VETËM FORCA E GRAVE, MUND TA BËJË PAJTIMIN KOMBËTAR!

Vilhelme Vrana Haxhiraj dhe “Lidhja demokratike e gruas. Vlorë”

Nga Kadri Tarelli

Para pak kohësh, shkrimtarja, studiuesja dhe veprimtarja vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, botoi dhe përuroi librin e saj më të ri: “Lidhja Demokratike E Gruas, Vlorë”. (6 Shkurt, 1992 – 6 Shkurt, 2022). Në kujtim dhe nderim të udhëtimit 30-vjeçar të kësaj organizate shoqërore – politike, ku vetë autorja e librit ishte për shumë vite në krye të saj.

Me njohjen që kam mbi jetën dhe veprën e znj. Vivra, të gjithë autorët që kanë marrë penën të shkruajnë për këtë zonjë të nderuar, ku titujt, çmimet dhe vlerësimet mbushin disa faqe libri, kurdoherë i drejtohen veprave të saj, që numërohen rreth 60 tituj librash, ku përfshihen letërsi, studime historike, monografi dhe filozofi. Rrallë herë, si kalimthi kujtojnë edhe publicistikën, që për hir të së vërtetës mund të mbushen disa vëllime. Çuditërisht, këtu jam edhe unë. asnjëherë nuk përmendin, se Vivra jonë, fisnike me rrënjë nga familjet e mëdha të Kaninës, është edhe një veprimtare e jashtëzakonshme në lëvizjen demokratikë, përfshirë këtu edhe drejtimin e lidhjes demokratike të gruas vlonjate, që nisi që në ditët e para të shembjes së komunizmit dhe ndryshimit të sistemit.

Sa për librin, që në fillim më duhet të ve në dukje, se me përjashtim të studimit historik të grave shqiptare, që në lashtësi bënë emër në kohën e vet, gjithçka tjetër mban vulën e përjetimit, të mendimit e mundimit, të prekjes dhe përpjekjes për t’u përballur me mentalitetin dhe pengesat e kohës, me të cilat ato u ndeshën, si gjatë periudhës 45-vjeçare të sundimit komunist, ashtu edhe të luftës për liri, demokraci dhe barazi gjinore të femrës në përgjithësi, në veçanti të shtresës së vuajtur e të persekutuar. E gjitha e kompozuar në ballinë, që me gjuhën lakonike të artit, flet aq shumë: “Një tyfë vjollcash në grusht mes dy duarve të lidhura”.

Nuk është rastësi, që vetë autorja, që në faqet e para shkruan: “Këtë libër ua kushtoj gjithë zonjave që flijuan jetën për lirinë e kombit dhe kërkuan të mbronin dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur në shekuj”.

Mjaftojnë këto pak fjalë, për të na thënë, se libri nuk është vetëm për gratë vlonjate. Vetiu aty përfshihen të gjitha gratë shqiptare, të cilat me punën, mençurinë, diturinë, durimin e varfërinë, mundimin dhe qëndresën, luftuan krah për krah me burrat, lindën, rritën e mbajtën gjallë familjen, jetën dhe kombin. Ndaj me shumë bindje, shprehet: “Kur flitet për një grua, aty e gjen veten çdo grua shqiptare”. Duke shtuar me krenari dhe dhimbje: “Sa vlera ka gruaja shqiptare, shihet me sytë e Margaret Jursenal, në tregimin “Qumështi i vdekjes”, ku shkruan: “Do doja të kisha për nënë, vashën shqiptare që u muros në Rozafë”.

Znj. Vivra, siç e thërrasim shkurt, që në pjesën ë parë të librit, nderon të gjitha gratë e racës shqiptare, që nga lashtësia deri në ditë tona. Ajo është vetë grua dhe nënë, fisnike me kulturë e dije, idealiste në shpirt dhe bindje, intelektuale e njohur në botën e letrave shqipe, si brenda dhe jashtë vendit, por që ka provuar mbi shpinë, vuajtje, mundim, përçmim e kufizim, duke i ndaluar ushtrimin të profesionit të nderuar të mësuesisë, si “Misionare e dijes dhe edukimit”, siç i quaj unë të gjithë mësuesit që i shërbejnë kombit.

Lexuesi në libër do të ndeshet me shumë emra grash të shquara, duke filluar që nga Tuta, (Mbretëresha ilire), më pas gra që u bënë dhe mbetën legjendë, si Doruntina e Vranajve, Rozafa e flijuar në muret e kështjellës së Shkodrës, gratë e Sopotit, gratë e Pargës, suljotet në vallen e vdekjes, përjetësuar nga piktori Ari Shefer, në pikturën “Gratë e Sulit”.  Me shumë nderim përmenden princeshat e Kaninës, Rugjina Balsha, Donika Arianit Kastrioti, shën Angjelina. Autorja nuk mund të lerë në harresë edhe gratë luftëtare, si Laskarina Bubulina, (Dhaskarina Piniçi), një nga gratë  të racës shqiptare që i dhanë fitoren revolucionit grek, kështu edhe legjendaret e luftës për atdhetari, Nora Kelmendi, Tringa Smajli, Maro Konda, Shote Galica, Sado Koshena, Xhevë Lavdovci, që mori gradën më të lartë “Gjeneral Major”, në luftën  për çlirimin e Dardanisë, etj. Në këtë hulli mendimi, autorja nuk kursehet të përmendë edhe 200 Amazonat shqiptare, si simbol i femrës luftëtare, njëkohësisht edhe 6000 vajza të reja të përfshira në luftën për çlirim kombëtar.

Autorja, jo pa qëllim ndalet te gratë që shkëlqyen me të gjitha ngjyrat e ylberit, në shkencë, dituri dhe atdhetari, si Elena Lukrecia Peshkopia, e para grua shqiptare në botë, e cila mori doktoraturën në filozofi, në Universitetin “Vassar” të New Jorkut. Elena Gjika, ose Dora D’Istria, që u quajt “Princesha e Kulturës Europiane”. Motrat Qiriazi, Sevasti dhe Parashqevi, Nermin Vlora Falaski, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Laura Nexhat Mersini, (shkencëtare e re), për t’u ndalur te Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza, e pagëzuar nga publiku i botës: “Nëna” e gjithë botës.

“Gra të tjera shqiptare që kanë lënë gjurmë në histori ka shumë, unë përzgjodha këto zonja”, – thotë me nderim autorja. E thënë më shqip, Vivra është autore e kërkesës, drejtuar Arkivit të Shtetit, Tiranë, për të shfrytëzuar dosjet e periudhës 1912 – 1914, ku gjen edhe materiali e çmuar: “Krijimi i i organizatës së parë të gruas shqiptare në Vlorë, me emrin  “Shpresa shqiptare”, më 14 maj 1914. Organizatë e krijuar me nismën e vlonjates Marigo Pozio, e cila më pas shkruan: “Edhe ne femrat, lipset të përparojmë, se nga përparimi i femrës vjen përparimi i kombit”.

Në këtë listë të gjatë me emra të shquar të femrës shqiptare, lexuesi i vëmendshëm, shumicën i ka hasur edhe në libra e shkrime të tjerë, disa të përfshira edhe në librin “ELITAT E MOHUARA. KRENARI KOMBËTARE”, shkruar me aq dashuri e përkushtim nga vetë Vivra. Merita e Vivras është se i ka përfshirë në një libër dhe të kuvendojnë së bashku, si  një befasi e këndshme.

Natyrisht nuk duhet të ndalem këtu, pasi vetiu shtyhem të theksoj disa veçori të qenësishme të këtij libri të veçantë në llojin e tij, si pasuri në letrat shqipe dhe lëvizjen shoqërore:

Si fillim po them, se është i pari dhe i vetmi libër që i kushtohet tërësisht grave, nënave dhe motrave shqiptare, veprimtarisë së tyre për emancipim dhe barazi gjinore, duke u ngulur fuqishëm në ngjarjet pas rrëzimit të sistemit të diktaturës. Jo më kot autorja na thotë: “Atë kohë ishte trimëri të vrisje frikën, pasi frika e hijeve që përgjonin, ekzistonte në shpirtrat e lënduara të nënave, grave, motrave vlonjate”.

Në vazhdim të mendimit, pavarësish qëllimit të autores, vetë libri, në përmbajtje, është një skaner i prerë hollë i periudhës së transformimit tejet të zgjatur 30-vjeçar, me të gjitha dritë-hijet, fitoret dhe humbjet, arritjet dhe zhgënjimet, gëzimet dhe trishtimet, lodhjet dhe mundimet, përplasjet dhe falënderimet, bërrylat dhe përqafimet, ku nuk kursehet të na tregojë edhe gabimet që u bënë në hartimin dhe zbatimin e “Reformave”, aq të domosdoshme në transformim të politikës, ekonomisë dhe mbarë mendimit shoqëror të vendit dhe kohës. Mund të them pa frikë, se shumë prej fjalimeve dhe shkrimeve tematike të librit, mund të shërbejnë si leksione në katedrat e universiteteve. Madje copëza të tyre mund t’i hyjnë në punë mësuesve të shkollave të mesme, për ilustrimin e historisë së Shqipërisë së kohëve të fundit.

Lexuesi, gjatë këndimit të librit, do të ndeshë një galeri emrash të grave vlonjate, që u bënë pjesë aktive e atyre ngjarjeve të stuhishme, të trazuara e të ngarkuara me plot ndjesi dhe të papritura, shpesh të gëzueshme, por disa herë edhe të hidhura. Aq e thekshme është kjo ndjesi, sa autore Vranari ngre zërin e shqetësimit: “Edhe sa kohë vallë, femra tek ne do të jetë e paragjykuar dhe fati i saj i paracaktuar në vendin tim”.  Kështu që, si do që të themi, libri përbën një vlerë të shtuar, sepse çdo njëra veprimtare, është futur në “Arkën e kujtesës”, për t’u përjetësuar në kujtesën e kombit, për t’i treguar fëmijëve, nipave dhe mbesave, pse jo edhe gjeneratave, se këto gra ishin dikush, që u ngritën, u përpoqën të jenë vetvetja dhe të luftojnë për vetveten dhe përparimin e kombit.

Libri dhe vete Vivra, ka një shtysë mendimi të thelluar, sepse në analizën logjike, duke u mbështetur në parime demokratike, diku shkruan: “Vartësia e organizatës nga partitë, ishte e gabuar dhe është e gabuar, pasi ato punojnë dhe bëjnë elektorat që të udhëhiqen nga burrat”. Jam plotësisht në një mendje me autoren, që e sheh lëvizjen me frikë, ndëshkim apo mallkim, duke u nisur nga përvoja e të shkuarës komuniste, ku të gjitha organizatat shoqërore ishin “leva” të Partisë në drejtim, të shtetit dhe politikës. Megjithatë, duke bërë analizë historike, meqë Vivra është diplomuar për histori, jam i bindur plotësisht, se edhe ajo mendon si unë, se në rrethanat e luftës për “Çlirimit” të gruas shqiptare, për të arritur barazinë gjinore, nuk mund të fitohet pa qenë pjesë e vendimmarrjes, ku zot është politika dhe pushteti. Besoj se Vivra ka një arsye të fortë që ngre zërin dhe thotë: “Me që gratë nuk i doni në vende drejtuese, atëherë ju lutem edhe kryetaren zgjidheni një burrë”. Këto fjalë flasin shumë, ndaj besoj se edhe komenti është i panevojshëm….‼‼

I jap të drejtë lexuesit të mendojë edhe ndryshe, madje në mbështetje të autores, që kërkon vetëm një “Lidhje të gruas”, jashtë partive politike, sepse edhe problemet jetësore, familja, puna, rritja dhe edukimi i fëmijëve janë të njëjta për të gjitha gratë, si demokrate apo socialiste. Madje shumica, më thyejnë në qëndrimin tim, pasi janë nënat ato që ushqejnë dashurinë për atdheun. Janë nënat ato që ushqejnë bashkimin, si ilaç për shërimin dhe forcimin e vendit dhe mbarë kombit. Ato dhe vetëm ato e urrejnë grindjen dhe përçarjen, si sëmundjen vrastare dhe vdekjeprurëse të shqiptarizmit. Mjaftojnë vetëm këto pak fjalë për t’u bindur plotësisht: “Një shtet i politizuar deri në qelizë, solli dhe sjell një kulturë të tillë të përçarjes kombëtare”. Ç’ mund t’i shtojmë më shumë këtij përkufizimi logjik, filozofik, praktik dhe politik?

Në analizën e të gjithë përmbajtjes, që i përkushtohet në tërësi gruas shqiptare, Vivrës nuk i mbetet tjetër veç të bërtasë me zë të lartë, se vetëm forca e grave mund të bëjë pajtimin kombëtar. Kam bindjen se autorja është zhgënjyer nga politikanët “burra”, që e nxisin dhe e ushqejnë mospajtimin mes shqiptarëve. Pajtohem plotësisht me të, kur thotë:  “Nuk po di ç’po ndodh me ne shqiptarët, “Zoti na dhëntë mend ta duam vendin, njëri-tjetrin, dhe t’i përvishemi punës”.

Mendoj se ky libër duhet të shkojë në dorë të të gjitha grave dhe nënave shqiptare, sidomos të atyre që janë përfshirë në politikë. Pa përjashtuar edhe burrat që lakmojnë pasuri dhe zotërojnë pushtet.

Urime dhe suksese në libra të tjerë, me po kaq peshë dhe vlerë në historinë, politikën dhe kulturën shqiptare!

Kadri Tarelli

Maj. 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube