Author Topic: Shqipëria, sekreti i fundit i Evropës  (Read 1705 times)

luljeta

  • Newbie
  • *
  • Posts: 25
    • View Profile
Shqipëria, sekreti i fundit i Evropës
« on: July 31, 2007, 04:41:11 PM »
Riviera shqiptare, rivale e denjë e Kroacisë

Will Hide "The Times"


Vetëm para njëzet vjetësh, Evropa Lindore nuk ishte vetëm ekzotike, por edhe e paarritshme. Tani, me biletën e avionit që kushton fare lirë ne mund të nisemi lehtësisht nga Notingam dhe të mbërrijmë në Riga, apo nga Glasgou në Gdans. Perdja e hekurt është hequr tashmë për të zbuluar Tesko-n në Hungari dhe MTV-në rumune. Në ditët e sotme, pothuajse në gjithë vendet në lindje të Elbës misteri është shuar. Por Shqipëria mund të konsiderohet si sekreti i fundit i Evropës. Ky vend që prej fundit të marsit është lidhur me Londrën me anë të fluturimeve të kryera nga linja "British Airways". Tirana është një qytet njëkohësisht joshës dhe me cepa të ashpër. Magjepsja që transmeton ky qytet vjen më shumë prej njerëzve, të cilët duken me të vërtetë të predispozuar për të mirëpritur turistët. Në vend që të jesh një objekt zhvatjeje, aty sheh se rrethohesh me mirësi, ndërsa vendasit interesohen gjatë gjithë kohës për të të siguruar nëse po shkon në rrugën e duhur, të pyesin se çfarë mendon për Shqipërinë dhe zakonisht të tregojnë për një familjar të tyrin që ndodhet në Britaninë e Madhe. Shumë ndërtesa të kohës komuniste dhe blloqe pallatesh janë mbështjellë në vitet e fundit nga ngjyra të gjalla me urdhër të kryebashkiakut, një teleferik i ndërtuar vitin e kaluar që njerëzit të ngjiten në malin e Dajtit, nga ku qyteti shikohet në pëllëmbë të dorës. Poshtë në qytet ndodhet "Blloku", një zonë e paketuar me një koleksion gjithmonë në shtim baresh, restorantesh dhe lokalesh nate të reja, zonë ku mbretëronte më parë ish-lideri despotik, Enver Hoxha, lagje për zyrtarët e lartë të shtetit të atëhershëm. Por tashmë, turma mercedezësh që u bien borive mbushin rrugët që ndodhen në një gjendje të mjerueshme (deri në kohën e rënies së komunizmit në 1991 në gjithë vendin ndodheshin vetëm 600 makina), pusetat e hapura nëpër trotuare presin kalimtarët e pakujdesshëm. Në vendet kryesore për t'u vizituar të Tiranës ndalimi i parë ishte në Muzeun Historik Kombëtar në Sheshin "Skënderbej", muret e muzeut të mbushura me piktura punëtorësh të realizmit socialist, fshatarësh dhe partizanësh që marshojnë drejt utopisë socialiste. Xhamia e Et'hem Beut e shek. 18 ndodhet në qoshk të Sheshit "Skënderbej". Më pas mora një taksi deri te teleferiku ku ngjitesh në majë të malit të Dajtit, një udhëtim prej gjysmë ore për të shijuar pamjen e qytetit si dhe për të hasur rreth 700 mijë bunkerë (të ndërtuar pas vitit 1967, të ndërtuar për të shmangur kërcënimin e një pushtimi të mundshëm që ekzistonte më shumë në mendjen e Enver Hoxhës. Kuzhina shqiptare është një miksim i asaj italiane me turken; në mënyre të papritur shumë e shijshme dhe e lirë. Po aq e papritur është edhe klima e këtij vendi, që i ngjan më shumë asaj të Majorkas se sa të Moskës. Në korrik dhe gusht temperaturat mesatare janë tek 21 gradë celsius. Më vonë u drejtova nga Blloku, i cili në një mbrëmje të ngrohtë ishte i mbushur me njerëz që pinin kafe dhe darkonin. Pas darke piva birrë dhe ujin e zjarrtë të lokalit, rakinë. Mëngjesin e nesërm u nisa drejt Durrësit, 39 kilometra larg Tiranës së bashku me udhërrëfyesin tim. Durrësi është "Miami Beach" i Shqipërisë, vetëm se me më shumë ndërtesa betoni. Shumë kosovarë kalojnë kufirin për të kaluar pushimet e tyre këtu dhe në gjithë bregun jugor, ku hotelet e mëdha po shtohen gjithmonë e më shumë për të plotësuar kërkesat. Pas një vizite në muzeun arkeologjik dhe amfiteatrin romak, i cili u përdor për herë të fundit në vitin 2004 për një spektakël bukurie, ne ecëm dy orë me makinë nga jugu, duke kaluar fshatra ku gratë punonin në ara apo shisnin fruta buzë rrugës, burrat bisedonin të ulur nëpër lokale, fëmijët sipër gomerëve, mullarë, bunkerë dhe fabrika e pa jetë e tekstileve e Mao Ce Dunit në qytetin e lashtë të Beratit. Në shekullin e tretë para Krishtit apo para erës sonë, siç shqiptarët, thonë akoma (një rregull ky i mbetur që prej regjimit të Hoxhës, kur çdo frazë që kishte të bënte me besimin fetar ishte e ndaluar), një fortesë ilire u ndërtua këtu dhe akoma sot kjo kala gjendet në majë të shkëmbit. Shtëpitë e vjetra janë të vendosura pjerrësisht në kodër, ndërkohë që në qendër të qytetit një xhami ndodhet përballë një kishe ortodokse, pavarësisht kësaj, njerëzit duken më të interesuar në makinat që kalojnë në rrugë. Pas një vakti me tavë dheu, ne iu bashkëngjitëm pjesës tjetër të qytetit në xhiron e mbrëmjes në rrugën kryesore të qytetit, dhe ndërsa mbrëmja filloi të binte, të gjitha gratë u zhdukën, duke ua lënë vendin burrave të ulur nëpër lokale. Pasditja ime e fundit para se të kthehesha në shtëpi ishte në Krujë, një qytet kala tjetër i vendosur në faqen e malit dhe që ndodhet 42 kilometra nga kryeqyteti dhe shumë afër aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza". Ndërsa sillja në mend skenat në kafenetë e Tiranës të tejmbushura me njerëz, më erdhi në mendje se potenciali për zhvillimin e turizmit ndodhet tek shqiptarët, disa prej njerëzve më miqësore që kam takuar në Evropë, por të cilët po largohen për një jetë më të mirë drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Bashkimit Evropian. Në perspektivën e turizmit, Shqipëria mund të jetë një rivale e denjë e Kroacisë, sidomos në jug të vendit ku ndodhet dhe Riviera, pranë Sarandës.

Tirana Observer
__________________
Euforia momentike e cila te drodhi si korent i kohes se skandalizuar, te shkaterroi ty sepse te humbi perjete dashurine dhe njerezine. Nga Parajsa shkove ne Ferr, e mallkuar nga Perendia e Dashurise, Amor, sepse lendove Gladiatorin e pafajshem te zemres tende!