Author Topic: Alarm, fëmijët disiplinohen nëpërmjet formave të dhunës  (Read 1283 times)

valbona

  • Newbie
  • *
  • Posts: 39
    • View Profile
Studimi “Dhuna ndaj fëmijëve në shkolla”, në përmasa shqetësuese

Institucionet shkollore janë vatrat e disiplinimit të fëmijëve duke përdorur në masë elementet dhe format e ndryshme të dhunës, siç është dhuna fizike dhe ajo psikologjike. Ndërkohë që kategoritë më të rrezikuara janë ato të zonave rurale. Ky është dhe konkluzioni i nxjerrë nëpërmjet studimit të kryer nga organizata e “Save the Children”, në Shqipëri, mbi fenomenet abuzuese ndaj fëmijëve në shkolla. Fenomen, i cili është i pranishëm në masë në shumë institucione të tilla, madje duke kaluar dhe në kufij ekstrem. Kështu, në raport cilësohet se format e dhunës psikologjike që mësuesit ushtrojnë tek të miturit janë të ndryshme duke nisur nga fyerjet e formave nga më të ndryshmet, vlerësimet me nota të ulëta, nxjerrja e fëmijëve me detyrim nga klasa, si dhe lënia e tyre në pozicione të parehatshme e poshtëruese, madje deri në mbajtjen e tyre në orë të tjera pas përfundimit të procesit mësimor. Ndërkohë që nga të dhënat e mbledhura te grupmoshat e ndryshme të fëmijëve është deklaruar se format e ndëshkimit fizik nga mësuesit e tyre janë prezentë në masë, të cilat shfaqen nëpërmjet goditjeve, shkulje flokësh; veshit; goditje me grusht apo shpullë në pjesë të ndryshme të trupit ose fytyrës, si dhe rënie me objekte të ndryshme. Raporti mbyllet me një sërë rekomandimesh bazuar në praktikat më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare. “Dhuna fizike dhe psikologjike përdoret si mjet kryesor për disiplinimin e fëmijëve në shkolla në Shqipëri. Format më të zakonshme të dhunës psikologjike dhe fizike të raportuara nga fëmijët janë ndëshkimi trupor dhe trajtimi i ashpër dhe degradues. Si mësuesit, ashtu edhe fëmijët raportojnë se djemtë, pavarësisht moshës, zonës gjeografike apo etnisë, dhunohen më shumë se vajzat. Një ndër format më të përhapura është dhe dhuna e ndjekur ndërmjet fëmijëve. Rezulton se vajzat, veçanërisht ato 11 – 15 vjeç nga zonat urbane janë më të rrezikuara ndaj abuzimeve seksuale.

Llojet

Dhuna fizike dhe psikologjike përdoret si mjet kryesor për disiplinimin e fëmijëve në shkolla në Shqipëri. Ku format më të zakonshme të dhunës psikologjike dhe fizike të raportuara nga fëmijët janë ndëshkimi trupor dhe trajtimi i ashpër dhe degradues. Përshkrime të këtyre keqtrajtimeve në shkolla të ushtruara nga mësuesit në bazë të studimit të kryer raportohen më shumë nga fëmijët që ndjekin studimet në shkollat rurale, se në ato urbanet.

Përhapja

Format më të ashpra të ndëshkimit trupor kanë rezultuar te fëmijët e grupeve minoritare në zonat rurale. Ku si mësuesit ashtu edhe fëmijët, raportojnë se djemtë, pavarësisht moshës, zonës gjeografike apo etnisë, dhunohen më shumë se vajzat, ndërsa stereotipat negative nuk kufizohen vetëm te raca, por edhe në aspekte të tjera të pamjes së jashtme apo origjinës, çka nënkupton ekzistencën e një kulture diskriminuese brenda shkollës.

Fëmijët

Një nga format e raportuara më shpesh është edhe dhuna e fëmijës ndaj fëmijës, duke vënë në dukje përhapjen e presionit të bashkëmoshatarëve dhe të sjelljes së dhunshme mes nxënësve në shkolla në vendin tonë. Kështu vajzat, veçanërisht ato 11 – 15-vjeçare nga zonat urbane, janë më të rrezikuara ndaj abuzimeve seksuale. Ndonëse janë prezantuar masa të shumta parandaluese, ende nuk janë zbatuar siç duhet.

Nën peshën e dhunës

Kliton Nesturi

Në Shqipëri dhuna psikologjike, e cila fillon që nga lajmet më të zakonshme me të cilat është mbushur masmedia për çdo gjë që ndodh në vend dhe në botë, e deri tek problemet me të cilat ndeshet jeta jonë ndërthuret me dhunën fizike në atë mënyrë, saqë duket sikur çdo gjë është e destinuar të vdesë pa rrugëzgjidhje.

Një dhunë e re sa vjen dhe bëhet më e dukshme sot në jetën shqiptare, dhuna psikologjike. Ajo është shndërruar sot në një virus, prej të cilit janë infektuar të gjitha kategoritë sociale dhe grupmoshat, që nga ata më të mëdhenjtë e deri tek ata më të vegjlit.

Ky është një konstatim i dukshëm dhe i prekshëm. Jeta shqiptare sot jeton periudhën më të ngarkuar me shumëllojshmërinë e informacioneve dhe problemeve, të cilat i ndeshim në çdo hap që bëjmë gjatë aktivitetit të përditshëm.

Pikë së pari këtë dhunë e ndeshim në reflektimin e ngjarjeve dhe probleme që ndodh në masmedia. Tashmë, thuajse çdo lajm nga fusha e politikës apo ajo e kronikës, nga fusha sociale, apo nga bota që vuan nën makthin e terrorizmit, është kthyer në një shqetësim, në një stres. Shumëkush nuk e imagjinon dot se si në një vend, ku të gjithë protagonistët politikë flasin për demokracinë, shtetin ligjor dhe progresin, e kanë të pamundur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur Presidentin e shtetit, duke zvarritur procesin në atë situatë, sa që duket se vendi po shkon krahëhapur drejt krizave pa fund. Edhe zvarritja e mjaft proceseve, ligjeve, traktateve të ndryshme, të cilat në një mënyrë a në një tjetër do të shpejtonin integrimin e jetës së të gjithë shtetasve në parametra normalë, gjë e cila në të njëjtën kohë do t’i afronte edhe më ata në rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Evropës, nuk ka bërë gjë tjetër veç se ka mbjellë më parë një frymë pasigurie dhe tani po korr një klimë dhune. E kur njerëzit shohin se politikanët, të cilët quhen edhe “baballarët e kombit” shpesh flasin dhe sillen në mënyrë të papërgjegjshme në lidhje me çështje të rëndësishme, çfarë reflektimi do të ketë jeta e tyre? Natyrisht, vetëm për lumturi, qetësi dhe harmoni nuk mund të flitet.

Si në asnjë vend tjetër, ndoshta, ne e kemi lidhur jetën me politikën, duke bërë atë dhe bartësit kryesor të saj, pjesë të përditshmërisë sonë. Nga ana tjetër, shpesh shohim në edicionet e lajmeve në televizione të ndryshme, një politikan të dali e të flasë në dy-tre kronika të ndryshme, duke mos i shpëtuar ndonjëherë edhe prononcimit, që edhe mund të mos jetë i nevojshëm. Por vet fakti që lajmet tona janë të mbushura në pjesën më të madhe me politikën dhe politikanët që shpesh nuk prodhojnë gjë, por vërtiten rreth orbitës shqiptare, tregon në një farë mënyre një dhunë psikologjike, të fshehur aq bukur në çastin e parë. Në cilin vend tjetër ndodh kështu?

Por nuk janë vetëm politikanët apo kronikat rreth tyre që na bëjnë të ndihemi të dhunuar psikologjikisht. Po të hapësh gazetat dhe të ndjekësh televizionet, konstaton se gati për çdo ditë të bie rasti të ndeshesh me vrasje, plagosje, grabitje, vetëvarje, djegie, etj. Deh vetvetiu të lind e drejta të bësh disa pyetje: Në cilën luftë ndodhemi vallë? A jemi ne të parët për sa i përket krimit në raport me vendet e zhvilluara? Për këto dy pyetje përgjigjja është “Jo”. Atëherë? Me keqardhje konstatoj se në Shqipëri nuk ka një kategorizim të informacionit. Thua çdo vjedhje apo plagosje, vrasje për motive banale apo vjedhje orësh apo bizhush, zë një vend të konsiderueshëm në edicionet e lajmeve apo faqet e gazetave. Çdo të ndodhte sikur “Fox”, “ARD”, “CNN”, “France 2”, “BBC”, “TVE”, etj të jepnin në edicionet e tyre çdo krim që ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Francë, Britani apo Spanjë? Edicionet e lajmeve do ishin të mbushura me kronikë të zezë dhe shumica e amerikanëve, gjermanëve, francezëve, britanikëve, spanjollëve e ndonjë kombësi tjetër, të lemerisur do të braktisnin me vrap vendin e tyre duke rendur ndoshta pa e ditur se për ku.

Atëherë, përse shqiptarët duhet që ta kenë këtë “luks”? Apo në Shqipëri duhet të ndihet sa më shumë efekti “zhurme dhe kaos” ndërsa jeta e individit ka më pak vlerë se kudo?

Ne flasim shpesh për problemet sociale, por shpesh ndodh që nuk i shohim ato të pasqyruara ashtu siç duhet. Edhe kur ndeshemi me to, shpesh nuk rrekemi që të ecim drejt zgjidhjes, por më së shumti i lëmë ato në ajër, duke e hedhur topin sa në njërin krah të politikës, në krahun tjetër. Kështu ka ndodhur me energjinë, me ujin, me rrugët, me lëvizjen e lirë, e plot të tjera. E duke mbetur në ajër, problemet kthehen në strese dhe makthe pa fund.

Në stres është kthyer tashmë edhe një bombë që shpërthen në Afganistan apo një kamikaz që hidhet në erë rrugëve të Bagdadit. Pamje të tilla vijnë në ekranet tona thuajse çdo ditë. Dhe kështu, banori shqiptar, të cilit i merret fryma nga streset dhe problemet me të cilat mbushet jeta e tij çdo ditë, përballet edhe me frikën nga terrorizmi, i cili mund ta përfshijë edhe atë në një ditë të bukur me diell. Në fund të fundit, ai kupton se askush nuk është i mbrojtur dhe nuk mund të ndihet i qetë prej këtij armiku sa të vjetër, po aq edhe të ri në historinë e njerëzimit. Pavarësisht deklaratave mediatike, ai ndihet njësoj i rrezikuar si një qytetar në Londër apo Paris, Nju Jork apo Berlin.

Të gjitha këto janë vetëm njëra pjesë e dhunës së përditshme. Pjesa tjetër, dhe më kryesorja është ajo që çdo njeri ndesh drejtpërdrejt në jetën e tij. Kush mund të thotë se ndihet i qetë gjatë njëzetekatërorëshit? Në realitetin e sotëm çdokush ndihet i frikësuar ndaj humbjes së investimit të kryer, punës, biznesit, të ardhurave. Veç kësaj çdokush duhet të përballojë marrëdhëniet me personat që ndesh, e që mund të jenë karaktere nga më të ndryshëm, që nga më paqësorët, e deri te ata të dhunshmit, të cilët mund të ta përplasin makinën e tyre pas tëndes në çdo kohë dhe pastaj të të kërkojnë dëmshpërblim, të ngrenë muzikën tej parametrave të lejuar duke shijuar në këtë mënyrë vetëm qejfin e tyre, apo të kryejnë punime në ndërtesën ku ti banon së bashku me ta qoftë edhe në orët e mbrëmjes apo edhe ato të mesnatës, duke të kujtuar vetvetiu titullin e këngës së grupit te Bënçës “Bij çobanesh neve jemi”. Me gjithë këtë dhunë, këto përplasje, vetja të duket si personazhi i Henri Perounit në romanin “E shtuna” të Ian McEwan, të cilin e ka botuar së fundmi në shqip “Skanderbeg books”. Me gjithë këtë dhunë, këto përplasje, vetja mund të të duket një personazh simpatik, i cili pa bujë e zhurmë mund të zër vend në kronikën e zezë të ditës.

Në Shqipëri dhuna psikologjike, e cila fillon që nga lajmet më të zakonshme me të cilat është mbushur masmedia për çdo gjë që ndodh në vend dhe në botë, e deri tek problemet me të cilat ndeshet jeta jonë ndërthuret me dhunën fizike në atë mënyrë, saqë duket sikur çdo gjë është e destinuar të vdesë pa rrugëzgjidhje.

Pa humbur kohë, duhet që në radhë të parë institucionet e ndryshme të marrin përsipër rolin e rregullatorit, duke filluar fillimisht nga vetja. Ndryshe njerëzit do të vazhdojnë të mendojnë se gjithnjë politikanët dhe jeta shqiptare gjenerojnë konflikt, se janë të paaftë të ecin me këmbët e veta, e se ne të tjerët mund të na pranojnë në proceset e integrimit thjesht për mëshirë apo keqardhje. Dhje kjo është vetëm pjesa e parë e mendimit, për të vazhduar më pas të ndihet edhe më i dhunuar nën peshën e dhunës.

Metropol