Për mjekun hero të zonës Besnik Lamçe, dhe kolegë të tjerë…

Nga Ibrahim Kabili

Një motiv më shumë që më ka nxitur, për të bërë këtë shkrim modest për doktorin hero të asaj periudhe Besnik Hazbi Lamçe, ka qenë babai im Zijai. Ky në vitin1985 pësojë një aksident në dorë duke humbur tre gishta të saj. Doktor Besniku e ktheu dhomën e vizitave në sallë kirurgjie, e operoj dorën, i qepi gishtat në kushte tepër të vështira dhe e shoqëroj për në spital. Falë ndërhyrjes në kohë të doktor Besnikut dhe mëpas të mjekëve kirurg në spital u minimizua aksidenti. Ky qe doktori i përkushtuar, specialisti i gjithanshëm dhe njeriu i mirë Besnik Lamçe. Si ky rast ka me dhjetra dhe qindra të tjerë. Fjala mjeku “hero” nuk është një gjetje e imja por një atribut i shumë merituar i tij. Njerëz të tillë si Lamçja, janë të rrallë. Ai ka lënë në memorjen e banorëve të zonës,  kujtimet dhe mbresat më të mira si një mjek i përkushtuar, si njeri shumë i mirë dhe human. Unë si bashkëkohës i tij në një front tjetër pune kam bashkëpunuar me të dhe ruaj kujtimet më të mira. Ai megjithëse qe i persekutuar prej babait, kjo gjë nuk e pengoj, ai shkëlqeu në punë dhe banorët e  vlerësonin shumë. Më datën 25.05.2022 bëj një bisedë të gjatë afër shtëpisë së tij tek “Komuna e Parisit”. Biseda qe tepër miqësore, e shtrirë në kohë, shumë tërheqëse, dhe mbi të gjitha ringjalli shumë kujtime të kohës…

Besnik Hazbi Lamçe ka lindur në Tiranë  më 13.11.1950. Familja e tij qe e thjeshtë, shumë arsimdashëse, me  tradita dhe e mirënjohur në Krahinën e Mallakastrës. Shkollën fillore e kryen te Shkolla “Çajupi” në Tiranë, me nota shumë të mira. Atë 8-vjeçar e përfundon te Shkolla “Partizani” me rezultate shumë të mira dhe fletë nderi. Edhe arsimin e mesëm e përfundoi me rezultate shumë të mira në shkollën “Sami Frashri” në vitin 1970. Duke kujtuar këtë shkollë, doktor Niku, shton: “Kjo shkollë qe mjaft e afirmuar për arsimin e atyre viteve. Profesorët tanë ishin njëri më i mirë se tjetri. Ato na dhanë njohuri të qëndrueshme në arsim dhe na edukuan me ndjenjën e atdhedashurisë dhe atë të punës. Në atë periudhë kemi kryer 4 aksione në ndërtimin e Hekurudhës Rrogozhin-Fier. Kujtoj me shumë nostalgji shokët e shoqet e mrekullueshëm si: Bashkim Isufi, Çlirim Poro, Eduart Ypi, Fatos Nano, Skënder Rexha, Edvin Resuli, Zerina Barbullushi, Valentina Çakçiri, Valentina Dango, etj”. Fakultetin e mjeksisë e fillon në vitin 1970 dhe përfundon në vitin1976. Gjatë kësaj periudhe ka bërë edhe 6 muaj stazh mësimor dhe praktike profesionale. Për këtë doktori, shton: “Petagogët tanë kishin një përgatitje shumë të lartë akademike, reflektonin tek ne një moral dhe edukatë të lartë. Ata me punë dhe përkushtim të impononon respekt dhe dashuri të pafundme. Laboratoret dhe baza materiale dhe anatomike plotësonin gjithë ciklin e programin mësimor. Leksionet që jepnin në auditor të mahnisnin dhe mësoheshin aty për aty. Vlen të theksohet Profesorët: Josif Adhami, Skënder Dauti, Petrit Gaçe; Rushen Golemi, Fatos Harito,Ylli Popa, Pandeli Çina, etj. Kemi fituar atë dje që ishte e barabartë me një specializim. Ata na pranonin të asistonim në operacione dhe në konsulta, duke na trajtuar si të barabartë me to. Vlen të theksoj se ndër ne studentët nuk ekzistonte xhelozia apo ambicja. Ne kishim një mirëkuptim dhe dashuri të sinqertë dhe ndimonim shumë njëri tjetrin. Edhe në aksionet, jo pak por edhe 6 të tilla në një muaj, ndihmonim dhe i gjendeshim pranë njëri tjetrit”. Kjo qe pamja e shkollës dhe e shkollimit të atyre viteve. Mendoj se duke hequr politizimin e skajshem të saj, ajo shkollë nuk mund të kthehet më… Shpresoj në të kundërtën, por kjo kërkon kohë… Shkolla në programin e saj kishte edhe përgatitjen ushtarake. Për këtë doktori, thotë: “Në zboret ushtarake ishim pranë njëri tjetrit. Zbori për ne qe i vështirë në atë kohë, por duke qenë bashkë e kalonim duke ndihmuar njëri tjetrin. Vlen të përmend shokët e mi: Asqeri Xhani, Nimet Gjika, Fjodor Kallaxhi, Agim Xhumari, Teuta Buxheli, etj”.                                            Pas mbarimit të stazhit në qershor të vitit 1977, doktorin e diplomuar Besnik Lamçe e emërojnë mjek në zonën e Zall-Bastarit, Tiranë. Për këtë, ai kujton: “Pasi arrita aty takova doktor Astrit Alimehmetin, i cili ishte Përgjegjës i Qëndrës Shëndetsore. Me atë njiheshim që më parë. Ai përfaqësonte një djalë Tirane, ishte i edukuar, i qetë dhe tepër dashamirës me njerëzit. Doktor Astriti më shoqëroj tek Kryeteri i Këshillit të Bashkuar, Sadik Kosova. Ai më komunikoj të filloja punë në fshatin Zall-Mëner, ku do të mbuloja edhe dy fshatra të tjerë, Bulçeshin dhe Mëner i Sipërm. Pasi u ndamë me dashamirësi dhe me këshillat e vyera të tyre u drejtova për në Zall-Mëner. Atje më priste infermierja veterane Lule Haxhia. Pasi u përshëndetëm ajo më drejtoi për tek godina e ambulancës ku do të punoja”.  Këtu sistemohet në një dhome të godinës dhe fillon punë doktor, Lamçe. Ai qe i ri në profesion kur erdhi këtu, por dëshira për punë, përkushtimi në gjashtë ditët e javës pranë pacietëve e bënë doktor Besnikun të dashur dhe të respekruar për to. Ai kujton: “Aty në një dhomë flija dhe jetoja për 6 ditët e javës, nga e hëna deri të shtunën mbasdite. Të shtunën pasdite ktheheshim pranë familjes, dhe fillonte prap rituali të hënën deri në të shtunën tjetër. Fillimi është gjithmonë i vështirë për shumë arsye”. Detyra e mjekut të fshatit ishte shumë e vështirë.Terreni i largët që do të mbulohej, infrastruktura e keqe e kohës, largësia nga qendra, si edhe nga Tirana e vështirësonin shumë punën e mjekut. Pasioni, këmbëngulja, përkushtimi dhe dëshiria për tu ardhur në ndihmë njerëzve triumfonin mbi çdo vështirësi. Doktor Besniku gjithnjë u është gjendur njerëzve duke u zgjidhur në kohë hallet dhe problemet e tyre shëndetsore. Për fillimet e punës dhe detyrat e mjekut, ai shton: “Detyra e mjekut të fshatit ishte gjithpërfshirëse. Ajo fillonte që me Opsetrikën e Pediatrin ku nënkuptohet, me diagnostikimin e hershëm të gruas shtatzënë, vizitat periodike, analizat, konsultat me gjinekologun në Tiranë, mjekimin profilaktik dhe deri në asistimin e lindjes. Po kështu edhe për Pediatrin ndjekja periodike e të porsalindurit, vaksinimi me te gjitha vaksinat e kohës si: B.C.ZH-ja kundër tuberkulozit, Trivaksina diftero-tetaniko-pertusike, Lijes, Fruthit. Mjekimi i patologjive të ndryshme e deri tek sistemimi në çerdhe. Trajtimi i vizitave dhe mjekimi i të rriturve ishte shumë me e lehtë, pasi kishte Farmaci në Zall-Bastar. Vlen të theksoj se popullsia e gjithë zonës ishte shume dashamirëse, mikëpritese, por edhe kuadrot e zonës ishin bashkëpunus dhe interesoheshin për rezultatet e punës. Për mua organizimi i punës dhe kërkesa e llogaris ishte në nivelin më të kënaqshëm. Çdo kuadër ndjente përgjegjësinë në realizimin e detyrave”.                                                              Në vitin 1980 me shtimin e personelit mjeksor, me Doktorët: Luan Krutani, Dhimitraq Prifti, Violeta Gracari, doktor Besnikun e kaluan në fshatin Vilëz. Këtu ai do të mbulonte fshatrat; Mëner i Sipërm, Bastari i Mesëm dhe Bastar-Murriz. Edhe këto fshatra i mbuloj shumë mirë me shërbimin e tij mjeksor duke u shërbyer pacientve në çdo kohë dhe në çdo skaj të krahinës. Për këtë, ai kujton: “Ishte zonë malore dhe ashpër, ishte larg 1,5 deri në 2 orë nga Zall-Bastari. Po të filloja vizitën në Mëner i Sipërm dhe të dilja në Bastar-Murizë duheshin 4-5 orë në këmbë. Në dimër situata bëhej edhe më e vështirë”. Megjithë kushtet e vështira dhe terrenin e hapur që mbulonte doktor Besniku, i ndihmuar edhe nga personeli i mesëm e kreu me sukses punën e tij si mjek në këtë fshatra.  Në vitin 1986 pasi mjeket e tjerë u larguan dhe mbeti vetëm ai dhe Dr. Vjoleta Gracari, doktor Niku emërohet përgjegjës i Qendrës Shëndetsore Zall-Bastar. Këtu ai punoj edhe më shumë. Brenda një kohe mjaft të shkurtër ai i ndryshojë pamjen, pajisjet dhe mënyrën e shërbimit Qendrës Shëndetësore. Çelës i suksesit të tij këtu qenë; përgatitja, aftësitë profesionale, përkushtimi në punë dhe mënyra e komunikimit me personelin dhe popullin. Për këtë, doktori shprehet: “Emërimi në këtë detyrë për mua qe privilegj por dhe pëgjegjësi e madhe. Edhe këtu vazhdoja punën po thuajse në të gjithë zonën me vizitat e urgjencës dhe kontrollet periodike sipas nevojave që kishin banorët e zonës. Kisha dëshirë të madhe edhe u mundova të le gjurmë për mirë në Zall-Bastar. Në maj1986 bie në kontakt me drejtorin e Qendrës Elektromjekësore në Tiranë pasi e kisha mik të vjetër. Mbasi mora vesh se ishte një aparat i vjetër radiografie në magazinë ju luta ta rregullonin dhe të ma jepnin mua për Zall-Bastarin. Ramë dakort në parim. Unë rregullova dhe bëra një trajnim tre mujor për Radiollogji në Institutin e Ftizio-Pneumollogjis në Tiranë. Në shtator 1986 pasi u rregullua kabineti i Radiollogjis në Qendrën Shëndetsore Zall-Bastar instaluam aparatin  dhe fillova punën ne të. Ishte një kënaqësi e madhe dhe krenari për mua që arrita ta bëja realitet premtimin që u pata dhënë drejtuesve të qeverisjes vendore të Zall-Bastarit”. Ky qe heroj, dhe mjeku i persekutuar i sistemit që punoj me përkushtim në këtë zonë të bukur me njerëz të mrekullueshëm. Radiografia në Zall-Bastar ishte një ëndërr! Por doktor Niku, e bëri realitet. Me ikjen e tij prej këtu, “iku” edhe radiografia… Ndaj banorët që u shërbeu e kujtojënë me nostalgji, e respektojnë e mbajnë lidhje edhe sot me Të. Doktor Besniku ka shumë kujtime për zonën dhe banorët e saj, ndër të tjera thotë: “Ju jam shumë borxhli popullit të gjithë zonës, të shtatë fshatrave ku punova, për sjelljen dhe mikpritjen që më ofruan. Edhe unë u mundova dhe mendoj se u’a shpërbleva disi me shërbimin tim. Unë punova ditën dhe natën, në shi dhe në dëbor. Pamvarsisht se unë isha i goditur nga sistemi, nga çështja e babait, atje nuk  kam ndjerë asnjëherë persekutim nga ana e drejtuesve të pushtetit lokal. Vlen te theksoj se kam pasur mbështetjen e Sekretarit të Byros, Zotit Sulejman Pëllumbi, Kryetarit të Kooperativës Zotit Rexhep Cani, edhe shumë e shumë kuadrove të tjerë që kishin ofiqe partie e pushteti ne Zone”. Sa bukur tingëllojnë sot këto fjalë kur jemi në demokraci. Këto fjalë burojnë nga shpirti dhe zemra fisnike e doktorit të persekutuar, Besnik Lamçe!                Doktori ka kaluar shumë sfida dhe me çdo kusht don të nxjerr në pah vlerat e personelit shëndetësor. Ai u është mirnjohës banorëve të zonës që e mbështetën, shumë familjeve që e mbajtën atë si birin e tyre. Për këtë këmbëngul dhe shton: “Në Zall-Bastar u krijua një shërbim gjithëpërfshirës, duke filluar nga Pediatria, Patologjia, Radiollogjia-Skopia dhe Grafia Cilësore, Mikrokirurgjia, Opsetrika, etj. Personeli i zonës duke filluar me Ali Bajramin, Kujtim Mali, Mehmet Balliu, Lirie Visha, Hatixhe Hoxha, Sabrie Duka, Zoje Bajrami, etj kanë bërë një punë shumë të mirë. Dua të veçoj në mënyrë të veçantë të ndjerët, Selim Shkopi dhe Hasan Gjiku që qenë të parët që shërbyen në zonë dhe me nder e mbyllën punën e tyre në shëndetësi deri në fundin e jetës së tyre. Këto të dy do mbeten si ikona në historinë e zonës… Po kështu vlen të theksoj se në Zall-Mëner kam hyrë si në shtëpinë time tek familja e Pol Lilës, Sulejman dhe Kurt Limanit; në Vilëz tek Ramazan Mali, Gëzim Flora, Nuri Bumja;  në Zall-Bastar tek familja e ndjerit Beqir Kabili, tek ajo e Zija Kabilit, Beshir Koçit, Ymer Sitës, Mexhit Isakut etj.etj. Këto familje dhe të tjera si këto na hapën derën për ne jabanxhinjtë, ishin njerëz me dinjitet, tepër dashamirës me ne, i kishim në krah për çfarëdo evenimenti. Atje punova 16 vite punë në shërbimin shëndetësor dhe kam kujtimet më të mira. Kjo ka qenë për mua një “aventurë” që s’besoj të përsëritet nga asnjë personel shëndetësor i kohëve te sotme… Shpresoj dhe dëshiroj të kundërtën e kësaj që thashë në fjalinë e mësipërme.  Mirënjohje dhe dashuri të pakufishme për banorët e mrekullueshëm të Zall- Bastarit”. Mirnjohja është reciproke, doktor Besniku!                      Ne janar 1992 doktor Besniku fillon punë në Urgjencën e Tiranës dhe në të njëjtën kohë është mjek i shërbimit mjekësor me helikopter. Në këtë detyrë të vështirë ai ka shpëtuar shumë jetë! Në ADN-n e mjekut, boshti kurrizor mbetet humanizmi…                                          Në vitin 2015 del në pension. Ai është i martuar me Zanën dhe kanë dy fëmijë. Ato kanë mbaruar arsimin e lartë dhe kanë krijuar familjet e tyre.Doktor Besniku ka edhe një merak të fundit. Duke qenë modest, Ai thotë: “Unë nuk jam i vetëm që kam punuar në atë zonë. Këtu kanë punuar një plejadë kuadrosh si mjekë, stomatologë, infermier, mami, etj. Duhet të shkruhet edhe për to.Trimi i mirë me shokë shumë – përfundon, Besniku”. Natyrisht kjo është e vështirë! Arrihet, por duhet angazhim intelektual, ndihmë konkrete, mbështetje financiare. Meqenëse qëllimi i shkrimeve të mia është evidentimi dhe promovimi i vlerave, më poshtë po jap disa emra që kanë kontribuar dhe kontribojnë në fyshën e shëndetsisë për: Zonën e Zall-Bastar  Zall-Dajt:                                                              ☆Si mjek në vite kanë punuar: Ylber Berberi, Bexhet Dërrasa, Dhimitraq Prifti, Avdi Draçi, Xhorxhi Jani, Bektash Hasho, Skënder Xharo, Azem Nela, Preng Marku, Vladimir Janushi, Luan Krutani, Astrit Alimehmeti, Besnik Lamçe, Lule Çali, Violeta Gracari, Enver Çuçka, Skënder Xhelili, Sinan Alushani, Sajrie Çuni, Bajram Lami, Bashkim Murati, Eqerem Baxhia, Mestan Harizi, Dritan Korumi, Klevisa Kola, Emirjeta Durmishi…                                              ☆Si mjek stomatologë e dentistë kanë punuar: Tuç Zyma, Artan Nishku, Vllado Gjini, Nazif Tollja, Islam Tafa, Ismail Elezi, Adem Muça…    ☆Si ndihmës mjek dhe mami në vite kanë punuar: Mejte Abazi, Liri Visha, Gjyze Lami, Meleqe Hasa, Rabie Nela, Rabie Doka, Lule Haxhia, Zenepe Luka, Hidushe Hala, Hasan Gjiku, Selim Shkopi, Lule Haxhia, Hatixhe Hoxha, Naile Pëllumbi, Mehmet Balliu, Hike Sula, Anife Muça, Nazmie Dajti, Ibrahim Limani, Ibrahim Muça, Meleqe Hoxha, Feride Alla, Bejdulla Kodra, Haxhire Dajti, Menxine Muça, Hanke Memaçi, Drita Sida, Xhevrie Tola, Florinda Mansaku, Ali Bajrami, Kujtim Mali, Sabrie Duka, Esma Lami, Nadire Limani, Merita Aruçi, Xhevrie Tafa, Mehmet Balliu, Zoje Bajrami, Xhevrie Tola, Sadete Kuka, Florinda Ballaçi, Rabie Lila, Lirie Totri, Fatmira Disha, Sabire Popshini, Lime Sita, Nazmije Dajti, Hamide Sefa, Rabie Nela,…                                Në shërbimin farmaceutik ka shërbyer Gjyze Lila dhe Haxhire Bylyku Pëllumbi.          Aktualish në viti 2022 kemi një numër të konsiderueshëm kudrosh të lartë të mjeksisë si: Mjekë, infermierë të lartë, imazhistë, stomatologë, okulist, etj. që kanë mbaruar shkollat e larta pas vitit 2012. Këto shërbejnë dhe japin kontributin e tyre në; Q.S.U. “Nënë Tereza” Tiranë; qendra të tjera shëndetsore; në spitale të specializuara brenda dhe jasht vendit deri në SHBA. Kjo përbën një vlerë që rrallë zona e kanë…

☆ Të dhënat me listën emërore të mjekëve, stomatologëve, ndihmës mjekëve dhe mamive janë marrë tek libri “Benda në rrjedhën e hisrorisë”, me autor Ibrahim Kabili dhe Hysen Hysa, faqe: 294, 295,298,299, si edhe listprezencat aktuale.

Ibrahim Kabili

Tiranë më 05.06.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube