënyrë e qeverisjes në botën shqiptare duhet të marrë fund.

Shqiptarët nuk duhet të krijojnë mite të rreme. As të thurin legjenda aty ku s’duhet. Hero të përjetshëm nuk ka. Në demokraci, çdo udhëheqës është një administrator. Në epokën e internetit, liderëve nuk u këndohet këngë me çifteli. T’i nënshtrohesh apo t’i bindesh përjetësisht një lideri do të thotë të kesh mendësi orientale.

Partitë politike duhet ta dinë se narrativi politik i ’91-shit dhe cikli politik i fillimit të epokës së pluralizmit duhej të ishin mbyllur qëmoti. Politika bashkëkohore nuk bëhet me entuziazmin revolucionar të partive të lindura në protesta. Koha e përtashme kërkon reforma, ndryshime, ide dhe vizion politik bashkëkohor, kreativitet dhe veprim politik institucional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok