21/12/2024

A PARAQET MARRËVESHJA E OHRIT ZGJIDHJE TË DREJTË PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE NË MAQEDONI

0
Xhelal-Zejneli

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në Ohër më 13 gusht të vitit 2001. Atë e kanë nënshkruar: kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Arbën Xhaferi (1948-2012), kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Imer Imeri (1942-2008), kryetari i VMRO-DPMNE-së, njëherazi edhe kryeministër, Lubço Georgievski (1966- ), kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Branko Cërvenkovski (1962- ) dhe kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski (1956-2004).

Si lehtësues ndërkombëtarë të dialogut, dokumentin e kanë nënshkruar edhe politikani francez Fransua Leotar (François Gérard Marie Léotard, 1942-2023) dhe ish-negociatori amerikan në Ballkan, Xhejms Perdju (James William Pardew, 1944-20121).

Marrëveshja ka tri shtojca: Shtojca A – amendamentet kushtetuese, Shtojca B – ndryshimet në legjislacion, Shtojca C – implementimi i marrëveshjes për të cilin do të diskutohet në Kuvendin e Maqedonisë.

Në Marrëveshjen e Ohrit, ndërmjet tjerash thuhet: “Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë si dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të ruhen. Për çështjet etnike nuk ka zgjidhje territoriale”.

Fjalia e fundit e parimit të sipërthënë ka këtë kuptim: “Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje territoriale. Me fjalë të tjera, shqiptarët në Maqedoni nuk kërkojnë territor, nuk luftojnë për territor”.

Në marrëveshje thuhet: “Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike”.

Sikundër shihet, në marrëveshje nuk flitet për shtet dyetnik apo dykombësh (binacional). Në vend të kësaj, flitet për “shoqëri maqedonase shumetnike”. Me fjalë të tjera, shoqëria (dhe jo shteti) në Maqedoni na qenkësh shumetnike.

Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej brenda një periudhe katërvjeçare, përkatësisht në vitin 2004. Ka shqiptarë që thonë se kjo marrëveshje sot e kësaj dite nuk është implementuar

*    *    *

Shqiptarët në Maqedoni sot e gjithë ditën nuk e kanë të qartë sa duhet se çfarë statusi politik dhe juridik u siguron Marrëveshja e Ohrit.

Ç’janë shqiptarët sipas Marrëveshjes së Ohrit:

– Popull shtetformues; apo

– Pakicë me të drejta të caktuara kombëtare, të garantuara me kushtetutë?

Situata rreth statusit të shqiptarëve mbetet nebuloze dhe e mjegullt. E tillë mbetet për dy arsye:

– e para, nga mosdija, dhe

– e dyta, partia shqiptare në pushtet parapëlqen të manipulojë dhe të thotë: ”jemi popull shtetformues”.

Me rastin e kremtimit të Ditës së alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, qëllon të vijë edhe ndonjë ministre nga Shqipëria. Njëherë, njëra sosh tha: “Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues”. Pas pak, e njëjta shtoi: “Kemi ardhur këtu në Bitola…”. Kjo ministre nuk ka njohuri të mjaftueshme për të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo s’ka dot njohuri politike dhe juridike të mjaftueshme, për të mos thanë fare s’ka njohuri se ç’kuptohet me “popull shtetformues”.

Ku është dallimi midis pakicës, në një anë dhe popullit shtetformues, në anën tjetër. Çfarë atributesh posedon një popull me status shtetformues? Këta terma apo këto koncepte mësohen në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në atë të Shkencave Politike. Mediokri apo pseudo-intelektuali i gjithëdijshëm i provincës pandeh se këto njohuri mund të mësohen edhe në çajtoren, në ëmbëltoren dhe në byrektoren e qytezës.

*    *    *

Çdo marrëveshje që vjen pas një lufte apo pas një konflikti, paraqet kompromis midis palëve. Kur mbyllet një marrëveshje ndërmjet palëve ndërluftuese, asnjëra prej tyre nuk është plotësisht fituese apo plotësisht humbëse. Në një marrëveshje që arrihet pas një lufte apo konflikti të armatosur, rëndom merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar influent.

A i plotëson Marrëveshja e Ohrit kërkesat e shqiptarëve? A e ka zgjidhur Marrëveshja e Ohrit çështjen shqiptare në Maqedoni? A janë të kënaqur shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit dhe sa janë të kënaqur? A është vjetruar Marrëveshja e Ohrit? A është zbatuar Marrëveshja e Ohrit plotësisht? Gjatë periudhës së zbatimit, a ka pësuar ndryshime dhe interpretime të njëanshme?

*    *    *

Ka qenë vështirë të arrish marrëveshje me sllavo-maqedonasit. Këta kanë qenë dhe janë antishqiptarë të përbetuar. Që nga viti 1912, sllavo-maqedonasit me ndihmën e Serbisë kanë ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve, dhunë dhe gjenocid. I kanë dëbuar për në Turqi. Kanë bërë pastrim etnik.

Politika antishqiptare e sllavo-maqedonasve është mbështetur fuqimisht nga Serbia. Kundër të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë edhe Greqia edhe Bullgaria.

*    *    *

Në kohën e pluralizmit Maqedonia ka qenë e mbrojtur nga ShBA-ja. Tërësinë tokësore të saj s’kanë mundur ta vënë në dyshim as faktori i brendshëm – shqiptar, as faktori rajonal – Bullgaria, Serbia dhe Greqia.

Në krye të Marrëveshjes së Ohrit thuhet: “Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë si dhe karakteri unitar i shtetit janë të pacenueshëm dhe duhet të ruhen. Për çështjet etnike nuk ka zgjidhje territoriale”.

*    *    *

Duke pasur në qeveri apo në pushtetin qendror pesë apo gjashtë ministra shqiptarë, zëvendësministra, shefa kabinetesh, këshilltarë, drejtorë të përgjithshëm, funksionarë prej eshalonit të parë deri në të katërtin, duke qeverisur pushtetin vendor në mbi pesëmbëdhjetë bashki, krijohet përshtypja se shqiptarët gëzojnë një sasi të madhe të drejtash.

Mirëpo në këtë mes nuk merret parasysh fakti se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni burojnë nga:

– Argumenti historik, që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni janë popull autoktonë;

– Argumenti i bashkëkohësisë, që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë tridhjetë për qind të popullsisë së saj; dhe

– Argumenti hipotetik, që do të thotë se midis konfliktit dhe paqes, shqiptarët në Maqedoni janë përcaktuar për paqe dhe janë faktorë qëndrueshmërie në vend dhe në rajon.

Shqiptarët janë faktor demografik, intelektual, ekonomik, prodhues, biologjik, krijues, kulturor, mbrojtës.

*    *    *

Me Marrëveshjen e Ohrit:

– Nuk u krijua një Maqedoni federative;

– Nuk u krijua një Maqedoni dyetnike, dykombëshe apo binacionale;

– Nuk u krijua një entitet shqiptar brenda Maqedonisë, siç është Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë;

– Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë;

– Nuk kemi një kuvend dydhomësh: Dhoma e Qytetarëve dhe Dhoma e Bashkësive Etnike;

– Shqiptarët në Kuvend nuk e kanë të drejtën e vetos. Parimi i Badinterit nuk është zëvendësim përkatës i vetos;

– Flamuri i shtetit është flamur i sllavo-maqedonasve. S’ka shqiptar në botë që e respekton këtë flamur, përpos në raste ceremoniale apo protokollare;

– Himni i shtetit është himn i sllavo-maqedonasve. S’ka shqiptar në botë që e respekton këtë himn, përpos në raste ceremoniale apo protokollare;

– Nxënësit sllavo-maqedonas nuk e mësojnë gjuhën shqipe nëpër shkolla, madje as në komunat ku shqiptarët paraqesin shumicë absolute. Nxënësit sllavo-maqedonas duhet ta mësojnë gjuhën shqipe që nga klasa e tretë fillore, sikundër e mësojnë maqedonishten nxënësit shqiptarë;

– Lufta e vitit 2001 nuk hyri në tekstet e historisë të Maqedonisë;

– Statusi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk u zgjidh me ligj;

– Statusi i invalidëve të luftës së 2001-shit, nuk u zgjidh me ligj;

– Data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit duhej të ishte ditë feste shtetërore në Maqedoni;

– Formimi i qeverisë duhej të ishte rregulluar me ligj. Qeveria duhet të formohet nga fituesi i zgjedhjeve në bllokun shqiptar si dhe nga fituesi i zgjedhjeve në taborin sllavo-maqedonas.

Nuk je popull shtetformues, jo, se po të ishe, shqipja nuk do të figuronte si gjuhë që e flasin 20 % e popullatës.

Me këtë shpërngulje dhe dyndje të popullatës, mund të ndodhë që shqiptarët të bien nën 20 %. A thua vallë, ç’do të ndodhte pas kësaj?! A mund të rrezikohet e drejta e përdorimit të flamurit dhe të gjuhës amtare?! Maqedonia është krijuar si shtet në trojet shqiptare. Ardhacakët ia kufizojnë të drejta një populli që është ndër më të vjetrit e gadishullit.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kapacitetet shtetformues, por nuk e kanë me kushtetutë statusin politik dhe juridik të popullit shtetformues.

Kjo ndodh për dy arsye:

– E para, nga mungesa e diturisë së duhur, dhe

– E dyta, nga korrupsioni. Nuk mund të zhytesh në korrupsion dhe njëherazi të realizosh kërkesa kombëtare për popullin tënd. O pasurim brenda nate të një grupi apo koniunkture, o realizim kërkesash në interes të përgjithshëm. Armiku nuk t’i jep të dyja.

Sllavo-maqedonasit e kanë kompleksin e të dobëtit. Mbase ata mendojnë kësisoj: “Po t’u japim shqiptarëve të drejta sa s’bën, atëherë ekziston rreziku që ta gllabërojnë krejt shtetin”. Prandaj si zgjidhje e shohin shtratin e Prokrustit. Nuk shkon edhe Marrëveshje e Ohrit edhe shtrati i Prokrustit.

*    *    *

Në Maqedoni nuk u zgjidh as statusi i ish-të burgosurve dhe i të përndjekurve politikë shqiptarë të cilët u dënuan nga regjimi monist me dënime drakonike.

*    *    *

Marrëveshja e Ohrit duhej ta kishte parasysh edhe çështjen e zhvillimit ekonomik të viseve me shumicë shqiptare, që nga Struga deri në Likovë. Ekonomia e këtij vendi, sistemi bankar dhe ai financiar kryekëput janë në duart e sllavo-maqedonasve. Investimet dhe grantet shkojnë në pjesën lindore të këtij vendi, ndërsa viset me shumicë shqiptare janë anashkaluar.

Marrëveshja e Ohrit duhej t’i kishte pasur parasysh edhe shqiptarët në rajonet ku ata dhunshëm janë shndërruar pakicë, si: në Ohër, në Manastir, në Krushevë, në Resnjë, në Prespë, në fshatrat e Velesit apo të Prilepit, në Çashkë, Rostushë, Dollnen, në disa komuna të qytetit të Shkupit etj.

Krejt punët s’ka se si të jenë objekt i Marrëveshja e Ohrit. Maqedonia e Veriut është lidhur me autostrada me fqinjët e tjerë – Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë, por jo edhe me Shqipërinë dhe Kosovën.

Por ka do punë që ndërlidhen me Marrëveshjen e Ohrit. Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në Evropë. Si është e mundur që në një qytet me shumicë absolute shqiptare, rrugët dhe shumë shkolla të mesme, sot e kësaj dite mbajnë emërtime të figurave sllavo-maqedonase. Po të ndërmarrësh diçka për t’i ndërruar emërtimet e shkollave, nxënësit sllavo-maqedonas, të mbështetur nga partitë politike antishqiptare, organizojnë protesta. Kjo s’është veçse dobësi e politikës shqiptare. Ismail Kadareja kishte ardhur në Tetovë në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit”. Drejtori i festivalit, Shaip Emërllau më tha ta presë autorin e “Pallatit të ëndrrave” në gjimnaz. Me të hyrë në oborrin e shkollës, e lexoi në ballë të ndërtesës emërtimin e mësonjëtores. Ishte (dhe vazhdon të jetë) emërtim sllav. Shkrimtari i shoqëruar nga Elena Kadare, më pyeti: “Ç’është ky emër kështu. Unë e dija se vij në një shkollë shqipe…”. U stepa, nuk dija çka t’i them. Rreth 80 për qind e nxënësve të gjimnazit, në mos më shumë, janë shqiptarë. Nxënësit sllavo-maqedonas nuk mësojnë në atë ndërtesë. Ata ndjekin mësimin në objekt tjetër. Megjithëkëtë, shkolla me nxënës dhe me kuadër arsimorë shqiptarë mban një emër që fare s’ka të bëjë me historinë dhe kulturën shqiptare. Për më keq, pothuajse të gjitha shkollat e mesme e kanë të njëjtin problem.

Shënim: Kadareja me gruan e vet u pritën nga drejtoria e gjimnazit, nga të gjithë profesorët si dhe nga qindra nxënës. Shkrimtari të gjithëve na mbajti një ligjëratë që zgjati disa minuta. Ata qëndruan në shkollë rreth dy orë.

*    *    *

Shqiptarët diskriminohen në shumë lëmenj. Spitalet e qyteteve shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut nuk krahasohen dot me klinikën e Shkupit. Kjo klinikë ka krijuar monopol dhe pjesa më e madhe e mjeteve financiare të buxhetit derdhen aty.

Duhet cekur se Maqedonia e Veriut është një shtet, sistemit të drejtësisë të të cilit i besojnë vetëm dy për qind e qytetarëve të tij. Duket e pabesueshme, por kjo shifër vjen nga nivelet më të larta të politikës. E dhimbshme. Mjerë ky popull në çfarë shteti jeton. Kështu nuk pranohesh dot në BE.

*   *   *

Ta kesh ministrin shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Financave apo në Ministrinë e Punëve të Jashtme, s’ka fije dyshimi se është arritje që çmohet lartë nga qytetarët shqiptarë. Ta kesh shqiptar kryetarin e Kuvendit të shtetit, s’ka fije dyshimi se është arritje që çmohet prej shoqërisë shqiptare. Ta kesh shqiptar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut është një arritje që duhet vlerësuar.

Mirëpo, nuk duhet harruar se ministrat shqiptarë, kryetari shqiptar i Kuvendit të shtetit apo edhe kryeministri shqiptar, respektojnë dhe zbatojnë ligjet e këtij shteti dhe kushtetutën e këtij shteti.

Duhet parë në ka ligje diskriminuese dhe restriktive ndaj shqiptarëve.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit ky shtet në shumë raste ka ushtruar dhunë dhe opresion ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk e kanë provuar dhe nuk e kanë praktikuar veprimin jashtë-institucional. Ka raste kur nuk mund të arrish një kërkesë kombëtare pa e kushtëzuar palën tjetër me veprim paqësor jashtë institucioneve të pushtetit qendror. Faktori ndërkombëtar nuk mund të të detyrojë të hyjsh në qeveri në emër të ruajtjes së paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon. Kjo s’është veçse një klishe. Paqja dhe lufta në çdo pikë të rruzullit dihet se në duart e kujt janë.

Në Maqedoni edhe sot ka kauzë shqiptare. Kauza shqiptare nuk është mbyllur. Ajo duhet të zgjidhet me mjete politike, në rrugën demokratike dhe institucionale. Një faktor politik i përçarë dhe që rend pas pushtetit, kurrë nuk mund ta zgjidhë një çështje kombëtare. Këtë e dëshmon historia.

Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të reduktohet kryesisht në punësimin e të rinjve. Punësimi është vetëm një dimension i çështjes. Kauza nuk zgjidhet me nepotizëm dhe me mbingarkimin e zyrave apo të administratës. Kjo nuk parqet zgjidhje. Zgjidhjet paliative apo gjysmake nuk mundësojnë perspektivë. Rrugëdalje duhet kërkuar në investimet e huaja dhe në zhvillimin e sektorit privat.

Marrëveshja e Ohrit sot nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve. Por, asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka ndodhur. Marrëveshja e arritur midis dy popujve zgjat rreth një shekull. Marrëveshjet nuk denoncohen dhe nuk arrihen kur t’i kujtohet dikujt dhe si t’i kujtohet dikujt. Për një marrëveshje të re shqiptarët duhet të presin. Të presin momente historike të reja, siç ishte rënia e murit të Berlinit, shpërbërja e perandorisë sovjetike, shembja e Jugosllavisë së Josip Brozit.

Edhe lufta nuk bëhet kur t’i kujtohet dikujt. Putini hyri në luftë por Rusia s’di si të dalë prej saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok