1). WILLIAMSON: “JO TRANSPLANT ORGANESH, POR, KA DIÇKA TJETËR”!?

Hashim Thaçi nuk guxoi ta padis Dick Martin për shpifje!?

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Lufta dhe paslufta në Kosovë, kanë relativizuar shumë ndjenjën e drejtësisë dhe të solidaritetit ndër-shqiptarë. Një padrejtësi që i bëhet një personi, në fshat, lagje apo qytet, duhet të jetë shqetësim, për tërë fshatin, lagjën apo qytetin. Mjerisht, nuk ndodhi kështu. Vrasjet e kundërshtarëve politik, të filluara gjatë luftës, vazhduan edhe pas çlirimit të Kosovës, duke vënë në shënjestër edhe dëshmitarët e mundshëm.

Viktimat shqiptarë nuk u morën në mbrojtje, nuk u hetuan dhe as nuk u zbuluan kriminelët shqiptarë!? Tashmë, prokurorë e gjyqtarë, ishin shqiptarë. Edhe qeveritë, njëra pas tjetrës, ishin shqiptare dhe i heshtën viktimat, e heshtën krimin! Asnjë përkujdesje nuk u tregua as për familjet e viktimave dhe as për fëmijtë e tyre, të mbetur jetimër.

Deklaratat e Bukoshit dhe Gërvallës

Prej kuadrove të lartë të LDK-së, ishte i pari kryeministri Dr. Bujar Bukoshi, i cili denoncoi krimet seriale duke, alarmuar botën, se “komandantët” e LPK-së, me bandat e tyre të ideologjisë staliniste, po vrasin kundërshtarët politikë, për ta marrë pushtetin me dhunë. Në intervistat e dhëna gazetës prestigjioze amerikane, “New Jork Times” dhe revistës gjermane “Der Spiegel”, kryeministri Bukoshi dëshmonte se, “deri tani, bandat e kuqe kanë vrarë mbi 1.000 kuadro e veprimtarë, kryesisht, të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të, gjithë i dinë krimet e komandantëve, por, askush nuk guxon t`i denoncojë ato”! Për këtë terror, akuzon drejtorin politik të UÇK-së Hashim Thaçin me shokë.

Nënkryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, njëherësh veprimtarja e shquar, për çështjen e Kosovës, krahas përballjes, në debatet televizive të Gjermanisë dhe të qendave tjera evropiane, me gjeneralët dhe kryeqeveritarët serbë, ajo denoncoi, madje, botërisht, disa “komandantë” kriminelë, me emër e mbiemër, të cilët, përmes bandave të tyre, i ekzekutonin, pa gjyq e në pusira, ushtarakët luftë-bërës, kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së, si dhe kuadrot e hershëm të LPK-së. Krimi kulmoi, kur disa “komandantë” pa ushtarë, në koordinim me kryezyrtarët social-komunistë të Shqipërisë, ekzekutuan, në mes të Tiranës, edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin!

Në një emision televiziv gjerman, një gazetar i zëshëm, i cili kishte raportuar gjatë luftës nga Kosova, e pyet zonjën Gërvalla:

– “A është komandanti x-y hero në Kosovë”?

– Gërvalla përgjigjet: “Nëse ju i konsideroni kriminelët ordinierë heronj, atëherë edhe mund të jetë”!

Edhe gazetari atë opinion kishte për komandantin, i cili nuk kishte shënuar asnjë betejë të fituar; nuk kishte shmangur asnjë masakër në zonën e tij të luftës. Përkundër, sipas gazetarit, të mirë-informuar, përflitej për burgje rurale, maltretime e vrasje të kundërshtarëve politikë. Por, propaganda e sponsorizuar, përlavdëronte, fiktivisht, rrejshëm dhe pa doganë fare, se “gjenerali” profanë, ka bërë namin, në luftën kundër armikut serb!? Megjithatë, betejat mungonin!

Vrasja e shumë dëshmitarëve

Krjimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, nuk është, thjeshtë, Rezoluta e Dick Martit. Të vërtetën për krijimin e kësaj Gjykate, e ka shpjeguar qartë Hashim Thaçi, duke qenë në cilësinë e presidentit: “Sistemi i Drejtësisë ka dështuar, tërësisht, në Kosovë. Vrasjet e rënda nuk kanë arritur as të hetohen dhe as të ndëshkohen. Vrasja e shumë dëshmitarëve, sidomos, në Dukagjin, (pra, këto ia faturon Ramush komandantit), e bëri të domosdoshme themelimin e Gjykatës Speciale jashtë Kosovës”.

