Show Posts

This section allows you to view all posts made by this member. Note that you can only see posts made in areas you currently have access to.


Messages - genta

Pages: [1]
1
Departamenti amerikan i Shtetit tha se administrata e Presidentit Bush është gati t’i kushtojë edhe disa muaj kohë përpjekjeve për krijimin e konsensusit ndërkombëtar lidhur me planin për pavarësinë e Kosovës. Rusia ka deklaruar se do të bllokojë në Këshillin e Sigurimit çdo plan për Kosovën, që nuk ka mbështetjen e aleates politike të Moskës, Serbisë:

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit thonë se administrata nuk po tërhiqet nga objektivi i deklaruar prej saj, që Kosova të fitojë pavarësinë në bazë të planit të zotit Marti Ahtisari, i dërguari i Kombeve të Bashkuara. Por, duke njohur realitetin politik në të cilin Rusia vazhdon ta kundërshtojë propozimin Ahtisari në Këshillin e Sigurimit, Departamenti i Shtetit thotë se është gati t’i kushtojë disa javë dhe muaj shtesë përpjekjeve për të ndërtuar një konsensus, që të përfshijë edhe Moskën.

Presidenti Bush, gjatë vizitës në Shqipëri një muaj më parë tha se dëshironte të shihte sa më shpejt pavarësinë për Kosovën, e cila aktualisht administrohet nga Kombet e Bashkuara.

Në komentet e bëra gjatë fundjavës në Kroaci dhe sot në Prishtinë, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane, Daniel Frid hodhi dyshime mbi perspektivën e një zgjidhjeje të shpejtë në Kombet e Bashkuara dhe tha se një marrëveshje që do ta lejonte Kosovën të shpallte pavarësinë, mund të mos realizohet dot brenda këtij viti.

Në një bisedë me gazetarët në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak, nuk dha ndonjë kalendar konkret hapash, por tha se administrata është gati t’i japë edhe disa javë apo muaj shtesë procesit të ndërtimit të konsensusit:

"Ne dëshirojmë të tërheqim në këtë proces sa më shumë palë që të jetë e mundur, duke përfshirë edhe rusët. Por nuk duhet të ketë asnjë dyshim për faktin se cili, sipas nesh, duhet të jetë rezultati përfundimtar. Nëse nevojitet më shumë kohë, në kuptimin e javëve apo muajve, për ta diskutuar këtë dhe për të parë nëse mund të arrijmë në një zgjidhje që na jep përfitimin maksimal, atëhere kjo ndoshta ja vlen kohën dhe përpjekjet. Pikërisht ky është edhe procesi në të cilin ne jemi të angazhuar tani," - tha zoti Mekormak.

Megjithëse kohët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë folur për veprime në Këshillin e Sigurimit si çështje javësh, Ndihmës sekretari i Shtetit Frid tha të dielën në një takim të NATO-s në Dubrovnik, se ai shpreson që statusi i ardhshëm i Kosovës të mund të zgjidhet në muajt që do t’i paraprijnë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht, në muajin prill.

Moska është shprehur kundër një zgjidhjeje të bazuar mbi planin Ahtisari, i cili parashikon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën dhe sa vjen e po i shpreh më hapur kërcënimet për t’i vënë veton çdo rezolute që do të ishte e papranueshme nga Beogradi.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha sot se çdo zgjidhje për Kosovën që është e papranueshme për Serbinë nuk do të miratohet në Këshillin e Sigurimit, ku Moska ka të drejtën e vetos.

"Çdo zgjidhje për Kosovën është e mundur vetëm mbi bazën e një marrëveshjeje mes të dyja palëve të interesuara. Çdo vendim tjetër nuk mund të kalojë nëpër Këshillin e Sigurimit", - tha zoti Lavrov pas një takimi që patën në Bishkek të Kirgistanit me ministrat e jashtëm të vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Zoti Lavrov nuk tha konkretisht se Rusia do të përdorë të drejtën e saj të vetos në Këshillin e Sigurimit, por deklarata e tij ishte sinjali më i fortë i dhënë deri tani nga Moska, se ajo do të hedhë poshtë çdo rezolutë që kërkon pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Shqiptarët e Kosovës kanë shprehur padurim ndaj procesit të statusit, megjithëse udhëheqësit e tyre ditët e fundit kanë lënë të kuptohet se nuk do të ndërmerrnin ndonjë hap drejt pavarësisë, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian
vice of amerika 09-07-2007

2
Kurorezimi i Bamirit

Arian Madhi e shqiptoi plot 84 here togfjaleshin "Topi Bamir" dhe ne salle ushtuan brohoritjet. Ora ishte rreth 21.13 dhe Shqiperia u be me nje President. Quhej Bamir Topi. Kuvendi vendosi dje ne darke, qe kreu i ri i shtetit te jete nenkryetari i Partise Demokratike, njekohesisht dhe kryetar i grupit parlamentar, te marre ne dore drejtimin e vendit per pese vitet e ardhshme. Topi ka marre votat e 85 ligjvenesve shqiptare, nje me shume se c'sanksionohet ne Kushtetuten e vendit. Ndersa kandidati tjeter, kryetari i Aleances Demokratike, Neritan Ceka, mundi te merrte 5 vota.
Seanca e djeshme plenare ishte parashikuar te niste ne oren 19.00. Nderkohe, gjate gjithe dites perflitej per nje mundesi te madhe, qe gjithe kaluari presidencial te mbyllej dhe shanset me te medha per tu shpallur President i kishte Bamir Topi. Teze e cila u vertetua ne mbremje. Rreth ores se percaktuar per nisjen e seances deputete te mazhorances nisen te grumbulloheshin. Me pas ne Kuvend ia behen gjashte deputete socialiste, gje qe perforcoi me shume idene se votimi do te nxirrte nje rezultat dhe se vendi do te kishte kreun e ri te tij. Seanca nisi me nje perplasje te vogel. Kandidati Ceka, kerkoi qe ne Sekretariatin per Procedurat e Votimit, te mos ishte socialisti Besnik Dervishi, i emeruar ne kete funksion qe ne fillim te nisjes se procedurave per zgjedhjen e Presidentit, qe ne votimin e pare. Ne vend te tij, sipas Cekes duhet te ishte deputeti aleancist, Pirro Lutaj, i cili zevendesoi Dervishin ne votimin e trete, pasi ky i fundit braktisi detyren e tij. Kjo gje krijoi ilaritet ne salle. Kryetari i Komisionit parlamentar te Ligjeve, Fatos Beja, ne nderhyrjen e tij ligjore, theksoi se Rregullorja percakton se numri i anetareve te Sekretariatit eshte tre. Por, per te larguar cdo mundesi perplasjeje, u propozua nga salla, qe ne Sekretariat te shtoheshin edhe dy deputete te tjere me statusin e vezhguesit. Gje qe u pranua nga te gjithe. Me pas, nisi procesi i votimit me votimin per prezencen. Ne salle ishin 87 deputete. Por, qe me pas, u shtuan edhe tre te tjere. Deputetet njeri pas tjetrit merrnin fleten e votimit dhe i drejtoheshin dhomes se fshehte per te shprehur vullnetin. Te gjithe reflektonin qetesi dhe bindje se Topi do te merrte votat e mjaftueshme. Atyre u qeshte nuri. E bukura e gjithe votimit ishte fakti se deputete te shumte te mazhorances, hapnin fleten e votimit dhe ia tregonin ate kolegeve te tjere. Nderkohe, ne salle degjoheshin zilet e celulareve qe binin pa reshtur. Me mbarimin e gje procedures se votimit, nisi numerimi i votave. Vota e pare qe u lexua i takoi kandidatit Ceka, e dyta Topit, e treta po Cekes e me pas u tha vetem emri i Topit, me tre nderprerje te tjera. Ne fund, kur u kuptua se Bamir Topi morri votat e nevojshme, e gjitha mazhoranca nisi duartrokitjet dhe deputetet iu drejtuan Topit per ta uruar. Sigurisht i pari qe i dha doren ishte kryeministri Sali Berisha. ndersa nga jashte degjoheshin oshtimat e festes me fishekzjarre. Pasi situata ne salle u qetesua disi, kryeministri Berisha merr nje telefon, te cilin ia kalon kreut te ri te shtetit. Me pas u mesua qe ne krahun tjeter te telefonit ishte Presidenti i Kosoves, Fatmir Sejdiu. Ishte i pari qe uroi Topin per zgjedhjen ne krye te shtetit. Menjehere kryeparlamentarja Topalli, ia dha fjalen Topit, i cili per here te pare me cilesine e Presidentit te Republikes, deklaroi se gjate detyres se tij do te respektonte Kushtetuten e vendit dhe ligjet e tij. "Ne themel te angazhimit tim do te jete vetem respektimi i ligjeve te vendit. Do te garantoj nje qetesi dhe ekuiliber ne te gjitha senset e mundshme", deklaroi ai. Topi ka falenderuar te gjithe deputetet qe e votuan dhe rivalin e tij ne kete gare, Neritan Ceka, i cili sipas tij (Topit) i dha sens ligjor kesaj gare. Ne menyre te vecante Bamir Topi falenderoi kreun e qeverise, Berisha per mbeshtetjen qe i dha ne kete sfide presidenciale. Nderkohe, betimi i te sapozgjedhurit President i Republikes, Bamir Topi, pasuesi i Alfred Moisiut, do te behet ne nje seance te vecante plenare te hene pasdite ne oren 18.00. Por, mbetet per te pare nese ne kete seance do te marrin pjese deputetet e opozites, te cilet bojkotuan te kater votimet e zhvilluara per zgjedhjen e Presidentit te Republikes.



Kush eshte Bamir Topi

E Shtune, 21 Korrik 2007

Bamir Topi nuk eshte rastesisht President i Shqiperise. Topi ka lindur ne 24 prill te vitit 1957 ne nje familje me tradita te hershme Tiranes. Ka kryer studimet e larta ne Universitetin Bujqesor te Kamzes, ku eshte diplomuar per shkenca veterinare. Ai ka qene madje deri drejtor i Institutit te Kerkimeve Veterinare. Topi eshte afruar ne politiken shqiptare ne vitin 1996 pasi kishte kundershtuar ftesen e meparshme te kryetarit te partise demokratike Sali Berisha me qellim krijimin e nje karriere akademike. Pasi e realizoi kete, Topi vendosi te futej ne politike ku edhe kandidoi per mandatin e deputetit ne zonen 31 ne kryeqytet. Pasi mori mandatin e deputetit ai u perfshi ne kabinetin qeveritar te kryeministrit Berisha, ne detyren e ministrit te Bujqesise deri ne vitin 1997. Topi eshte deputet ne tre legjislatura ne dy prej te cilave ka qene edhe Kryetar i grupit parlamentar demokrat si dhe prej tete vitesh nenkryetar i partise demokratike. Topi eshte anetar i komisionit per Veprimtarite prodhuese, Tregtine dhe Mjedisin. Topi ka refuzuar nje sere ofertash per poste ministrore madje edhe postin e zevendeskryeministrit qe prej dy vjetesh qe PD-ja eshte ne pushtet. Ai u lancua si kandidat i mazhorances ne muajin mars te ketij viti nga shefi i tij, kryeministri Berisha dhe u promovua nga e gjithe mazhoranca qeverisese. Kur gara presidenciale erdhi ne limitet e saj, Topi kerkoi te ishte kandidati i vetem i mazhorances ne listen e cila diskutohej ti propozohej opozites. Nderkaq,ai u terhoq nga gara, duke thene se do te rifutej ne gare vetem ne momentin kur procesi do te ishte kushtetues dhe presidenti i Republikes nuk do te ishte produkt i tavolinave dhe kulisave. Pas kesaj, tryeza gjashte partiake nuk arriti te gjeje konsensus tek ceshtja e prokurorit te pergjithshem dhe kandidati i veteshpallur Fatos Nano ne menyre individuale nisi procesin kushtetues duke dorezuar 20 firma ne parlament. Grupi demokrat ne menyre urgjente vendosi ri-futjen ne gare te Bamir Topit. Ne dy votimet e para ne gare ishin vetem Topi dhe Nano ndersa ne votimin e trete si rezultat i nje loje politike sikurse e ka konsideruar opozita, futjen ne loje te Neritan Cekes, ish-kryeministri Nano ka dale perfundimisht jashte loje. Mbreme Bamir Topi u zgjodh me 85 vota president i Republikes se Shqiperise. Mesazhi i pare qe ai beri, ishte zotimi per nje politike te re, dhe per nje balancim institucionesh. Topi tha se do te jete garant i kushtetutes dhe politikes shqiptare. Ai tha se do te jete model ne perafrimin me menyren dinjitoze te politike-berjes evropiane dhe integrimit ne NATO dhe BE. Ai ka falenderuar rivalin Neritan Ceka per qytetarin me te cilen perfundoi kete gare. Nderkohe nje falenderim special ai ka pasur per kryetarin e tij, kryeministrin Sali Berisha, i cili, sipas Topit ka pasur nje rol te pazevendesueshem ne kete proces.


Topi: Do të jem plotësisht mbi palët, për një politikë bashkëpunuese

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë Bamir Topi tha se do të jetë mjaft objektiv dhe promotor që klima politike shqiptare të jetë bashkëpunuese në interes të sfidave madhore që ka Shqipëria: rritjen ekonomike të vendit, qetësinë shoqërore si dhe dy sfidat më të mëdha që janë integrimi në Europë dhe në NATO

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, si garantues i unitetit të vendit dhe i zbatimit të kushtetutës, si mendoni ta realizoni këtë synim, i cili padyshim që nënkupton një ekuilibër të vështirë, aq më tepër që ju vini nga një e kaluar partiake? Pra si do te mund te beni ju shkeputjen e plote nga partia juaj?

Bamir Topi: Natyrisht sot unë duhet të flas ndryshe nga dita e djeshme jo sepse brenda 24 orësh ndryshon pozicioni në mënyrë radikale por ka qenë një bindje e thellë qysh në momentin kur unë vendosa të pranoj kandidimin për kreun e shtetit. Pra isha i prirur të lançoja një platfortë të qartë që kishte të bënte pikërisht me dokumentin themeltar të shtetit, i cili qoftë në frymë apo në gërmë, garanton jo vetëm balancimin e institucioneve por presidenti i republikës është institucioni që garanton edhe ekuilibër të plotë midis partive politike dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Nga kjo pikpamje gjëja më e rëndësishme e këtij procesi që u realizua ndoshta në një klimë të ndërlikuar në mënyrë artificiale, ishte kthimi te Kushtetuta, te dokumenti themeltar i shtetit, e cila presupozonte në mënyrë të qartë që gara presidenciale zhvillohej jo në tryeza partish por në kuvendin e Shqipërisë, aty ku përfaqësuesit kishin jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin kushtetues si atribut i njerëzve të zgjedhur nga populli në 100 zona elektorale, ku 40 të tjerë janë në listën proporcionale, pikërisht për të zgjedhur me votën e tyre të fshehtë dhe të lirë presidentin, që kërkonte sipas Kushtetutës 84 vota. Nga kjo pikëpamje, gjithçka që u konsumua në fillim nuk ishte në linjën e procesit kushtetues ndërsa në momentin kur në garë u fut zoti Nano, u regjistrova edhe unë. Besoj se qysh nga ai moment, gara u fut në linjë kushtetuese, e pranuar nga të gjithë sepse nuk do të kishte asnjë lloj sensi nëse presidenti i republikës do të dilte jashtë dokumentit themeltar të shtetit për të cilin ai mban përgjegjësi dhe është i detyruar t’i referohet. Në momentin kur u fut zoti Ceka në lojë, natyrisht procesi ishte legjitim, atij iu shtua legjitimiteti dhe u garantua që gara do të shkonte deri në fund. Nga kjo pikpamje, unë mendoj se si proces kushtetues ai tashmë është realizuar dhe presidenti i shtetit duhet që, në mënyrë të detyrueshme, ato që ka thënë me fjalë t’i realizojë me vepra hap pas hapi, duke qenë rigoroz jo vetëm në atë çka është e shkruar në dokumentin themeltar të shtetit por të kontribuojë me të gjitha mënyrat e veta për një detantë midis të gjitha partive politike, për të qenë në një pozicion të barasvlefshëm dhe për të injektuar në shoqërinë shqiptare, për fat të keq problematike, të gjithë ata elementë të civilizimit dhe të standardeve që ne kërkojmë të arrijmë sipas atyre që kemi premtuar për t’u integruar në familjen europiane dhe euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, duket se shija e fitores sikur eshte cënuar disi nga qendrimi kritik i opozitës ndaj procesit të votimit që ju solli ju në postin më të lartë të shtetit. E majta flet për blerje votash dhe në fakt ju u votuat edhe nga ata që kishin kundërshtuar kandidaturën tuaj, ndjekësit e zotit Nano. Në një situatë të tillë, si mund ta rifitoni ju besimin e opozitës?

Bamir Topi: Unë mendoj se, që të marrësh 85 vota në parlament, natyrisht që kësaj mund t’i bësh shumë komente nga pozicione të ndryshme politike por ju e dini se gara u realizua edhe me qejfmbetje nga kampet respektive, qoftë nga zoti Nano apo nga zoti Ceka. Por e rëndësishme është se të gjithë deputetët që ishin të pranishëm duhen konsideruar nga një tjetër këndvështrim si deputetë të përgjegjshëm, të cilët në respekt të votës që kanë marrë nga shoqëria shqiptare dhe nga populli erdhën për të plotësuar një detyrim kushtetues për të mos e lënë vendin në krizën e zgjedhjeve të parakohëshme. Nga kjo pikëpamje, sa kohë që procesi konsiderohet legjitim, pa asnjë lloj paragjykimi që vjen nga një parti e majtë, do të thoja që presidenti i republikës duhet t’u largohet paragjykimeve dhe duhet të jetë mbi palët. Unë u premtoj, në këtë moment që flas, jo vetëm partive të djathta por edhe partive të majta, në mënyrë të veçantë partisë më të madhe opozitare, Partisë Socialiste, që do të jem totalisht mbi palët, do të jem në një pozicion mjaft objektiv dhe promotor që klima politike shqiptare të jetë bashkëpunuese në interes të sfidave madhore që ka Shqipëria: rritjen ekonomike të vendit, qetësinë shoqërore dhe besoj për dy sfidat më të mëdha që janë integrimi në Europë dhe në NATO.

Zëri i Amerikës: Shkaku që prishi konsensusin për një president konsensual ishte çështja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshem. Për zgjedhjen tuaj nuk u vu ky kusht. A duhet ta marrim të mirëqenë se ju do ta shkarkoni kreun e akuzës? Nëse po, si do te realizohej kjo?

Bamir Topi: Unë e kam shprehur edhe më parë që Presidenti i Republikës nuk zgjidhet duke u kondicionuar nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm. Presidenti i Republikës, sikurse është premtuar, do të jetë iniciues dhe bashkëpunues në reformimin e sistemit të drejtësisë i cili është shfaqur mjaft problematik. Ky nuk është koment dhe pozicioni që është marrë vetëm nga partitë politike shqiptare por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kjo presupozon që institucioni i prokurorit të përgjithshëm është një etapë e cila duhet patjetër tejkaluar jo vetëm për shkak të punës së pamjaftueshme, mjaft problematike, por për shkak të atij pozicioni të palimituar që e çon institucionin e prokurorit të përgjithshëm në një mandat të paprecedent ndërkohë që të gjithë personalitetet, qofshin këto në nivelet më të larta të shtetit, por qoftë edhe në nivelin e prokurorit të përgjithshëm në vende të tjera, kanë një afat. Nga kjo pikëpamje, pozicioni i institucionit të prokurorit të përgjithshëm do të jetë pjesë e një reforme të thellë ku natyrisht presupozohet edhe një marrje në konsideratë e pozicionimit të ri për institucionin e prokurorit.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, ndër deklarimet tuaja të para mbrëme ishte edhe ai për pavaresinë e Kosovës. Situata është kritike për shkak se rezoluta për Kosovën nuk do të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit. Cili do të ishte mesazhi juaj për Kosovën në këto momente?

Bamir Topi: Mesazhi im për Kosovën në këto momente është që të jetë pikërisht në kohezion të plotë me pjesën më substacionale të mendimit të faktorit ndërkombëtar, të jetë në koherencë të plotë me ato pozicione që marrin miqtë e mëdhenj të Kosovës, të Shqipërisë dhe të vendeve demokratike, pra të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat me kohë kanë projektuar një të ardhme të re për Kosovën. Unë jam i bindur që populli i Kosovës është një popull i cili jo vetëm ka vuajtur por është formuar gjatë procesit të izolimit dhe të diskriminimit social dhe ka arritur në një pjekuri politike ku klasa politike e Kosovës sot është e sinkronizuar, është në një mendim unik. Besoj që së shpejti ai do të gëzojë frytet e pavarësisë së Kosovës, status që do të vijë patjetër, natyrisht jo i vetmuar por si pjesë e një koalicioni të gjerë botëror i cili e ka projektuar në mënyrë të padiskutueshme statusin e pavarësisë së Kosovës.



TOPI, Bamir Myrteza

Të dhëna vetjake:

Datëlindja: 24.4.1957
Vendlindja: Tiranë
Adresa: Kuvendi i Shqipërisë, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë.

Edukimi:

Shkencat biologjike.
Profesor Doktor.

Veprimtaria profesionale:

Profesioni: Biolog.
Kërkues shkencor në fushat biologjike të aplikuara; Drejtor i Institutit të Kërkimeve Veterinare.

Veprimtaria politike:

Deputet në tri Legjislatura; dy herë Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së; dy herë Nënkryetar i PD-së; 1996-1997: Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit.

Zgjedhur në:

Legjislatura: XVII
Zona zgjedhore: 31
Qarku: Tiranë
Nr. i votave: 9756
Përqindja: 53,4%
Deputet edhe në Legjislaturat XIV, XVI.

Grupi dhe komisionet parlamentare:

Grupi parlamentar: PD - Kryetar
Komisioni parlamentar: Komisioni për Veprimtaritë prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, anëtar.



Publikime:

Shumë botime shkencore në periodikun shqiptar dhe të huaj, si dhe analiza politike frekuente.


Kortezi e Korrieri, Zeri i Amerikes, Kuvendi i Shqiperise.

3
Aktoret Shqiptare / Tinka Kurti
« on: August 05, 2007, 12:23:52 PM »
Tinka Kurti: Përfundova rastësisht në skenë

Lindita Çela

Ngado që të udhëtojë kjo grua era e shirokut dhe era e murlanit shkodran do ta ndjekë pas. Do ta ndjekë pas si një kujtim i bukur, ajo udhëza e parë, trokitja e parë në portën e teatrit "Migjeni". Tinka Kurtin, me "rrënjën" e parë në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi, për rolet që dhuroi, pak kush mund ta nxjerrë nga mendja. Çuditërisht, në atë rrugë që mbante emrin "Hysaj", ku banonte ajo vajzë, në atë shtëpi të vogël krevete, siç i thonë shkodranët, nuk kishte asnjë artist apo njeri që merrej sadopak me art.... Pra, kjo udhë ishte e zbrazët, askush nuk ndikonte, askush nuk mbartte qoftë një grimcë talenti e magji arti. Me sa dukej, vetëm mosha me sekretet e saj fshihte magjinë që më vonë do të shfaqej si vjollcë në pranverë, me një qeshje të bukur, si vajzë çapkëne e shumë gazmore. Ajo do të rrezatonte në universin e aktrimit, kështu do të kalonte Tinka një fëmijëri me ëndrra, më shumë në krahët e nënës se të babait. Shpesh ndodh që jeta të hedh në brigje të panjohura, kurse ëndrrat në brigje të largëta drejt të cilave duhet të ecësh, të stërmundohesh dhe nuk arrin... Kështu ndodhi edhe me Tinkën. Jeta e hedh në një "vendqëndrim" jo të shumëkohshëm si punonjëse e muzeut të rrethit, ndërsa zëri i skenës e thërret. E thërrasin ëndërrat për të bërë në realitet ëndrrën e saj. Si shumë kolegë të saj nisi udhën në Shtëpinë e Kulturës. Shpejt dallohet mbi të tjerët. Hyn në teatrin "Migjeni" dhe fiton një nemër....
Bep Shiroka, Artist i Merituar, kujton se "kur kam hyrë në teatrin "Migjeni" Tinka kishte emër dhe kishte 10 vite si aktore profesioniste. Ndoshta jam partneri që ka role më shumë se të tjerët më të. Roli im i parë qe te drama "Nora", por roli im i parë i rëndësishëm ka qenë në dramën "Histori irkutase". Valja - Tinka ishte një rol që e nderonte aktoren. E gjithanshme. Ajo pëson një metamorfozë dhe bëhet një grua ideale. Tinka jo vetëm shpalos një botë të mrekulleshme prej aktoreje, por kalon situata të ndryshme, natyrshëm, me ngrohtësi e vërtetësi. Roli i Valjas është i bukur profesionalisht, pa batakçillëk".
***
Ka kaluar mbi gjysmë shekulli që kur aktorja Kurti ka nisur rrugën e saj të karrierës. Kur ishte vetëm 14 vjeç ajo del për herë të parë në skenë. Ndërsa 25-vjetorin e saj e feston gjatë xhirimit të filmit të parë shqiptar "Tana". Për Tinkën dy çmimet e para janë njëri ne Festivalin e Parë të filmit me filmin "Çifti i lumtur"…. Më vonë, me një karrierë të gjatë, aktorja shkodrane Kurti meriton shumë çmime deri në Festivalin Kombëtar të Teatrit, të zhvilluar në Vlorë, rreth gjashtë vite të shkuara, kur ajo merr çmimin e karrierës.
Kurti shënon 65 role në film dhe mbi 167 role në skenë. Në tërë këtë galeri figurat - nëna zënë një kapitull të veçantë, figura siç thuhen në një këngë
për nënën; "nuk njohin mplakje, nuk njohin moshë". Te drama "Gjaku i Arbërit" Tinka arrin një kulm në figurën e Nënëmadhes. Mandata i vjen për djemtë e vdekur, të bijën e ka martuar nëntë male larg. Në stoicizmin e saj, përmes vijave të vuajtjeve e tragjizmit, ajo nuk përthyhet, burrave u flet me gjuhën e burrërisë.
***
Tinka Kurti është një aktore që të gjitha roleve ua ka bërë hyzmetin. Asnjerin nuk e ka nënvleftësuar, i ka luajtur me shpirt. Ndaj figurën e saj e ka gdhendur skena e teatrit dhe celuloidi i kinematografisë. Tinka Kurti, një nga aktorët më me emër të filmit dhe teatrit shqiptar, ka marrë një vlerësim edhe nga Universiteti i Biografive të Kembixhit, medalje për arritje të larta në fushën e artit. Krahas 5 500 grave të tjera nga e gjithë bota edhe artistja shqiptare me gjen shkodran, është renditur mes personaliteteve që kanë konturuar listën deri në vitin 2000. Aktorja Kurti, megjithëse në pension, për asnjë çast nuk i ndahet skenës se teatrit. Ajo është e ftuar për të marrë pjesë në shumë trupa teatrale të vendit, të cilat po vënë në skenë pjesë të ndryshme teatrale. E kështu mund të themi se Tinka mbetet përherë e re dhe e mirëpritur në skenë.

***
Kur ka interpretuar për herë të parë në skenë, Tinka Kurti ishte veç 14 vjeç. Qysh atëherë deri më sot në fondin e karrierës së saj artistike numërohen 320 role, shumica në dramë, por pa lënë pas edhe filmin, ku ajo ka realizuar karaktere të papërsëritshme. Karrierën e saj si aktore e nisi në Shkodër, ku për herë të parë u ngjit në skenë. Roli i saj i vërtetë ishte në dramën “Fejesa” të Çehovit, i cili do të pasohej me dhjetëra të tjerë, si “Fisheku në pajë”, Toka jonë”, ku ka interpretuar rolin e Files dhe më pas të Lokes etj. Vetëm pas tre muajsh shkollë në degën e dramës në Liceun e Tiranës, ajo, së bashku me 7 - 8 shokë të tjerë do të përjashtohej nga shkolla për shfaqje liberale. “Teatrin e mora tmerr”, tregon ajo. Nuk e mori asnjëherë diplomën e aktrimit, por talenti i saj nuk kishte nevojë për diplomë. Shumë shpejt regjisorët zbuluan tek ajo jo vetëm talentin, por edhe pasionin e një aktoreje të vërtetë. “Më ndodhte që brenda një viti të realizoja 4 role. Më duhej të shkoja nga Shkodra në Vig, ku xhiroheshin “5 heronjtë”, që aty në një vend tjetër. Isha e lodhur, e sfilitur, por shumë e lumtur”, thotë aktorja. Rolet do të pasonin njëri-tjetrin, nga skena në sheshxhirim. Disa nga rolet e saj më të arrira janë ato të Lokes te “Toka jonë”, nënë Pashakoja, te “Yjet e netëve të gjata”, nëna te “Gjaku i arbrit” etj.

Fillimet e Kinematografisë

Kinematografia në Shqipëri u zhvillua pas vitit '45, ndërkohë që si shfaqje e parë filmike njihet ajo e piktorit Kol Idromeno, në vitin 1912. Filmi më i vjetër me temë shqiptare, i xhiruar nga të huajt, është "Albania ribelle", xhiruar nga shoqëria italiane "Cines" e Torinos, në vitin 1909. Në vitin 1946 u ngrit ndërmarrja e parë kinematografike shqiptare. Gjatë viteve '70 - '80 - '90 prodhimi kinematografik shqiptar numëronte në një vit 14 filma artistikë, 40 dokumentarë dhe kronikale, si dhe16 filma vizatimorë të teknikave të ndryshme. Pas viteve '90 prodhimi i filmit shqiptar ka shënuar një rënie të ndjeshme.
"Tana", është filmi i parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë. Prodhim i Kinostudios "Shqipëria e Re", realizuar në vitin 1958. Filmi me temë nga jeta e fshatit, është me skenar të Fatmir Gjatës, mbështetur në novelën e tij me të njëjtin titull. Regjisor është Kristaq Dhamo.
"Qeshim, se nuk qajmë dot" është filmi i parë artistik me metrazh të shkurtër, me regjisor Viktor Stratobërdhën e me skenar të Dionis Bubanit. U shfaq për herë të parë pas 43 vjetësh, ne vitin 1999, për shkak se regjisori Stratobërdha u dënua nga regjimi komunist. Viktor Stratoberdha u lind në qytetin e Korçës në vitin 1925.
"Beni ecen vetë"; film artistik për fëmijë, me regjisore Xhanfise Kekon (Artiste e Popullit), prodhim i vitit 1975, ka fituar çmimin e posaçëm në festivalin për fëmijë të Salernos në Itali, në vitin 1979.
"Zana dhe Miri", është filmi i parë vizatimor i prodhuar në vitin 1975. Më pas filloi prodhimi i filmave me teknikën e vizatimit dhe më vonë ai i filmave me teknikën e kombinuar me sende reale.

Ballkan 01/04/2004

4
Aktoret Shqiptare / Ndriçim Xhepa
« on: August 05, 2007, 12:22:12 PM »
Kapitulli i artë i Ndriçim Xhepës

“Kapitulli i Dytë”, suksesi ndërkombëtar i Teatrit Kombëtar. Ndriçim Xhepa, aktori më i mirë i festivalit “Infofest 2005” në Prishtinë

Nga Albri Brahusha
Xhepa, aktori i realizmit të thellë
Biseda me Ndriçim Xhepën fillon gjithnjë thjesht. Në mëngjes kishte rënë shi, ndërsa e prisja te Bar Kalaja. Vonohet. Njëzet minuta. Kur vjen nuk e lë të kërkojë të falur për vonesën dhe i përsëris një shprehje që më pëlqen edhe për vete: “Korrektesa në orar është virtyt i njerëzve meskin”. Buzëqesh. Më tregon se si rruga e tij nga shtëpia deri në vendin e takimit ndërpritet nga shumë dashamirës, që e urojnë për çmimin që ka marrë në Prishtinë. Modest, ndalet me të gjithë që e urojnë. Ulet dhe ndërkohë fillojmë bisedën. E përditshmja sigurisht ndërhyn në jetën e kujtdo, sado që fama bën të vetën. Aktori është një njeri si të gjithë të tjerët. Dhe Ndriçim Xhepa e shijon deri në fund të qenit njeri ashtu siç shijohet kafeja e mëngjesit dhe dielli që del pas një mëgjesi me shi të një dite tetori. Fillojmë e flasim për teatrin, për rolet e tij që nga Krafti, Dorian Grei, Trigorini dhe së fundi Xhorxh Shnaider. Aftësia me të cilën ai luan mjeshtërisht në role, me karaktere diametralisht të kundërta, më ka mahnitur gjithnjë te ky aktor. Kur i them se herë pas here më kujton aktorin Xhon Malkoviç, qesh dhe më thotë: “Të lutem të mos i bëjmë shumë fresk vetes”. Por pavarësisht këtij krahasimi, ka diçka të ngjashme me Malkoviçin, diçka që i rezaton në fytyrë. Është qetësia. Përgjithësisht ka një pamje të qetë dhe një buzëqeshje të natyrshme. Shpeshherë ironik dhe pastaj ledhatues, por edhe realist. E pranon faktin që gjithnjë i ka pëlqyer të hidhet nga një karakter në tjetrin edhe pse këto karaktere janë të kundërt, krejtësisht të ndryshëm. Nga Krafti maniak, te Dorian Grei cinik, nga Trigorini çehovian te Xhorxh Shnaider, një karakter i butë, i ëmbël e shpesh ironik. Harruam fare çmimin. Në festivalin “Infofest” të Prishtinës ai u cilësua nga juria si aktori më i mirë. Sigurisht, ishte edhe meritë e shfaqes në tërësi, regjisë dhe trupës, pasi ai ka bindjen se teatri është një punë në grup, dhe nëse klima që krijohet në grup është e mirë, aktori mund të nxjerrë gjithnjë një rol të mirë dhe të bukur. Shpesh ndodh që në teatër kjo klimë mungon, dhe kjo është arsyeja që ai ka refuzuar shumë role. E thotë këtë me dhimbje, por tashmë pas 25 vitesh në teatër ka ndërmend të marrë kënaqësi e jo vetëm lekë nga teatri. Është në moshën e tij më të mirë, me shumë çmime, me shumë role si në film ashtu edhe në teatër, pothuaj i ngopur. Gjendja ku ndodhet, mund të konsiderohet një realizëm i thellë. Nuk është nga ata që nuk e dinë se ku jetojnë. Është plotësisht i qartë se marrëdhëniet njerëzore ndikojnë shumë në nivelin e marrëdhënieve dhe arritjeve profesionale. E di që ndërkohë në Europë luhet teatër i një niveli shumë të lartë, e di që edhe për 100 arsye në Shqipëri nuk mund ta kemi këtë nivel. Problemi shëndetësor që kishte para tre vitesh i ka dhënë një kuptim tjetër jetës së tij. E ka bërë më të ndjeshëm ndaj gjithçkaje e gjithashtu edhe i ka dhënë një shkallë më të lartë kuptueshmërie. Nganjëherë më duket sikur flas me Xhorxh Shnaiderin që ka shkruar 300 faqe të romanit të tij dhe akoma nuk ka gjetur ngjarjen. Ndërkohë që bisedon me Ndriçim Xhepën vë re që ato që shumica e quajnë famë, kulm, apo kushediçka, është thjesht jeta, të jetosh brenda një realizmi të thellë dhe pa kompromise, në mënyrë që të kuptosh më tepër, të jesh i kthjellët dhe i mbushur me qetësi që shkon deri në paqe. Rinis edhe një herë biseda me një pyetje që e kam të paramenduar. I them: “A je gati të luash Hamletin?”. Kjo është një pyetje që shtrohet në jetën e çdo aktori. Vjen një ditë dhe aktori duhet të përballet me majën. Hamleti është personazhi më kompleks në historinë e teatrit dhe dramaturgjisë. Të luash Hamletin duhet të zotërosh shumë teknika aktoriale, por për më tepër duhet forcë, energji, paqe, pasion, sepse është një personazh i gatuar me thelbin e vërtetë të çdo burri, Hamleti është grada më e lartë e një aktori, përballja me këtë personazh mat fuqitë dhe cilësitë e aktorit. “Nuk besoj”, thotë. “Do të doja shumë të kishte kushte të atilla që unë të luaja Hamletin, dëshira ime është tjetër gjë, por duke njohur kushtet e teatrit tonë them se nuk jemi gati”. Dhe ka të drejtë. Hamleti kërkon një organizim të përsosur si në nivel regjisorial, ashtu edhe në prapavijë, e po ashtu edhe në trupën e aktorëve. Megjithatë Xhepa thotë se do të ishte një kënaqësi për të nëse do të vinte ajo ditë kur në teatrin shqiptar të mund të luhet Hamleti. Vjen koha ta mbyllim bisedën. Ngrihemi dhe ecim ngadalë përgjatë rrugës plot pemë mes Kinema “Milenium2” dhe Teatrit Kombëtar. Ndahemi. Rrugës ndjes se si pa dashje Ndriçim Xhepa më ka dhënë pak paqe nga paqja e tij. Dielli i dobët i tetorit ndriçon në rrugët që kanë nisur të mbushen me gjethe. Duket një ditë e vërtetë. Pastaj përshpëris: “Ai duhet patjetër ta luajë Hamletin!”

 

Pages: [1]