KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-SHBA DHE VLERAT E PËRBASHKËTA

Autori duke mbajtur fjalën me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në qendër të Vatrës në Nju Jork, 28, Korrik, 2022

Nga Frank Shkreli*

Përshëndetje dhe urime! Gëzuar VATRËS 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Vatrës, si organizatës më të vjetër të komunitetit shqiptaro-amerikan, e cila siç dihet, historikisht, ka luajtur, për më shumë se një shekull, rolin kryesor në vendosjen dhe promovimin e këtyre marrëdhënieve, ç’prej themelimit të saj në fillim të shekullit të kaluar e deri më sot.

Midis dy kombeve tona – Shqiptarëve, njërit prej popujve më të vjetër në botë, me një histori mija vjeçare dhe Amerikanëve, njërit prej kombeve më të reja me një histori, relativisht, të re prej 200-300-vjetësh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Me Amerikën e Demokracisë më të vjetër në botë dhe me qeverisjen amerikane më të gjatë konstitucionale në historinë e njerëzimit.

Tema e fjalës time modeste sonte është: Komuniteti shqiptaro-amerikan në 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare nga këndveshtrimi i zyrtarëve më të lartë amerikanë, gjatë 30-viteve të tranzicionit, por edhe më heret — dhe vlerat e përbashkëta që kanë pasqyruar këto lidhje. Dihet se marrëdhëniet midis dy vendeve tona ishin të ndërprera nga regjimi terrorist komunist i Enver Hoxhës për pothuaj një gjysëm shekulli.

Regjimi komunist i Shqipërisë, jo vetëm që nuk njihte ndonjë rol të diasporës shqiptare në Amerikë në lidhjet historike midis dy popujve tanë, por ai regjim e cilësonte një pjesë të madhe të këtij komunitetit, sidomos, atyre që ishin arratisur nga komunizmi në këtë vend të bekuar, si të “shitur” dhe “tradhëtarë” të Atdheut.

Jo, jo të shitur nuk ishim – sepse Amerika nuk kërkonte as nuk na kërkon, as të shitemi as të blehemi, por ishim të përkushtuar ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane për të ndihmuar në vendosjen e lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare. Edhe sot të njëjtën gjë dëshirojmë për Kombin shqiptar: liri, demokraci dhe drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim.  Ishim dhe jemi në dashuri me këtë vend, me Amerikën tonë të dashur, e cila iu gjënd gjithmonë shumë afër kombit shqiptar, sidomos në kohë të vështira.  Komuniteti shqiptar në Amerikë kishte zgjedhur që të mbronte dhe të promovonte këto marrëdhënie – që nga koha e Nolit dhe Konicës e deri në ditët e sotëme.

Kur Enver Hoxha dhe regjimi i tij kriminal thërrisnin “Poshtë imperializmi Amerikan”, komuniteti shqiptaro-amerikan punonte dhe vepronte për forcimin e miqësisë dhe për rivendosjen eventuale të marrëdhënieve midis dy kombeve tona.  Ata, “të shiturit” — diaspora anti-komuniste e pas Luftës së II Botërore — siç i quante propaganda komuniste, kurrë nuk hoqën dorë as nuk humbën shpresë se do vinte dita kur dy kombet tona do të rivendosnin përsëri marrëdhëniet midis tyre.

Ajo ditë erdhi me 15 mars të vitit 1991, kur u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve tanë.  Duke pasur parsysh qendrimin anti-amerikan prej pothuaj 50-vitesh të regjimit komunist të Enver Hoxhës, komuniteti shqiptaro-amerikan në atë kohë këmbënguli që në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës të posa themeluar në atë kohë, në Shqipëri. Sepse këto marrëdhënie midis dy kombeve tona nuk po rivendoseshin, domosdoshmërisht, midis dy qeverive dhe as me një regjim komunist diktatorial në Tiranë, i cili deri atë ditë, ishte i mbushur me urrejtje ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane. Komuniteti ynë donte që rivendosja e marrëdhënieve të Amerikës me Shqipërinë të pasqyronte lidhjet popull-me-popull dhe jo, domosdoshmërisht, qeveri-me qeveri.  Si rrjedhim, komuniteti bindi Departmentin e Shtetit që në ceremoninë e nënshkrimit të ftoheshin edhe përfaqsuesit e opozits së re shqiptare të posa formuar – Partisë Demokratike të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha dhe Dr. Gramoz Pashko. Ashtu dhe ndodhi.

Shqiptaro-amerikanët si komunitet dhe si individë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare në Amerikë pa dallime politike, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndësueshme për mbijetesën dhe për interesat afatshkurtëra dhe afatgjata të Kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkanin Perëndimor.

Këtë rol të diasporës shqiptare në Amerikë e kanë njohur dhe e kanë deklaruar shumë zyrtarë të lartë të politikës amerikane gjatë këtyre tre dekadave të tranzicionit. E vërteta është se edhe shumica e zyrtarëve të lartë shqiptarë të tranzicionit kanë bërë një gjë të tillë por më me pak sinqeritet e mirënjohje dhe më shumë për interesa personale ose partiake të momentit.  Ishte pikërisht në ditën historike të nënshkrimit të marrveshjes për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve Shqipëri-SHBA me 15 mars, 1991 që Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çeshtjet Evropiane dhe Kanadeze, Z. Raymond Seitz, ai i cili, në prani të një grupi të madh shqiptaro-amerikanësh, theksoi rolin historik të komunitetit shqiptaro-amerikan: “Marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk u harruan kurrë nga mijëra Amerikanë me origjinë Shqiptare…të cilët ruajtën kontaktet me Atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve…”, është shprehur diplomati i lartë amerikan.

Të shumtë janë përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane të niveleve vendore, shtetërore dhe federale – shumë prej tyre gjigantë politikë të këtij vendi, që kanë vlerësuar shumë dhe shpesh rolin e shqiptaro-amerikanëve, si aktorët e parë që iu përgjigjën nevojës për forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën.   Në të vërtetë, angazhimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, në mbështetje të interesave të shqiptarëve kudo, gjatë 100-viteve të shkuara — ndonëse i vogël në numër — mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një komuniteti etnik në Amerikë, në marrëdhëniet dy-palëshe — për të cilat ka folur disa vite më parë, ish-Kryediplomati amerikan, John Kerry, në një konferencë mbajtur në Washington, kushtuar rolit të diasporave në Amerikë — në përpilimin e politikës së jashtme amerikane me vende të ndryshme të botës.

Ndërsa, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton në fjalimin e saj në Kuvendin shqiptar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Nëntor të vitit 2012, ka vlerësuar kështu rolin e shqiptaro-amerikanëve në zhvillimet historike miqësore 100-vjeçare midis dy kombeve tona: “Jam shumë mirënjohse për këtë partneritet dhe për miqësinë tonë historike, ashtu siç jam mirënjohse edhe për kontributet që kanë dhënë mijëra shqiptarë për vendin tim. E dini shumë mirë që aq shumë shqiptaro-amerikanë shërbejnë në qeverinë tonë dhe në forcat tona të armatosura. Janë sipërmarrës e mësues, inxhinierë dhe artistë, udhëheqës fetarë, si dhe drejtojnë disa prej restoranteve më të mira në botë. Kultura shqiptare është një përbërës i pasur i jetës amerikane. Arrita ta njoh këtë mirë si senatore nga Nju Jorku, për 8 vite”, është shprehur me atë rast Hillary Clinton.

Njihet mirë edhe roli i Zërit të Amerikës — i cili megjith sulmet e pandërprera kundër Amerikës që vinin nga regjimi komunist i Tiranës — për 80-vjet ka mbrojtur dhe promovuar miqësinë tradicionale dhe të hershme midis dy kombeve tona.  Mesazhet e Washingtonit zyrtar për miqësinë midis dy popujve tanë përsëriteshin shpesh dhe në forma të ndryshme gjatë dekadave, nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, kryesisht, nga zyrtarë të lartë amerikanë, si dhe nga personalitete të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan.   Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf

(Një ilustrim i shkurtër i mesazheve që transmetonte Zëri i Amerikës: Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrt i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, 13 Maj, 1951: “Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të verveta”, ishte meszahi i ish-Sekretarit të Shtetit Dean Acheson, drejtuar shqiptarëve nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës.

Sot, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve të ngushta amerikano-shqiptare, duhet të jemi krenarë pra për rolin që ka luajtur ky komunitet dhe individët — pjesëtar të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Se pas një gjysëm shekulli komunizëm – rivendosja e marrëdhënieve midis dy kombeve tona me 15 mars, 1991 ishte — ashtu siç kishte parashikuar ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson në vitin 1951 — një pohim i miqësisë tonë të hershme duke shpresuar se kjo miqësi do të marrë fuqi dhe rëndësi të re në vitet dhe dekadat në vijim, si rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me vlerat e përbashkëta dhe me përpjekjet e Kombit shqiptar për pavarësi, liri dhe demokraci. Kam venë re se të dy palët, sidomos, Tirana zyrtare por edhe Ambasada amerikane atje, preferojnë shumë që në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve midis dy popujve tanë, të flasin me çdo rast, për ato që ata cilësojnë si, “vlerat e përbashkëta”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Madje edhe slogani i përzgjedhur për të shënuar këtë vit jubilar në një mënyrë pasqyron besimin e tyre – ndoshta jo të sinqert — se të dy palët ndajnë, “vlerat të përbashkëta”: 100-vjet Together – Krah për Krah”, siç le të kuptohet edhe slogani.

Unë si një shqiptaro-amerikan i vjetër, ashtu si edhe shumë prej jush, nuk do të dëshiroja asgjë me shumë që i dashuri Atdheu ynë i origjinës – sidomos Shqipëria, por edhe Kosova dhe shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare – të ndanin “vlerat e përbashkëta” me Shtetet e Bashkuara – vendi ku vërtetë ne shqiptaro-amerikanët, gëzojmë të drejtat e barabarta dhe ku në përditëshmëri ushqehemi me vlerat amerikane, në këtë përvjetor dhe gjithmonë.  Jo se Amerika është një vend i përsosur, por ama gjithmonë këtu bëhet përpjekje – ligjërisht dhe shoqërisht – për krijimin e një shoqërie me vlera, sa më të drejtë, të lirë e demokratike, sa më të përsosur pra për të gjithë dhe pa dallim, pa marrë parasysh nga vijmë –por bazuar në besimin në të Vërtetën e madhe, siç përcaktohet edhe në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara se, “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” nga Perëndia.

Për më shumë se 200 vjet, Shtetet e Bashkuara kanë luftuar për veten dhe për të tjerët, në mbrojtje të parimeve dhe të vlerave të Lirisë, Demokracisë dhe Tolerancës. Në kohë lufte dhe paqeje dhe në periudha kritike të mbrendshme të këtij vendi planet, fryma dhe vlerat amerikane kanë mbijetuar, në mbrojtje të drejtave për të gjithë njerëzit pa dallim – përfshir edhe të drejtat themelore dhe sovranitetin e popullit shqiptar.  Edhe ne si shqiptaro-amerikanë, në këtë vend gëzojmë bekimet e Zotit të lirisë dhe të sigurisë.  Si të tillë, edhe ne kemi përgjegjësitë tona që na takojnë si qytetarë të lirë, të mbrojmë dhe t’i jetojmë vlerat e këtij shteti planet — të këtij eksperimenti të madh që quhet Demokracia Amerikane dhe të ndihmojmë, njëkohësisht, që të mbjellim farën e vlerave, vërtetë, amerikane, në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Që të  mund të deklarojmë pa mëdyshje se dy kombet tona, vërtetë, ndajnë vlera të përbashkëta. Sado që do të dëshironim që një gjë e tillë të jetë e vërtetë, sot për sot, nuk besoj se mund të themi me bindje, se dy vendet tona, “krah për krah”, ndajnë vlerat e përbashkëta, sidomos nëse konsiderojmë mungesën e demokracisë së plotë në Shqipëri, si një nga këto vlera të përbashkëta, këto 30-vjetë tranzicion. Këtë nuk e them vetëm unë. Mungesa e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, pasqyrohet vit pas viti, në pothuaj të gjitha raportet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, lirisë dhe demokracisë. Gjithnjë një “vend pjesësrisht i lirë”!

Në këtë 100-vjetor – unë besoj se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të forta – ato popull-me-popull, dua të them — ashtu siç ishin edhe në kohën e komunizmit – ndërkohë që regjimi komunist ishte ndër më anti-amerikanët në botë.  Unë do dëshiroja që fjalën time ta mbyllja me një mesazh pak më optimist, por më duhet të jem i sinqert me vete dhe me të tjerët. Për gjendjen aktuale në Shqipëri, që le shumë për tu dëshiruar, klasa politike shqiptare i ka fajet e veta dhe bartë barrën e rëndë për aktualëitetin politik, ekonomik e tjera. Por, fatkeqsisht, kam bindjen se mbështetja pa kushte, heshtja publike dhe indiferenca e demokracive perëndimore përball shkeljes flagrante të parimeve të lirisë dhe demokracisë së vërtetë në Shqipëri këto 30-vite tranzicion — një “vend gjysëm i lirë” ende — vetëm po minon çdo ditë e më keq vlerat tona të përbashkëta dhe parimet bazë demokratike në Shqipëri.  Mungesa e përballjes me krimet e komunizmit dhe prirjet anti-demokratike për të cilat, modestësisht, kam shfaqur shqetësimet e mia për vite me radhë, kanë çuar në një krizë reale të demokracisë së vërtetë në Shqipëri. Sot, kemi në Shqipëri një garë të tmershme midis autoritarizmit dhe demokracisë. Demokracia, fatkeqësisht, po e humb davanë.  Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve, pa dallim.  Por, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, gjëndja aktuale politike në Shqipëri dhe në rajon, duhet të shqetësojë edhe politikëbërsit amerikanë, të cilët ia duan të mirën Kombit shqiptar. Kam drojë se, heret ose vonë, kërcënimet ndaj Evropës dhe Bashkimit Evropian nga Tirana zyrtare, flirtimet e autoriteteve shqiptare me autoritarët anti-amerikanë dhe anti-shqiptarë në Ballkan, siç është nisma “Ballkani i hapur” dhe zbehja e demokracisë në Shqipëri, mund të çojnë edhe në zbehjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kam drojë se, heret ose vonë, zbehja e demokracisë në Shqipëri, Uroj që kjo të mos ndodh.  Zgjohu shqiptar, para se të jetë tepër vonë. Demokracia nuk pret! Rroftë për jetë të jetës miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit Shqiptar, bazuar në vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë së vërtet dhe në të drejtat bazë të njeriut për të gjithë dhe pa dallim!

*Fjalim në Qendrën e Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikano, 28 Korrik, 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube