Si u rrëzua monumenti i Diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës

Flasin Virgjil Kule, Fatmir Çepani, Bujar Kore, dhe kujtimet e Shaban Hadërit

Nga Albert Z. ZHOLI

Dje u përkujtua 29-vjetori i rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Rrëzimi i këtij monumenti shënoi një epokë të re për Shqipërinë… Rrëzimi i shtatores së Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Askujt nuk i besohej se do rrëzohej statuja. Dhe vetë turma e  irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra qen kufiri dhe zjarrfikësja  kishin blinduar  sheshin dhe mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin. Megjithatë, askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit, që ndodheshin në sheshin “Skënderbej”, morën sërish drejt shkallëve të mermerta. Trysnia, që krijonte turma prej 100 mijë veta, kishte arritur kulmin. Monumenti u rrëzua.

Fatmir Çepani, operatori që ka ekzluzivitetin e regjistrimit të rrëzimit

-Ishte dita më me stres në jetë

Ajo ditë mbetet e veçantë për shumë arsye. Së pari se situata ishte tejet e vç‰shtirë në gjithë Shqipërinë. E dyta: sepse flitej për rrëzimin e statujës së Enverit dhe më kryesorja tensionet politike pas formimit të PD kishin arritur acarime të mëdha me PPSH dhe  grupet vullnetare të mbrojtjes së figurës së Enver Hoxhës.  E mbaj mend si sot, pasi ishte ditë e veçantë  dhe  unë kam qenë me gazetaren Amalia Dhamo ku drejtori e TVSH na kishte caktuar  të shkonim te Komuniteti Mysliman pasi për herë të parë pas rënies së diktaturës po krijohej Komuniteti Mysliman. Pikërisht atë ditë Amalia dhe unë ishim caktuar  për të filmuar dhe shoqëruar kryetarin e opozitës, Sali Berishën. Në Pallatin e Kulturës ku do zhvillohej takimi  shkuam rreth orës 9 -30 në mëngjes dhe  bëmë kronikën e zakonshme. Dihet se në atë kohë punohej me film dhe montimi kishte tjetër  procedurë: Pra pasi bëhej aktiviteti, çohej në laborator, lahej, pritej, montohej dhe më pas materiali çohej në transmetim. Sa mbaruam aktivitetin duke pasur parasysh këto këkresa  Amalia mori materialin dhe shkoi në TVSH, ndërsa unë i thashë se do rri kç‰tu pasi si kemi dëgjuar do ketë zhvillime. Kur mbaruam me Amalinë ishte ora 10:00 dhe unë rrija tek kafeneja e Pallatit të Kulturës deri në orë14:00: kur filloi të zhvillohej  ngjarja. Ishte situatë e vç‰shtirë sidomos për ne që ishim të vetmit operatorë pasi ishim i vetmi televizion në Shqipëri. Pra ngjarjet regjistroheshin vetëm nga ne.

Pra, deri në orën 13:30 vende-vende kishte grupime njerëzish, që rrinin rreth përmendores,  ndërsa fluksi i madh i njerëzve mbërriti në orën dy. Pas kësaj ore njerëzit filluan të vinin nga të gjitha anët kryesisht nga rruga “Bajram Curri”, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga rruga e “Kavajës”, nga rruga e Durrësit, pra të gjitha kryqëzimet që vijnë dhe bashkohen te qendra e Tiranës. Shikoja se si vinin dhe habitesha për organizimin pasi dukej se vinin si me komandë. Pra një demonstratë e mirëorganizuar. Më thënë të drejtën  pozicionimi im te Pallati i Kulturës, më jepte shansin që unë të kontrolloja të gjitha kryqëzimet e Tiranës që mblidhen te qendra ndaj dhe habitesha. Në ora 14: 00 në shesh mund  të ishin 100 mijë veta. Fillova xhirimin. Djersët më vinin dhe më iknin. Moment shumë i vç‰shtira. Përmendorja mbrohej. Por nga ora 14-40 turma u nis drejt Enverit. Një turmë e papërmbajtëshme.  Dhe them se i kishte ardhur fundi asaj historie, asaj kohe. Ishte një sistem totalisht i dështuar. Situata e rënduar ekonomike i detyroi njerëzit ta përmbysnin atë sistem. Ngarkesat e çdo familje, çdo qytetari, çdo shqiptari shkonin deri aty sa thoshin se ai sistem duhej përmbysur. Ky është kontribut i popullit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Pa frikë them sot se, në shesh atë ditë mund të ishin 100 mijë veta. Por isha dhe vetë në situatë të vç‰shtirë. Shumë njerëz afër më shihnin me dyshim. Më shihnin me urrejtje. Me të drejtë se mendonin se i shërbenim vetëm sistemit monist, sikur nuk ishim pjesë e tyre.  E them mes ankthit, se që në momentin e parë që jam pozicionuar për regjistrim dhe deri në momnetin që kam shkuar në TVSH dhe më vonë në shtëpi, mua më është dashur të përballem me turma dhe njerëz të ndryshëm. Prej tyre shumë ishin  ekstremistë. Disa me ironi thoshin ja erdhi ky i TVSH, erdhën këta komunistët e TVSH, t’ia thyejmë aparatin. Më është dashur natyrisht të integrohem shumë mirë me ta, duhet të tregoja shumë kujdes në mënyrë që të më jepnin mundësinë të regjistroja atë për të cilën isha nisur. Kur ju hodh litari në qafë përmendores të gjithë shpërthyen në urrraaaa. Pastaj momenti i rrëzimit. Ç’të shikoje! Sa ra statuja filluan t’i bien me çfarë të kishin. Pastaj e ndanë trupin nga koka. Turma ishte e irrituar. Nuk përmbaheshin. Shfrynin mllefe. Pasi mundën ta copëtonin sa mundën trupin e statujës filluan të tërheqin zvarrë me një kamion drejt Qytetit Studenti. Ishin momente frike, pasigurie, ankthi, mëdyshjeje. Situata kishte dalë jashtë kontrollit. Kur turma po largohej nga sheshi u nisa në TVSH. Drejtor ishte Virgjil Kule. I tregova situatën dhe filmimet.  Në zyrën  e tij kishte disa gazetarë. Dhe ai dukej në dilemë, por vendosi ta transmetojë. Nga Byroja Politike filluan presionet. I pari  Adil Çarçani na quajti tradhëtarë.  Atë periudhë Adil Çarçani dhe Ramiz Alia kanë qenë dy krerët më të lartë, dhe presioni ka ardhur nga ata. Disa minuta para se të fillonte të dilte sigla e TVSH, është marrë vendimi për transmetim. Një situatë e rënduar. Askush nuk e dinte çdo ndodhte më pas kur dihej se ne kishim familje. Fati ynë, i familjes, i shokëve, nuk dihej. Rriskimi ka qenë shumë i madh pasi nuk pranohej realiteti. Në orën gjashtë pa pesë është vendosur kronika. Pra në lajmet e para të mbrëmjes dhe më vonë në Emisionin Qëndror të lajmeve.  Sigurisht frika ka qenë e madhe, sepse ne nuk kishim as numër të madh njerëzish rreth vetes  dhe dera qëndronte e hapur, që do të thotë se ne ishim në dorë të Zotit. Për këtë situatë të vç‰shtirë mund të përmend Gazmir Shtinon, Fiqiri Sejdian, Bujar Koren, Amalia Dhamon, Virgjil Kulen, etj. TVSH ishte e detyruar që çfarë ndodhte në Shqipëri, ta pasqyronte për shkak të detyrave që kishin marrë. Por nuk ishte e thjeshtë. 20 shkurti ka qenë pika më kulminante ku mund të them pa frikë se ishte një ditë shumë kaotike, një situatë tepër e rënduar. Aty rrezikohej jeta, gjithçka. Ajo ditë mbetet dita më e paharruar në RVSH. Një ditë makthi sa edhe më pas pati pasoja. Kur shkova në shtëpi isha tjetërsuar. Të nesërmen na prisnin të papritura të tjera.

*****

Virgjil Kule ish-drejtori i RVSH; Si e dhashë urdhrin për transmetimin e rënies së monumentit….

-Instinkti profesional më dominoi plotësisht dhe dhashë menjëherë urdhër për transmetim që në edicionin më të parë të lajmeve që ishte në orën 18.00. Nuk isha naiv, i dija rreziqet, por ky mendim më bëri edhe më të vendosur akoma.  Dhe vërtet. Nuk kaluan as 20 minuta nga mbarimi i transmetimit dhe dy strategji u vunë në veprim. Strategjia e një pale, që mendonte ende se regjimi do të zgjaste (në fakt, ai e shtyu edhe ca kohë), ishte të më kritikonin e kërcënonin rëndë si “heretik”, ndërsa i palës tjetër, që e ndjente fundin iminent të regjimit dhe mendonte të mbante vendin e punës, ishte të rrëmbente “meritën” duke vrapuar para militantëve opozitarë të kohës për të treguar atje me këmbë e me duar “heroizmin”  e tyre në dhënien e kësaj kronike dhe bile duke sajuar edhe skena dramatike për t’u bërë të besueshëm.  Dhe midis tyre kampionin e mbanin ndonjë a dy që atë paradite kishin dalë në terren dhe ishin kthyer duarbosh, pjesërisht nga frika dhe pjesërisht nga taktika, që kishin ndjekur tërë jetën e tyre duke i bishtnuar përgjegjësisë, (sepse, po të kishe filmuar rënien e monumentit, duhej të mbaje edhe përgjegjësinë se ç’do ndodhte më tutje me materialin tënd. Dhe dihet, që jo të gjithë kanë këllqe për të përballuar situata të tilla kaq vendimtare…).

***

–  Operatori Bujar Kore: Askush nuk e besonte se sistemi do të binte

-Si e kujton ditën e rrëzimit të përmendores?

Data 20 shkurt 1991 më sjell në kujtesë ditën kur në Tiranë, mijëra qytetarë të revoltuar dhe të indinjuar nga sistemi diktatorial, përmbysën monumentin e Enver Hoxhës. Atë ditë që në mëngjes na thirri në drejtori Virgjil Kule dha na tha se ne, katër operatorë, Engjëll Strazimiri, Besnik Shima Gaspër Shllaku dhe unë, do të vendoseshim në katër pika të ndryshme të sheshit, të cilat ishin të përcaktuara, ku do të regjistronim atë që do të ndodhte, sepse atë ditë mendohej se do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës. Si duket drejtoria kishte informata të sakta. Ata dinin afërsisht dhe orën. Me sa duket një gjë e tillë ishte e parapërgatitur. Shefat tanë mund të dinin më shumë, por ne na u tha kaq. Aspak. Atëherë ishte rregull: merrje detyrën dhe shkoje. Nuk bëheshin komente të tepërta. Pasi morëm detyrën dhe urdhrat ne u nisëm dhe zbatuam me përpikëri atë çka na u tha. Mua më kishin caktuar poshtë monumentit të Skënderbeut. Aty do të rrinim për orë të tëra dhe të transmetonim zhvillimet, që do bëheshin në sheshin “Skënderbej”. Pasi kishim zënë vendet na erdhën përforcime pasi grupit tonë iu shtua dhe një tjetër operator Fatmir Çepani, i cili ishte në katin e tretë të Pallatit të Kulturës ku kishte shkuar së bashku me gazetaren Amalia Dhamo për të regjistruar një intervistë. Pallati i Kulturës ishte pika më nevralgjike. Aty sheshi dukej si në pëllëmbë të dorës. Pra nëse ka regjistrime të sakta dhe sot për rrëzimin e monumentit ka nga ajo pikë.

-Po ju tek monumenti “Skënderbeu” çfarë detyre kishit?

Ne filmonim apo xhironim të gjitha lëvizjet e masës së njerëzve, por nuk filmonim dot rrëzimin e monumentit, pasi nuk kishim pozicion të favorshëm. Mbaj mend se ne filmuam lëkundjet e monumentit, por në vendin ku isha më fluturonin gurë nga të gjitha anët, plus dhe të shtënat me armë nga ana e policisë dhe nuk arrija ta stabilizoja dot kamerën. Përveç këtyre edhe presioni i njerëzve që më shtynin ngado nuk më lejonin të kryeja detyrën. Kishte shumë njerëz. Turma ishte e papërmbajtshme dhe nuk pyeste për ne se ishim në detyrë. Shumë na shikonin dhe me dyshim. Ashtu ishte situata. Tepër e ndezur, e tensionuar. Pasi u rrëzua monumenti turma filloi të zhvendosej me kamionin, që tërhiqte monumentin. Pas këtij momenti qëndrimi në shesh ishte i vështirë dhe pa asnjë interes. Disa minuta pasi u rrëzua monumenti me kamerën u ktheva me shpejtësi në TVSH. Në korridor u mblodhën 7-8 veta, Virgjil Kule, që ishte dhe drejtori i televizionit, Alfons Gurashi, Amalia Dhamo, Timo Luto, Fiqiri Sejdia dhe po diskutonim, nëse duheshin transmetuar pamjet, apo s’duhej bërë një gjë e tillë. Atëherë Virgjil Kule na tha: “Po shkoj të bisedoj me Ramiz Alinë”. Pasi nuk u lidh dot me telefon me Ramizin, ai erdhi të merrte edhe një herë mendimin tonë në duhej transmetuar pamjet në ato kushte. Ne të gjithë ishim dakord që pamjet të bëheshin të njohura për popullin. Atëherë ai vendosi për transmetimin e pamjeve ku shihej monumenti i Enver Hoxhë, që rrëzohej dhe urdhëroi Alfons Gurashin që të përgatiste kronikën. Kjo kronikë pati shumë jehonë, sepse për herë të parë edhe TVSH transmetonte një kronikë, që cilësohej kundër regjimit, ku binte kulti i drejtuesit komunist. Vërtet ishte një situatë e vështirë. Edhe transmetimi ishte një ndërmarrje shumë e vështirë. Atë kohë ikje në dreq për asgjë. Sistemi ishte ende i fortë. Ishin muajt e parë 1991 dhe ende nuk besoj se sistemi do të binte. Mendohej se ishte një acarim i çastit dhe aq. Por pas këtij momenti situata do të tensionohej më keq. Pasi erdhën ngjarjet e Qytetit Studenti. Këto ngjarje zgjatën shumë dhe sollën kaos në Tiranë.

**

Shaban Hadëri , skulptor, autor i monumentit: Monumenti i Enver Hoxhës 8 ton bronx special

Shaban Hadëri gjatë një interviste që më ka dhënë në vitin 2004 për gazetën “Telegraf” ka rrëfyer: “U bë një konkurs kombëtar. Morën pjesë rreth 140 piktorë dhe skulptorë. Ishte një konkurs, ku çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Një konkurs që zgjati kohë. Ishte një impenjim i madh. Në fund fitova unë dhe piktori Vilson Kilica. Pra bashkuam idetë, mendimet. Ndërsa për punimet u bëmë një grup i tërë. Punë në grup. Të gjithë punonin me përkushtim. Nuk luhej dot në atë kohë me figurën e Enver Hoxhës. Pyesnim pafundësisht njeri-tjetrin për çdo gjë të vogël. Derdhja e bustit të Enver Hoxhës u bë në Tiranë, por bronxi u ble në Itali. Pra kanë qarkulluar shumë zëra se derdhja është bërë në Itali. Jo. Aspak. Unë shkova vetë posaçërisht në Itali për të blerë bronxin, pasi duhej i cilësisë më të mirë. Shkova në disa vende dhe së fundi blemë 8 ton bronx të cilësisë më të mirë. Pikërisht në Romë shkova në disa uzina prodhimi. Pastaj derdhjen e bëmë në Tiranë. Lartësia e bustit ishte parashikuar 7 metër. Ishte një punë kolosale. Pra lartësia pa bazamentin ishte 7 metër. Bazamenti ishte një tjetër punë e vështirë. Duhej përshtatur sipas idesë së portretit dhe vendit ku do të vendosej. Nuk numërohen skicë-idetë edhe për këtë rast”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube