Author Topic: Ndriçim Xhepa  (Read 933 times)

genta

  • Newbie
  • *
  • Posts: 4
    • View Profile
Ndriçim Xhepa
« on: August 05, 2007, 12:22:12 PM »
Kapitulli i artë i Ndriçim Xhepës

“Kapitulli i Dytë”, suksesi ndërkombëtar i Teatrit Kombëtar. Ndriçim Xhepa, aktori më i mirë i festivalit “Infofest 2005” në Prishtinë

Nga Albri Brahusha
Xhepa, aktori i realizmit të thellë
Biseda me Ndriçim Xhepën fillon gjithnjë thjesht. Në mëngjes kishte rënë shi, ndërsa e prisja te Bar Kalaja. Vonohet. Njëzet minuta. Kur vjen nuk e lë të kërkojë të falur për vonesën dhe i përsëris një shprehje që më pëlqen edhe për vete: “Korrektesa në orar është virtyt i njerëzve meskin”. Buzëqesh. Më tregon se si rruga e tij nga shtëpia deri në vendin e takimit ndërpritet nga shumë dashamirës, që e urojnë për çmimin që ka marrë në Prishtinë. Modest, ndalet me të gjithë që e urojnë. Ulet dhe ndërkohë fillojmë bisedën. E përditshmja sigurisht ndërhyn në jetën e kujtdo, sado që fama bën të vetën. Aktori është një njeri si të gjithë të tjerët. Dhe Ndriçim Xhepa e shijon deri në fund të qenit njeri ashtu siç shijohet kafeja e mëngjesit dhe dielli që del pas një mëgjesi me shi të një dite tetori. Fillojmë e flasim për teatrin, për rolet e tij që nga Krafti, Dorian Grei, Trigorini dhe së fundi Xhorxh Shnaider. Aftësia me të cilën ai luan mjeshtërisht në role, me karaktere diametralisht të kundërta, më ka mahnitur gjithnjë te ky aktor. Kur i them se herë pas here më kujton aktorin Xhon Malkoviç, qesh dhe më thotë: “Të lutem të mos i bëjmë shumë fresk vetes”. Por pavarësisht këtij krahasimi, ka diçka të ngjashme me Malkoviçin, diçka që i rezaton në fytyrë. Është qetësia. Përgjithësisht ka një pamje të qetë dhe një buzëqeshje të natyrshme. Shpeshherë ironik dhe pastaj ledhatues, por edhe realist. E pranon faktin që gjithnjë i ka pëlqyer të hidhet nga një karakter në tjetrin edhe pse këto karaktere janë të kundërt, krejtësisht të ndryshëm. Nga Krafti maniak, te Dorian Grei cinik, nga Trigorini çehovian te Xhorxh Shnaider, një karakter i butë, i ëmbël e shpesh ironik. Harruam fare çmimin. Në festivalin “Infofest” të Prishtinës ai u cilësua nga juria si aktori më i mirë. Sigurisht, ishte edhe meritë e shfaqes në tërësi, regjisë dhe trupës, pasi ai ka bindjen se teatri është një punë në grup, dhe nëse klima që krijohet në grup është e mirë, aktori mund të nxjerrë gjithnjë një rol të mirë dhe të bukur. Shpesh ndodh që në teatër kjo klimë mungon, dhe kjo është arsyeja që ai ka refuzuar shumë role. E thotë këtë me dhimbje, por tashmë pas 25 vitesh në teatër ka ndërmend të marrë kënaqësi e jo vetëm lekë nga teatri. Është në moshën e tij më të mirë, me shumë çmime, me shumë role si në film ashtu edhe në teatër, pothuaj i ngopur. Gjendja ku ndodhet, mund të konsiderohet një realizëm i thellë. Nuk është nga ata që nuk e dinë se ku jetojnë. Është plotësisht i qartë se marrëdhëniet njerëzore ndikojnë shumë në nivelin e marrëdhënieve dhe arritjeve profesionale. E di që ndërkohë në Europë luhet teatër i një niveli shumë të lartë, e di që edhe për 100 arsye në Shqipëri nuk mund ta kemi këtë nivel. Problemi shëndetësor që kishte para tre vitesh i ka dhënë një kuptim tjetër jetës së tij. E ka bërë më të ndjeshëm ndaj gjithçkaje e gjithashtu edhe i ka dhënë një shkallë më të lartë kuptueshmërie. Nganjëherë më duket sikur flas me Xhorxh Shnaiderin që ka shkruar 300 faqe të romanit të tij dhe akoma nuk ka gjetur ngjarjen. Ndërkohë që bisedon me Ndriçim Xhepën vë re që ato që shumica e quajnë famë, kulm, apo kushediçka, është thjesht jeta, të jetosh brenda një realizmi të thellë dhe pa kompromise, në mënyrë që të kuptosh më tepër, të jesh i kthjellët dhe i mbushur me qetësi që shkon deri në paqe. Rinis edhe një herë biseda me një pyetje që e kam të paramenduar. I them: “A je gati të luash Hamletin?”. Kjo është një pyetje që shtrohet në jetën e çdo aktori. Vjen një ditë dhe aktori duhet të përballet me majën. Hamleti është personazhi më kompleks në historinë e teatrit dhe dramaturgjisë. Të luash Hamletin duhet të zotërosh shumë teknika aktoriale, por për më tepër duhet forcë, energji, paqe, pasion, sepse është një personazh i gatuar me thelbin e vërtetë të çdo burri, Hamleti është grada më e lartë e një aktori, përballja me këtë personazh mat fuqitë dhe cilësitë e aktorit. “Nuk besoj”, thotë. “Do të doja shumë të kishte kushte të atilla që unë të luaja Hamletin, dëshira ime është tjetër gjë, por duke njohur kushtet e teatrit tonë them se nuk jemi gati”. Dhe ka të drejtë. Hamleti kërkon një organizim të përsosur si në nivel regjisorial, ashtu edhe në prapavijë, e po ashtu edhe në trupën e aktorëve. Megjithatë Xhepa thotë se do të ishte një kënaqësi për të nëse do të vinte ajo ditë kur në teatrin shqiptar të mund të luhet Hamleti. Vjen koha ta mbyllim bisedën. Ngrihemi dhe ecim ngadalë përgjatë rrugës plot pemë mes Kinema “Milenium2” dhe Teatrit Kombëtar. Ndahemi. Rrugës ndjes se si pa dashje Ndriçim Xhepa më ka dhënë pak paqe nga paqja e tij. Dielli i dobët i tetorit ndriçon në rrugët që kanë nisur të mbushen me gjethe. Duket një ditë e vërtetë. Pastaj përshpëris: “Ai duhet patjetër ta luajë Hamletin!”