Author Topic: Identitetet fetare dhe koncepti i shqiptarizmës.  (Read 2552 times)

aisa28

  • Newbie
  • *
  • Posts: 5
    • View Profile
    • Email
Identitetet fetare dhe koncepti i shqiptarizmës.
« on: January 02, 2008, 07:02:21 AM »
Skema mjaft e ndërlikuar e identiteteve etnogjuhësore të kombit shqiptar mbetet jo e plotë po qe se nuk plotësohet me një aspekt qënësor siç është ai i identiteteve fetare. Edhe kësaj here, tabloja që përfitohet është e pazakonshme. Të ndarë mes dy besimeve të mëdha fetare monoteiste – krishtërimit dhe islamit, sejcila e nëndarë në dy degët e saj kryesore : katolike dhe ortodokse për të parën si dhe sunite dhe alevi për të dytën, përfundimisht shqiptarët nuk mund të kyçen brenda konfigurimeve të thjeshta, sikundër dhe pjesa tjetër e Evropës.Pas pesë shekujsh jetese të përbashkët me otomanët, së paku u respektua një farë logjike : në vigjilje të pavarësisë së tyre, shqiptarët ishin i vetmi popull i Evropës i përkushtuar ndaj islamit, në qoftë se përjashtojmë natyrisht turqit periferikë dhe boshnjakët e përçarë. Sidoqoftë, duhej pritur ende një çerek shekulli që përshtypja intuitive të kthehej në siguri. Duke marrë parasysh për herë të parë edhe përkatësinë fetare të banorëve, rregjistrimi i popullsisë të vitit 1939 na mëson se masa prej 1.180.000 vetësh, përmblidhte 826.000 myslimanë (70% e popullsisë), 212.000 ortodoksë (18%) dhe së fundi 142.000 katolikë (12%). Megjithatë, bashkësia myslimane nuk ishte aq homogjene sa dukej : rreth 600.000 vetë (73% e myslimanëve) i përkisnin tendencës sunite tradicionale dhe pjesa tjetër, 226.000 vetë (27%) ishin ithtarë të vëllazërive mistike myslimane – tarikateve[ii]. Në vazhdim, duke përjashtuar rregjistrimin e popullsisë të vitit 1942 i cili u krye nën përkujdesin e italjanëve pushtues[iii], të dhënat e drejtpërdrejta mungojnë megjithë serisë prej shtatë rregjistrimesh të plota, të mbajtura gjatë periudhës komuniste. Në këtë mënyrë, të gjitha referencat ndaj shifrave mbeten projektime të thjeshta të të parave, me vlera të kufizuara krahasuese.

Gjeografia e grupeve fetare s’është gjë tjetër veçse pasqyrim i zhvillimit të shoqërisë njerëzore : fetë më të vjetra – në rastin tonë të krishtera – mundën t’i shpëtonin ofensivës myslimane ose falë relievit të vështirë (veriu i thellë katolik) ose falë çadrës mbrojtëse të Kishës së Madhe Ekumenike të Stambollit (çereku jugor – juglindor). Përsa i përket zonës tjetër, gjithçka është në funksion të lëvizshmërisë të popullatave si dhe të shkallës së mirëkuptimit reciprok mes bashkësive. Në perëndim të monarkisë zogolliane dhe në agim të pushtetit komunist, katolikët u gjenden në një zonë të ngushtë që përmblidhte qytetet e Shkodrës dhe Lezhës dhe rrethinat e tyre sikundër në zonat e Malësisë së Madhe, në krahinën e Mirditës dhe në malësi të Lezhës. Në të kundërt, ortodoksët përhapen në një rrip mjaft të gjerë që shkon nga Pogradeci dhe Korça në lindje deri në Himarë në perëndim, duke kaluar nga Berati, Përmeti dhe Gjirokastra. Ishuj të rëndësishëm të popullsive ortodokse gjenden në Myzeqe sikundër dhe në qytetet bregdetare dhe në Tiranë.Gjithë pjesa tjetër e vendit mbetet myslimane : fusha bregdetare, luginat e lumenjve Mat, Erzen, Shkumbin, Osum dhe Vjosë sikundër dhe malësia e zonave qëndrore dhe jugore. Po besnike ndaj islamit mbetet edhe lugina e sipërme e Drinit, duke përfshirë dhe Dukagjinin dhe vise të tjera rreth kufirit me Kosovën. Më tej, realiteti në terren, i kqyrur në zona të ngushta, është fort i ndërlikuar pasi edhe ato zona që mbahen si të krishtera s’janë gjë tjetër veçse ndërthurje të bashkësive kryesisht ortodokse dhe myslimane.
Përsa i përket kosovarëve, në shumicën dërrmuese të tyre ata mbeten myslimanë. Vëllazëritë mistike sufi janë fort të rralla ndërsa numri i ortodoksëve shqipfolës është i papërfillshëm. Katolikët kosovarë përbëjnë 4-5% të popullatës (rreth 100.000 vetë) dhe jetojnë të përqëndruar në rrafshin e Dukagjinit si dhe në qytetet e Gjakovës dhe të Prizrenit. Të tjerë ishuj katolikë mbijetojnë në Prishtinë dhe Gjilan[iv]. Nga ana tjetër, profili fetar i shqiptarëve të Maqedonisë mbetet fort i ngjashëm me atë të kosovarëve, me disa sufi më tepër dhe me disa katolikë më pak.

E paraqitur në këtë mënyrë, bashkësia e folësve të gjuhës shqipe jep përshtypjen e një blloku mjaft homogjen njerëzor, sidoqoftë grupi më i rëndësishëm i myslimanëve ballkanikë. Kjo gjendje nuk ka mundur të mos i shpëtojë vështrimit të specialistëve të fesë si dhe politologëve të cilët, një moment të caktuar i druheshin asaj « transversaleje të gjelbër », e cila sipas imagjinatës kalon nga Turqia deri në Bosnje – dhe që përshkon natyrisht Shqipërinë dhe Kosovën. Përtej një farë zhgënjimi të mjediseve anti-islamiste, mungesa e çdo motivi fetar gjatë luftës së fundit të Kosovës si dhe gjatë trazirave të natyrës civile të vitit 1997 në Shqipëri, shërbeu si bazë e një pyetjeje të re : janë apo nuk janë myslimanë të vërtetë shqiptarët ? Përgjigja mbetet fort e kontrastuar dhe si zakonisht i nënshtrohet bindjeve të vëzhguesve. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e tyre janë të mendimit se pesha e Islamit në jetën shoqërore ose politike si dhe çfaqjet e saj në hapësirën publike ndryshojnë sipas vendit ku gjendemi dhe që shpirtëzimi mysliman jetohet ndryshe në Shqipëri dhe ndryshe në Kosovë, pa harruar edhe Maqedoninë. Pa vajtur deri në pohimin që egzistojnë po aq lloje të Islamit sa edhe bashkësi shqipfolëse, kjo don të thotë që identiteti fetar duket se i bindet logjikave divergjente[v].Kjo problematikë që prek thellësisht islamin, takohet gjithashtu edhe në gjirin e popullsisë të krishtere. Tek shqiptarët, pjesëmarrja në një bashkësi fetare nuk duket se është « shprehja e një besimi dhe e një teologjie precize » - e cila, me që ra fjala mbetet fort keq e njohur, por kryesisht « pjesëmarrje në një kolektivitet, i cili ka traditat e veta si dhe orientimet e veta kulturore[vi] ». Duke dalë jashtë fushës së dogmës, identiteti fetar paraqitet para së gjithash si një fakt kulturor, një pjesëmarrje në një sistem vlerash familjare dhe shoqërore. Sejcili – në të vërtetë, ai që është – mbetet mysliman ose i krishterë për hir të traditës, për hir të lidhjeve ndërkohë që ritet s’kanë ndonjë peshë të veçantë : kështu, mund të falemi pa shkuar në xhami ose në kishë, ashtu sikundër mund të hyjmë në këto vende të kultit jo për t’u falur. Mbajtja e Ramazanit pa agjëruar, pjesëmarrja në meshë pa ditur asnjë lutje nga Ungjilli – gjithçka është e mundur nga momenti që nxënia e doktrinave fetare asnjëherë nuk ka përbërë ndonjë shqetësim të vërtetë. Shpesh, një përmendje e thjeshtë e Zotit është e mjaftueshme për këtë fetarësi tradicionale që ajo të gjejë paqen e brendshme, që Njeriu të transhendojë në një besimtari të sinqertë. Megjithë kohën e shkuar, tabloja e përshkruar nga vëzhguesit evropianë ende nuk i ka humbur ngjyrat e gjalla të shekujve të kaluar[vii].

Ndërkohë, përvijohet një problem i natyrës praktike, përsa i përket interpretimit të gjendjes shpirtërore fetare. A mos është vallë shprehje e asaj tolerance tradicionale – qoftë edhe të sajuar, por ndaj të cilës shqiptarët janë fort krenarë ? apo, në të kundërtën, një gjendje misticizmi të pasigurt të cilit i mungon « lidhja e drejtpërdrejtë mes identitetit bashkësior dhe ndjenjës fetare personale të individit » ? Mos vallë ndodhemi në « një kapital fetar të përbashkët në të cilin kultet fetare bashkohen dhe ku konturet e identiteteve fetare fillojnë e fshihen » apo në të kundërt, në një besimtari të rëndomtë ku banaliteti i jetës së përditshme zëvendëson ngritjen shpirtërore nëpërmjet faljes ?Nëpërmjet filtrit instrumentalizues nacionalist, mund të gjykohet në mënyrë « intuitive » se e gjitha kjo s’është gjë tjetër veçse efekti i një islamizimi sipërfaqsor të kryer mbi një popullsi, në gjirin e të cilës besimet e mëparshme të krishtera hezitonin të zgjidhnin mes katoliçizmës dhe ortodoksisë. Në qoftë se shtojmë gjithashtu efektin destabilizues të Bektashizmës, që nëpërmjet lidhjeve të tij të fuqishme me bestytnitë pagane ka orientuar adeptët e tij drejt një herezie, nuk duhet të jemi fort larg një « çudije » të re shqiptare, që i shtohet vargut tashmë të gjatë të atyre të mëparshmeve. Çudi ose jo, këto identitetet fetare ndërveprojnë dhe shprehen në bashkëveprim të thellë me elementë të tjerë po aq esencialë të natyrës etnogjuhësore, kulturore bile edhe krahinore. Në këtë rast, as që guxojmë të imagjinojmë rezultatin që del nga një mbivendosje të tillë faktorësh, që veprojnë mbi një variacion të tillë grupimesh njerëzore të fragmentuara në një hapësirë gjeografike kaq të kufizuar.
Ajo çka është një predikat i brendshëm i kombit shqiptar është pikërisht kjo mënyrë krejt origjinale për të gjetur ekuilibrin nëpërmjet paqëndrueshmërisë, të krijimit të regullit nëpërmjet çrregullsisë. Duket se ai preferon më tepër të zhvillohet drejt gjendjes së tij natyrore me entropi maksimale se sa t’i bindet autoritetit artificial të një Providence. Përpara të tillë shpirtrash « të pandjeshëm » dhe fort pak të përpunueshëm, fetë çmprehen ; ato humbin shkëlqimin e tyre, tërheqjen e tyre misterioze, forcën e tyre të errët sikundër dhe agresivitetin e tyre karakteristik. Ato shëndrrohen në një plehrues të çfarëdoshëm të argjilës kulturore të bashkësisë. Ç’rëndësi ka në se njerëzit humbasin në labirintin e dogmave jo të plota dhe të bashkësive të fragmentuara, përderisa mbetet kjo magjepsje ndaj kësaj bote unikale që bashkon shpirtrat, të atij misticizmi ndoshta të pasigurt por gjallërues pasi primitiv. I vetmi problem është se bota rrethuese rrutullohet sipas principeve të ndryshme nga të tyret.

Ky popull që beson se vjen prej Perëndive, në mos prej Pellazgëve dhe si pasojë po aq hyjnor sa ata, është gjendur që herët përballë një enigme të pakuptueshme :
Ndërkohë që disponon mjete të tilla njerëzore, të afta të pushtojnë Ballkanin, të rindërtojë Shtete që heqin shpirt ose të rimëkëmbë Perandori që heqin këmbën zvarrë, ai mbetet i pafuqishëm përballë lakmisë së fqinjëve të pangopur. Ndërkohë që « eksporton » Njerëz të shquar në mbarë botën, janë veç diktatorët që i përshtaten. Ndërkohë që a priori ai lind luftëtarët më të shquar të planetit, të gjithë agresorët i hynë brenda si në një mulli pa zot. Ndërkohë që bota rrethuese nuk pushon së rrituri, hapësira e tij vitale nuk pushon së zvogëluari. Përse Zoti është kaq i padrejtë me të ?
Ndoshta, me që « heth nga një grusht temjam në çdo altar të çdo Perëndije që i ka dëgjuar emrin », s’ka perëndi që e dëgjon. A nuk është më e logjikshme që të zgjidhet njëra prej Perëndive, ajo më e mira ? Ideja është fort tërheqëse por fatkeqsisht ajo nuk është e re. Fillimisht ajo ka mbirë në atë epokë të lavdishme, të quajtur « Rilindja Kombëtare » dhe krijuesi i saj, në mos zëdhënësi, ishte i talentuari Pashko Vasa, i njohur ndoshta edhe si Vaso Pasha Shkodrani – një burrë i penës dhe i politikës. Strofa e tij tashmë e famshme është një program i tërë : « Çonju Shqyptar, prej gjumit çonju, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngonju, E mos shikjoni kisha e xhamija, Feja e Shqyptarit asht Shqyptarija ». Ja edhe zoti që ju ka munguar shqiptarëve : shqiptarija, një ideal kombëtar i cili qëndron dhe duhet të mbetet jashtë veçorive të shumëfishta, bile edhe atyre fetare.

- Shqiptarija pra don të thotë transcendim i feve të ndryshme – ky është edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i thirrjes së lëshuar në atë vit të largët 1878. Nën këtë flamur, disa përfaqsues të elitave shqiptare u bashkuan rreth projektit të Kombit shqiptar. Eshtë simptomatik fakti se, në kohën e sotme, thirrja fillestare e Vasës vazhdon të interpretohet në sferën e saj të ngushtë politiko-ideologjike, si « afetare, por jo antifetare, një parim politik, që synonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare », si një përpjekje për « laicizim të ndërgjegjes kombëtare »[viii] që mund të binte ndesh qoftë edhe me institucionet klerikale - duke parë tendencën e tyre të shërbesës së interesave të të huajve.
- Paralelisht me përpjekjen vasjane të « laicizimit të ndërgjegjes fetare », një varg shqiptaristësh të epokës përgatitore të pavarësisë kombëtare ishin të mendimit se thelbi i shqiptarizmës nuk qëndronte « në denoncimin e ndarjes fetare, qoftë dhe të feve në vetvehte » por në përpjekjen kundër përdorimit të fesë si « instrument përçarjeje nga ana e hierarqive jo kombëtare »[ix]. Ky kuptim i përgjithësuar i shqiptarisë gjen jehonën e tij në aktivizmin e një sërë figurash të shquara të Lëvizjes Kombëtare që theksonin në mënyrë të ndërgjegjshme - ose që ndjenin në mënyrë të pandërgjegjshme - se besimi fetar mbetej një element i qenësishëm i identitetit kombëtar – dhe që kundërshtia ndaj realitetit shumëfetar mund të prodhonte imazhin e një shqiptari « të pafe ». Në këtë vazhdë, Naim Frashëri i bënte thirrje baballarëve bektashi që të viheshin në qendër të shqiptarizmës, ndërkohë që bektashizmi mbetej shprehje e besimit në « Zotin e vërtetë ». Larg çdo kuptimi politik të mirëfilltë, ky instrumentalizim nacional i fesë mbetej gjithmonë i shkrirë brenda sferës së saj të gjerë shpirtërore.
- Kuptimi tjetër – i tërthorti – është ai që mbiu pas krijimit të Shtetit të pavarur shqiptar : për mjedisin zyrtar të asaj periudhe, shqiptaria u kuptua si kombëtarizim i fesë. Ky projekt preku njëri pas tjetrit sunitët, bektashinjtë dhe ortodoksët që nën optikën patriotike këputën lidhjet e tyre me qendrat përkatëse. Rezultati tejkalon komentin : sunitët humbën njëkohësisht edhe ushqimin material – ndihmat, edhe ushqimin shpirtëror – dogmën ; bektashinjtë u vetëizoluan dhe e shpallën vehten « qendër të botës » ; ortodoksëve ju desh të bridhnin si çifutët në shkretëtirë përgjatë viteve të tëra për të gjetur ata tre antarët fatkeqë të Sinodit të tyre të Shenjtë. Sigurisht, ky kombëtarizim shërbeu për të forcuar autoritetin e një mbreti laik si Zogu, ndërkohë që përkeqësoi dilemën identitare.
- Një kuptim i katërt – i rremi – është ai i adoptuar nga rregjimi i Hoxhës : nën optikën komuniste, shqiptaria don të thotë zhdukje e feve, në emër të një ideali – që në kuptimin e tij të fundit mund të quhet kombëtar. Rezultatet e një projekti të tillë ishin të menjëhershme : klerikët e paepur katolikë u shfarosën, fetarët e zbutur sunitë fillimisht u detyruan të heshtin dhe më pas u absorbuan plotësisht, priftërinjtë zbavitës ortodoksë në fillim u shfrytëzuan dhe në fund u asgjësuan, baballarët origjinalë bektashi fillimisht u përgëzuan dhe më pas u shkarkuan. Të gjithë aktorët – padret dhe papatë, hoxhët dhe babatë – humbën njëra pas tjetrës kryqet dhe hënëzat, ungjillët dhe kuranët, petkat dhe rasat, xhybet dhe tyrbet, mjekrrat dhe së fundi kokat ; vendi humbi monumentet e tij të kulturës ; besimtarët vendet e tyre të faljes ; njerëzit e thjeshtë orientimin. Më tepër se një katastrofë ishte një kataklizmë, një përmbytje si ajo e Noesë në kohë të vet. Vetëm se Noeja i ri s’kish çfarë të mblidhte në barkën e vet pasi ndërkohë gjithçka kish dhënë shpirt, bile edhe vetë shqiptarizma.
- Një kuptim i fundit – i kundërthëni – ka lindur në ditët e sotme. Sipas këtij të fundit, shqiptaria don të thotë përzgjedhje e Fesë së vërtetë, ajo që mund të afrojë shqiptarin me botën e sotme. Përmes përfaqsuesve të shumtë të kësaj rryme filozofike, dy prej tyre dalin mbi tufën, nëpërmjet propozimit të dy zgjidhjeve krejtësisht të kundërta, bile antagoniste. I pari, Ismail Kadare, i përket kategorisë së « oksidentalistëve » që hedhin poshtë Islamin si dhe të kaluarën otomane të vendit në emrin e modernizmit dhe të vlerave evropiane. I dyti, Abdi Baleta, ngrihet në përfaqsues të rrymës « islamo-nacionaliste ». Ai mbështet idenë e një rikthimi pa koncesione drejt Islamit – drejt këtij gjeneratori të ndërgjegjes kolektive – në emër të shpëtimit të Kombit shqiptar i cili ka qenë gëdhendur, bile edhe mbrojtur nga ana e otomanëve. Ndërkohë, është nëpërmjet këtij islami si vektor i përbashkët që edhe « bashkimi kombëtar shqiptar sikundër bashkimi i Shqipërisë etnike ndërkohë të ndarë » mund të realizohet.

Cili nga të dy rrymat bashkëkohore të « shqiptarisë » mban çelësin e të ardhmes ? Sipas gjasave, asnjëra prej tyre. Është fort pak e mundur që, nëpërmjet ëndrrave parashikuese ku çfaqet populli që pranon më së fundi fenë katolike të të parëve si dhe vendi që vendos të ndjekë fatin e tij, atë të bashkësisë të vendeve të civilizuara dhe të krishtere të Evropës, ky « imazh i sakatuar » i Shqipërisë përfiton një shans më tepër për t’u ribërë. Po aq i pamundur paraqitet skenari që, duke ju bashkëngjitur një koncepti të të kaluarës, kërkon të ngazëllojë aspiratat legjitime të myslimanëve në kërkim të « parajsës së humbur ». A duhet ndoshta të pranohet një sfidë tjetër, ajo e proklamuar nga elita e re që i bën thirrje dinamizmit njerëzor të gegëve dhe të kosovarëve myslimanë, nën stimulimin e një kulture gegë që shtrin rrënjët në trashëgiminë katolike[xi] ? Ç’farë duhet të bëjmë atëhere me këtë Komb shumëfetar, me këtë pasuri, trashëgimtarët e të cilës kanë përfituar favoret përpara se të grinden për të marrë pjesën që ju takon ? Ku t’a çojmë atë besimin e sejcilit dhe të çdonjerit, këtë të drejtë të patjetërsueshme të individit – e përcaktuar si e tillë në të gjitha Kartat e botës ?
Në fund të fundit : cilët jemi ne ? nga vimë ? ku shkojmë ? Kuptimi i debatit të sotëm është krejt i qartë, pavarësisht faktit se pyetjet janë po aq të vjetra sa edhe vetë njerëzimi. Duke ngritur të tilla pyetje esencialiste, mos jemi vallë duke i mbushur mendjen vehtes ose në të kundërt, jemi duke i hapur sytë të tjerëve, të cilët mendohen se do të na presin një ditë krahëhapur ? Ndoshta pak nga të dyja ndërkohë që diku, ushqehet në mënyrë sekrete shpresa se sa më tepër të jemi solidarë aq më mirë mund të bindim. Le të pranojmë hapur se, nëqoftë se fantazma e një Turqie laiko-myslimane, së shpejti antare e Bashkimit evropian, tmerron pjesën më të madhe të qarqeve të krishtera të Evropës, përgjigja e prerë e shqiptuar deri tani nga Bashkimi i të njëzet-e-pestëve, tmerron dhe përngut Shqipërinë. Hajde pra t’a heqim qafe atëhere Turqinë dhe me atë rast, edhe ato shekujt e të kaluarës ! Përse jo në këtë rast, shqiptarët aq të njohur për oportunizmin e tyre fetar – mund të jenë gjithashtu të aftë të ndërmarrin atë rrugën e tyre të Kryqit, kësaj rradhe në drejtim të kundërt : të konvertohen masivisht në të krishterë, bile po qe e mundur në katolikë, me qëllim që të pranohen dhe të integrohen në Evropë. Ndërkohë që Greqia rregullon dokumentat e disa anonimëve, ndërkohë të pagëzuar ortodoksë – thjesht për të përshpejtuar procesin ; ndërkohë që Kisha katolike hap portat e saj ndaj disa « deleve noprane » të lindura myslimane dhe të ardhura nga sfera politike ose e kulturës, përse Evropa e bashkuar nuk do të pranonte një popull të tërë i cili, i ndriçuar befasisht nga drita e shenjtë, është konvertuar në masë dhe në mes të një gëzimi të papërshkruar, në brigjet e Adriatikut ?

Këto skenare të shkruara nga shpirtkulluarit për të padjallëzuarit, nuk arrijnë që të krijojnë unanimitet në hapësirën shqiptare. Duke krijuar dhe ushqyer kategori imagjinare sikundër ajo e « identitetit evropian të shqiptarëve[xii] », të parët s’bëjnë gjë tjetër veçse ngrenë më këmbë kontradiktat dhe shpurrisin pasionet rreth temës së identitetit kombëtar – që prej kohësh e përhumbur dhe jashtë sheshit publik. Tashmë me Evropën në horizont, është krejtësisht legjitime të nënvizohet se « ne i përkasim Evropës » – sikundër bën edhe Kadareja. Vetëm se, ky nënvizim lapidar nuk pengon të ngrihet pyetja : a na dëshiron ne Evropa apo jo ?

Kushdo mund të konstatojë – në rradhë të parë burrat politikë, se optimizmi i Brukselit duket i dyshimtë në disa nivele. Mjafton të ndiqen lajmet dhe të kqyret mënyra e integrimit të ballkanikëve të përzgjedhur si Bullgaria dhe Rumania. Mjafton gjithashtu të ndihen deklaratat lidhur me temporizimin e ardhshëm në pranimin e antarëve të rinj. Ndërkohë as evropianët nuk duken fort të sigurt lidhur me të ardhmen e tyre, as edhe vendet antare nuk paraqiten fort entuziaste për të ndërmarrë sakrifica financiare të reja. Horizonti 2015 bile edhe ai 2020 çfaqet gjithmonë më tepër i mundshëm se sa i sigurt. Kjo jep edhe atë kohën e nevojshme për t’u thelluar lidhur me çështjen e identitetit shqiptar i cili, po qe se i besojmë specialistëve[xiii], mbetet fort i varur nga një njohjeje e mangët e të kaluarës së shqiptarëve, sikundër dhe të psikologjisë së tyre. Sidoqoftë, përpara se të ndërmarrin atë aggiornamento-n e tyre të mundimshme, shqiptarët kanë interes të dinë se çfarë përfaqson identiteti evropian i evropianëve.