HËNA PLOT PESËMBËDHJETË
Shkau mesnata, hëna pesëmbëdhjetë
Edhe hijet e natës i spërkat me flori.
Sofatet e drunjta s’kanë mbetur shkretë,
Bijen kitara dhe këndojnë ca të rinj.
Trishtuar ri plaku. I ve ai ka mbetur,
Duart pleksur mbi harkun e bastunit.
Vështrimin pleqëror në qiell e ka tretur,
Për hatër të hënës, ka shtyrë orarin e gjumit.
Rrezaton florihëna dhe kthjellon sytë e tij,
Mbi kulmin e catisë sonte ka qëndruar,
Soditmë, sikur i thotë, nga larg për ty po vij,
Dikur ke qënë capkën, o plak i vetmuar!
Nënqesh pleqërishte dhe zemra i troket shpresë,
Sa vite, muaj, a ditë, i kanë mbetur akoma?
Nën hënë ka lindur dhe hënë do kur të vdesë,
“ Si sonte, o Zot, -psherëtin- mos harro, dërgoma!...”
Florizon hëna mbi harkun e bastunit,
Yll’i Mëngjesit u tret në sytë e tij të mekur.
E plotë, pesëmbëdhjetë, kjo ishte hën’e fundit,
Ndërsa kitarat tingëllonin me telat e dredhur...