Manipulantët: Tomë Gashi dhe Milaim Zeka, po garojnë në sensacione e dezinformime të opinionit. Hapësirën e bollshme mediatike ua ka siguruar Berat Buzhala me SHIK-asit tjerë. Harroi varjen në pus (bunar) dhe burgun-torturë, të Likocit, të babës Bashar, (ndjesë pastë dhe u prehtë në parajsë)! Po të jetonte ai, do ta mallkonte djalin bastard, për memorjen e dobët dhe faljen e padinjitetshme, për torturat dhe poshtërimin e babait.

Përrallisjet e Tomë avokatit, janë banale: “Raporti i prokurorit amerikan Clint Williamson, është zhdukur, sepse nuk janë provuar krimet”! Rrenë e kulluar! “Mungojnë gjetjet për transplacion organesh, – POR, KA DIÇKA TJETËR” -, shkruan prokurori Williamson. “Pra, janë vrasjet politike, gjatë dhe pasluftës të shqiptarëve të pafajshëm, vetëm se i përkisnin partisë të Presidentit Rugova”! Dhe, dosjen e atyre gjetjeve, krimeve faktike, e ka vazhduar bashkë-shtetasi i tij, Xhack Smith. Pra, lë t`i lejë dallaveret megallomani Tomë, sepse asgjë nuk ka fshehur dhe as nuk ka humbur prokurori Williamson, rrjedhimisht, as dosjet me krimet makabre.

Tomë zeza falsifikon se, gjoja, “shtëpinë e Katuçëve donin ta merrnin, me qera, UÇK-ja, për nevojat të “Rrugës së Arbërit”, e cila do të fillonte më vonë”! Top gënjeshtër e Tomës! Unë i njoh Katuçët, prej pesë dekadash, si njerëz të mirë. Por, komandantët mund të kenë bërë ndonjë pisllëk tjetër? Realisht, shtëpinë e Katuçëve donin ta bënin burg, për ushtarakët e karrierës, pjesë e FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së. Pastaj, ndërruan mendje, sepse gjenerali kodosh, Kudusi Lame, ua vuri në dispozicion ish-“Fabrikën e Metalit”, në Cahan të Kukësit. Dhe, kjo për arsyen e vrasjes selektive të kundërshtarëve politikë, kryesisht, të LDK-së.

Qindra vrasje politike të pazbardhura

Përzgjedhja e burgut, në zonën kufitare, është bërë në stilin e Xhabir Zharkut, kur, nga Hotel “Rogner”, i Tiranës, u telefononte vartësve të tij në Kaçanik: “Të burgosurit, (dihet, shqiptarë), i dërgoni natën, në pyllin më të afërt, i vrisni dhe ia faturoni armikut, duke përhapur lajmin se “i vrau policia serbe”! Dhe, udhëri u zbatua pa kundërshti. Dhe, këtë e thonë dhe e vërtetojnë shokët  dhe miqtë e Xhabirit. Prandaj, shifrat 1.826 apo edhe 1.920, që lakohen gjithandej në Kosovë, flasin jo për 100 apo 200 vrasje politike, por, janë disa qindra.

Milaim Zeka sikur është ende në shërbim të aviacionit jugosllav dhe përcjellë se ku shkon Salustro e Marty! Çfarë fshehtësie ka nëse ata konsultohen me Beogradin për dosjet? Pse, a nuk e dinte Serbia, që komandantët e UÇK-së kishin, të paktën, 40 (dyzetë) burgje rurale të improvizuara, ku torturoheshin deri në vrasje, kundërshtarët politikë të LPK-së, të dyshuar rrast për lidhje agjenturore, me shtete armike të Kosovës, me qëllim të sabotimit të luftës, për çka fletë dhe akuzon Hashimin me shokë, edhe Jakup Krasniqi dhe disa themelues të tjerë të “UÇK-së të LPK-së”?! Ajo, Serbia, vet i lejonte, që komandantët të zhytën sa më shumë në krime, për ta bindur botën, se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet dhe as pushtet.

Heshtja e Hashimit

Karla del Ponte  dhe Dick Marty kanë botuar libra, me akuza faktike për krimet, gjatë dhe pas luftës, të bëra në stilin e Enver Hoxhës, i cili luftën për çlirim, e konvertoi në luftë civile. Prandaj, Shqipëria ishte shteti i vetëm, i rrjeshtuar përkrah Fuqive të Mëdha antifashiste, por, nuk përfitoi reparacionet, dëmshpërblimin për luftën. Dhe, shumë nga gjetjet e tyre, i dinë shqiptarët në Kosovë. Sepse dëshmi janë varret dhe shtatoret numerike, të viktimave të cilësuara – si vrasje politike -, janë kudo, anekënd Kosovës.

Hashim Thaçi premtoi të ngrisë padi për shpifje, kundër Dick Martit. Por, këtë nuk e bëri asnjëherë, nga frika se, edhe pse nuk ka pasur transplantim të organeve, -POR, KA DIÇKA TJETËR-, siç thotë prokurori Clint Williamson. Andaj heshti, me shpresën se me ndihmën e miqve francezë, duke e shpërblyer Serbinë me ndarjen e Kosovës dhe me servilizmin e pështirosur ndaj Amerikës, do ta “kalonte lumin”. Por, letra e personaliteteve amerikane, drejtuar Presidentit Trump, në mes të nënshkruesëve, edhe miq të tij, të cilët e sollën në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi gjithçka. Ai denoncoi Bolton-in me argatët e tij, për prapaskenat e ndarjes të Kosovës. SHBA nuk mund ta duronte që Serbia, por, edhe Rusia të vijë në pikën kufitare, në mes të qytetit të Mitrovicës.

“Të panët” e bijave, këtyne herësh, që bënte Hashim dallaverja në Amerikë, filloi t`u “vinte era”. I gjithë aparati i Ministrisë të Punëve të Jashtme, ishte vënë në shërbim të ndarjes të Kosovës. Hashimi, me Uk Lushin e tij, i cili, krejt i paautorizuar vazhdon të flasë në emër të “Batalionit Atlantiku”, (duke i bërë thirrje popullit të Kosovës, të ngrihet në protesta, për lirimin e Thaçit me shokët të akuzuar për krime), lobonin edhe me pagesë, me paret e buxhetit të Kosovës.

Në këto ethe, ata përçanë edhe Mërgatën shqiptare në SHBA. Në mes tyre edhe Shoqatën shekullore “Vatra” të Nolit. I turpëruan burrat e zëshëm, që kishin punuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. I detyruan senatorë e kongresmenë, t`i lutën Presidentit Clinton – për zhbërjen e Gjykatës Speciale -! Megjithatë, krimi nuk falet.

Kërcënimi i Dick Martit

Kërcënimi me jetë, i bërë ndaj Dick Martit, siç thuhet, nga Serbia, për t`ua faturuar krimin shqiptarëve, aktivizoi tellallët e partive-banda të PAN-it, duke ndërmarrë një fushatë të egër, kundër Gjykatës Speciale dhe vet Dick Martit. Arsyetimi se “Rezoluta është votuar nga Rusia dhe Serbia. Tani, pas luftës në Ukrainë, po vjen një rend i ri botëror dhe akuza ka qenë për heqjen e trafikimit të organeve, e cila nuk u vërtetua, qeveria e Kosovës duhet ta akuzojë Dick Martin dhe të kërkojë zhbërjen e Gjykatës Speciale”!?

Realisht, Rezoluta për krimet e luftës në Kosovë dhe krime kundër njerëzimit, është votuar dhe aprovuar nga 66 shtete të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku bënin pjesë edhe dy shtetet e cituara më lart. As lufta në Ukrrainë, nuk ka asnjë lidhje me Gjykatën Speciale të Kosovës. Qeveria e Kosovës, përveç reagimit ndaj Serbisë, për intrigimet e veprimet në dëm të Kosovës, që projekton, me qëllim diskriditues, nuk ka asnjë punë me Dick Marty-në dhe aq më pak me Gjykatën Speciale, të votuar nga Parlamenti i Kosovës. Thaçi e kishte rastin ta akuzonte atë për shpifje. Por, e humbi shansin, sepse “dardha e kishte bishin prapa”!

Prokurori amerikan, Clint Williamson, me konstatimin e tij se “mungojnë gjetjet për transplacion organesh, – POR KA DIÇKA TJETËR -, e demanton Marty-në për organet, por, jo edhe për krimet tjera, të pasqyruara në Rezolutën dhe librin e tij, siç janë burgosjet e paligjshme, maltretimet dhe torturat, deri në vrasje, të kundërshtarëve politikë. Pasuesi i Williamson-it, bashkëvendori i tij, Xhack Smith, i konfirmon gjetjet faktike kriminale të paraardhësit, duke emërtuar akuzën në grup, për të burgosurit në Hagë, si -Ndërmarrje e Përbashkët  Kriminale.

Partitë-banda të PAN-it, është e natyrshme t`i mbrojnë njerëzit e tyre, qofshin ata edhe kriminelë. Sepse shumë nga ata, që janë më të zëshëm në mbrojtje, përfitonin nga shefat e tyre, që kishin kapur të gjitha institucionet dhe vet shtetin e Kosovës.

 

– V i j o n –

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube