NËPËR KOHËRA, NËPËR VITE…

TRIPTIK

NGA MEVLUD BUCI

Shpirti dhe kënga rrezatojnë dritë njerëzore dhe hyjnore. Para se të hyj nëpër rrjedhat e këtij triptiku,  më duhet të përmend një trinom të  një urtaku katolik:jeta, dashuria dhe mirësia, i cili ka domethënien e gjurmëve që lë njeriu dhe të kujtesë ndër kohëra e vite. Jeta është e shkurtër, por brenda mban tharmin e shpirtit, djersës dhe këngës. Ky trinom do të jetojë në breza, sa të jetojnë brezat e Dibrës dhe të shqiptarisë.

1.

PËRSE MË PIKOI NJË LOT?

Duke udhëtuar nëpër Rrugën e Arbërit, në atë rrugë, jo siç është sot, ecën gjysh-stërgjyshërit e mi më këmbë, dëgjoj një këngë të Naim Plakut. Dy djem të rinj,  Flori Flamur Shehu e Mahir Hasani më pikasën teksa më shpëtoi një lot dhe më thanë:

-Xhaxha, përse derdh lot?. . .

U gjenda si ngushtë, por shpejt u thashë:

-Mallëngjehem teksa kujtoj penëviganin Naim Plaku…

Ndërsa vargjet e këngës sikur donin të dilnin me forcë nga kabina e makinës e të ushtonin në hapësirë:

Hej, fëmija  e djepit kërkon pushkën,

Plaka në votër e theu furkën,

Gratë në llogore e pjekin bukën

Hej, bini trimat e mejdanit,

Hiqni sumllat e xhamadanit,

Me mbush hutën e dibranit….

Naim Plaku nuk është më, por sa herë dëgjoj këtë këngë, më vjen pranë me hijen madhështore të poetit profetik, me vargun shpërthyes e gurgullues…

2.

XHAFER MARTINI

Nëse Akademia e Shkencave , ndonjë institucion letrar apo asosacione të tjera do të analizonin veprën e Xhafer Martinit, me siguri  kjo do të pranohej me dashamirësi  dhe kënaqësi dhe atij do t`i akordoheshin dekorata, çmime, certifikata mirënjohjeje. Por dekorata më e madhe e tij është vepra prej 40 vëllimeve. Të gjitha librat e tij, romane, tregime, monografi, studime, gjurmime etnopsikike janë të bukura, por mua seç më tërheq disi veçan,  romani 120 faqe”Fshati Mosqofsh”. Është një libër me një titull interesant dhe me një përmbajtje të fuqishme , gdhendur me realizëm dhe me një psikikë të veçantë, me ide të forta dhe tipa, karaktere mbresëlënëse. Ky libër, krahas lexuesve të shumtë,  është vlerësuar edhe nga dr. Rovena Vata, studiuese. Aty zbërthehen enigmat e jetës, dukuritë negative të fshatit shqiptar,  që ka degraduar në demokraturë, ku servili gënjen, shpif, mashtron sheshit, damkos. Një prozë me një satirë  të fuqishme rabëliane, shkruar me mjeshtëri. Mjeshtri i fjalës Xhafer Martini arrin të tipizojë aq bukur, sa proza e tij bëhet  magjike dhe konkrete, me një sharm të jashtëzakonshëm.

3.

TOFIK TOTRAKU DJALI QË DRITËSON VENDLINDJEN

Tofik Totraku është emigrant në Itali, por ai nuk e harron vendlindjen, Lukanin e tij të dashur. Emigantët janë heronj zëmëdhenj të punës së ndershme dhe të mendjes pjellore, ata  shkruan dhe shkruajnë akte guximi dhe vullneti , duke kapërcyer dete dhe shtigje të panjohura. Tofiku,  së bashku me  vëllanë e tij, Latifin, ngriti vilën në Bathore, por edhe vilën e re me muret e gurta të kullës , përballë Valit shkëmbor. Nuk mund të harrohet vendlindja, jo thjesht për nostalgji, por aty është kujtesa për gjyshërit, baballarët dhe njerëzit e fisit,  që e ruajtën dhe e hijeshuan atë në shekuj. Kullën e tij të re ai e rrethoi me mure guri dhe tani brazdon tokën, e mbjell atë, tokën që trashëgoi  nga gjysh Veliu dhe babai Mehmeti. Ky bir i Lukanit shquhet për mirësi, humanizëm, për  dashuri e respekt për fisin fshatin e respekton traditat. Shqipja fluturon me krahë dhe Tofiku   ka në gen e përditshmëri respektin për vëllezërit, kushërinjtë, shokët e miqtë.

Çdo vit më 20 Maj ai ngjitet në lartësitë e Pratit në Livadh të Gjatë,  ku feston populli i Katër Grykëve, së bashku me kushëririn Ahmet Sharë Totraku e plot të tjerë. Do mbetet si kujtim I paharruar fakti që para tre vitesh ai solli në podiumin e maleve këngëtarin Sherif Dervishi dhe Musë Dautin e Hasit. Solli byrazerët , bijtë e Menës së Lurës trime , Dan Seit Mena, Adriatik Skënder Mena.

Tofik Totraku dëshmi të dinjitetit të tij ka provat e punës dhe të mirësisë. Ai i gëzohet vajzës së vogël dhe bashkëshortes, bijës së Markes së Mireshit të Dibrës.

I thjeshtë i urtë, punëtor e zemërbardhë, shembull kurajoje dhe guximi, për ta parë jetën si arritje dhe përparim, si dëshmi e respekt edhe për të tjerët…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube