MONOGRAFI E BËRË ME DIJE E ME PËRKUSHTIM

– Parathënie –

Nga Anton Nikë Berisha

Buka si qenësi e jetës së njeriut

Në këto gjashtëdhjetë e fundit, asnjë emër tjetër nuk është i lidhur aq ngushët me gjithë atë që ndodhi në jetën kulturore dhe artistike në Zymin sesa Frrok Kristaj. Të thuash se s’ka ngjarje të rëndësishme që u mbajt në këtë qendër të njohur të Hasit, të cilën ai nuk e nxiti, nuk e organizoi ose nuk mori pjesë në të. Do të duhej shumë vend për t’i përmendur qoftë dhe një pjesë të këtyre punëve, po këtu po veçoj vetëm Takimet letrare “Shtjefën Gjeçovi”, që mbahen që 50 vjet me radhë e merita kryesore për këtë i përket pikërisht Frrok Kristajt. Krahas kësaj, emri i tij lidhet dhe me botimet më të rëndësishme të bëra për Zymin dhe të autorëve zymjanët, ku ai është i pranishëm si autor, botues, redaktor ose recensent.

Monografia “Buka e Zymit” është bërë me dije e me shumë përkushtim dhe si e tillë e përligj atë që thashë më lart: edhe në këtë fushë Frrok Kristaj vuri një gur themeltar për të gjithë ata që në të ardhshmen do të merren me këtë dukuri sa të veçantë aq dhe të rëndësishme për zymjanët dhe jo vetëm për ta.

Vendimi i Frrok Kristajt ta bëjë objekt vështrimi Bukën e Zymit nuk është gjë e rastit, por e menduar mirë: një pjesë e rëndësishme e historikut të rrjedhës së jetesës së zymjanëve dhe të Zymit, si qendra më e rëndësishme kulturore, artistike dhe shpirtërore e Hasit të Thatë, ndërlidhet me zejen e gatimit të bukës. Madje, një kohë (si i ri) edhe vetë autori i monografisë e pati ushtruar zejen e furrtarit.

Buka, si përbërës i qenësishëm i gjallimit të njeriut, është e lashtë të thuash sa dhe vetë ai. Në “Epin e Gilgameshit”, të shkruar me kunja para katërmijë vjetëve, për ta plotësuar kushtin e Utnapishtimit të Largët: të mos flejë Gilgameshi gjashtë ditë e gjashtë net, nuk i ndihmojnë për t’iu shmangur gjumit (si shenjë e vdekjes) as Bukët e zgjimit (Wachbrot) ose Bukët e jetës.

Fituesi i Shpërblimit Nobel në fushën e fiziologjisë dhe etologjisë (në vitin 1904), Ivan Pavlov (1849 – 1936), pati thënë: “Nuk është një rastësi që nga të gjitha dukuritë e jetës njerëzore hulumtimi i bukës së përditshme ngrihet mbi të gjitha, lidhja më e vjetër që i njëson të gjitha qeniet e gjalla, duke e përfshirë edhe njeriun, me natyrën që i rrethon”.

Pra, në rrjedhën e jetës së njeriut, buka pati kuptimësi dhe rol të shumëfishtë për arsye se përherë u dëshmua si përbërës qenësor i gjallimit dhe i mbijetimit.

Rëndësinë e bukës për jetën e njeriut e përligj mirëfilli dhe lutja “Ati ynë”, të cilën e tha Jezu Krishti në Predikimin në Mal (shih Ungjillin sipas Mateut 6, 9 – 13): […] Bukën tonë të përditshme na e jep sot (Panem nostrum quotidianum da: nobis hodie) […] Ngushtë lidhur me këtë është dhe emërimi i kungimit si “Bukë e jetës”.

Buka për zymjanët, siç dëshmohet thellësisht përmes kësaj monografie, pati e ka një kuptim të gjerë, siç e thotë dhe vetë autori i saj: “U nisa nga ajo se në Zym, sikurse edhe në shumicën e viseve etnike shqiptare, termi bukë nuk e ka vetëm kuptimin e bukës që gatuhet për t’u ngrënë, por termi bukë e ka edhe kuptimin tjetër: kuptimin e ushqimit […] e ka edhe kuptimin e mikpritjes, që te shqiptarët është e njohur edhe si vlerë, por edhe si virtyt. Pikërisht për këtë dhe e kam pagëzuar librin ‘Buka e Zymit’, pra e kam parasysh edhe si ushqim, po edhe si mikpritje, për të cilat Zymi im njihet edhe për bukëdhënie sikurse edhe të bërit konak në çfarëdo rrethana qofshin”.

Një qëllim tjetër që e synoi dhe e mbërriti Frroku me këtë vepër për Bukën e Zymit është ndriçimi i traditës së pasur zymjane dhe shqiptare: “Pra, akti i ndriçimit të këtyre vlerave të kulturës sonë, megjithatë, paraqet identitetin tonë kulturor dhe shpirtëror […] ta njohim vetveten kush ishim në mënyrë që të kaluarën ta shfrytëzojmë për ta ndërtuar të ardhmen tonë, në mënyrë që, nëpërmjet të formave të ecjes përpara […] të krijojmë sa më shumë kushte për punësim e vetëpunësim. Fundja, tashmë nuk synohet që traditat t’i kthejmë nëpër familje, por që traditat t’i shndërrojmë në dyqane ku mund të porositen prodhimet, por edhe ku mund të punësojmë të rinj e të reja”.

Rëndësinë që shqiptari i kushtoi dhe i kushton Bukës dëshmohet dhe me shprehjet e ndryshme si betime, urime e mallkime që lidhen me të “Pash bukën!”, “Të shpëtoftë buka e dhënë”, “Të vraftë buka!” ose ajo që thuhet në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”: “Bukë e krypë e zemër” (Paragrafi 608), si shtyllë e jetës së shqiptarit në rrjedhën e qindvjetshave.

Është thënë se shqiptarët, në qenësi, i ka shpëtuar gjithmonë buka e dhënë. Kjo dëshmohet edhe nga këto shprehje: “Për këtë bukë!”, “Pasha bukën e krypën!”, “Kush e ka bukën, e fiton luftën”. “Buka ta ngrit zërin më shumë se pushka”, “Sa të mbajë buka ime, je në besën time”, “Bukëdhënia lidh miqësi” ose “Buka për fëmijë (dhe familje) të çon në derë të armikut”.

Të dhëna të rëndësishme për bukën dhe gatimet në Zym

Për të dëshmuar se togfjalëshi buka dhe zymjanët është një ngjizje – njësim jetësor dhe se gatimi i bukës – si veprimtari jetësore dhe kulturore – për zymjanët ka një rëndësi të shumëfishtë, Frrok Kristaj sjell një varg të dhënash që përligjen në faqet e kësaj monografie; ato jepen në vijën vertikale dhe horizontale, pra, autori shpalos të dhëna historike për Zymin dhe për gjallimin e profesionit të gatimit të bukës ndër zymjanë nga viti 1702, pastaj për furrën e parë të hapur nga zymjanët më 1705 (në Prizren) gjë që lidhet ngushtë me mbijetesën e tyre.

Veprimtarinë e gatimit të bukës zymjanët, si “shtegtues” e ushtruan kudo në trevat shqiptare, po dhe jashtë tyre, në tërë Gadishullin Ilirik (tash Ballkan).

Në mënyrë të veçantë autori sjell të dhëna të mbijetesës së kësaj tradite në kohën e tij, pra të dhëna që i ka përjetuar vetë, po dhe ato që i ka nxjerrë nga burimet e ndryshme, qoftë arkivore, qoftë të shënuara nga subjekte të shumtë. Kjo traditë, në shumë forma, vazhdon të jetojë në Zym edhe sot e gjithë ditën.

Të dhëna që i sjell autori ndriçojnë mënyrën e gatimit, llojet e bukëve e të prodhimeve nga brumi. Nga bukët e përgjithshmet përmenden: Bukë thekre, bukë thekre me kokrra të plota (që përzihet me grurë), bukë elbi, bukë kallamboqi, bukë me miell integral, bukë me drithëra të plotë (miell i bardhë përzihet me kokrra drithërash), bukë e përzier me grurë e thekër, bukë e përzier grurë e elb, etj., ndërsa nga ato të veçantat: Bukë me fletëza të tërshërës, bukë e yndyrshme, bukë qumështi, me fruta, me vezë, me patate, me fik, krundesh, gështenjash, bukë mbrume (gruri), bukë pogaçe, pastaj kulaçi i buzmit dhe kuleçtë për të afërmit, flija, petllat, lakrori apo pite me monedhë metali për Shën Jozef, buka e bekuar, përpeqi i të Dielës së Pashkëve, Psheshi me tambël për Shën Gjergj, Kulaçi i nuses si dhe prodhime të tjera që lidhen me periudha të caktuara e me festat e ndryshme fetare dhe jo fetare.

Krahas të dhënave të shumta që i sjell, Kristaj edhe i vështron ato nga kënde të ndryshme; shkakun e lindjes, veçantitë, simbolikën e tyre etj. Ai i jep dhe një varg të emrave të furrtarëve dhe vendet ku ata punojnë sot të shpërndarë në vise të ndryshme shqiptare e jashtë tyre.

Në fund më duhet t’i përmend dhe dy fakte që ia shtojnë vlerën kësaj monografie për Bukën e Zymit: fotografitë e shumta e cilësore që lidhen me këtë veprimtari dhe me bartësit e saj si dhe përfshirja e disa poezive nga autorë të ndryshëm shqiptarë që i kushtohen bukës. Me një fjalë, një monografi që e nderon autorin, Zymin dh zymjanët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube