22/12/2024

“BOLSHEVIKËT E RILINDJES” DHE AT GJERGJ FISHTA

0
Fishta-Shtepia-Rrenimi

Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,

nami i sajë përjetë u trashigoftë! (Gjergj Fishta)

Nga Frank Shkreli

Kohët e fundit mora një mesazh nga një mik imi i cili ishte i zemëruar nga lajmet që kishte lexuar në median shqiptare se Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës kishin vendosur që të këthejnë në muze, shtëpitë e shkrimtarëve të njohur të Kombit shqiptar, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli.   Miku im nuk ishte i zemëruar për vendimin që shtëpitë e tyre të këthehen në muze – pasi ai, ashtu siç mendoj edhe unë, këta shkrimtarë shqiptarë i kanë meritat e tyre dhe duhet të njihen për kontributet, madje edhe me një shtëpi muze.   Por miku im e drejtonte zemërimin e tij tek ata që ai i quan, “bolshevikët modernë shqiptarë”, të cilët, sipas tij, mendojnë se periudha e artë e gjithë historisë – fillimi dhe mbarimi– kulturës dhe gjuhës shqipe, është ajo e gjysëm shekull komunizëm.   Se vetëm shkrimtarët dhe historianët e kësaj periudhe, janë ata të cilët meritojnë të respektohen, të lexohen, të studiohen dhe të admirohen, tu ndë rtohen shtëpi muze dhe përmendore.

Unë kam respektin më të madh për Ismail Kadarenë, si patriot dhe si shkrimtar – megjithse nuk e konsideroj veten të aftë për të vlerësuar njerëz të mëdhej si Z. Kadare, sepse njeriu duhet të jetë në nivelin e njerëzve të tillë për të vlerësuar punën dhe veprat e tyre.   Argumentet e mia dhe shumë të tjerëve si unë nuk janë me shkrimtarët e nivelit të Kadaresë, por me këtë klasë politike, të cilës duket se i ka mbetur ora në periudhën komuniste, përsa i përket ringjalljes së vlerave kombëtare dhe të shkrimtarëve të mëdhej të Kombit, si At Gjergj Fishta, të cilët megjithë kontributet e tyre të mëdha, në periudhën para komuniste – regjimi i Enver Hoxhës i kishte shpallur “armiq të popullit”.   Ndërkohë që shtëpia e diktatorit Enver Hoxha në Gjirokastër është këthyer në muze, sot At Gjergj Fishta, jo vetëm që nuk ka një shtëpi të vogël muze, një përmendore në kryeqytetin e shqiptarëve në Tiranë, ose në vendlindjen e tij, por as një varr ku ti pushojnë eshtërat e tij.   Regjimi i Enver Hoxhës ia hodhi eshtërat në lumin Buna, me shpresë se ashtu do ta zhdukte përgjithmonë kujtesën e tij nga historia e Kombit shqiptar.   Të njëjtën mendojnë sot edhe udhëheqsit e “rilindjes” të qeverisë shqiptare, se duke e lënë pas dore, duke mos e kujtuar atë dhe veprën e tij — se me një qëndrim indiference ndaj tij – mendojnë se Gjergj Fishta do të harrohet nga brezat e sotëm dhe të ardhëshëm.   Ky ishte edhe objektivi i regjimit të Enver Hoxhës dhe i bashkpuntorëve të tij sllavo-komunistë.   U lumtë se po ua ua çoni amanetin në vend. Urime!

Unë me disa të tjerë, modestësisht, jemi marrë me këtë subjekt për disa vite, por më kot.   Ndoshta është mosha, por gjithnjë e më tepër jam i bindur se nga ata, që miku im i quan si, “bolshevikë të rilindjes”, nuk duhet të presim asgjë më prej tyre në lidhje me Gjergj Fishtën, ose të tjerë si Fishta, pasi tashti jam i bindur se me mosveprimin e tyre e kanë bërë të qartë, se me Gjergj Fishtën nuk duan të merren.   Shpresa ishte se pas 30-vjet post-komunizëm –të lirë nga imponimet e ideologjisë komuniste sllavo- aziatike, do të donim, që më në fund, të çmonin njerzit e mëdhej të Kombit, të mohuar dhe të deingruar për një kohë aq të gjatë nga komunizmi.   Por që, një mohim i tillë zyrtar nga qeveritë shqiptare, ndaj një personi si At Gjergj Fishta, do të zgjaste edhe tre dekada pas shembjes së një regjimi, i cili ia treti edhe eshtrat e tij në lum, nuk ma merrte mendja.   Shpresoja se një brez i ri politikanësh shqiptarë, të lindur ose të rritur pas komunizmit – disa prej të cilëve pretendojnë se edhe janë edukuar në perëndim – do të ishin më tolerant, do silleshin ndryshe ndaj personaliteteve të njohura të historisë kombëtare të periudhës para komuniste, si Gjergj Fishta.  Fatkeqsisht, duket se edhe ky brez i politikanëve të rinjë shqiptarë ka renë pre e influencës dhe mësimeve të një ideologjie bolshevike të ish-regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, se viti 1945 ishte fillimi i historisë së Kombit shqiptar dhe Enver Hoxha protagonisti i saj, i të gjitha kohërave.   Nuk e dinë këta se pa At Gjergj Fishtën dhe bashkpuntorët e tij në Kongresin e Manastirit, ndoshta asnjë prej nesh nuk do të shkruanim shqip në alfabetin që ata na e lanë trashëgim.

Këta të realizmit socialist kanë më shumë të përbashkëta me vlerat komuniste të Enverin dhe asgjë të përbashkët nuk kanë me At Gjergj Fishtën, as me vlerat që përfaqëson Gjergj Fishta.   Ka ardhur koha tu themi — më shumë nga dëshpërimi — mos u lodhni hiç shokë të “rilindjes”, se Gjergj Fishta mbijetoi gjysëm shekulli harresë zyrtare, pasi veprat e tija jetojnë në zemërat e Kombit shqiptar dhe nuk harrohen.   Fishta nuk ka nevojën tuaj as për ndonjë monument as për ndonjë muze.   Muze dhe monument i pavdekshëm janë veprat e tija, duke filluar nga epopeja Kombëtare, Lahuta e Malcisë.   Doni, s’doni, At Gjergj Fishta, përjetësoi me pendë të gjitha ato vlera, karakteristika dhe tradita që e bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët ata që që janë sot, dhe që kanë qenë gjatë gjithë historisë, krenarë për: “besë e burrëri, mikëpritje e bujari”.   Kam drojë se u nuk i kuptoni këto vlera, e si rrjedhim nuk kuptoni as Gjergj Fishtën.

Me rastin e hapjes së shtëpisë muze nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në fund të muajit maj, mos qofsha gabim, mori pjesë edhe vet shkrimtari Ismail Kadare, i cili, me atë rast, tha ndër të tjera se, “Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij.   Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Evropë”.   Më vjen keq, por me mentalitetin bolshevik të kësaj politike antifishtjane të këtyre 30-viteve të fundit, Shqipëria nuk hynë në Evropë, madje nuk shkon as deri në Stambollë, por do të mbetet në “kënetën ballkanike”.

Ku janë shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës dhe të letrave shqip, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare që nuk e çoni zërin lartë në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe përfaqsuesve të tyre.   Kuptohet se në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe të komunizmit jugosllav në Kosovë nuk kishit guxim të përmendnit emrin e Gjergj Fishtës se do e pësonit keq.   Po sot ku është solidarizimi me Fishtën.   Pse nuk flisni?   Ke kini frikë sot?   Shyqyr që janë Françeskanët e Shkodrës që e ruajnë kujtimin e tij!  Diçka nuk është në rregull me një Komb që mohon bij dhe bija të tij të nivelit të At Gjergj Fishtës!

Është e qartë se “Rilindja” socialiste ka vendosur të vazhdojë ta lejë qellimisht, në harresën pothuaj një shekullore, At Gjergj Fishtën: pa lexues, pa gjuhë, pa vend, pa komb dhe pa miqë, faktorë këta që sipas Kadaresë, një shkrimtar ka nevojë për to.   Por mbi të gjitha është i nevojshëm një “afirmim njohjeje të Kombit shqiptar” për të cilin Fishta punoi aq shumë, gjithë jetën e tij.   Sot Fishta është i harruar, pa miq dhe i braktisur, i mohuar nga Kombi i vet, deri në banalitet.  Sikur e kishte parashikuar fatin e tij pas vdekjes si dhe trajtimin kriminal ndaj kujtimit të tij nga regjimi enverist –por edhe indiferencën dhe arrogancën që do i ofronin bashkatdhetarët e tij pas shembjes së atij regjimi, në të ashtuquajturën demokraci shqiptare:   Ndryshe nga këta që e gjykojnë dhe e dënojnë edhe sot në frymën më bolshevike që është e mundur, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, me qëllim për të “shue çdo mëni mizore për Shqiptari”, prap se prap Fishta i falë ata dhe është gati të bëhet fli:

“Qe, mue tek më keni, merrni e m’bani fli

Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore.

Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rroftë,

E nami i saj përjetë u trashigoftë!”

Eshtë e qartë se klasa politike post-komuniste shqiptare ose siç e quan miku im në mesazhin e fundit, “bolshevikët e rilindjes” kanë vendosur me kohë që kujtimi i At Gjergj Fishtës të mos mbetet i gjallë ndër brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.   Kanë vendosur që vlerat dhe atdhedashuria e tij për vendin e vet, të mos jenë shembull për shqiptarët dhe që ata të mos ndjekin idealet e shënjta të At Gjergj Fishtës në mbrojtje të Atdheut dhe të interesave të Kombit, për të cilat ai luftoi dhe punoi gjithë jetën e tij.   Por kot e kini, sepse ashtu siç kishte parashikuar trajtimin kriminel kundër tij nga bashkatdhetarët e vet për pothuaj një shekull, Fishta ka parashikuar gjithashtu se veprat dhe trashëgimia e vlerave të tija nuk do të vdesin kurrë për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, pa marrë parasyshë se ç’mendojnë kundërshtarët e tij të kaluar dhe të sotëshëm:

“Veçse po moj Zanë Shqyptare

Krah m’krah bashkë na tue këndue

Ndërtue kemi nji pomendore

Rrfe as mot mos m’e dërmue”

Shtëpia e At Gjergj Fishtës, e shpallur monument kulture nën mbrojtje të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë –Sipas lajmeve, kjo shtëpi ku ka jetuar Gjergj Fishta është shpallur më 2008 monument kulture — i mbrojtur me ligj– për të cilën, sipas lajmeve, janë paraqitur të pakën tre projekte, por që kanë hasur në heshtje, në një indiferencë dhe arrogancë jo kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe enteve të tjera qeveritare të Republikës së Shqipërisë.

Shtëpia e diktatorit, Enver Hoxha — Muzeu Etnografik, Gjirokastër

Shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, monument i trashëgimisë kulturore

Shtëpia muze e shkrimtarit Ismail Kadare në Tiranë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok