Show Posts

This section allows you to view all posts made by this member. Note that you can only see posts made in areas you currently have access to.


Messages - merbraha

Pages: 1 [2] 3
16
Nje pyetje jo e zakonshme ardhur ne redaksine tone shume keqe ardhse por shume intersante.

Nese merrni vesh se ju do te vdisni papritur dhe keni ndoshta vetem ca muaj qe do jetoni cfare do beshi ne kete raste dhe me e keqja nese nuk jeni te pasur.

Ju lutem  jepni mendimin tuaj ndoshta do ndimoni.

17
Per te botuar nje artikull qe keni dhe deshironi ta publikoni ne faqen tone vete, ju duhe te ndiqni kete proqedure te vogel.

1) Ju duehet te regjistroheni dhe te beheni antare tek www.merbraha.com



Per tu regjistruar klikoni ne linkun siper ne fillim te faqes me emrin regjister siq e shikoni ne fuguren e meposhtme.



 

Ne formen e meposhtme veni detajet tuaja nevoiten per antarezimin tuaj ne faqen tone. Dhe ne fund klikoni dergo ose (Submit) . Pas keti klikimi nje email do te dergohet ne adresen tuaj te emailit, ju duhet te hapni emailin tuaj dhe te shikoni emailin qe kemi derguar per ju, aty duhet te jete linku i cili ju duhet te klikoni per te vertetuar se adresa juaj e emilit eshte e vertete dhe ju jeni personi qe e kontrolloni kjo eshte per arsye sigurie.                                       



Pasi te klikoni ne kete link kjo do te thote se tashme ju jeni antarezuar tek www.merbraha.com dhe ju mundeni te shkoni tek faqja dhe te aktivizoheni. Ju lutem vendosni emrin dhe fjalekalimin ne kete form dhe klikoni hyr ose (Log in) per tu aktivizuar. Shikoni figuren e meposhtme.



Pas aktivizimit te www.merbraha.com ju keni ca me shume te drejta se nje vizitore i zakonshem dhe ktu vime tek arsyea e ketije artikulli dome thene ju munde te botoni atikujte tuaj vete tek merbraha. Ne fuguren e meposhtme jane dy vendet qe ju duhet te klikoni per te shkuar ne faqen e botimit te artikujve 1) ne barnerin Botoni shkrimet tel merbraha dhe 2) ne funde ta faqes ne linkun botoni shkrimet tuaja.



Pasi te klikoni ne njeren nga kta dy opsione siq i shikoni ne fuguren e mesiperme do te hapet faqja e cila ju lejon ju te botoni shkrimet tuaja vete.

Ju lutem shikoni figuren e meposhtme se si te veproni.

1) Vendosni Titullin e shkrimit
2) Vendosni pak detaje rreth shkrimit ose lereni bosh
3) Vendosni foton qe deshironi te botohet me shkrimin,nese keni me shume se nje photo Ju lutem dergoni fotot tek emaili mario@merbraha.com ose mario__b@hotmail.com Me titullin e shkrimit dhe renditjen e fotove nese deshironi qe ato to shfaqen ne menyren qe deshironi.
4)Shkruani diqka per foton pershembull Emrin,Mbiemrin etj.
5)Vendosni shkrimin e plote.
6)Klikoni ne dergo nje here, Ju lutem keni Kujdes pas klikimit ju duhet te mbyllni driteren dhe te vashdoni procesin e botimit dhe nje here per nje artikull tjeter ose ndryshoni qdo gje shembull Titull,foto,shkrim, dhe kliko ne dergo perseri Kjo gje dergon artikullin tjeter.
7)Shkrimi eshte botuar por nuk shfaqet menjehere ju mos u merzisni nje nga administratoret e faqes ton e eshte duke kontrolluar shkrimin dhe do te botohet sa me shpejte ju lutem keni durim nga nje here ndodh qe ky procese zgjate deri ne 3 dite. Por shumicen e rasteve artikulli duhete te shfaqet diten tjeter.


 Shpresoje qe ky artikull te ju ndimoje nje qike per ata qe kane pake probleme me ket, por ju lutem gjithmone nese nuk deshironi te ndiqni kete menyre ju munde dergoni shkrimet dhe matrialet tuaja tek emaili mario@merbraha.com ose mario__b@hotmail.com ose nepermjete formes Kontakt ne faqen tone. www.merbraha.com eshte gjithmone e gatshme te degjoje mendimet,sugjerimet,kerkesat,ankesat,idete qofshine ata te vogla a po te medha keshtu qe ju lutem mos hesitoni te na kontaktoni qofte ajo per nje pershendetje apo per bisnes nuk ka rendesi.

Shkruar nga Meriman Braha                                                                                     @www.merbraha.com


18
Si te gjeni ip adresen e faqes tuaj ne internet duke perdorur programin ping.

 Ping eshte nje program basic ne internet i cili te lejon te te gjesh ose te verifikosh nje ip adrese nese egziston the nese pranon thirrjet e jashtme.Gjithashtu ping te lejon te gjesh numrin do te thote  ip adresen e nje faqeje inteneti ose siq quhet nje domain name me numra shembull 10.192.1.0 eshte ip adrese.

Per te gjetur ip adresen e nje faqeje interneti ose faqes tuaj duhet te ndiqni ket menyre.

Hapeni kompjuterin dhe klikoni Start pastaj tek search siper starte shkruani fjalen pa klappat (run) siq e shikoni ne figuren me poshte.

Fjala Run do dali siper ne dritaren e vogel siq e shikoni ne figuren poshte, klikoni ne run.



Pasi te klikoni run nje dritare e vogel hapen siq e shikoni ne figuren me poshte.

Qe te hapni programin command prompt, shkruani ne boxin qe shikoni me poshte cmd (ose command, nese deshironi). dhe klikoni OK.



 Tek kjo dritarja tjeter ku eshte  prompt, shkruani fjalen ping pastaj faqen e internetit qe deshironi te gjeni ip adresen dhe klikoni ok (enter).
Ky eshte nje shembull, pershembull kjo faqe interneti eshte ne perdorim.



Ip adresa juaj do te shfaqet me poshte, siq e shikoni ne figuren me poshte.

 

 

Shpresoj kjo tju ndimoje nje qike

Shkruar nga Meriman Braha

@www.mebraha.com
   
 

19
Letersia Shqiptare / REAGIM!!!!!!!!!! nga nje patriot‏
« on: September 23, 2008, 05:03:15 PM »
te bashkuar ne te jemi
te gjithe nje gjuhe te kemi
se atje ne manastire
eshte bere gjeja me e mire
 
...
ndaj burra mendoni mire
mos shkelni historine
se do ta paguani shtrenjte
kur te shtohen gjarperinjte
 
ata sot rrin te drobitur
si atehere ne Troje
persa kohe qe Leokonti
ishte ne kembe e luftoj
 
e me pas e dine te gjithe
sec fund troja pati
greket dhe muret rrafshuan
per te fshehur mizorit
per te mos patur rivale
e si fam e si mit
 
por ja qe homeri i madh
me ate gjuhen e tij
neper mijra vjet percjell
se cfare bene gjarperinjte
 
ndaj vellezer nga historia
duhet te nxjerrim mesim
mos ta leme qe tradhetia
te na helmojsi gjarperinjte
 
ne do jemi te bashkuar
dhe pse me shume flamuj
prape do jemi shqipetare
 
NENES do ti thuhet NENE
e sdo mbetet vende bosh
per ti thene NENES ,matic
 
h.d


rovipepi@hotmail.it
www.albanesitalia.blogspot.com
 


20
Ardit te lutem posto e shume trgo cfare netwoku po nderton whirles me kabulla cfare ruter po perdore dhe cfare marke the modeli. Cila eshte ruter ip adresse.

 Ardit po te jape nje pergjigje te shkrter nese ruteri jote ka ket IP me poshte.
ruter ip 192.168.0.1   
ate here ip addrses vazhdojn per ket network nga 192.168.0.2
dh mbarojne 192.168.0.254

dmth mundesh te perdoresh cfare do lloje IP per computer printer etj por duhet te jete mes kesaj renge.

21
Kam nje lidhje interneti me adsl si te konfiguroj ip dhe te ndaj printerin ne rjet.cfare nr ip ti vendos. faliminderit pres pergjigjen tuaj.

22
Artikuj te ndryshem / Exklusive:Elbasani qyteti im I zemres
« on: July 02, 2008, 04:47:28 PM »
 Elbasani qyteti im I zemres



 
Para se me filluar te shkruaj dicka per qytetin tim. Dua te falenderer zemersisht djalin e ketij website kaq te bukur Merbraha.com, qe na dha mundesine te shprehim c’do deshir dhe pasjon qe ndjejme ne shpirtrat tona Faleminderit.

Kam lindur ne vitin 1982. Ne nje qytet te bukur qe quhet Elbasan.

Jam larguar ne moshen 16 vjecare ne drejtim te nje jete me te mire.

Por thelle ne shpirt me mungonte shume, mbushesha plot nostalgji dhe mall kur e kujtoja.       

                                     


Kam kaluar vitet me te bukura te jetes time. Kujtoj c’do dite shetitjen dhe hapat qe hidhja ne tortuarin e qytetit tim.

Xhirot e mbazditeve ne parkun Rinia dhe sheshi Kostandin Kristoforidhi.

Elbasani i bukur Elbasan sic eshte dhe fjala e urte popullore.
 

Elbasani eshte nje qytet plot jete dhe gjalleri qe I mungon c’do kujt qe e ka vizituar kete qytet te bukur, dhe zbehet fjale per ata njerez qe kan linduar, jetuar dhe kan kaluar te mirat dhe te keqiat ne jeten e ture.

Elbasani akoma e mban traditen shqiptare. Artizanatet e vjetra gjenden ne c’do shtepi te qytetit.

Qyteti Elbasanit eshte nje qytet me vlera kulturore artistike, sot dhe kesaj dite i mbrojn traditat si p.sh ne mes te qytetit ndodhet monumenti I Aqif Pash Elbasani. Gjithashtu ndodhet nje kala shume vjecare me nje legjende te trasheguar brez pas brezi.


 Ku sipas historianeve te vjeter thuhet qe ajo kala ka nje kuptim ku njesitet guerile gjate luftes se dyte boterore luftonin kunder fashizmit Italian dhe Nazistet Gjerman. Kalaja ishte e ndertuar ne menyre te tille qe te kishin mundesin te mbroheshin nga armiqte, gjithashtu edhe ti vezhgonin levizjet e armikut.

Elbasani gjithashtu ka nje grup Folklorik qe eshte I pasur me kenge dhe valle mahnitese ku kercehen dhe kendohen me mjeshteri edhe nga brezat e sotem.Edhe dicka e vecante gjendet tek ky qytet!


Tradita e gatimit qe pothuajse eshte ne c’do shtepi e pranishme.


 Tava e kosit, pace, mish jani, cymlek me qepe, zarzavate te mbushura dhe fergese me melci qingji ne tave dheu.

Edhe dicka eshte me se tradicionale ne qytetin tim jane Bollokumet. I gatuajme me kenaqesi me ardhjen e dites se veres. Ku vijne nga te gjithe rrethet e shqiperise per te shijuar kenaqesin dhe aromen e Bollokumeve.


Nuk di se c’te them, jam shume e emocjonuar dhe shume e lumtur qe kam lindur ne nje qytet kaq te bukur si Elbasani. Kurre zdo te resht se shkruari per qytetin tim te lashte.

Me respekt dhe plot dashuri per te gjithe ju qe do ta lexoni dhe do te mesoni dicka nga vlerat e qytetit tim Elbasani.










                 


   
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Editore per Merbraha.com   S.Hoxha                                 @www.merbraha.com

23
Big Brother Albania / Sherri midis Mardioles dhe Ildes
« on: April 18, 2008, 06:29:56 PM »
Shkruan Flora per @www.merbraha.com



Kjo grindje midis Mardioles dhe Ildes filloj krejt papritur ne kohen kur po hanin dreke.Mardiola kishte bere sallaten per te gjithe banoret e tjere, por Mardiola e pa durushme si nje shtatanike filloi te hante mbi tasin e sallates. Ilda pa te keq i thote mos ha siper ne nuk hame jarget tua. Mardioles nuk i pelqyen fjalet qe tha Ilda dhe ja ktheu si krejt pa menduar dhe shume agresive.... Une do ha mbi tas!!!! Po dhe ti do hash jarget e mija.Dhe keshtu filluan te ziheshin me fjale nga me te rendat dhe shume ofenduese, qe kush do u ofendonte. Te thuhen ato fjale nga nje femer eshte dicka jo normale, Por me e keqja ishte se nuk e lane me aq, por filluan me grushta dhe goditje me sende te renda.E gjitha kjo ishte shume e rende sidomos per nje femer te martuar qe e mbante veten me shume edukate.

Ne kete mes do ishin te goditur Besa dhe Arbreri nga pa maturia e tyre, duke hedhur pjatat dhe cfare ndodhej ne tavolin, dhe pastaj u sulen te gjithe banoret qe ti ndanin dhe te evitonin dicka me te rende se kjo qe ndodhi. Dhe te them te drejten mua si person nuk me kane pelqyer as njera dhe as tjetra qe ate nate qe u futen brenda,sepse filluan ti ngaterronin banoret brenda. Por me erdhi shume mire qe Big Brother mori ate vendim per te dyja, dhe i largoj perfundimish nga shtepia,por dicka eshte shume e rendesishme qe banoret e tjere ju kthyen normalitatit dhe qetesis qe kishin. Por me vjen shume keq qe Ina u largua nga shtepia se ra Ilda qe u ishte futer ne mes Ines dhe Polit dhe Ina shpertheu duke shprehur xjelozin qe kishta.



24
Pyetje rreth merbraha.com / Re: MERBRAHA???
« on: March 30, 2008, 11:10:24 AM »
Lucy pershendetje websita eshte hapur qe ne vitin 2005 ishte shume e vogel atehere por po riitet cdo dite me ndimen tuaj dhe shume te tjereve.

Une quhem Meriman Braha Jame me origjine nga Kukesi familja ime jeton ne tirane por vete jetoj ne Londer  dhe emri  i websites  rrjedh nga emri im, ishte thjeshte nje ide qe nisi si gje e vogel por u be e madhe dhe realitet.

25
Adem Jashari - më 28 nëntor 1955 u lind në Prekaz të Drenicës

Këtë vit, Shaban Jasharit, krahas Festës së Flamurit, që e festonte për çdo mot, ju shtua edhe një festë tjetër - Ditëlindja e djalit të cilin e pagëzoi: Adem. Dhe ishte e natyrshme që mbi djepin e t´posalindurit në këtë ditë, Djepi të mbulohej me flamurin e Skënderbeut.
Kështu ndodhi atë ditë në familjen Jashari, në Prekazin e Ahmet Delisë. Familjes se xha Shabanit iu shtua edhe një pushkë, në Drenicë jehuan krismat e pushkëve për flamur dhe ushtarin e posalindur të lirisë.
Xha Shabanit ju duk se jehona e pushkëve që u zbrazën për lindjen e Adem Jasharit po shpërndahej valë - valë nëpër Drenicë e Kosovë si jehona "Oooo o o prite, prite Azem Galicën o heeejjj", e atij sikur ju duk se po ndëgjonte jehonën: "Prite, prite Adem Jasharin o heeejjj". S´do të ishte çudi që atë ditë, xha Shabani t´i kishte ndëgjuar të dy jehonat, se atë ditë e kaluara po e përcaktonte të ardhmen, ishin bërë një.
Atë ditë, Flamuri - Lindja - krisma - jehona ishin determinim i një lavdije të madhe. Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij se ky u lind në ditën e fitorevë më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Kështu nisi jeta në vazhdimësi në Prekazin e lavdive të përsëritshme. Në festë me krisma e këngë edhe vdekjen e bëjnë me krisma e këngë.
Xha Shabani ishte i kujdesshëm me të gjithë fëmijtë, por ndaj Ademit tregonte një kujdes të veçantë, ndoshta pse i kujtohej dita e lindjes, i kujtoheshin krismat e pushkës dhe jehonat e përsëritura të atyre krismave në 28 Nëntorin e vitit 1955.
Xha Shabani pas Luftës së Dytë Botërore, për një kohë pati ushtruar profesionin e mësuesit, por për shkak të veprimtarisë atdhetare ai do të largohet nga procesi mësimor dhe do merrej me bujqësi.  Ai pa ndonjë ngurri vendosi të merrej me punimin e tokës dhe edukimin e fëmijëve në frymën e atdhetarizmes. Kështu po rritej Ademi së bashku me vëllezërit më të mëdhenj, Rifatin dhe Hamzën.
Ademi kishte një interesim të veçantë për armët, për të bëmat e prekaziotëve gjatë historisë e sidomos i interesonte akti tepër burrëror i Ahmet Delisë dhe ndihma që ai i pati dhënë fqiut, që ishte sulmuar nga bandat serbe.
Sopata e Ahmet Delisë, ajo që bandës çetnike i ndau kokat në dysh, ishtë bërë legjendë, legjendë e historisë në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit kombëtar.
Adem Jashari kishte një interesim të veçantë për Emin Latin, prekaziotin bashkëluftëtar të Azem e Shotë Galicës, të atij brezi trimash, që në gjithë shqiptarinë njiheshin për të burrëri e trimëri. Ndonëse ky brez i trimave me nam të lirisë, Kosovës nuk i sollen çlirimin e bashkimin kombëtar, por brezave ju lan amanet: pushkët trimërore të lirisë.
Ky amanet përcillej nga brezi në brez, nga luftëtari ke luftëtari me porosi, që të përcillej si stafetë deri në fitoren mbi armikun e kombit. Prekazi në mënyrën më besnike e përcolli amanetin e luftëtarëve të lirisë, jo vetëm duke e mbajtur syrin në shënjestër, por duke përcjell jehonën e pushkëve të lirisë nga Prekazi në Drenicë e në Kosovë, jehonë që i mbulonte të gjitha tokat e pushtuara të Shqipërisë.
A nuk e tregoi këtë edhe Kulla e Shasivar Alisë, në dimrin e ftohtë të vitit 1945?
A nuk u përsërit kjo nga pasardhësi i Emin Latit me 13 maj 1981, kur Tahir Meha mbuloi me turp njësinë speciale të policisë beogradase, duke i shkaktuar humbje të mëdha edhe në njerëz edhe në teknikë luftarake agresorit, që kishte aktivizuar për shuarjen e celulave kryengritëse.
Të gjitha këto dhe shumë të tjera që s'u përmendën, lanë gjurmë të thella në edukimin atdhetar të Adem e Hamëz Jasharit dhe çetës së tij trime. Adem dhe Hamez Jashari do të betohen para varrit të Tahir Mehës, se do të vazhdojnë luftën për çlirim deri në fitore. Dhe, ecen guximshëm rrugës së luftëtarëve kombëtarë, duke ngritur si në aspektin organizativ, njashtu edhe duke rritur numerikisht, numrin në rradhët luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, duke ngritur efikasitetin e luftës çlirimtare, me çka ndryshuan rrjedhat e historisë dhe hapen një epokë të re - Epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shëndrruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajten të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim të fortë patriotik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqen politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori mundet edhe të ndodhin ngjarje të rastsishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re.
Adem Jashari nuk shkoi rastësisht në Shqipëri për të përsosur artin e luftës, të cilin e përvetësonte me shpejtësi të rrufeshme, dallohej nga i gjithë brezi i tij. Në përgatitjet ushtarake tregoi aftësi dhe cilësi të larta në përvetësimin e artit të përdorimit të armeve të ndryshme për luftën çlirimtare. Adem Jashari, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90, i shihte me optimizëm, prandaj  me vendosmëri e sinçeritet të lartë nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare.
Adem Jashari dhe çeta e tij nuk ishin nisur në rrugën e luftës për liri, për hirë të këtij apo atij lideri, pse ky apo ai i paskan sytë e zinj. Ata ishin nisur për çlirimin e Kosovës pa bërë llogari meskine, karieriste apo grabitëse. Ata e donin Kosovën e lirë e të pavarur. Ata ishin të liruar nga ideologjizmat, veç shqiptarizmës.
Adem Jashari dhe çeta e tij ndryshimet politike që ndodhen në vitet 90 i priti me optimizëm, besoj shumë, por nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të zhgënjehen se kasta e "re" e politikajve po bëhej pengesë e rrjedhave të reja të historisë, po ngulfaste shpirtin luftarak të shqiptarëve liridashës.
Kur në fund të vitit 1991, në Kosovë po bëheshin arrestime të të gjithë atyre që ishin përgatitur në Shqipëri, Adem Jashari do të njoftojë çetën e tij dhe të kërkojë nga ata, që të ishin vigjilent se çdo natë armiku mund t´iu trokaste në porta. Ai do t´iu thotë shokëve: "Armët nuk i kemi marrë që t´ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit". Më fjalën e komandantit u pajtuan të gjithë. Dhe, nuk vonoi dita kur armiku do të trokas në portën e Jasharëve.
Ishte mëngjesi i hershëm i 30 dhjetorit 1991, ku armiku me një makineri të tërë policore kishte rrethuar Jasharajt dhe kërkuan dorëzimin e Adem Jasharit dhe Jasharëve tjerë. Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim ju përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Ishte e çartë, çeta e Prekazit kishte vendosur epokën e luftës çlirimtare, ata mes jetës se burgut e të poshtërimit kishin zgjedhur jetën e lavdisë e të lirisë, me të gjitha pasojat që mund t´i kishte.
Vetëm të guximshmit nëpër kohë të ndryshme i kanë ndërruar rrjedhat e historisë, kështu ndodhi edhe me Adem Jasharin dhe çetën e tij. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t'u përhapur më vonë ne Llap e Dukagjin, në Drini e kudo në Kosovë.
 UÇK po bëhëj shpresë për popullin dhe tmerr për armikun, armikut po i rrëshqiste dheu nën këmbë, pasigurinë e shihte të çdo kaçube. Adem Jashari ishte kudo. Ai po bëhej legjendë. Ai ishte kudo ku sulmohej armiku, ai ishte në çdo cep të Kosovës. Vetëm frikacaket nuk mund t´i besonin trimërive e të bëmave të Adem Jasharit, ata nuk dëshironin ndeshjen me armikun dhe sa herë që çeta e tij sulmonte e vriste policinë kriminale të armikut do të thonin: "Këta janë dorë e zgjatur e armikut, janë të Sheshelit apo të Arkanit etj.", - dhe kjo nuk ishte diçka e re, dikush duhej të mbulonte kolaborimin me Beogradin, por paraprakisht duhej akuzohej tjetri.
Adem Jashari kishte shumë mundësi, ai kishte zgjedhur me ndërgjegje mundësinë e luftës së armatosur për liri e pavarësi, anipse ai i dinte mundësitë e veprimit luftarak të UÇK-së.
Pas luftës se 26 nëntorit 1997, në Llaushë të Re, ku mori pjesë Ademi me çetën e tij, nga e cila armiku u tërhoq me bisht nën këmbë, armiku do të bëjë plane për zhdukjen e Adem Jasharit. Kjo do të ndodhë me 22 janar 1997.
Një bandë kriminele kishte sulmuar familjen Jashari, me qëllim që të zhdukej kjo çerdhe e rrezikshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, falë gjakftohësisë e guximit të familjes dhe ndihmes që erdhi nga çeta, armiku u tërhoq pa arritur qëllimin. Ato ditë e tërë Kosova sikur ishte në Lagjen e Jasharëve. Nuk ishte e vështirë ta kuptoje mesazhin që kishte lënë armiku. Armiku ishte tërhequr i bindur se nuk kishte gjetur mënyren e eliminimit të Adem Jasharit dhe familjes Jashari.
Armiku dëshironte qoftë edhe largimin e Jasharajve nga trojet e tyre, por Jasharajt nuk i lëshonin trojet stërgjyshore. Ata as të vdekur nuk donin të shkuleshin nga vendi i tyre, për çka kishin nisur luftën. Adem Jashari dhe gjithë Jasharajt nuk e donin ikjen e poshtërimin, ata e dëshironin qëndresën, e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Armiku pas disfatës së 22 janarit kishte filluar përgatitjet për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesit e hershëm të 5 prillit 1998, pak ditë pasi policia armike kishte pasur një disfatë të Lisat Binak, në Likoshan. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë.
Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë. UÇK-ja aso kohe i kishte mundësitë e kufizuara të sulmit e të depërtimit. Adem Jashari dhe çeta e tij sulmit armik ju përgjigjen me sulm. Lufta që zhvilloi Adem Jashari me shokë që e madhe. Sulmi i armikut vinte nga larg. Pas një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi.
Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi, jo vdekja e Adem Jasharit nuk është vdekje është përjetësi. Lufta për Prekazin që e ashpër. Qëndresa ishte e madhe.
 Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e pavarësinë u hapen shtigje të reja.
Adem Jashari - legjendë, solli kualitet të ri në filozofinë dhe mendësinë e shqiptarëve për jetën, atdheun, lirinë për nderin dhe dinjitetin e kombit.
Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi hapësira të reja veprimi.
Komandanti Legjendar i UÇK-së Heroi Adem Jashari - me jetën, veprën dhe lavdinë e tij i dha kualitete dhe përmasa të reja 28 Nëntorit
- Festës sonë Kombëtare.

26
Artikuj te ndryshem / Tri netet qe tronditen Ledinen
« on: March 07, 2008, 06:36:19 PM »
C'ndodhi pas nates kur regjisori Pali Kuke i beri oferten per te prezantuar Festivalin e muzikes se lehte. Pse braktisi ne keto tri jave projektet e Parisit. Dhe jo vetem ato. Ledina Celo zberthen shpirtin e saj aventuresk Zefina Hasani

Ia ka prishur gjumin e nates ky festival. Edhe ritmin e diteve te saj te zakonshme, ia coroditi keq, aq sa ndonjehere eshte arratisur nga gjithcka, eshte mbyllur ne dhomen e saj ku dhe ka shfyre stresin ne nje denese te mbytur. Gjurmet e se ciles, me nje grim te lehte i ka zhdukur shpejt e shpejt. Per t'u nisur pastaj fluturimthi me makinen e saj te vogel drejt puneve te mbetura, a thua, se ne ato minutat e pakta te asaj "arratisjeje" te vogel, nuk kishte ndodhur asgje. Ledina Celo ka mesuar prej kohesh ta ndrydhe brenda vetes ankthin, pasigurine, dhe ne syte e tjereve te shfaqet gjithnje e qete, e gatshme per t'i hyre nje aventure te re. Kete shtirje, me se shumti e ka pervetesuar jashte kufijve te Shqiperise, qe nga kohet kur ishte rreth te 18-ve. Qe nga kohet kur u perball me boten tjeter, ku do te niste te shijonte ndryshimet, te cilat sa e kenaqnin aq edhe e trembnin. Duke qene se ishin gjithmone te tjeret ata qe ia ndillnin ndodhite, pasi ajo kurre nuk do e merrte dot nje vendim, Celo nuk ndihej rehat. E megjithate, asnjehere nuk refuzonte, asnjehere nuk hezitonte, asnjehere nuk jepej e tera ne ate qe ndjente. Friken, gjithmone e mbante per veten dhe miqte e saj te ngushte. Nje Ledine e tille, e dyjezuar, ishte ne kohet e Gjermanise, ku nisi turnete e saj te pare si kengetare. E tille ishte dhe dy vjet te shkuara ne jeten e saj angleze, drejt se ciles e terhoqi dashuria e saj e madhe. Dhe ku do te mberthehej prej aventures se saj me te kendshme, pas dites fatlume, kur nje fotograf anglez do e ndalonte para deres se studios se tij, per ta futur brenda objektivit te aparatit. Dhe Celo u shnderrua ne nje fotomodele ne duart e tij, pa i zbrasur kurre ne syte e te huajit emocionet qe ndjente. Fshehje kjo qe zgjati deri ne ikjen e saj prej Aglise. Pas se ciles do te udhetonte drejt nje tjeter ndodhie. Parisi, i ndjellur serish nga te tjeret, do i ofronte nje tjeter mundesi, komedine muzikore. Per te cilen pregatiti shtirjen e rradhes. Producentet franceze nuk e nuhaten aspak pasigurine e vajzes qe nuk njihte frengjishten e qe megjithate synoi konkursin "Star-Akademy". Ne ate gare nuk arriti te hyje, [prej gjuhes sigurisht] por fitoi prej zerit te mrekullueshem dhe sigurise se stisur, nje kontrate pune me JM Production. Prej puneve te nisura me kete agjensi, e kane shkeputur disa here ofertat e ardhura nga Shqiperia. E fundit ishte Zana Cela ajo qe do e terhiqte Celon ne Katedralen e Tiranes, per koncertin e Nene Terezes. Ne ate nate falenderimesh per shenjtoren do te ngjizej dhe aventura e re e Ledina Celos. Regjisori i koncertit, Pali Kuke, nuhati se kengetarja do te qendronte bukur ne skenen e festivalit, si prezantuese kete here, ne krah te Adi Krastes. Serish Celo nuk refuzoi. Pas leshimit te "Po"-se ua fshehu serish syve te regjisorit, ankthin dhe pasigurine. Dhe nuk u dorezua deri ne fund. Guxuat te ishit dhe prezantuese.... Po sepse me pelqen te ndryshoj. Dhe perderisa ndjej se jam nje vajze qe kam lindur ne skene, besoj se mund te bej gjithcka qe i perket kesaj skene, mbi te cilen deri me tani vetem kam kenduar. Mjafton qe te guxoj e te tentoj ne castin kur me ofrojne nje mundesi. E mendoni ndonjehere se guximi i tepert mund t'ju sjelle nje deshtim te padeshiruar? Sigurisht qe e mendoj ndaj tregohem e kujdeshme qe te pranoj vetem ofertat serioze qe me vijne nga njerez serioz. Pali Kuke kishte kohe qe me ngacmonte per nje rol te tille prezantimi ne Telebingo. Por nuk bindesha ndoshta pse doja dicka me te madhe. Te permasave te festivalit? Jo nuk e kisha kaq te konkretizuar ne mendje deshiren time. Thjesht mendoja, por nderkohe me dukej e larget dita. Por qe erdhi gjithsesi? Erdhi kaq shpejt!!! Nuk i kam ndjere fare ditet qe kane kaluar qe nga nata kur Kuke me beri propozimin. Pas koncertit ne Katedrale une ika serish nga Tirana sepse kisha te programuar nga agjensia JM Production disa koncerte ne Itali dhe Paris. Kisha nderkohe dhe okupumin me provat per komedine muzikore "Mari Malden" ku une kam nje rol te dyte e kushtezuar kjo perzgjedhje nga mangesite qe une kam ne gjuhe. Pra punet ishin te shumta por ne asnje dite te vetme une nuk arrita te perqendrohesha e tera ne to, sepse mendja me kishte mbetur ne Tirane, tek festivali. S'me kishte ndodhur asnjehere keshtu, sepse gjithmone, pas ikjes nga Tirana i harroj te gjitha c'ka me ndodhin ketu. Edhe ofertat i shenoj ne axhenden time, por jo ne mendjen time. Kjo do te thote se oferta per te bere prezantuesen e festivalit ishte me joshese se gjithe te tjerat? Ishte me shume se kaq, nje oferte qe me ngarkoi me pergjegjesi te medha pasi e pranova, qe me shkaktoi stresin me te madh deri ne castin kur gjerat u saktesuan mire, kur u binda se edhe pse prezantuese une do isha serish brenda kornizave te Ledines kengetare. Bisedat dhe puna e gjate me Kuken ma lehtesuan shume situaten. E vec tij me ka ndihmuar shume dhe Zerina Kuke me qetesine dhe keshillat e saj. Po me Krasten c'mardhenie krijuat? Prej kohesh eshte thene se ai kerkon t'i "mbyse" me shkelqimin e tij partneret. Ju trembi ju kjo? Jo, jo. Perkundrazi Adi ka treguar te kunderten e kesaj qe thuhet ne mardhenie me mua. Ndihma qe ai me ka dhene qofte dhe me prezencen e tij me ka vlejtur me shume se cdo gje tjeter qe ne diten e pare te mberritjes ne Tirane. Kur erdhet? Tri jave me pare duke perfituar nga pezullimi per pak kohe i projekteve me JM Production. Ishte shansi qe me ndihmoi. I cili s'ju ka munguar ne gjithe keto kohe, apo jo!? Eshte e vertete qe nga janari i 2003-shit fatin e mbare e kam ndjere shume prane vetes. Ika ne Paris e nxitur nga im vella per te ndjekur nje konkurs te madh ne te cilin nuk hyra dot por gjithsesi nuk u merzita sepse u njoha me pianistin Franck Delasy i cili me ofroi nje kontrate pune. Nisa te studioja seriozisht gjuhen dhe me pas nisa provat me orekstren e regjistorva dy kenge me JM Production. Me pas erdhi komedia-muzikore dhe koncertet neper vende te ndryshme qe me mbajne te levizje gjithe kohes. Edhe tani pas ketij festivali, direkt pas mbylljes se tij, pra me 21 dhjetor une do iki serish nga Tirana. Per Krishtlindjet do jem ne Bejrut bashke me nje bande franceze. E perballoni dot nje ritem te tille pune? Une jam nje natyre qe nese nuk i bej punet shpejt, nuk arrije t'i bej me dot kurre. Nese dicka zvarritet, me del jashte kontrollit. Perpiqem me te gjitha forcat ta perballoj kete lloj ritmi. Sigurisht qe pasoja ka, madje edhe te renda ndonjehere. Shpesh e humbas perqendrimin dhe ndjej nevojen e domosdoshme qe te shfyj diku stresin. Ku, pershembull? Tek dy njerezit e mi me te dashur. Tek prinderit. Ata jane te vetmit qe perballojne me qetesi nervozizmin tim. Qe mesa duket kete here ka arritur kulmin... Po, eshte e vertete. Erdha e lodhur nga Parisi dhe nisa menjehere me provat e festivalit. Ne castin e pare ku u gjenda me letrat e skenarit ne duar, karriget e salles edhe pse bosh me frikesuan shume. Sa me shume afronte dita e hapjes se festivalit aq me shume stresohesha, por pa rene kurre ne syte e te tjereve. Ne France kam mesuar se duke e lene akthin ne shtepi ndjehesh me mire ne skene. Cfare ju ka mesuar tjeter Franca? Te vleresoj me shume veten time. Ketu isha mesuar edhe me fyerjet edhe me abuzimet aq sa ndonjehere nuk besoja se mund te arrija dicka ndersa jashte kufijve me kane konsideruar qe ne castin qe kane njohur aftesite e mia. Dhe me vjen mire qe fati me ka ndihmuar ne karrierren time artistike. Po ne jeten private ka ndodhur e njejta gje? Te gjithe e dime se jeta ka luhatjet e saj. Nese ne jeten artistike arrin t'i parashikosh disi keto luhatje, ne ate private eshte disi me e veshtire. Gjithsesi une jam perpjekur t'i perballoj me qetesi, sa here fati ka qene me mua. Ne keto kohe po mundohem te ruaj dashurine time, te ciles nuk i jam perkushtuar edhe aq shume pse kam qene e angazhuar pas projekteve te Parisit te cilave do u kthem menjehere pas mbarimit te ketij festivali. E para mbetet kenga Osman Mula e paska pasur doren e mbare. Ishte pikerisht ai qe e zgjodhi Ledina Celon nga bangat e Liceut Artistik per duetin me Luan Zhegun. Atehere vajza studionte violinen dhe skenen e kishte shkelur vetem si top-modele ne spektaklin e Vera Grabockes. Me pas do i jepej e tera kenges duke e harruar fare violinen e duke e reflektuar pasionin per moden ne cdo shfaqje te saj skenike dhe ne hapjen e nje dyqani mode. Violinen e mori serish ne duar ne netet e festivalit, si per te kujtuar kohet, e si per te bindur te tjeret se qe heret ajo ka qene e dhene pas ndryshimeve, nxitur gjithnje prej te tjereve. Ndersa kengen, ne boten e se ciles e futi Mula, nuk do e braktiste kurre me. Gjithcka tjeter qe ndodh eshte e perkohshme, ashtu si edhe ky festival pas se cilit Ledina Celo do i hyje serish punes per realizimin e nje albumi te ri muzikor se bashku me Adi Hilen dhe Pandi Lacon

27
Historia e Shqiperise / Re: Historia e Shqiptare - Mesjeta shqiptare
« on: January 10, 2008, 05:39:54 PM »
K R E U VII

PËRPJEKJET PËR RIMËKËMBJEN E SHTETIT SHQIPTAR.
RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBEUT
(1468 - 1506)

1. SHQIPËRIA NË VITET 1468 - 1479

Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq në një kohë kur Shqipëria ndodhej përballë vështirësive të mëdha ekonomike të papara ndonjëherë. Luftimet e ashpra të viteve 1466-1467 dhe prania për dy vjet radhazi e trupave të shumta osmane në tokat e lira shqiptare, rrënuan shumë ekonominë e vendit dhe nuk lejuan të mbillej drithi e kulturat e tjera bujqësore. Masakrat e padëgjuara dhe uria detyruan me mijëra shqiptarë të linin atdheun dhe të emigronin. Një pjesë e rajoneve lindore, si ato të Tetovës, Kërçovës, Ohrit e të Elbasanit iu shkëputën viseve të lira dhe kaluan nën pushtimin osman.
Vdekja e Skënderbeut i tronditi thellë shqiptarët dhe ndikoi shumë në jetën politike të vendit. Disa javë pas vdekjes së tij, e shoqja, Donika, dhe i biri 13-vjeçar Gjoni, u përfshinë në eksodin e madh shqiptar dhe u vendosën në pronat që kishin në Itali (Monte Sant Anxhelo dhe San Xhovani Rotondo).
Humbja e Skënderbeut, e këtij gjeniu të artit ushtarak, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të shquar të historisë kombëtare, që kishte ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë politike të vendit. Nuk kishte në Shqipëri një personalitet tjetër që t'i afrohej këtij Heroi nga aftësitë si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak. Prandaj jeta politike filloi të decentralizohej. Familjet e mëdha aristokrate dolën përsëri si zotër më vete dhe disa prej tyre filluan të mbështeteshin te Republika e Venedikut, që, me vdekjen e Skënderbeut, veproi energjikisht për të vënë nën kontroll jetën politike të Shqipërisë.
Senati i Venedikut vendosi që të dërgonte në Shqipëri Pal Engjëllin, i cili prej shumë vitesh qëndronte atje si përfaqësues i Skënderbeut. Sapo erdhi në Shqipëri, Pal Engjëlli bisedoi me gruan dhe djalin e Skënderbeut, si dhe me të afërm të familjes së Kastriotëve dhe u kërkoi atyre që t'i dorëzonin Venedikut Krujën dhe zotërimet e tjera. Kur gruaja dhe djali i Skënderbeut u larguan nga Shqipëria, Kruja kaloi në duart e Venedikut. Vëmendje u kushtoi Republika e Venedikut edhe marrëdhënieve me fisnikët e tjerë shqiptarë, që i kishin zotërimet në kufi me të dhe me Krujën. Prandaj më 1469 i dërguari i posaçëm (proveditori) i Venedikut në Shqipëri, vizitoi Gjin Stres Balshën, Vuk Skurën e Bendës e fisnikë të tjerë që i kishin zotërimet në afërsi të Krujës.
Ndërkohë disa nga fisnikët shqiptarë ishin kundër forcimit të pozitave të Venedikut në Shqipëri dhe marrëdhëniet u acaruan aq shumë, saqë u ndërmorën edhe masa ndëshkimore. Më 1469 Senati i Republikës vendosi që, në qoftë se i biri i Mamicë Kastriotit nuk do t'i bindej Venedikut, nëna e tij të dëbohej nga qyteti i Durrësit, ku ajo banonte. Edhe më të acaruara u bënë marrëdhëniet e Venedikut me Lekë Dukagjinin. Për të ruajtur zotërimet e veta nga sulmet osmane, Leka hyri në bisedime me osmanët, gjë që e shqetësoi shumë Republikën e Venedikut. Prandaj më 1469 Senati i saj vendosi të mos lejohej Lekë Dukagjini që të merrte pasuritë që kishte në Shkodër, duke shpresuar se me një masë të tillë do ta largonte atë nga bisedimet me osmanët. Por ky sanksion i acaroi edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe e detyroi Lekë Dukagjinin të përdorte armët kundër Venedikut.
Pas marrjes së Krujës, në duart e Republikës së Venedikut kishin kaluar të gjitha kështjellat e rëndësishme të viseve të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që ende ishin të papushtuara prej osmanëve. Edhe pse këto kështjella mbroheshin kryesisht nga luftëtarë shqiptarë, ruajtja e tyre varej shumë tani nga qëndrimi që do të mbante Venediku ndaj pushtuesve osmanë.

Mbrojtja e Shkodrës gjatë Rrethimit I (1474)
Humbjet e rënda të trupave osmane në Shqipëri gjatë dy fushatave ushtarake të viteve 1466-1467 dhe angazhimi i tyre në fronte të tjera lufte, deri në fillim të viteve 70, e detyruan sulltan Mehmetin II që për disa vjet të ndërpriste sulmet mbi viset e lira shqiptare dhe vetëm më 1474 të vendoste për organizimin e një fushate të re ushtarke për pushtimin e rajoneve perëndimore të Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Ndryshe nga fushatat ushtarake të mëparshme që kishin për detyrë të shkatërronin ushtrinë e Skënderbeut dhe i drejtoheshin kryeqendrës shqiptare, Krujës, tani trupat osmane duhej të luftonin me Venedikun, prandaj iu drejtuan kryeqendrës së zotërimeve veneciane në tokat shqiptare, Shkodrës. Krahas kështjellës së Rozafës, qyteti i Shkodrës dhe rrethinat mbroheshin edhe prej kështjellave të tjera, si ajo e Drishtit, e Dejës, e Zhabjakut. Pushtimi i Shkodrës u hapte rrugën osmanëve që të merrnin edhe qendra të tilla të rëndësishme, si Krujën e Lezhën.
Marshimi i trupave osmane në drejtim të Shkodrës ishte i papritur për qeveritarët venecianë dhe shkaktoi një shqetësim të përgjithshëm. Banorët e paaftë për luftë të fshatrave të fushës së Shkodrës u larguan nga vendbanimet e tyre dhe u strehuan nëpër male e vende më të sigurta. Në mbrojtje të kështjellës, krahas banorëve të qytetit, ishin edhe luftëtarë të ardhur nga krahinat dhe nga vise të largëta të vendit, si dhe një repart i vogël venecian. Numri i përgjithshëm i mbrojtësve të kështjellës së Shkodrës arrinte deri në 2 mijë luftëtarë.
Në kështjellën e Rozafës u strehuan edhe banorët e paaftë për luftë të qytetit dhe të fshatrave të afërt. Mbrojtjen e kështjellës e drejtonte qeveritari venecian i Shkodrës, Anton Loredani.
Më 15 maj të vitit 1474 shtatë sanxhakbejlerë, në krye të disa mijëra ushtarësh, arritën në fushën e Shkodrës. Pasi rrethuan kështjellën, një pjesë e tyre filloi plaçkitjen e krahinave rreth saj. Më 4 qershor arritën trupa të tjerë me bejlerbeun e Rumelisë në krye, Sinan Pashën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të tyre. Burimet e kohës japin një shifër të ekzagjeruar, 80 mijë veta.
Për pushtimin e kështjellës Sinan Pasha vuri në përdorim artilerinë. Pranë mureve të saj u derdhën gjatë muajit qershor 4 topa shumë të fuqishëm. Pas një bombardimi të vazhdueshëm muret e kështjellës u dëmtuan rëndë, por shqiptarët i meremetonin ato vazhdimisht duke punuar edhe natën.
Mbrojtësit dhe të strehuarit në kështjellën e Rozafës u gjendën përballë vështirësive të shumta. Uria, etja dhe sëmundjet shkaktuan ndër ta vdekje në masë. Sipas një relacioni mbi rrethimin e Shkodrës, të shkruar e të botuar ato ditë prej humanistit venecian Gjergj Merulës, vdiqën gjysma e të strehuarve në kështjellë, rreth 3 mijë veta. Mbrojtësit e Shkodrës iu drejtuan për ndihmë dukës së Venedikut. Komandanti i flotës veneciane Trinidat Griti, që ndodhej në këtë kohë në detin Egje, kur e njoftuan për rrethimin e Shkodrës, me iniciativën e vet u nis menjëherë në ndihmë të saj. Në krye të 8 anijeve luftarake ai hyri në lumin e Bunës, por për shkak të cektësisë së ujit nuk mundi të lundrojë sipër Shirgjit. Si rrjedhim, ai nuk arriti të krijojë lidhje me mbrojtësit e kështjellës së Shkodrës, as të ndërmerrte ndonjë aksion kundër forcave osmane. Përkundrazi, sapo e zbuluan flotën veneciane, osmanët e sulmuan atë dhe e detyruan të largohej menjëherë në det të hapur nëpërmjet lumit të Bunës.
Ndihmë të rëndësishme u dhanë mbrojtësve të kështjellës shqiptarët që vepronin jashtë saj, në rrethinat e Shkodrës dhe në vise të tjera më të largëta, si edhe luftëtarët e Gjon Gjurashit. Këta vinin nga kështjellat e papushtuara, nga liqeni i Shkodrës, nga ngushtica e gryka të rrezikshme dhe sulmonin pandërprerë trupat osmane dhe karvanët e furnizimit të tyre, duke u shkaktuar dëme të rënda.
Pas një muaji bombardimi të pandërprerë të mureve të Rozafës, Sinan Pasha urdhëroi më 18 korrik që të sulmohej kështjella, duke përdorur gjerësisht të gjitha mjetet e mundshme. Me besim të plotë se do ta merrnin kështjellën, osmanët vërshuan me tërbim drejt mureve të saj, por sulmi i tyre ndeshi në qëndresën e pamposhtur të mbrojtësve të kështjellës. Këta kundërsulmonin me heroizëm dhe largonin forcat osmane, duke u shkaktuar humbje të rënda. Sipas një letre të shkruar ato ditë nga qeveritari venecian i Shkodrës, A. Loredani, ushtria osmane la në këto luftime mbi 7 mijë të vrarë dhe një numër shumë të madh të plagosurish.
Trupat osmane nga dita në ditë po ndesheshin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, si prej sulmeve të luftëtarëve shqiptarë që vepronin në viset përreth, ashtu dhe nga mungesa e furnizimit me ushqime e materiale të tjera të nevojshme për ushtarët dhe kuajt e tyre. Këto vështirësi e bindën Sinan Pashën se ishte e kotë që të vazhdonte më tej luftën, prandaj vendosi që t'i largonte ushtritë nga rajoni i Shkodrës. Më 9 gusht ushtritë osmane hoqën rrethimin nga Shkodra dhe gjatë largimit dogjën e shkatërruan çdo gjë, duke përfshirë edhe kështjellën e Dejës, pas një qëndrese të fuqishme të popullsisë së saj të udhëhequr nga vëllezërit Lekë e Nikollë Dukagjini. Largimi i tyre prej tokave shqiptare shkaktoi një valë gëzimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet italiane e në vende të tjera, sepse, siç shkruante Gj. Merula, kur osmanët sulmonin muret e kështjellës së Rozafës thirrja e tyre e luftës ishte "Roma! Roma!", gjë që tregonte se ata synonin që, pas pushtimit të qyteteve shqiptare, të fillonin pushtimin e Italisë.

Rënia e Krujës, e Shkodrës dhe e kështjellave të tjera
Luftimet e vitit 1474 treguan se luftëtarët shqiptarë ishin ata që mbrojtën me gjakun dhe jetën e tyre qytetin e Shkodrës, duke përballuar me heroizëm sulmin e forcave osmane. Shqiptarët luftonin me vetëmohim kudo që ndodheshin, si mbrojtës të kështjellës, si sulmues në rrethinat e Shkodrës etj. Prandaj Republika e Venedikut u kujdes të forconte lidhjet me ta, duke u kushtuar vëmendje sidomos marrëdhënieve me fisnikët shqiptarë, si me Dukagjinët, Gjurashët, Stres Balshajt, Arianitët etj.
Pas rrethimit të parë të Shkodrës, sulltan Mehmeti II i angazhoi ushtritë osmane kryesisht me pushtimin e brigjeve të Detit të Zi dhe pas dy vjetësh i drejtoi ato kundër Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Dështimi i fushatës ushtarake të vitit 1474 e bindi sulltan Mehmetin II se për pushtimin e kështjellave shqiptare duhej përdorur i gjithë potenciali ushtarak i Perandorisë Osmane dhe se ato duhej të sulmoheshin radhazi.
Për zbatimin e këtij plani trupat osmane erdhën përsëri në Shqipëri në vitin 1476, rrethuan Krujën, që ishte për ta pengesa më e rëndësishme në drejtim të Shkodrës.
Republika e Venedikut duke vlerësuar rëndësinë strategjike të Krujës për mbrojtjen e zotërimeve te saj në Shqipëri, u përpoq të lidhej sa më shumë me shqiptarët dhe kërkoi që të kthehej në Shqipëri djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, i cili jetonte në pronat që kishte trashëguar në Mbretërinë e Napolit. Për mbrojtjen e Krujës Venediku vendosi këtu 300 stratiotë shqiptarë të sjellë nga Moreja.
Për të liruar Krujën nga rrethimi u formua një ushtri e përbashkët shqiptaro-veneciane, e cila në vitin 1477 sulmoi trupat osmane, që mbanin të rrethuar Krujën, dhe u shkaktoi atyre humbje të rënda. Në vend që fitorja të çohej në fund, ushtria shqiptaro-veneciane ra pas plaçkës së madhe të kampit armik, veprim ky që u dha mundësi forcave kundërshtare të riorganizoheshin menjëherë dhe të ndërmerrnin një sulm të befasishëm. Trupat osmane siguruan një fitore të plotë mbi ushtrinë shqiptaro-veneciane dhe vazhduan kështu rrethimin e Krujës.
Në pranverë të vitit 1478 trupa të freskëta osmane filluan të marshonin mbi tokat shqiptare dhe më 14 maj kontingjentet e para të tyre rrethuan Shkodrën. Brenda një kohe të shkurtër, deri më 15 qershor, ato u përforcuan me ardhjen e ushtrive të tjera të drejtuara nga bejlerbeu i Rumelisë, nga bejlerbeu i Anadollit, si dhe nga vetë sulltan Mehmeti II.
Pas një rrethimi dyvjeçar mbrojtësit heroikë të Krujës dhe banorët e strehuar në kështjellë, të mbetur pa asnjë lloj ushqimi, u detyruan të pranonin kërkesën e sulltanit për dorëzimin e kështjellës me kusht që të largoheshin të lirë nga qyteti. Më 16 qershor të vitit 1478 trupat osmane hynë në kështjellën e Krujës, por sulltani nuk e mbajti premtimin dhe ata, me përjashtim të qeveritarit venecian, vranë të gjithë meshkujt e rritur që gjendeshin në Krujë, ndërsa gratë e fëmijët i kthyen në skllevër.
Pasi mori Krujën, sulltani kërkoi pushtimin e menjëhershëm të Shkodrës. Prandaj të gjitha forcat ushtarake osmane u përqendruan në luftë për pushtimin e saj.
Ashtu si gjatë rrethimit të vitit 1474, krahas qytetarëve shkodranë, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës në 1478 morën pjesë edhe banorë të rrethinave e të viseve të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Në radhët e tyre ishin edhe anëtarë të familjes së njohur shkodrane Dukagjini, nga të cilat ranë në fushën e nderit Teodori dhe Budomiri.
Për të mposhtur mbrojtësit e Shkodrës, si asnjëherë më parë, osmanët përdorën gjerësisht artilerinë, të cilën e vendosën rreth kështjellës. Vetëm topa të rëndë ishin mbi 10. Prej më se një muaji mijëra predha goditën vazhdimisht muret e Rozafës, të cilat i dëmtuan rëndë. Edhe pse në shumë vende muret u rrafshuan, mbrojtësit e kështjellës u përleshën trup me trup me forcat osmane dhe i zbrapsën e i thyen sulmet e vazhdueshme të tyre. Në këto luftime të rrepta krahas burrave morën pjesë edhe gratë e strehuara në kështjellë.
Humbje të rënda trupave osmane u shkaktuan edhe luftëtarët që vepronin në rrethinat e Shkodrës. Këta sulmonin vazhdimisht nga drejtime të ndryshme, sidomos duke ardhur me varka nga liqeni i Shkodrës dhe nga bregu i përtejmë i Bunës.
Deri në fillim të muajit gusht të vitit 1478 trupat osmane e sulmuan vazhdimisht kështjellën e Rozafës, por pa ndonjë përfundim dhe me humbje të rënda për ta. Prandaj sulltan Mehmeti II vendosi t'i mposhtte mbrojtësit e saj nëpërmjet urisë duke forcuar rrethimin e tyre. Për këtë ai ndërmori sulme mbi të gjitha kështjellat e tjera në afërsi të Shkodrës, si Zhabjaku, Drishti e Lezha, që shërbenin si baza të rëndësishme strehimi e furnizimi për luftëtarët shqiptarë që vepronin jashtë kështjellës së Rozafës.
Detyra për pushtimin e kështjellës së Zhabjakut, që ishte në brigjet e liqenit të Shkodrës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Rumelisë. Mbrojtësit e Zhabjakut, ku e kishte selinë Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi), djali i Stefanit që kishte vdekur rreth vitit 1465, nuk bënë asnjë qëndresë dhe ua dorëzuan kështjellën trupave osmane.
Pushtimi i Drishtit, ku po përhapej sëmundja e murtajës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Anadollit. Për tri javë mbrojtësit e Drishtit përballuan me burrëri sulmet e trupave osmane. Vetëm pasi shkatërruan me artileri nga të gjitha anët muret e fortesës (muret rrethuese të qytetit), më 1 shtator ushtritë osmane u futën në qytetin e shkretuar të Drishtit, kurse kështjella e tij mbeti ende e papushtuar. Rreth 300 drishtianë të zënë rob, ata i vranë nën muret e Rozafës për të ligështuar mbrojtësit e saj. Disa ditë më vonë, pasi morën më parë Lezhën, osmanët pushtuan edhe kështjellën e Drishtit. Edhe me mbrojtësit e kështjellës së zënë rob ata vepruan si me të tjerët, duke i vrarë nën muret e kështjellës së Rozafës.
Më 5 shtator trupat e bejlerbeut të Rumelisë u futën lehtësisht në kështjellën e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti venecian që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit, që ishin strehuar në ishullin e Lezhës, u kapën dhe u vranë para mureve të kështjellës së Shkodrës.
Pas pushtimit të kështjellave të mësipërme, që e përforconin mbrojtjen e Shkodrës, sulltan Mehmeti II me pjesën më të madhe të ushtrisë, më 8 shtator të vitit 1478, mori rrugën e kthimit në Stamboll. Trupat që mbetën në Shqipëri kishin për detyrë të vazhdonin rrethimin e Shkodrës derisa uria të mposhtte qëndresën heroike të shqiptarëve.
Ndërkohë, pas përpjekjeve shumëvjeçare, më 25 janar 1479, Venediku arriti të siguronte nënshkrimin e paqes me sulltan Mehmetin II. Në traktatin e paqes, ndër të tjera, ishte përfshirë edhe çështja e Shkodrës. Në bazë të tij Shkodra kalonte në duart e osmanëve, kurse mbrojtësit e banorët e saj mund të largoheshin të lirë prej qytetit të tyre. Më 25 prill të vitit 1479 forcat osmane hynë në Shkodër. Banorët e Shkodrës e të rrethinave të saj i braktisën ato masivisht dhe u vendosën kryesisht në rajonin e Venedikut. Bashkë me ta emigruan edhe personazhe të shquara të jetës politike shqiptare, si Lekë e Nikollë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) etj.
Po gjatë vitit 1479, Republika e Venedikut u dorëzoi osmanëve në Shqipërinë e Poshtme kështjellat bregdetare të Himarës, të Sopotit (Borshi) e të Kastrovilës. Osmanët morën edhe zotërimet e fundit që despoti Leonard I (IV) Toko kishte në Shqipërine e Poshtme.
Edhe pas rënies së këtyre kështjellave në duart e osmanëve, lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve nuk u shua, ajo mbeti gjithnjë e gjallë dhe iu përshtat rrethanave të reja, kur qytetet e kështjellat e vendit kishin rënë përfundimisht në duart e pushtuesve.

2. PËRPJEKJET PËR RIMËKËMBJEN E SHTETIT SHQIPTAR

Kthimi në Shqipëri i djalit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit (1481-1484)
Rënia gjatë viteve 1478 e 1479 e Krujës, e Shkodrës, e Lezhës, e Himarës dhe e kështjellave të tjera i forcuan pozitat e pushtuesve osmanë në Shqipërinë Perëndimore dhe u krijuan atyre prapavija deri diku të sigurta për të realizuar synimet e sulltan Mehmetit II për pushtimin e Italisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Pas marrjes së qyteteve të mësipërme dhe përgatitjeve intensive, trupat osmane u grumbulluan në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në pranverë të vitit 1480 rreth 10 mijë ushtarë me Ahmet Gjedik pashën në krye u nisën nga Vlora dhe zbarkuan në tokën e Mbretërisë së Napolit. Këtu ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Otrantos, të cilën e pushtuan më 11 gusht të atij viti.
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e kështjellave të tjera të Mbretërisë së Napolit qenë të pasuksesshme, prandaj gjatë dimrit osmanët filluan përgatitjet për të hedhur në Itali trupa të tjera. Por ndërkohë, me vdekjen në maj të vitit 1481 të sulltan Mehmetit II, ndërmjet djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit, shpërtheu lufta për trashëgimin e fronit, gjë që pezulloi dërgimin e përforcimeve ushtarake osmane në Itali. Pasi siguroi fronin, sulltan Bajaziti e drejtoi vëmendjen nga Italia dhe komandën e trupave të reja për në Gadishullin Apenin ia ngarkoi bejlerbeut të Rumelisë, Sulejman pashë Eunukut.
Pushtimi i kështjellës së Otrantos prej osmanëve i kishte tronditur qarqet drejtuese të shteteve evropiane dhe i nxiti ato që të krijonin një koalicion të përbashkët nën kryesinë e Mbretërisë së Napolit. Forcat e koalicionit evropian e detyruan ushtrinë osmane të qëndronte e rrethuar në kështjellën e Otrantos. Në këto luftime, në radhët e ushtrisë napolitane mori pjesë edhe djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti.
Lufta e koalicionit evropian kundër ushtrisë osmane në Itali, interesimi i mbretit Ferdinand të Napolit për të krijuar në Shqipëri një prapavijë të pasigurt për trupat osmane që vepronin e që dërgoheshin në Itali, si dhe kriza politike që shpërtheu në Perandorinë Osmane me vdekjen e sulltan Mehmetit II, u ngjalli shpresa shqiptarëve për t'u çliruar nga zgjedha osmane dhe i hodhi ata në aksione të fuqishme.
Në këto rrethana në Shqipërinë Perëndimore shpërtheu një valë kryengritjesh, të cilat e detyruan bejlerbeun e Rumelisë që ushtritë e destinuara për në Itali t'i angazhonte në luftë kundër shqiptarëve. Për shpërthimin dhe organizimin e këtyre kryengritjeve rol parësor patën disa nga drejtuesit e mëparshëm të vendit dhe trashëgimtarë të tyre, që u kthyen në Shqipëri nga mërgimi për të rimëkëmbur zotërimet e tyre.
Në fillim të verës së vitit 1481, pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, filluan të kthehen në Shqipëri Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) dhe, pak më vonë, Gjon Kastrioti e Konstandin Muzaka. Gj. Gjurashi hyri në marrëveshje me osmanët, u bë vasal i tyre dhe ringriti kështu shtetin e tij.
Gjon Kastrioti jetonte në Mbretërinë e Napolit, në pronat që i kishte trashëguar prej babait të tij, Skënderbeut. Ai ishte duke luftuar kundër osmanëve në Otranto, kur përfaqësues të kryengritësve shqiptarë i kërkuan Gjon Kastriotit që të kthehej në Shqipëri dhe ai e pranoi kërkesën e tyre.
Duke përfituar nga interesimi që kishte në këtë kohë oborri napolitan për zgjerimin sa më shumë të frontit të luftës kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti arriti të siguronte nga mbreti Ferdinand mjetet e nevojshme të lundrimit për të ardhur në Shqipëri së bashku me një numër luftëtarësh. Në katër anije (galera) napolitane i ngarkoi forcat e veta dhe u nis në drejtim të atdheut bashkë me kushëririn e tij, Konstandin Muzakën.
Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napolitane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë.
Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës për të shkuar në Itali.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.
Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3 mijë ushtarëve në drejtim të Himarës. Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1 mijë të vrarë e robër. Midis robërve ishte edhe bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe bejlerbeun e Rumelisë.
Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.
Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia.
Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë, sepse kështjella e Krujës ishte shumë e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.
Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484 luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohësisht filloi të dobësohej prej presionit të madh e të pandërprerë të trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotët kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.
Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la pesë fëmijë: Gjergjin (Skënderbeu i Ri), Konstandinin, peshkop i Izernias që vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare, Ferrantin (të cilit M. Barleci i ka kushtuar një parathënie te “Historia e Skënderbeut” dhe që ka vdekur më 1561), Federikon, që vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare në Valencie të Spanjës, ku u varros me nderime mbretërore, dhe Marien, e cila iu përkushtua artit.

Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë e Poshtme
Edhe pas luftimeve të shqiptarëve me ushtritë osmane gjatë gjysmës së parë të viteve 80, vala e kryengritjeve antiosmane vazhdoi më tej.
Një nga vatrat e qëndresës antiosmane u bë Labëria. Për nënshtrimin e banorëve të saj u ngarkua sanxhakbeu i Vlorës, Komjan Arianiti, që kishte origjinë shqiptare. Më 1486 forcat e tij u dërguan kundër Labërisë, por ato pësuan disfatë edhe vetë Komjan Arianiti ra rob dhe u vra prej shqiptarëve, të cilët ndërkohë çliruan edhe kështjellën e Himarës. Për të shtypur kryengritjen erdhi vetë bejlerbeu i Rumelisë, Sinan Pasha, në krye të një ushtrie të fuqishme. Gjatë vitit 1486 trupat e tij kaluan nëpër bregdetin e Himarës dhe e shkretuan atë.
Gjatë vitit 1488 lëvizja antiosmane u shtri edhe në viset e Shqipërisë Qendrore. Kryengritësit e këtyre rajoneve dërguan përfaqësuesit e vet në Itali dhe kërkuan rikthimin në atdhe të Gjon Kastriotit që të vihej në krye të tyre. Por prej Mbretërisë së Napolit dhe vendeve të tjera evropiane me sa duket, ai nuk gjeti përkrahjen materiale dhe mjete lundrimi për të realizuar transportimin e forcave të tij.
Viti 1492 do të shënonte një nga pikat kulmore të luftës antiosmane, për shtypjen e së cilës u angazhua vetë sulltan Bajaziti II.
Pas përgatitjeve ushtarake intensive, në pranverë të vitit 1492 ushtria perandorake osmane me sulltanin në krye mori drejtimin për në Shqipërinë e Poshtme. Gjatë muajit maj 1492 ushtria osmane arriti në Tepelenë, ku vendosi kampin e vet. Ndërkohë, me qëllim që kryengritësve mos t'u lihej shteg ikjeje, një flotë osmane prej 300 anijesh, nën komandën e Sinan Pashës, kishte dalë në bregdetin e Shqipërisë së Poshtme më parë se sulltani të arrinte në Tepelenë.
Veprimet ushtarake kundër shqiptarëve sulltan Bajaziti II i filloi në muajin korrik. Mbasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës e të Sopotit (Borshit), të cilat me urdhër të sulltanit u shkatërruan si çerdhe të kryengritësve, forcat ushtarake të sulltanit u orvatën të hyjnë në viset e brendshme, për të shpartalluar kryengritësit shqiptarë, të cilët bashkë me pleqtë, gratë e fëmijët, kishin kaluar në malet e Labërisë. Që nga lart shqiptarët lëshonin mbi ushtarët armiq shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin të thjeshta, shtizat në trajtën e gjuhës së gjarprit dhe shigjetat me majë të hekurt që ata i hidhnin me harqe druri. Megjithatë qëndresa e shqiptarëve ishte heroike. "Aq të shkathët janë ata në kohën e luftës, sa që shpata nuk ua cenon dot dorën dhe shigjeta nuk u prek as gishtin", shkruan kronisti turk bashkëkohës Ibn Kemali, pjesëmarrës në këtë luftë.
Pas sulmesh të vazhdueshme të forcave të shumta osmane, kryengritësit e Labërisë u detyruan të përqendroheshin në dy maja mali, ku ata kishin ngritur kulla mbrojtëse. Njëri grup, me gjithë qëndresën heroike kundër ushtrisë së Rumelisë të komanduar prej bejlerbeut Jahja Pashës, u shtrëngua të dorëzohej me kusht që të lihej i lirë të ikte. Por pushtuesit e shkelën marrëveshjen dhe mbi kryengritësit e dorëzuar bënë kërdinë, burrave u prenë këmbë e duar dhe pastaj i hodhën tatëpjetë malit, gratë dhe fëmijët, që u gjetën në atë mal, i bashkuan me vargun e 8 000 robërve që kishin kapur gjatë këtyre operacioneve dhe, nëpërmjet skelës së Vlorës, i nisën për në tregjet e Lindjes që t'i shisnin si skllevër.
Nga ana tjetër, garda perandorake dhe ushtria e Anadollit nën komandën e Daut Pashës, u përpoqën të asgjësonin qëndresën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit pa asnjë përfundim. Afrimi i vjeshtës, vështirësitë e mëdha e shpenzimet që bëheshin për të mbajtur në këmbë një ushtri aq të madhe kundër një pakice shqiptarësh, e detyruan sulltan Bajazitin II të kërkonte dhe të arrinte një marrëveshje me kryengritësit. Në bazë të saj kryengritësit do të njihnin sundimin osman dhe, në shenjë bindjeje, do t'i paguanin sulltanit një tribut të vogël vjetor, kurse sulltani u njihte atyre të drejtën të vetëqeverisnin vendin në bazë të dokeve tradicionale, të kishin gjyqet e tyre dhe të mbanin armët lirisht. Kjo marrëveshje u dha mundësi kryengritësve të largonin rrezikun e vendosjes në krahinën e tyre të qeveritarëve osmanë dhe të sistemit të timareve.
Në fund të fushatës ushtarake osmane, kur ushtritë po largoheshin nga Tepelena, sipas kronistit osman të shek. XVI, Aliut, një kryengritës i veshur si dervish, iu vërsul në rrugë sulltan Bajazitit II, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij episodi, sulltani la një pjesë të ushtrisë në Shqipërinë e Poshtme për të rivendosur aty administratën osmane.

Kthimi në Shqipëri i Skënderbeut të Ri (1501-1503)
Në fund të shek. XV sulltanët osmanë i shtuan përpjekjet për të zgjeruar pushtimet e tyre drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore.
Për të përballuar këtë rrezik, shtetet evropiane u përpoqën të organizonin operacione ushtarake të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane dhe të nxitnin popujt e Gadishullit Ballkanik të hidheshin në kryengritje. Në këto rrethana, Shqipëria kishte një rëndësi të veçantë edhe për vetë pozitën gjeografike të saj si vendi që e përshkonin rrugët tokësore më të shkurtra për të kaluar nga Evropa Perëndimore në qendër të Perandorisë Osmane. Ajo formonte krahun perëndimor të kësaj Perandorie dhe ishte si një urë kalimi për t'i hedhur ushtritë osmane në Itali.
Për të penguar përgatitjet ushtarake të osmanëve kundër Italisë, ato projektuan fushata të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane dhe menduan t'i nisnin nga bregdeti i Shqipërisë.
Iniciativën për të zbarkuar në Ballkan e mori mbreti i Francës, Karli VIII, i cili bashkë me ushtrinë e tij kishte pushtuar një pjesë të madhe të Italisë dhe në fund të vitit 1494 mori Napolin. Përgatitjet e Karlit VIII ngjallën entuziazëm në popujt e shtypur të Ballkanit dhe qenë një nxitje për shqiptarët që të rrëmbenin përsëri armët. Në planet e këtij mbreti lëvizja shqiptare ishte llogaritur si një faktor politik shumë i rëndësishëm.
Kryengritja që filloi në Shqipëri mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në krahinën e Himarës dhe në viset pranë Durrësit. Shqiptarët ishin të gatshëm të sulmonin forcat osmane dhe të përkrahnin zbarkimin e ushtrive frënge. Ato riaktivizuan lidhjet me fisnikët shqiptarë të mërguar në Itali për t'i vënë në krye të luftës së tyre. Për këtë qëllim si dhe për të krijuar lidhje me Karlin VIII, shkoi në Itali kryepeshkopi i Durrësit, Martin Firmano. Por, kur po kthehej nga Italia, ai u kap në det prej venecianëve, të cilët nuk e shikonin me sy të mirë as ardhjen e ushtrive frënge në Itali, as zbarkimin e tyre në Ballkan dhe as kryengritjen në Shqipëri. Kundërshtimet që gjeti në Itali e detyruan Karlin VIII të hiqte dorë nga ekspedita dhe të kthehej në Francë më 1495. Me largimin e rrezikut frëng, në verën e vitit 1495 disa sanxhakbejlerë osmanë, që nga Vlora ku kishin sjell forcat e tyre, filluan ekspeditat ndëshkimore kundër shqiptarëve, për të rivendosur sundimin e tyre në rajonet e kryengritjeve. Por edhe këto ekspedita nuk e shuan dot qëndresën shqiptare.
Për shkak se Perandoria Osmane kishte filluar të ndërtonte një flotë të madhe në kuadrin e përgatitjeve për të sulmuar Italinë, marrëdhëniet e saj me Venedikun u acaruan në vitin 1498. Në këto rrethana, duke pasur nevojë për qëndresën antiosmane të shqiptarëve, Senati i Venedikut u përpoq të lidhej me të. Për këtë qëllim ai e nxori nga burgu Martin Firmanon dhe në qershor të vitit 1499 e nisi për në Shqipëri bashkë me emisarët e vet.
Midis krerëve shqiptarë dhe të dërguarve venecianë lindën mosmarrëveshje për qëllimet, vendin dhe për shtrirjen që do të kishte kryengritja në Shqipëri. Senati ishte kundër shpërthimit të një lëvizjeje të përgjithshme dhe kërkonte vetëm një kryengritje lokale në rajonin e Lezhës. Këtu Venediku parashikonte të zbarkonte forcat e veta për të ruajtur zotërimin e Durrësit. Kurse shqiptarët ishin për një kryengritje sa më të gjerë për çlirimin e vendit. Në takimin që bënë krerët shqiptarë me emisarët venecianë në shtëpinë e Martin Firmanos në afërsi të Durrësit, mosmarrëveshjet midis tyre u acaruan në atë shkallë, saqë Republika me anën e bajlit të saj të Durrësit e helmoi Martin Firmanon.
Një muaj më vonë, në shtator 1499, shpërtheu kryengritja në rrethin e Lezhës. Rrugët për në Shkodër dhe në Dukagjin u prenë dhe funksionarët osmanë u dëbuan. Kryengritësit kërkuan që pasardhësit e Skënderbeut të viheshin në krye të lëvizjes antiosmane. Në vend të Gjon Kastriotit, që ishte i sëmurë, ata iu drejtuan birit të tij, Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbeu i Ri.
Për të pasur nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, Senati i Venedikut shpalli se merrte përsipër dërgimin e Gjergj Kastriotit dhe të forcave të tij në Shqipëri. Nga Mbretëria e Napolit Gjergj Kastrioti shkoi në Venedik, ku me premtime të ndryshme, u mbajt gjatë, për më tepër se një vit.
Gjergji u nis për në Shqipëri vetëm në pranverë të vitit 1501 kur Durrësi, që ishte nën zotërimin venecian, u rrezikua seriozisht nga sulmet e ushtrive osmane. Nisjen e Gjergj Kastriotit në Shqipëri e organizoi Venediku. Me këtë Senati kishte për qëllim të fuqizonte kryengritjen e shqiptarëve në rajonin e Lezhës për t'i detyruar osmanët të largonin ushtritë e tyre nga rrethimi i Durrësit dhe t'i angazhonin ata në luftë kundër kryengritësve shqiptarë.
Ekspedita, e përbërë prej 150-200 stratiotësh, e kryesuar nga Skënderbeu i Ri dhe e shoqëruar nga një emisar venecian, zbarkoi më 5 mars 1501 në Ishullin e Lezhës, të çliruar qysh më parë nga kryengritësit shqiptarë. Por, ndihmat veneciane që ai solli me vete ishin të pakta. Në përpjekjen e parë që patën me forcat osmane, ushtarët e Skënderbeut të Ri u thyen dhe ekspedita do të kishte dështuar, sikur më pas kryengritësit shqiptarë të mos i përballonin sulmet e osmanëve. Ndërkohë midis emisarit venecian dhe Skënderbeut të Ri, që mbante anën e krerëve shqiptarë, lindën mosmarrëveshje që ndikuan negativisht në zhvillimin e kryengritjes.
Më 13 gusht 1501 ushtria osmane, e komanduar nga sanxhakbeu i Elbasanit, pushtoi Durrësin. Për të mënjanuar humbjen e Ishullit të Lezhës, të Ulqinit e të Tivarit, Venediku filloi bisedimet për paqe me pushtuesit osmanë dhe, më 14 dhjetor 1502, nënshkroi me ta marrëveshjen përkatëse dhe i braktisi kryengritësit shqiptarë.
Në këto rrethana Skënderbeu i Ri dhe Progon Dukagjini, i cili gjithashtu ishte kthyer nga mërgimi, kërkuan të hynin në marrëveshje me autoritetet osmane. Më 1503 shkuan në Shkodër dhe i kërkuan sanxhakbeut Feriz Beut që ata të vendoseshin në ish-zotërimet e familjeve të tyre dhe t'i qeverisnin ato nën sovranitetin e sulltanit. U pranua vetëm kërkesa e Progon Dukagjinit, të cilit iu dha titulli i pashës dhe, në formë timari, një pjesë e zotërimeve të Dukagjinëve. Kurse kërkesa e nipit të Skënderbeut nuk u pranua. Pas këtij refuzimi dhe një qëndrimi dyvjeçar në Shqipëri, në shkurt të vitit 1503 Skënderbeu i Ri u detyrua të mërgonte përsëri në Itali. Nuk dihet data e vdekjes së tij. Thuhet se vdiq në Qipro duke lënë pas tre djem. Më 1506 turqit pushtuan Ishullin e Lezhës, kurse Ulqini e Tivari do të vazhdonin edhe për disa dhjetëra vjet të qëndronin në duart e Venedikut e të papushtuara prej osmanëve.
Me përpjekjet që u bënë gjatë fundit të shek. XV dhe fillimit të shek. XVI për rimëkëmbjen e shteteve mesjetare shqiptare u mbyll periudha e luftës së gjatë më se njëshekullore e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë për të mbrojtur lirinë dhe jetën e pavarur politike.

Mërgimet masive të shqiptarëve gjatë shek. XIV-XV
Lëvizjet migruese nga tokat shqiptare drejt vendeve të tjera, janë një dukuri që ndeshet gjatë gjithë mesjetës.
Në grupe apo si individë, shqiptarët dëshmohen të kenë lëvizur të paktën qysh në shek. XI. Kryesisht si ushtarakë ose si funksionarë të administratës bizantine, shqiptarë të veçantë apo grupe shqiptarësh ndeshen në atë kohë në viset më të ndryshme të Perandorisë, sa në Italinë e Jugut, në Dalmaci e në Bullgari, aq dhe në Peloponez e në vetë Konstandinopojë, ku dhe shumë prej tyre me kalimin e kohës u integruan.
Por, në krahasim me këto mërgime të para, për shkak të jetës politike të trazuar emigrimet shqiptare të shek. XIV-XV morën përmasat e eksodeve të vërteta, që lanë gjurmë të thella si në vendin e origjinës, ashtu dhe në vendbanimet e reja. Valët e emigracionit shqiptar të shek. XIV-XV ndoqën dy drejtime kryesore: atë verior, që preku Raguzën (Dubrovnikun) dhe qytetet e tjera të Dalmacisë, Venedikun dhe qytetet e fshatrat e provincës italiane të Markës, si dhe drejtimin e krahut perëndimor të Adriatikut (Fano, Ankona, Rimini, Pezaro). Vendi nga vinin emigrantët shqiptarë drejt veriut të Ballkanit Perendimor e të Italisë Lindore ishin përgjithësisht viset veriore dhe qytetet e atyshme të Ulqinit, Tivarit, Shkodrës, Drishtit, Lezhës e deri të Durrësit. Ata u përkisnin shtresave nga më të ndryshme: bujq, zejtarë, marinarë, punëtorë, tregtarë të vegjël, mjeshtër, artistë etj.
Klerikë të shumtë nga Ulqini, Lezha e sidomos nga Durrësi e nga Drishti dëshmohen në kishat e manastiret e Raguzës, ku shpesh shërbenin edhe si shkrues, sekretarë e noterë. Në Raguzë dhe në qytetet e tjera dalmatine, mjaft emigrantë shqiptarë mundën të sistemohen dhe të fitojnë statusin e banorit të përhershëm (habitator), ndonjë syresh edhe atë të qytetarit me të drejta të plota (civis). Në Raguzë, Venedik ose në Rimini e Rekanati (Markë) shqiptarët organizoheshin në shoqëri fetaro-kulturore, të quajtura shkolla ose vëllazëri (scuola, confraternitas). Autoritetet e vendit jo gjithnjë i shihnin me sy të mirë këto shoqëri me bazë etnike, që gjithsesi pengonin integrimin e emigrantëve. Megjithatë, emigracioni shqiptar në Dalmaci e në qendrat italiane të Adriatikut verior nuk arriti të krijojë ngulmime kompakte masive, e në krye të 2-3 shekujve bashkësitë shqiptare të atjeshme u tretën në popullsinë vendase.
Mërgimet shqiptare në krahun tjetër, atë jugor, qenë shumë më intensive se ato veriore. Vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug të lumit Shkumbin, veçanërisht trevat e Vlorës, Beratit, Korçës dhe sidomos të Epirit e të Moresë. Këto shtegtime prekën fillimisht viset e Greqisë. Prej këndej, një pjesë e tyre kaloi në Sicili e në Italinë e Jugut.
Një valë e parë e emigracionit shqiptar dëshmohet në Thesalinë Lindore, në vitet 20-30 të shek. XIV. Ajo mori shkas nga shtypja e kryengritjeve shqiptare në zonën e Vlorës, të Devollit e të Thesalisë veriperëndimore nga ana e Perandorit bizantin Androniku III. Fluksin e popullatave shqiptare drejt jugut e ushqeu në atë kohë edhe rritja e presionit të shtetit serb në trevat shqiptare. Si rezultat, viset e Thesalisë lindore, në jug të rrjedhës së Peneut, u kolonizuan dendur nga shqiptarët. Të joshura nga qeveritarët vendas, mjaft bashkësi shqiptare e vazhduan shtegtimin e tyre dhe u vendosën në ishullin e Eubesë, si dhe në krahinat e Beotisë, të Atikës e të Korintit. Nëpërmjet istmit të Korintit, valë shtegtarësh që vinin sa nga Thesalia aq edhe nga Epiri invaduan në fillim të shek. XV krahinat e Peloponezit. Në vitin 1405, një dëshmitar okular shkruan se vetëm në një valë, 10 mijë mërgimtarë shqiptarë, me familjet, me pasuritë e me bagëtitë e tyre kaluan Istmin dhe me leje të despotit Teodor Paleolog u sistemuan në krahinën e Akesë. Këtë valë e pasuan në vitet e mëvonshme flukse të tjera që vinin nga Atika, Beotia, Thesalia ose drejtpërdrejt nga trevat shqiptare, të kërcënuara nga invazioni osman. Me shterimin e këtyre prurjeve emigruese, aty nga mesi i shek. XV, krahina të tëra të Peloponezit (Moresë), si Korinti, Akea, Elida, Arkadia, Argolida, Mesenia e Lakonia, ishin kolonizuar në mënyrë mjaft intensive nga popullsi shqiptare. Një defter osman i vitit 1458, që bën regjistrimin e popullsisë së Peloponezit qendror, ndër 198 fshatrat e regjistruara 155 i cilëson shprehimisht si fshatra shqiptare. Një tjetër regjistër i vitit 1461 veçon si shqiptare 16 ndër 20 qendërbanime që kishte zona e Korintit. Akoma në vitin 1668, udhëtari turk Evlija Çelebi konstatonte se "banorët e krahinave që shtrihen nga Kalavrita, Voshtica e Tripolica deri në Korint janë arbër që flasin arbërisht". Prej Peloponezit, shumë kolonë shqiptarë u hodhën në ishujt e afërt të Egjeut, në Salaminë (Kullur), Hidra, Poros, Specia etj.
Vendosja e kolonëve shqiptarë u inkurajua në shumë raste nga qeveritarët e krahinave greke, që u premtonin atyre toka, kullota dhe përjashtimin nga taksat. Vendosja e kolonëve shqiptarë ndihmoi në ripopullimin dhe në rigjallërimin e trevave të tëra greke të braktisura e të lëna djerrë. "Arbërit", shkruan një autor i shek. XV, "u vendosën në zona të shkreta; ata i shpyllëzuan ato dhe i bënë të banueshme. Shumë vende të egra, që deri atëherë kishin qenë strehë banditësh, u pastruan dhe dora e këtyre bujqve me përvojë i mbolli dhe i kultivoi ato".
Dhënia e lejes së vendosjes për ardhësit shqiptarë, akordimi i tokave të bukës dhe i kullotave, thuajse gjithmonë u kushtëzua nga qeveritarët vendas me detyrimin e shërbimit ushtarak. Në shek. XIV-XV, luftëtarët shqiptarë mbushnin repartet ushtarake sa të dukëve katalanë të Athinës, aq edhe të despotëve bizantinë të Moresë apo të kështjellarëve venecianë të Eubesë, të Koronit, Modonit e Nauplionit (Peloponez). Të inkuadruar ose jo në trupat e sundimtarëve të huaj, shqiptarët u bënë protagonistë të qëndresës kundër invadimit të këtyre viseve nga pushtuesit osmanë. Kronistët bizantinë të shek. XV, Kritobuli, Dukas dhe Halkokondili vënë në dukje se në atë kohë, përveç Shqipërisë, një tjetër kështjellë e qëndresës shqiptare qe ngritur në Peloponez. Në luftërat e shqiptarëve të Peloponezit kundër osmanëve u shquan kapedanët Pjetër Bua, Teodor Buhali, Primo Koka, Krokodejl Klada, Manuel Bokali etj.
Invazioni osman i Ballkanit jugperëndimor, që hyri në një fazë vendimtare pas mesit të shek. XV, shkaktoi valë të papara mërgimesh shqiptare, që konvergonin drejt Italisë. Këtu popullsitë e ikura shqiptare iu shtuan ngulimeve të mëparshme shqiptare, duke e forcuar elementin shqiptar në Italinë e Jugut dhe në Sicili. Ngulimet shqiptare të kësaj kohe u vendosën kryesisht në provincat Abruco, Molize, Kampanie, Bazilikatë, Kapitanatë, Pulje, Kalabri. Ngulimet kryesore shqiptare të Sicilisë u bënë Piana deli Albanezi, San Kristina Xhela, Mexojuso, Kontesa Entelina, Palaco Adriano.
Kolonët shqiptarë erdhën drejtpërsëdrejti nga Shqipëria, por shumë syresh erdhën nga kolonitë shqiptare të Greqisë, veçanërisht nga Moreja. Vala më e madhe migruese i përket vitit 1479, kur pas rënies së Shkodrës dhe paqes veneto-osmane, që e pasoi atë, shumë luftëtarë shqiptarë, sa në Shqipëri aq dhe në More, u detyruan të largohen për t'i shpëtuar hakmarrjes osmane. Midis tyre ishin pinjollë të shquar të familjeve Kastrioti, Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Arianiti, Muzaka, Bua etj. Mbreti Ferdinand i Napolit u dha këtyre feude e poste zyrtare në mbretërinë e tij, kurse masave të të ikurve u caktoi për banim vende kryesisht të pabanuara. Valët e emigracionit shqiptar, ndonëse me intensitet më të vogël, vazhduan edhe në vitet e mëvonshme. E fundit njihet ajo e vitit 1744, kur u themelua Vila Badesa në Abrucie. Numri i fshatrave arbëreshe arrin sot në rreth 100 me një popullsi afër 150 000 banorë.
Për shumë nga ngulimet shqiptare ekzistojnë aktet e themelimit (capitula) të nënshkruara me autoritetet civile dhe kishtare të vendit. Në to fiksohen detyrimet por dhe të drejtat dhe privilegjet e banorëve të rinj, midis të cilave figuron shpesh dhe e drejta për të pasur drejtues dhe priftërinj (papas) të tyre, jo katolikë. Ruajtja e ritit ortodokso-bizantin luajti një rol mjaft të rëndësishëm për konservimin e kolonive arbëreshe të Italisë. Këtu luajtën rolin e tyre edhe kompaktësia e këtyre ngulimeve si dhe klima e tolerancës që, ndryshe nga ç'ndodhi me ngulimet arbëreshe të Greqisë, karakterizuan marrëdhëniet e ardhësve shqiptarë me popullsinë dhe me autoritetet civile e kishtare vendase. Edhe sot, arbëreshët e Italisë ruajnë gjuhën si dhe traditat, këngët e zakonet e hershme shqiptare.

3. RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Rrjedhimet e luftës dhe të pushtimit osman në Shqipëri
Lufta më se njëshekullore e Perandorisë Osmane për pushtimin e trojeve shqiptare dhe vendosja e pushtetit osman, sollën rrjedhime të thella në të drejtat e pronësisë, në veprimtarinë ekonomiko-shoqërore, në jetën politike dhe në atë fetare-kulturore të shqiptarëve.
Veprimtaria e pavarur politiko-shoqërore e botës shqiptare ishte arritja më e rëndësishme në historinë kombëtare të shqiptarëve gjatë shekujve të mesjetës. Që në shek. XII dhe në shekujt që vijuan, deri me pushtimin osman, në viset shqiptare lindën formacione shtetërore të pavarura, të cilat ndikuan fuqishëm në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore dhe, në tërësi, për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Në kuadrin e këtyre formacioneve shtetërore lindi dhe u fuqizua aristokracia vendase dhe tradita shqiptare e drejtimit dhe e aparatit administrativ shtetëror.
Elita drejtuese shqiptare, si ajo laike ashtu edhe fetare, pati një rol të madh historik për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ishte meritë e saj ndryshimi i orientimit të lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e larguar atë gjithnjë e më shumë prej Perandorisë Bizantine e vendeve të tjera fqinje e të prapambetura të Ballkanit dhe duke e afruar Shqipërinë me vendet e përparuara të Evropës Perëndimore. Lidhjet politike, tregtare-ekonomike dhe fetare-kulturore me Italinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore ndikuan që në të gjitha këto fusha të përshpejtoheshin ritmet e zhvillimit.
Pushtimi osman i dha fund jetës së pavarur politike e shtetërore të shqiptarëve dhe i mbylli rrugët zhvillimeve të mësipërme, ndërpreu lidhjet intensive të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore dhe i kaloi ato në drejtim të Lindjes. Këto rrjedhime negative u shfaqën në Shqipëri jo vetëm gjatë viteve të luftës, por ato vepruan fuqishëm edhe gjatë gjithë periudhës së gjatë të sundimit osman.
Pushtimi osman i tokave shqiptare u bë gradualisht, duke nisur me fundin e shek. XIV, me marrjen prej osmanëve të qendrave kryesore të viseve lindore, dhe duke vijuar në fillim të shek. XV me pushtimin e disa qyteteve e kështjellave të viseve perëndimore shqiptare. Pas këtyre pushtimeve dhe veçanërisht me periudhën e luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe deri në rënien e kështjellave në fund të viteve 70 të shek. XV, një pjesë e rëndësishme e viseve qendrore e veriore shqiptare u gjend në kushtet e një lufte të gjatë e të vazhdueshme.
Që me pushtimet e para të fundit të shek. XIV të qendrave të tilla si Nishi, Shkupi, Manastiri, Ohri, Kosturi etj., u dëmtuan rëndë marrëdhëniet dhe shkëmbimet e ndryshme ekonomike e tregtare ndërmjet viseve lindore me ato perëndimore, aq të domosdoshme e jetike për banorët e tyre. Ekspeditat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane dhe luftimet e vazhdueshme e të ashpra, që ato zhvilluan me forcat shqiptare, dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit. Gjatë ekspeditave ushtarake dhe luftimeve të shumta për të dobësuar qëndresën shqiptare dhe burimet ekonomike, aq të domosdoshme për vazhdimin e saj, ushtritë osmane rrënonin të mbjellat, dëmtonin objektet ekonomike, rrëmbenin bagëtinë.
Vështirësitë e shumta ekonomike dhe zjarri i luftës detyruan me mijëra e mijëra vetë të braktisnin vendin dhe kështu bashkë me të vrarët në luftë pakësuan ndjeshëm numrin e banorëve, por edhe dëmtuan jetën ekonomike, sepse ishin nga forcat më aktive të shoqërisë shqiptare.
Në kushtet e luftës dhe të pushtimit osman, ekonomia fshatare u bë edhe më e mbyllur dhe përkohësisht i dobësoi lidhjet me qytetin, aq të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Qytetet shqiptare, gjatë shekujve të mesjetës kishin njohur të gjitha tiparet e zhvillimit ekonomik, shoqëror e organizativ të qyteteve të pellgut të Mesdheut, që ishte rajoni më i zhvilluar i Evropës, kurse me pushtimin osman pësuan ndryshime. Që me sulmet e para osmane filluan të largohen banorët nga qytetet dhe disa prej tyre u shndërruan në qendra të vogla administrative e ushtarake. Pjesa më e madhe e banorëve në disa qytete iu kushtuan kryesisht ekonomisë bujqësore, dobësuan lidhjet me zonat fshatare dhe thuajse i ndërprenë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare e kulturore me Evropën Perëndimore. Rrjedhimisht, qytetet shqiptare në përgjithësi u shndërruan gradualisht në qendra administrative ekonomike dhe fetare-kulturore të tipit lindor, osman. Nga qytetet nisi dhe u përhap procesi i islamizmit, i cili jo vetëm solli ndryshime të rëndësishme në besimin fetar të shqiptarëve, por edhe ndikoi dukshëm përgjithësisht në botëkuptimin e mënyrën e jetesës së tyre. Me ndryshimet e mësipërme Shqipëria nga një vend që kishte tërhequr vëmendjen e Evropës Perëndimore, gradualisht u shndërrua në një vend thuajse të harruar prej saj.
Ndonëse pushtimi osman i dha fund copëtimit politik dhe anarkisë që ekzistonte në Ballkan dhe në Shqipëri, prapambetja ekonomike që i karakterizoi vendet ballkanike më pas e kishte burimin e vet në ndryshimin në fushën e pronësisë që solli ai pushtim. E drejta feudale mbi tokën në Shqipëri, në prag të pushtimit osman, ishte në fazën e zhvilluar edhe pse aty-këtu mund të shfaqeshin mbeturina të formave arkaike të saj. Në zonat fushore të Shqipërisë kishte mbizotëruar prona e madhe feudale dhe e drejta e pakufizuar e shitblerjes së tokës. Pushtimi osman ligjërisht i dha fund kësaj forme feudale të përparuar të pronësisë mbi tokën, zhduku pronën e madhe e zotëruesit e saj, që përbënin shtresën drejtuese të vendit. Ai vendosi pronën feudale ushtarake osmane, sistemin e timarit, që në thelb ishte rivendosje e pronies bizantine, një formë pronësie që përgjithësisht ishte kapërcyer nga vetë zhvillimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare. Sistemi i timarit, i vendosur dhe i mbajtur në këmbë me dhunë për shekuj të tërë, konsideronte si pronar të tokës shtetin, ua kufizoi fshatarëve pronarë deri diku të drejtat mbi tokën dhe feudalët e rinj (timarlinjtë apo spahinjtë) konsideroheshin si zotërues të një pjese të rentës feudale, por jo pronarë të tokës me të drejtën e shitblerjes së saj. Do të kalonin shekuj që në Shqipëri ligjërisht të njiheshin pronat e mëdha feudale dhe zotëruesit e tyre. Kurse në Evropën Perëndimore ndërkohë ishin shkatërruar marrëdhëniet feudale dhe atje lulëzonte prona kapitaliste. Pozicioni gjeografik periferik (në kuadrin e Perandorisë Osmane) i pjesës më të madhe të viseve shqiptare ndikoi negativisht për zhvillimin e tyre. Shqipëria u gjend kështu disa shekuj larg Evropës Perëndimore jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në fusha të tjera të veprimtarisë shoqërore.

Rëndësia e luftës antiosmane të shqiptarëve
Lufta e gjatë dhe e ashpër kundër pushtuesve osmanë ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit të shqiptarëve, e në radhë të parë e elitës drejtuese të tyre, për pasojat e rënda dhe shkatërrimtare që sillte pushtimi osman në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Ky pushtim godiste më shumë se këto, deri në asgjësimin e plotë, shtresat e larta të shoqërisë shqiptare, duke u marrë pushtetin politik, si dhe pasuritë etj. Prandaj përfaqësues të tyre e udhëhoqën me vendosmëri luftën kundër pushtuesve osmanë. Në këtë luftë morën pjesë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, sepse pushtimi osman të gjithëve u prekte të drejtën e pronësisë, interesat ekonomikë dhe mënyrën e jetesës.
Lufta e shqiptarëve kundër pushtimit osman në jetën e përditshme zhvillohej si një luftë për mbrojtjen e pronës e të marrëdhënieve të përparuara shoqërore kundër shpronësimit, si dhe kundër formave të prapambetura të pronës feudale e të marrëdhënieve shoqërore që rridhnin prej saj. Ishte një luftë kundër dhunës, shkatërrimit e grabitjes së njerëzve e të pasurisë dhe që mbronte mënyrën e jetesës, doket, kulturën dhe besimin fetar të shqiptarëve, të cilat ishin cilësisht të ndryshme me ato të pushtuesit lindor osman. Rrjedhimisht, lufta e shqiptarëve mbronte zhvillimin dhe raportet e përparuara shoqërore kundër formave arkaike të një shoqërie feudale të prapambetur dhe tashmë të perënduar në viset shqiptare. Për të gjitha këto, në sintezë, përmbajtje themelore e luftës ishte mbrojtja e jetës së pavarur politiko-shtetërore të shqiptarëve, pra e lirisë kundër pushtimit osman të vendit.
Përballë rrjedhimeve të tilla të thella për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, periudha e sulmeve të ushtrive osmane për pushtimin e vendit dhe e qëndresë së fuqishme të shqiptarëve kundër tyre, sidomos gjatë viteve të luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të historisë së popullit shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare, përpara se të vendosej mbi shqiptarët pushtimi i plotë pesëshekullor osman dhe të bëhej islamizimi masiv i tyre.
Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi dhe zhdukja, bëri që, gjatë gjithë periudhës së gjatë pesëshekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe pse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare. Kur e kërkoi koha, si shqiptarët katolikë e ortodoksë, ashtu dhe ata myslimanë, nuk ngurruan të ngriheshin kundër pushtimit të huaj osman dhe të qëndronin në ballë të luftës për pavarësi kombëtare. Ndjenja kombëtare, si një tregues identiteti, i ka shoqëruar popujt gjatë gjithë historisë së tyre. Edhe protagonisti kryesor, që e udhëhoqi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, Skënderbeu, në veprimtarinë e tij politike e ushtarake, iu referua traditës së lavdishme historike të popullit të vet. Kështu, p.sh., duke iu përgjigjur plot krenari kombëtare një kundërshtari politik në Itali, Skënderbeu do t'i shkruante atij për aksionet ushtarake të epirotëve e të Pirros kundër romakëve në Itali do të përdorte si simbole të veta shtetërore elementë nga simbolet e Pirros, të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe nga mitologjia pellazge.
Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane, që ishte përhapur në atë kohë edhe te shqiptarët, ndikuan që lufta e tyre titanike kundër pushtimit osman dhe, sidomos, figura e Skënderbeut të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare shqiptare dhe të materializoheshin në krijimtarinë e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhënave, tregimeve e këngëve popullore, por edhe nëpërmjet veprave të para të historiografisë kombëtare, të cilat i përshkon një patos i fuqishëm patriotik, siç janë veprat e M. Barlecit, Dh. Frëngut, F. Bardhit etj.
Një tipar i rëndësishëm dallues i luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman ishte zhvillimi i saj mbi dallimet fetare. Në radhët e ushtrisë shqiptare qëndronin përkrah njëri-tjetrit luftëtarët e besimit katolik, ortodoks, si dhe shqiptari i islamizuar, siç ishte, p.sh., vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Besime të ndryshme fetare kishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut, edhe familjet me të cilat lidhën krushqi Kastriotët. Krahas klerikëve katolikë, Skënderbeu dërgoi si përfaqësues të vet në shtetet italiane edhe priftërinj ortodoksë. Shembull i tolerancës fetare dhe i mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve me besime fetare të ndryshme ishte vetë familja e Kastriotëve. Shumica e fëmijëve të Gjon Kastriotit kishin emra ortodoksë, një djalë dhe një nip i tij (Skënderbeu dhe Hamzai) mbajtën deri në fund të jetës emra myslimanë, kurse veprimtaria politike e Kastriotëve, e sidomos e Skënderbeut, ishte e lidhur me botën katolike. Vetë Heroi Kombëtar, pasi u kthye në Shqipëri më 1443 dhe derisa vdiq, përdori emrin e dyfishtë, të kristianit dhe të myslimanit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si shprehje kjo e tolerancës fetare dhe e kujdesit të tij për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve që kishin rite fetare të ndryshme. Shqiptarët, duke përfshirë edhe shtresat e larta shoqërore, konvertonin lehtësisht besimin e tyre fetar. Balshajt, p.sh., në fund të shek. XIV u kthyen nga ortodoksë në katolikë, në përshtatje me besimin fetar të shumicës së banorëve të zotërimeve të tyre.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare dhe të krahinave në luftën kundër pushtuesve osmanë ndikoi shumë në zbutjen e sheshimin e dallimeve e të mosmarrëveshjeve, që mund të lindnin nga bindjet e ndryshme fetare si dhe nga përkatësia krahinore. Rrjedhimisht, një nga arritjet më të rëndësishme të luftës antiosmane ishte kompaktësimi dhe forcimi i unitetit të shqiptarëve pa dallime fetare e krahinore, duke përfshirë edhe banorët e viseve të largëta që kishin mbetur jashtë shtetit të Skënderbeut. Dëshmi e gjallë për këtë është e drejta dokesore, përballë së cilës ishin të barabartë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga pozita shoqërore dhe besimi fetar i tyre. Dëshmi e unitetit kombëtar të shqiptarëve janë edhe legjendat, tregimet dhe këngët popullore për figurën e Skënderbeut, të cilat u ruajtën pa dallime fetare, te shqiptarët katolikë, ortodoksë e myslimanë të të gjitha viseve kombëtare, madje edhe jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Këngët popullore për Skënderbeun lindën qysh në shek. XV dhe ato vijuan ndër shekujt të këndohen me krenari nga shqiptarët. Kronisti venecian Antonio Sabeliko ka shkruar në vitin 1487 se shqiptarët “me këngë solemne ... këndonin lavdinë e princit të vdekur (Skënderbeut) ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e heronjve të mëdhenj”. Në fillim të shek. XX Edit Durham rrëfen për dy krutanë që një ditë të tërë i kënduan trimëritë e Skënderbeut në një këngë të gjatë pa mbarim.
Lufta kundër pushtimit osman kaliti guximin, trimërinë dhe heroizmin masiv të shqiptarëve, i bëri ata të dalloheshin nga popujt e tjerë dhe të vlerësoheshin shumë në vendet e huaja për cilësite e vyera ushtarake. Gjatë shekujve që vijuan, nga radhët e shqiptarëve dalin shumë komandantë e udhëheqës ushtarakë të shquar që vepruan në kuadrin e Perandorisë Osmane apo edhe nëpër vende të tjera evropiane.
Gjatë viteve të luftës kundër pushtuesve osmanë u intensifikuan, si asnjëherë tjetër, lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore, lidhje që nxitën zhvillimet e brendshme në të gjitha ato fusha dhe e bënë botën shqiptare të ndihej më shumë se çdo rajon tjetër i Ballkanit si pjesë përbërëse e Evropës Perëndimore. U krijuan lidhje të ndërsjellta shpirtërore me shtetet italiane dhe me vendet e tjera të Evropës Perëndimore, sepse me luftën e tyre heroike shqiptarët i detyruan ushtritë osmane të luftonin për një periudhë shumë të gjatë në viset shqiptare dhe u bënë kështu pengesë e pakapërcyeshme për kalimin e tyre drejt Perëndimit. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në vendet e Evropës Perëndimore si pjesë e luftës së tyre shpirtërore për mbrojtjen e krishterimit kundër islamizmit dhe prandaj Heroi shqiptar cilësohej në Perëndim si "luftëtar i Krishtit" (Athleta Christi). Mbështetja e vendeve të Evropës Perëndimore ishte një nxitje dhe inkurajim për luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman. Me luftën e tyre shqiptarët penguan për një kohë shumë të gjatë kalimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore dhe me këtë ata dhanë një ndihmesë të vyer për mbrojtjen dhe përparimin e qytetërimit evropian, e cila është vlerësuar jo vetëm nga personalitetet e shquara evropiane të asaj periudhe, por edhe gjatë shekujve që pasuan me botimin e dhjetëra veprave historike, letrare e artistike kushtuar figurës së Skënderbeut dhe epopesë shqiptare të udhëhequr prej tij. U krijua kështu një traditë e vyer e lidhjeve shpirtërore të ndërsjellta ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.
Edhe popujt e Evropës Juglindore dhe ata fqinjë kurrë ndonjëherë nuk janë ndier më afër shqiptarëve sesa gjatë periudhës së luftës kundër pushtuesve osmanë. Lufta e Skënderbeut dhe e Huniadit kundër të njëjtit armik, krijoi lidhje të ngushta jo vetëm ndërmjet këtyre dy personaliteteve të shquara evropiane, por edhe një traditë miqësie e respekti të ndërsjelltë ndërmjet popujve të tyre. Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi te popujt e Ballkanit që shpirtërisht të ndiheshin pranë njëri-tjetrit si kurrë ndonjëherë. Ajo i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për t`u çliruar nga zgjedha osmane, prandaj edhe sundimtari i fundit i Despotatit të Rashës qëndroi disa vjet në Krujë dhe u bë baxhanak me Skënderbeun. Për popujt e Ballkanit Heroi shqiptar u bë edhe si një hero popullor i tyre, prandaj ata do ta përkujtonin Skënderbeun nëpërmjet tregimeve e këngëve popullore dhe në shekujt që pasuan do t'i kushtonin figurës së tij një numër të madh veprash historike, letrare, artistike, në disa prej të cilave cilësohej me origjinë greke apo sllave, duke e paraqitur kështu si simbol të krenarisë së tyre kombëtare. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbeti ndër shekuj, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt e tjerë, si një simbol i luftëtarit të lirisë dhe u shërbente si burim frymëzimi në luftën e tyre për të mbrojtur e për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

Epoka e Skënderbeut në veprat e Marin Barlecit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës
Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, epopeja e shqiptarëve nën udhëheqjen e tij dhe e gjithë periudha e luftës së tyre kundër vendosjes së pushtimit osman, ndikuan fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në rritjen dhe në konsolidimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Epopeja shqiptare e shek. XV frymëzoi intelektualë të shquar shqiptarë që ta përjetësonin atë në vepra historike monumentale e nga më të shquarat e kohës dhe që patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Themeluesi i saj u bë Marin Barleci, historian humanist i shquar i përmasave ndërkombëtare.
Për jetën e Marin Barlecit dihet pak. Ai lindi rreth fundit të viteve 50 të shek. XV ndoshta në Shkodër, qytet ky me tradita arsimore për formimin e shkollimin e klerikëve të besimit katolik. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë lindur në Medun (në verilindje të Podgoricës), meqenëse në burimet historike bashkëkohëse është gjetur një banor i tij me emrin familjar Barleci, mbiemër ky që deri më tani nuk është hasur te ndonjë person i tretë.
M. Barleci i përjetoi ngjarjet dramatike të Shkodrës të viteve 70 të shek. XV, qytet ky ku ai padyshim ka jetuar për vite e vite të tëra, ndaj në veprat e tij shpesh e cilëson veten shkodran. Gjatë rrethimit të parë të saj prej turqve, në vitin 1474, ai ka shkruar se ka qenë i ri dhe se ende nuk kishte arritur moshën për të rrëmbyer armët, kurse në vitin 1478, gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës, M. Barleci rrëfen se ishte rreshtuar përkrah luftëtarëve që luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre.
Me rënien e Shkodrës në duart e osmanëve, si shumë bashkëqytetarë, M. Barleci mori rrugët e mërgimit dhe u vendos në Itali. Këtu ai plotësoi shkollimin e vet, u bë njohës i thellë i letërsisë antike e i gjuhës latine dhe u shfaq si një intelektual humanist nga më të shquarit evropianë të kohës. Që në fund të shek. XV, M. Barleci ishte figurë e njohur në jetën kishtare të Padovës. Në një dokument të muajit janar të vitit 1497 ai përmendet si rektor i kishës parokiale të Shën Stefanit në fshatin Plovenar të dioqezës së Padovës dhe si abat në kishën Shën Justina të Padovës. Për vitin e vdekjes së M. Barlecit mungojnë njoftimet. Nëpërmjet të dhënave të tërtho

28
Historia e Shqiperise / Re: Historia e Shqiptare - Mesjeta shqiptare
« on: January 10, 2008, 05:39:23 PM »
K R E U VI

SHQIPËRIA NË KOHËN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
(1443 - 1468)

1. RIMËKËMBJA E SHTETIT TË KASTRIOTËVE DHE
FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË LEZHËS

Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri më 1443
Gjergj Kastrioti lindi rreth vitit 1405. Ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Këtu duhet të ketë lindur edhe Gjergji.
Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve osmane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte detyruar t'u dorëzonte peng osmanëve një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur osmanët pushtuan Krujën (në fillim të vitit 1415) që ishte në kufi me zotërimet e Kastriotëve.
Dërgimin e Gjergjit të vogël në oborrin osman rreth moshës nëntëvjeçare, e dëshmojnë, pavarësisht nga njëri-tjetri, burime historike bashkëkohore ose pak më të vona, vendase e të huaja. Këtë e pohojnë autorët e vjetër shqiptarë, veprat e të cilëve shërbejnë si burime më të rëndësishme për njohjen e historisë së Shqipërisë të shek. XV, si Marin Barleci, Marin Beçikemi, Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu. Edhe në jetëshkrimin më të hershëm për Gjergj Kastriotin, të hartuar rreth viteve 1481-1482 prej Martin Segonit, tregohet se ai u dërgua i vogël peng, u rrit dhe u edukua pranë oborrit të sulltanit. Të njëjtën gjë njoftojnë edhe kronistë e historianë të huaj, bashkëkohës me Skënderbeun, si italianët F. Filelfo, I. Potani, R. Volaterani, bizantini L. Halkokondili, shumica e autorëve osmanë të shek. XV e XVI: Ashik pasha Zade, Tursuni, I. Bitlisi etj.
Gjergji, pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare, u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Edrene. Ai u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët. Në këtë shkollë futeshin zakonisht djemtë e zotërve të nënshtruar për t'u përgatitur e edukuar në frymën osmane si komandantë të zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi osman ndeshte në qëndresën e popullsisë, si dhe në vendet nga ata kishin ardhur.
Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Sipas dokumenteve të kohës dhe njoftimeve të Marin Barlecit, Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi të veçantë dhe arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.
Gjergji u shqua gjatë viteve të shkollës, kur iu vu emri mysliman Skënder, dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake, në Ballkan dhe në Azi të Vogël, gjatë të cilave fitoi një përvojë të madhe ushtarake. Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, Skënderbeu hyri në kuadrot ushtarake të sistemit feudal osman dhe përparoi shpejt në karrierën shtetërore, nga pozita e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.
Funksionet si kuadër osman për vite të tëra Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur me mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet në Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve të tij në dokumente të vitit 1426 për çështje pronësie. Në këtë kohë Skënderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte në Shqipëri si spahi, më pas u bë subash i Krujës dhe qëndroi në këtë post zyrtarisht deri në fund të vitit 1438, kur në zeametin përkatës është shënuar se i rijepej Zaganoz Beut. Qysh në fillim, kur u hartua regjistri kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432), zeameti i subashit të Krujës është regjistruar me emrin e Zaganoz Beut. Pas riemërimit zyrtar në fund të vitit 1438 në postin e subashit të Krujës, Zaganoz Beu duhet të jetë rikthyer me vonesë në Krujë, sepse Skënderbeu përmendet në Shqipëri edhe më 7 dhe 10 korrik të vitit 1439. Nuk dihet se cilët fshatra formonin timarin e tij në Shqipëri, kur ai ishte në postin e një spahiu. Ndoshta kanë qenë disa fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku midis Lezhës e Rubikut, ku në mes të viteve 30 Skënderbeu pati në zotërim një timar të madh, me të paktën nëntë fshatra.
Skënderbeu konsiderohej si bashkësundimtar me të drejta të plota me anëtarët e tjerë të familjes në veprimtarinë politike të Kastriotëve. Prandaj emri i tij është shënuar gjatë viteve 20 e 30 në aktet zyrtare që rregullonin marrëdhëniet e Kastriotëve me vendet e tjera, si p.sh. në vitin 1426 në një aktblerje nga Kastriotët të një pirgu pranë manastirit Hilandar në malin Athos dhe në një aktdhurimi të dy fshatrave të Kastriotëve për manastirin e Hilandarit, si dhe në mars të vitit 1438 kur Stanisha dhe Gjergji kërkuan qytetarinë e Venedikut dhe më vonë (korrik 1439) edhe atë të Raguzës. Qytetaria veneciane e raguzane kërkohej që, në rast shkatërrimi e dëbimi nga zotërimet e veta prej osmanëve, familjarët e Gjonit të strehoheshin në këto vende.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si kuadër osman Skënderbeu punoi aktivisht për mbrojtjen e interesave të familjes së tij. Kështu, sipas një dokumenti osman pa datë, kur Gjon Kastrioti ra në konflikt me osmanët dhe humbi krahinën e Ishmit (Mysjen), Skënderbeu u kërkoi autoriteteve osmane që ta merrte si zeamet këtë krahinë. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të madh në trevën Lezhë-Rubik, që përshkohej nga udha e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. Kjo rrugë ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike e tregtare të shtetit të Kastriotëve. Më 1437-1438 Skënderbeu u bë qeveritar (subash) i vilajetit të Krujës dhe siguroi për këtë një feud të madh prej dhjetëra fshatrash. Ky gradim ndikonte shumë në forcimin e pozitave ekonomike e politike të zotërimeve të Kastriotëve që shtriheshin në lindje e në veri të vilajetit të Krujës.
Pas vdekjes së Reposhit (1431), që i qe kushtuar jetës fetare, dhe të Konstandinit, dy vëllezërit e tjerë drejtuan shtetin e Kastriotëve, sepse ati i tyre, Gjon Kastrioti, ishte i sëmurë dhe vdiq në maj të vitit 1437. Të dy vëllezërit i kushtuan vëmendje ruajtjes e forcimit të marrëdhënieve me Venedikun e Raguzën, prej të cilave arritën më 1438 e 1439 të siguronin të drejtat e privilegjet që kishte patur ati i tyre me ato dy vende. Ata vepruan bashkërisht deri kur vdiq Stanisha më 1446.
Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më në tokat shqiptare. Në këtë kohë në Ballkan po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë e aksioneve ushtarake antiosmane të Janosh Huniadit. Prandaj sulltan Murati II e largoi Skënderbeun nga posti i subashit të Krujës, duke e emëruar sanxhakbej me sa duket larg tokave shqiptare, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si funksionar osman, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu del me emrin mysliman (Iskënder) në dokumentet osmane, kurse në ato perëndimore ka përdorur vetëm emrin e krishterë Gjergj, gjë që shpreh lidhjet e tij me parinë drejtuese shqiptare.
Sigurimi i privilegjeve dhe i qytetarisë së Venedikut e të Raguzës në fund të viteve 30, në një kohë kur Skënderbeu po përparonte në karrierën politike si kuadër i Perandorisë Osmane, tregojnë se ai e shikonte të ardhmen jo në kuadrin e karrierës së një funksionari osman. Përkundrazi, praninë e tij në radhët e kuadrove osmane, ai e gjykonte si diçka të përkohshme. Në kushtet kur së bashku me të vëllanë, Stanishën, kishin marrë drejtimin e zotërimeve të Kastriotëve, largimin e tij nga posti i subashit të Krujës dhe emërimin si sanxhakbej larg Shqipërisë, Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një "gradim", por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij.
Ndonëse kaloi një kohë të gjatë në shkollën e iç-ogllanëve e në vende të huaja si kuadër e komandant i shquar i ushtrisë osmane, Skënderbeu mbajti lidhje të ngushta me familjen e tij, me interesat e zotërimeve të tyre. Ai jetoi për vite të tëra në atdheun e vet, ku u brumos dhe u formua në mjedisin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj osman dhe të disfatave të para që osmanët pësuan në Shqipëri gjatë kryengritjeve të viteve 30. Kthesa rrënjësore e Skënderbeut në nëntor të vitit 1443, duke ardhur në Shqipëri për të ngritur lart flamurin e luftës kundër pushtuesve osmanë, ishte rrjedhojë e përvojës jetësore shumë të pasur të tij dhe e luftës së shqiptarëve.

Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor 1443)
Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve osmanë në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV. Nëpër dokumente të gjysmës së dytë të viteve 30 dhe fillimit të viteve 40 përmenden në viset shqiptare spahinj të vrarë, spahinj që, për të shpëtuar kokën, kishin braktisur timaret etj. Qëndresa e përhershme kundër pushtuesve osmanë dhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare që u krijuan në fund të viteve 30 e në fillim të viteve 40 të shek. XV nxitën disa nga fisnikët shqiptarë të ngriheshin në luftë kundër pushtuesve të huaj.
Ndërkaq në jetën kishtare e politike të Shqipërisë ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit të Ferrarës, që u mbajt gjatë viteve 1438-1439. Krahas papë Eugjenit IV, në të morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të universit ortodoks, si perandori i Bizantit, Johan Paleologu, patriarku i Konstandinopojës, Jozefi, dhe peshkopët bizantinë e sllavë më në zë. Në korrik të vitit 1439 përfaqësuesit e të dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror të të dy kishave nën supremacinë e Papatit. Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe të këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet e Koncilit të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane, që politikisht ishin shumë të copëtuara e të përçara, në luftën kundër armikut të përbashkët, pushtuesve osmanë, luftë që filloi të propagandohej si një kryqëzatë e të krishterëve kundër pushtuesve aziatikë e besimit të tyre islam.
Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizonin shpërthimin e kryengritjeve antiosmane në Shqipëri. Me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze, të komanduara nga vojvoda i Transilvanisë, Janosh Huniadi, kaluan nga veprimet mbrojtëse në mësymje dhe përkohësisht arritën të ndalnin përparimin e osmanëve drejt Evropës Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme, të përbërë prej hungarezësh, polakësh, rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në thellësi të Ballkanit dhe në shtator të vitit 1442 u shkaktoi një disfatë të rëndë trupave osmane. Fitorja e ushtrisë së J. Huniadit ngjalli shpresa te popujt e shtypur të Ballkanit, nxiti lidhjet e sundimtarëve ballkanas me Hungarinë e me forca të tjera politike të kohës për zgjerimin e frontit të luftës antiosmane. Aktivisht veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili nëpërmjet peshkopëve të vet nxiste elitën drejtuese shqiptare e ballkanike të rrëmbente armët kundër osmanëve sapo trupat e J. Huniadit të marshonin sërish në drejtim të Ballkanit Qendror.
Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan të përshtatshme për fillimin e luftës. Në kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi lidhjet me vendet e tjera, duke dërguar përfaqësuesit e vet në Romë e në Bosnjë. Në gusht të vitit 1443 ai siguroi qytetarinë e Raguzës, që të strehohej familjarisht në atë qytet po qe se do thyhej prej trupave osmane.
Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi forcat osmane në lindje të zotërimeve të tij dhe i dëboi pushtuesit nga shumë krahina të Shqipërisë Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në jetën politike të Shqipërisë dhe patën jehonë edhe në vendet e tjera. Vetë ai vazhdonte përgatitjet për vijimin e luftës kundër osmanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit e tij, sipas porosisë që kishin bërë në Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve, që t'u printe luftëtarëve të tij në betejat e ardhshme. Në fund të muajit nëntor Gjergj Arianiti i kërkoi Raguzës t'i shiste bombarda, armë këto që i duheshin për çlirimin e kështjellave.
Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Shqipërisë së Poshtme. Gjin Zenebishi, i biri i Depës, u kthye nga mërgimi duke zbarkuar në bregdetin shqiptar pranë Butrintit. Me ushtrinë që organizohej këtu marshoi nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e shqiptarëve mori hov të mëtejshëm nga zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan “Fushatën e Gjatë" që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit arimik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër, serbë, boshnjakë".
Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në thellësi të zotërimeve osmane gjatë një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një muaj, më 5 janar 1444 ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot (në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në fillim të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit arriti në Budapest me një efektiv disa herë më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve, kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë, ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb Despotati i Rashës.
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen e shtetit të Kastriotëve, që, siç është shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë të mëdha "nga Dibra dhe Mati", që i ndante lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupice), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga osmanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë, Stanishën, si "zotër të Dibrës dhe të Matit".
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe shtrihej përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë ato, deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debrishë), që është edhe sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit në dokumentet mesjetare del e emërtuar “Rruga Kërçovë-Dibër” dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër) ka kuptimin luginë, grykë. Ky duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të cilin pushtuesit osmanë e zëvendësuan me fjalën përkatëse të tyre derven (derbend). Kjo shërben si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit. Prandaj osmanët në shek. XV, kur bënë ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë përdorën një emërtim osman (vilajeti ose nahija e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia administrative në perëndim të saj (nahija e Dibrës). Në këtë të fundit, edhe pse mbante emrin e Dibrës, gjatë shek. XV nuk kishte asnjë qendërbanimi ose mikrotoponimi tjetër me këtë emër.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë, ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën kontroll Dibrën e Poshtme, e cila vetëm në lindje ruhej nga dy garnizone të vogla, të vendosura në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovës) dhe, në lindje të saj, në kështjellën e Sobrit, që ngrihej në krahinën e Dervenit për të kontrolluar ngushticat e rrugës Tetovë-Shkup. Sobri ka qenë në fshatin e sotëm Orashko Gradishte, ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle. Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe e Sobrit, duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut. Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një rrugë tregtare shumë të rëndësishme, që kalonte në rajonin më të pasur të zotërimeve të tij dhe që lidhte viset perëndimore me Shkupin, ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë. Në këtë mënyrë ai ndërpreu lidhjet e kryeqendrës së Rumelisë me garnizonet osmane, që gjendeshin të shpërndara në viset e tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në perëndim të Shkupit.
Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave osmane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më pas Skënderbeu, i shoqëruar nga një numër i vogël luftëtarësh, u nis vetë për në Krujë. Duke e ditur se me forcën e armëve ishte i pamundur pushtimi i kështjellës së saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të viteve 30 të shek. XV.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të lirë ushtarët osmanë që të largoheshin nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihej në krye të trupave osmane për të rimarrë Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehet Barleci, "të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë". Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve. Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas M. Barlecit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: "Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja".
Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht forcat osmane, duke i vënë ato në gjendje frike e paniku.
Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë në bisedime me banorët e zotërimevë të Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë.
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet për çlirimin e një vargu kështjellash të tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) nuk qëndroi duarkryq. Më parë me ndihmën e vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen e Skënderbeut, Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të tyre bëri Zhabiakun.
Në jug të vendit viset e çliruara arritën deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e përgjithshme antiosmane u shtri edhe në Shqipërinë e Poshtme. “Turqit, - shkruante në dhjetor të vitit 1443 bajli venecian i Korfuzit, - i ka pushtuar një tmerr i madh dhe me nxitim ata të Vlorës, të Janinës dhe të Gjirokastrës po përpiqen të fortifikohen". Por, me gjithë situatën shumë të favorshme, për mungesë organizimi të qëndresës antiosmane nga fisnikët vendas, kështjellat kryesore të Shqipërisë së Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën në duart e osmanëve.
Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët u hoqën osmanëve qendrat kryesore ushtarake në viset e çliruara, të cilat i shndërruan në baza të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj. Në veri të kësaj hapësire, disa muaj më pas, do të rikrijohej Despotati i Rashës me kryeqytet Smederevën.
Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve, që ishin kufitare me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte edhe pesha kryesore e luftës kundër pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te lumenjtë Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.
Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte ngjarjen më të rëndësishme në luftën e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë Osmane. Çlirimi u krijoi mundësinë një pjese të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin të lirë, kurse vitet që vijuan, të luftës kundër pushtuesve të huaj, forcuan përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë, si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.

Kuvendi i Lezhës dhe krijimi i Besëlidhjes Shqiptare (2 mars 1444)
Çlirimi i vendit me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443, ishte një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Përvoja e deriatëhershme shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në Shqipëri, kishin treguar se fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane, nuk mund t`i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Prandaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politikë të brendshme e të jashtme shumë aktive. Më mirë se kushdo tjetër ai e kuptoi se për shqiptarët nuk do të kishte perspektiva për mbrojtjen e viseve të lira, duke qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh të pavarura dhe pa një bazë organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit, si dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh të brendshëm me atë të ndërmarrë në rrafsh ndërkombëtar.
Për zgjidhjen e këtyre detyrave, si hap të parë e të domosdoshëm Skënderbeu gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin drejtuesit e zotërimeve të pavarura dhe fisnikë të tjerë të vendit. Për këtë ai zhvilloi paraprakisht me ta takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i fisnikëve shqiptarë.
Kuvendet krahinore e ndërkrahinore të fisnikëve, të klerikëve apo të pleqve, ishin një traditë e njohur kombëtare e shqiptarëve e trashëguar ndër shekuj, nëpërmjet të cilave realizohej bashkëpunimi dhe bashkimi i shqiptarëve. Një kuvend me një përfaqësi kaq të gjerë kombëtare, që u vendos të mbahej në Lezhë nga shqiptarët, është i pari që njihet deri tani në historinë e tyre.
Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Për më tej, duke qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi, si dhe në drejtim të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve, që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë rast Republikës së Shën Markut.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend dhe u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të besës. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshmet që mobilizoheshin vetëm në rast lufte. Ushtria e përhershme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas një kuote të caktuar për secilin, si dhe nga ushtarët që mobilizonte vetë Skënderbeu. Këta formonin bërthamën kryesore të ushtrisë së përhershme, e cila vazhdimisht ishte në gatishmëri luftarake dhe në mbrojtje të kështjellave, veçanërisht atyre të brezit kufitar lindor nga vinin zakonisht ushtritë osmane. Detyra kryesore e ushtrisë së përhershme ishte mënjanimi i sulmeve të befasishme të trupave osmane mbi viset e lira shqiptare dhe pengimi i depërtimit të tyre në thellësi të vendit, derisa të mobilizohej ushtria e përkohshme. Kjo formonte pjesën më të madhe të ushtrisë së Besëlidhjes dhe përbëhej nga luftëtarët që mobilizoheshin përkohësisht, kur parashikohej fillimi i sulmeve të ushtrive armike. Në ushtrinë e përkohshme përfshiheshin të gjithë banorët e viseve të lira që ishin në gjendje të përdornin armët. Në rast nevoje ushtria e përbashkët mbronte vendin nga pushtuesit osmanë e veprimet armiqësore të vendeve të tjera, si dhe interesat e zotërimet e secilit anëtar të Besëlidhjes.
Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, të armatimit të saj, etj., Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet monetare të saj do të formoheshin nga ndihmat në të holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që kishin Kastriotët pranë grykëderdhjes së lumit Mat, nga taksat doganore, si dhe nga tregtia e drithit, e metaleve etj.
Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare synonin që, në kuadrin e saj, të ruanin autonominë e tyre dhe Skënderbeu, si kryetar i saj, të mos ndërhynte në zotërimet e të tjerëve, por të ishte si "i parë ndërmjet të barabartëve". Secili prej anëtarëve të Besëlidhjes kishte trupa të veçanta për të mbrojtur zotërimet e interesat e veta dhe ruante të drejtën të kishte marrëdhënie vetjake me vende e forca të tjera politike jashtë Besëlidhjes. Realisht vendimet e Kuvendit i dhanë Skënderbeut një pozitë të veçantë ndaj fisnikëve të tjerë shqiptarë, dhe këta, siç shprehej Gjon Muzaka, në kushtet e rrezikut të pushtimit osman, ishin të detyruar "t`i bindeshin" atij.
Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare në luftën kundër pushtimit të huaj osman dhe hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu doli në krye të jetës politike e ushtarake të vendit jo rastësisht. Për këtë ndikuan: roli i veçantë i tij në organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1443, pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve (që ishte në qendër të viseve të lira dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhnin krahinat veriore me jugoret dhe lindoret me perëndimoret), zotërimi prej tij i Krujës, kështjellës me pozicionin gjeografik më të përshtatshëm për administrimin e të gjitha viseve të çliruara, dhe për të hyrë në kontakte të shpejta me shtetet e huaja antiosmane, si dhe lidhjet e shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë familje fisnike të tjera, si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët), Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i vetë Skënderbeut që bëri të mundur daljen e tij në krye të jetës politike e ushtarake të Shqipërisë. Më tepër se cilido anëtar tjetër i Besëlidhjes Shqiptare, Skënderbeu kishte të gjitha cilësitë për drejtimin me sukses të luftës. Ai i njihte shumë mirë mundësitë ekonomike, financiare e ushtarake të vendit të vet. Ndërsa karriera e tij në radhët e kuadrove ushtarakë osmanë e kishte bërë Skënderbeun njohës po aq të mirë të fuqisë, organizimit dhe të artit ushtarak të osmanëve.

2. FITORET E BESËLIDHJES SHQIPTARE NËN UDHËHEQJEN
E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Fitoret e para ushtarake (1444-1447)
Vendimet e Kuvendit të Lezhës i dhanë një bazë të gjerë e të fuqishme organizative, juridike e morale forcimit të aftësisë mbrojtëse dhe të gatishmërisë luftarake të vendit. Barrën kryesore për realizimin e saj Kuvendi ia ngarkoi Skënderbeut.
Pas mbylljes së Kuvendit Skënderbeu iu përkushtua organizimit të ushtrisë dhe sistemit mbrojtës të vendit. Ai udhëtoi nëpër të gjitha fshatrat e zotërimeve të Kastriotëve për të regjistruar ushtarë, vëzhgoi shtigjet, grykat e luginat nga mund të sulmonte ushtria osmane, caktoi informatorë që të vëzhgonin e të njoftonin menjëherë lëvizjet e armikut, ndërmori meremetimin e kështjellave dhe pajisjen e tyre me luftëtarë e armatime. Vëmendje të veçantë i kushtoi mbrojtjes së ballit lindor të viseve të çliruara, prej nga mund të futeshin për në thellësi të tyre ushtritë osmane. Në fund të pranverës së vitit 1444 mbaruan përgatitjet ushtarake dhe Skënderbeu kishte mobilizuar me mijëra luftëtarë që ishin të gatshëm për të mbrojtur vendin.
Çlirimi i rajoneve të gjera të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që formonin një nga zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë, përbënin një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila i kalonte kufijtë e botës shqiptare. Zhvillimet politike në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen e qarqeve drejtuese të vendeve evropiane dhe shkaktuan shqetësim në oborrin osman.
Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në tokat shqiptare, tregon Marin Barleci, që është burimi kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve, sulltani ngarkoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të shquar. Ky duhet të ketë qenë subashi i Shkupit, Ali Beu. Në krye të disa mijëra vetave, në qershor të vitit 1444, ai iu drejtua rajonit më të pasur të çliruar nga Skënderbeu dhe që ishte më afër Shkupit, Dibrës së Poshtme.
I informuar me kohë për lëvizjen e trupave osmane, Skënderbeu, sipas M. Barlecit, përgatiti një ushtri prej afro 8 mijë kalorësish e 7 mijë këmbësorësh dhe e drejtoi për në Dibrën e Poshtme. Në afërsi të tyre erdhën dhe u vendosën trupat e Ali Beut. Ishte beteja e parë, guri i provës për forcat e bashkuara shqiptare dhe për komandantin e tyre.
Beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi në një fushë të palokalizuar të Dibrës së Poshtme. Qysh nga shek. XVIII nëpërmjet veprës së Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi me emrin simbolik beteja e Torviollit dhe po kështu si datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit 1444.
Skënderbeu e vendosi ushtrinë në fushë të hapur dhe e rreshtoi në formë harku të ndarë në tri pjesë. Në rreshtat e parë të çdo grupimi vendosi kalorësinë dhe pas tyre këmbësorinë. Për të drejtuar zhvillimin e betejës, ai qëndroi me luftëtarët e grupimit të qendrës. Forcat e grupimit të djathtë i komandonte Moisi Arianiti (Golemi), kurse ato të grupimit të majtë Tanush Topia. Mbrapa trupave të qendrës ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Kont Uranit. Në pyjet aty pranë qëndronin të fshehura forcat e rezervës të komanduara nga Gjin Muzaka e Hamza Kastrioti.
Beteja filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë të dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën ta çanin ushtrinë osmane në dy pjesë, në kohën kur forcat e grupimit të qendrës me Skënderbeun në krye sulmuan trupat e Ali Beut. Kur armiku ende nuk kishte hedhur në betejë të gjitha forcat, trupat e tij u sulmuan befasishëm nga pas prej luftëtarëve të Gjin Muzakës e të Hamza Kastriotit. E goditur nga të gjitha anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta të komanduara nga Kont Urani, ushtria osmane u copëtua, pësoi humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht. Ajo la në fushën e betejës shumë të vrarë e robër. Shqiptarët luftuan heroikisht dhe arritën një fitore të shkëlqyer. Në atë betejë, shkruante M. Barleci, "luanët komanduan luanët".
Fitorja e Torviollit pati jehonë të thellë në Shqipëri si dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi besimin e shqiptarëve te Skënderbeu e ushtria e Besëlidhjes dhe te lufta e drejtë e tyre për mbrojtjen e lirisë. Ajo i dha shtysë luftës antiosmane të popujve të Ballkanit, që filloi të fuqizohej, dhe shkaktoi shqetësim të madh në oborrin e sulltanit.
Në këto rrethana Murati II u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me mbretin e Hungarisë e të Polonisë, Vladislavin IV, të cilit i kërkoi paqe, dhe më 12 korrik 1444 u nënshkrua në Seged traktati i saj me një afat dhjetëvjeçar. Por paqja vazhdoi vetëm gjashtë javë, sepse, i nxitur nga papa dhe forca të tjera antiosmane, Vladislavi IV e shkeli traktatin e paqes. Ky përgatiti një ushtri prej 14 000 vetash dhe në krye të tyre marshoi në thellësi të Ballkanit deri në Varna. Vladislavi IV e filloi betejën në kundërshtim me mendimin e Janosh Huniadit dhe më 10 nëntor 1444 ushtria e tij u shpartallua prej trupave osmane. Vladislavi mbeti i vrarë në këtë betejë, kurse J. Huniadi mundi të shpëtonte me mbeturinat e ushtrisë hungareze. Fitorja pranë Varnës i dha mundësi sulltanit t`i përdorte ushtritë e veta për të shtypur lëvizjet antiosmane të Ballkanit.
Në vjeshtë të vitit 1445, sipas M. Barlecit, kundër Shqipërisë u sulën njëra pas tjetrës dy ushtri osmane, të cilat u pritën prej shqiptarëve në një luginë të ngushtë në rajonin e Mokrës, me sa duket në luginën e lumit Treskë, përgjatë të cilit kalonte traseja e një prej rrugëve më të shkurtra për lëvizjen e ushtrive osmane nga Shkupi në thellësi të tokave të lira shqiptare. Skënderbeu lejoi ushtrinë e parë osmane, që sipas M. Barlecit e komandonte Ferizi, të hynte në luginë dhe pastaj e sulmoi befasisht dhe e shpartalloi. Pa kaluar shumë kohë erdhi po në atë luginë një ushtri e dytë e komanduar nga Mustafai. Pasi ngritën fushimin, trupat osmane filluan plaçkitjen dhe shkretimin e vendit. Në kohën kur një pjesë e tyre ishte larguar për të plaçkitur, Skënderbeu goditi kampin armik, ku ndodhej shumica e ushtarëve osmanë dhe arriti një fitore të re të shkëlqyer. Po këtë fat pësoi në vitin 1447 një ushtri tjetër osmane, e komanduar po nga Mustafai, të cilën forcat e Skënderbeut, të radhitura përballë saj, e thyen në Oronik të Dibrës së Sipërme, në lindje të Strugës, dhe zunë rob komandantin osman.
Fitoret e para ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut patën rëndësi të madhe për jetën politike të vendit. Ato forcuan besimin e shqiptarëve se të bashkuar mund të përballonin me sukses fuqinë ushtarake të Perandorisë Osmane, rritën autoritetin e Skënderbeut si komandant i talentuar, si dhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Në rrafsh ndërkombëtar ato i dhanë Skënderbeut dhe qëndresës së tij një rol të veçantë në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe e vunë atë në lidhje me forcat e tjera antiosmane të kohës, si me Hungarinë, me shtetet italiane dhe me vende të tjera. Jehona e luftës fitimtare të shqiptarëve filloi të ndihej kudo, duke zënë vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve politike të larta të kohës, si papa Nikolla V, mbreti Alfonsi V i Napolit etj.

Konflikti me Venedikun (1447-1448)
Republika e Venedikut ishte një nga shtetet më të fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun e Mesdheut dhe zotëronte një numër qytetesh e qendrash të rëndësishme ekonomike të Ballkanit e më gjerë. Në këtë kuadër një vend të veçantë e rol parësor kishin zotërimet e Republikës së Venedikut në Shqipëri.
Rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike e zotërimeve që kishte në tokat shqiptare, bënte që Republika e Venedikut t`i kushtonte në çdo kohë vëmendje të veçantë ruajtjes së këtyre zotërimeve dhe forcimit të pozitave të veta në to. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi gjendjen politike të krijuar në Shqipëri pas vitit 1443. Nga fundi i këtij viti e më pas, Senati i Venedikut shqyrtoi mundësinë e kalimit në duart e Republikës të Gjirokastrës, të Janinës e të Kaninës, që ende mbaheshin nga osmanët. Duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara nga vdekja e sundimtarit të kështjellës së Dejës, Lekë Zaharisë, nëpërmjet nënës së këtij, Boksës, që ishte motër e Tanush Dukagjinit, në shtator të vitit 1444 Venediku mori Dejën, Shasin si dhe ndonjë kështjellë tjetër të paidentifikuar të tij. Zotërimi i Dejës kishte për Venedikun rëndësi të shumanshme. Nga ana ekonomike jepte të ardhura jo të pakta si qendër doganore në kryqëzim të rrugëve të rëndësishme tregtare. Në plan strategjik e ushtarak, si kështjellë ajo mbronte zotërimet veneciane në rajonin e Shkodrës dhe ishte për Republikën, siç shprehej vetë Senati, "hapi i parë" për të hyrë në viset e çliruara shqiptare.
Për të mënjanuar kërkesat e herëpashershme të zotërve vendas për dëbimin e Venedikut nga viset shqiptare, Republika lejoi mbajtjen e Kuvendit Shqiptar në qytetin e Lezhës, që e kishte nën zotërim, dhe në vitin 1445 Skënderbeut dhe të vëllait, Stanishës, i dha të drejtat e privilegjet e qytetarisë veneciane. Interesat ekonomikë, politikë, ushtarakë e strategjikë të Republikës së Venedikut në Shqipëri ishin pjesë e interesave jetikë të saj në tërë pellgun e Mesdheut Lindor, ku kishte një numër të madh zotërimesh dhe që vazhdimisht ishin nën kërcënimin e pushtimit osman. Prandaj marrëdhëniet me sulltanët osmanë kishin për Republikën e Venedikut rëndësi të dorës së parë dhe herë pas here ajo nënshkruante traktate paqeje me ta, si më 1446 etj. Një politikë e tillë inkurajonte veprimtarinë pushtuese të sulltanëve dhe dëmtonte luftën e ballkanasve kundër pushtuesve osmanë. Prandaj ishin të pashmangshme kundërshtitë midis Besëlidhjes së Lezhës dhe Venedikut.
Pasi çliroi Krujën dhe viset e tjera shqiptare, Skënderbeu qysh në fund të vitit 1443, deklaroi se "ishte trashëgimtar i Balshës dhe donte vendet që kishin qenë të tij", një pjesë e të cilave tashmë ishin nën zotërim venecian. Që në fillim të shek. XV interesat e Kastriotëve ishin shtrirë edhe në rajonin verior të bregdetit shqiptar. Krahas qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi në bregdet Shëngjinin, si dhe shtëpi në Ulqin. Prandaj ai e martoi një vajzë të tij me sundimtarin e rajoneve të Kotorrit e të Gentës, Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin). Gjoni tregtonte drithë në Kotorr. Në kuadrin e këtyre interesave, Skënderbeu do t’i kërkonte më pas Venedikut Shëngjinin e Velipojën dhe, bashkë me to, rajonin bregdetar përkatës, që të ishte sa më afër zotërimeve të kunatit të tij. Në këtë kohë zotërimet e Stefan Gjurashit njohën një zgjerim të madh dhe shtriheshin nga rrethinat e Kotorrit deri në Medun. Dëbimin e Venedikut prej këtyre viseve nuk e kërkonte vetëm Skënderbeu, por përgjithësisht e gjithë lëvizja politike shqiptare e kohës. Nevojat e luftës antiosmane për mjete ekonomike, për forca njerëzore e për zotërimin e kështjellave, që kishin rol parësor në mbrojten e vendit, kërkonin që edhe qytetet e kështjellat shqiptare, të cilat ishin nën Venedikun, të integroheshin me viset e lira shqiptare.
Skënderbeu u përpoq të shfrytëzonte kundër Venedikut edhe rrethanat ndërkombëtare. Për fillimin e konfliktit me të ai zgjodhi kohën kur forcat ushtarake të Venedikut luftonin në Lombardi kundër trupave të dukës së Milanos, që ishte aleat i mbretit të Napolit, Alfonsit V. Në kuadrin e përgatitjeve ushtarake, Skënderbeu i kërkoi Alfonsit V, në vitin 1447, anije lufte që t'i përdorte për rrethimin e qyteteve bregdetare që ishin nën zotërimin e Venedikut, si të Durrësit etj., por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Si shkas për fillimin e luftës kundër Venedikut duhet të ketë shërbyer kështjella e Dejës. Ajo kishte qenë nën zotërimin e Lekë Zaharisë dhe me vdekjen e këtij në fund të vitit 1444, Deja kaloi në duart e Venedikut. Çështja e zotërimit të Dejës kishte futur në mosmarrëveshje Nikollë Dukagjin, që përkohësisht e mori atë gjatë kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV, me Lekë Zaharinë, që e mori atë më pas, dhe me nënën e këtij, Boksën e dy nipërit e saj, Pal e Lekë Dukagjinin, që ia dorëzuan kështjellën Venedikut.
Qysh në verë të vitit 1446 Nikollë Dukagjini ndërmori sulme të ashpra për pushtimin e Dejës, gjë që çoi në acarimin e marrëdhënieve me Venedikun. Ai mori Shasin. Në këto rrethana, në vjeshtë të vitit 1447, Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare dhe u kërkoi anëtarëve të saj që t'i shpallej luftë Republikës së Venedikut në rast se nuk dorëzonte Dejën. Anëtarët e Besëlidhjes e miratuan kërkesën e Skënderbeut. Në nëntor të vitit 1447 "ushtria e fuqishme e Skënderbeut", siç shpreheshin qeveritarët venecianë, filloi luftën dhe sulmoi Durrësin, Dejën dhe kështjella të tjera në rajonin e Shkodrës. Aksioni i tyre qe i fuqishëm dhe e detyroi Senatin e Venedikut që, për të përballuar gjendjen, të vinte në përdorim mjete të shumta. Ai dërgoi përforcime ushtarake në zotërimet e veta në Shqipëri dhe shpalli se, personit që mund të vriste Skënderbeun, do t'i jepte një shpërblim të lartë e të përjetshëm. Gjithashtu udhëzoi qeveritarët e vet të përçanin forcat vendase, sidomos të shkëpusnin Pal e Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu dhe të nxitnin ushtrinë osmane të sulmonte shqiptarët për t'i futur këta në një luftë në dy fronte njëkohësisht.
Gjatë verës së vitit 1448, duke mbajtur të rrethuar Durrësin e Dejën, forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare iu drejtuan zonës së Shkodrës, që ishte zotërimi më i rëndësishëm i Venedikut në tokat shqiptare. Në sulmin mbi rajonin e Shkodrës mori pjesë edhe Gjergj Arianiti me forcat e tij. Pasi kaluan lumin Drin, në brigjet e tij shqiptarët u ndeshën me ushtrinë mercenare veneciane të komanduar nga Daniel Juriç Sebençini dhe korrën një fitore të shkëlqyer. Pas kësaj ata iu drejtuan Shkodrës dhe Drishtit. Për të mbështetur vazhdimin e veprimeve luftarake shqiptarët ndërtuan një kështjellë mbi gërmadhat e Ballecit, që gjendej në rrëzë të malit Maranaj.
Kalimi i ushtrisë shqiptare në thellësi të zotërimeve veneciane, u përkrah fuqishëm nga banorët e këtyre viseve, të cilët shpërthyen në kryengritje dhe u bashkuan me ushtrinë e Lidhjes. Zotërimet veneciane në Shqipëri, siç shprehej Senati i Venedikut për situatën e krijuar, ishin në "flakën më të madhe". Kjo i dha mundësi ushtrisë shqiptare t'i shtrinte veprimet luftarake dhe të futej në thellësi të këtyre zotërimeve.
Në kohën që vazhdonin veprimet luftarake në zonën e Shkodrës, rreth 10 mijë luftëtarë shqiptarë kaluan lumin e Bunës dhe sulmuan në drejtim të qytetit të Tivarit, duke bashkërenduar veprimet me disa mijëra ushtarë të Stefan Gjurashit (Cërnojeviçi), si dhe të mbretit të Bosnjës, Stefan Tomasheviqit, të komanduara nga Stefan Maramonti.
Skënderbeu me pjesën kryesore të ushtrisë nuk qëndroi gjatë në zonën e Tivarit. Ai kaloi në krahinat lindore të vendit për të përballuar ushtrinë osmane që, edhe nën nxitjen e Venedikut, erdhi në këto çaste në Shqipëri për t'i vënë forcat shqiptare midis dy zjarreve. Në zonën e Shkodrës Skënderbeu la Hamza Kastriotin me një pjesë të forcave për të vazhduar rrethimin mbi Dejën e Drishtin. Pas largimit të tij Venediku nxiti mosmarrëveshjet ndërmjet Stefan Maramontit dhe Stefan Gjurashit dhe arriti të ruante pushtetin e vet mbi qytetet që shtriheshin në bregun e djathtë të lumit të Bunës.
Kalimi i forcave ushtarake kryesore të Skënderbeut në lindje të vendit e lehtësoi Venedikun nga trysnia ushtarake e shqiptarëve dhe i dha mundësinë të përforconte mbrojten në zotërimet e veta.

Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës (Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448
Disfatat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane në Shqipëri gjatë viteve 1444-1447 shkaktuan shqetësim të madh në oborrin osman. Për këtë arsye sulltan Murati II vendosi të vihej vetë në krye të ushtrisë osmane për shkatërrimin e forcave shqiptare. Me nxitjen e Venedikut, ai e filloi fushatën në një çast shumë të përshtatshëm për të, kur shqiptarët ishin të zënë në luftën me Republikën e Shën Markut.
Me pjesën kryesore të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu bashkë me Gjergj Arianitin kaluan nga zona e Shkodrës në krahinat lindore dhe përforcuan me të shpejtë kështjellat e vendit, si dhe grykat nga mund të vinte armiku.
Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga vetë sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 21-vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti II, iu afruan brezit kufitar të viseve lindore me qëllim që të hynin në thellësi të viseve të lira shqiptare, të rivendosnin në to pushtetin osman dhe t'i jepnin fund njëherë e mirë qëndresës shqiptare.
Ushtria e sulltan Muratit II i përqendroi operacionet e saj mbi kështjellën e Sopotnicës (Stefigradit), që ishte baza kufitare më e rëndësishme në pjesën jugore të ballit lindor të viseve shqiptare të çliruara, e cila do hapte rrugën për ripushtimin e Ohrit. Osmanët qysh në fillim, kur në fund të shek. XIV e pushtuan për herë të parë Sopotnicën, e riemërtuan Demir Hisar.
Nëpërmjet zotërimit të kështjellës së Sopotnicës shqiptarët kishin futur nën kontrollin e tyre rrugë ndërkrahinore shumë të rëndësishme (që lidhnin luginën e Vardarit dhe rajonet e Përlepit e të Manastirit, të cilat ishin nën pushtimin osman, me viset e lira shqiptare në perëndim të tyre) si rruga Velesh - Kërçovë - Rahovnik (Dibër) - Deti Adriatik, rruga Përlep - Kërçovë - Rahovnik - Deti Adriatik, rruga Përlep - Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit, si dhe rruga Manastir - Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit. Gjithashtu Sopotnica gjendej jo larg rrugës Shkup -Kërçovë.
Pozicion gjeografik kyç i Sopotnicës për zotërimin e rrugëve ndërkrahinore bëri që sulltan Murati II të përdorte gjithë fuqinë e vet ushtarake për rimarrjen e saj. Prandaj lufta për Sopotnicën është pasqyruar gjerësisht në veprën e M. Barlecit për Skënderbeun, si dhe nga kronistë e historianë bizantinë e osmanë, madje edhe në këngët popullore shqiptare e sllave. Kronisti bizantin Laonik Halkokondili, si burimi më i hershëm që flet për këtë ngjarje, e përmend kështjellën me emrin Sfeti, qendërbanim mesjetar (Sveta) pranë kështjellës së Sopotnicës. Kurse M. Barleci e emërton Sfetigrad (sllavisht: Qytet i Shenjtë), emër që lidhej me manastiret e kishat e shumta që ishin në rajonin e Sopotnicës. Kurse tek Oruçi, e nën ndikimin e tij edhe te kronistët e historianët e tjerë osmanë, emri i kështjellës është ngatërruar me atë të Koxhaxhikut. Kështjella e Koxhaxhikut gjendej në rrugën përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Drini i Zi dhe ruante një rrugë dytësore krahinore, atë Strugë - Rahovnik (Dibër) dhe për marrjen e një kështjelle të tillë, pa rëndësi strategjike, nuk mund të angazhoheshin të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Ngatërrimi i emrit të Demir Hisarit me atë të Koxhaxhikut nga Oruçi e autorë të tjerë osmanë nuk është thjesht vetëm një rastësi, por ky ngatërrim është bërë sepse emrin e Demir Hisari e mbante edhe një vilajet e kështjellë tjetër që ishin në afërsi të kryeqytetit të Perandorisë Osmane, Edrenesë. Nuk duhet përjashtuar mundësia që në fillim me emrin e Koxhaxhikut osmanët të kenë emërtuar përkohësisht edhe vetë kështjellën e Sopotnicës.
Pasi trupat osmane rrethuan kështjellën e Sopotnicës, sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e saj. Por garnizoni i kështjellës, i drejtuar nga prifti matjan Pjetër Perlati, hodhi poshtë kërkesën për dorëzimin e saj dhe e mbrojti atë me heroizëm, duke i thyer sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila nën komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit vepronte në rrethinat e saj. Skënderbeu organizoi sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës dhe luftëtarët shqiptarë depërtuan edhe në kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme.
Qëndresa e garnizonit të Sopotnicës vazhdoi për aq kohë, sa osmanët arritën të zbulonin dhe të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm, gjë që e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve. Etja e detyroi garnizonin e kështjellës të hynte në bisedime me sulltanin dhe të pranonte ofertën e tij për t'u larguar i lirë bashkë me armët, me kusht që të dorëzonte kështjellën. Pas gati tre muaj rrethimi, në gusht të vitit 1448 Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Sipas kronistit bizantin L. Halkokondili, banorët e Sopotnicës u masakruan, prandaj, rrëfen ai, Getia iu dorëzua vetë osmanëve, pa bërë qëndresë. Emri i Getias nuk gjendet në burimet e tjera historike, prandaj duhet të jetë Ohri. Ky qytet disa herë ka kaluar në duart e shqiptarëve dhe të osmanëve gjatë shek. XV dhe vetëm në fund të viteve 60 do të pushtohej përfundimisht nga sulltan Mehmeti II, i cili do t'u njihte banorëve të tij disa privilegje.
Rënia në duart e osmanëve e Sopotnicës, e bashkë me të e Ohrit, ishte një humbje e rëndë për shqiptarët dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të lira. Megjithatë, bllokimi për një kohë relativisht të gjatë i trupave osmane në Sopotnicë dhe lajmet për përgatitjen ushtarake kundër osmanëve, që kishte filluar J. Huniadi, e detyruan Muratin II të ndërpriste luftën kundër shqiptarëve. Ai u largua pa realizuar synimin e fushatës së vet ushtarake, marshimin në drejtim të Shqipërisë Perëndimore dhe mposhtjen e qëndresës shqiptare.
Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi” (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës. Mishërimi i saj në krijimtarinë popullore është një përmendore për luftën heroike të shqiptarëve gjatë shek. XV.

Paqja me Venedikun (tetor 1448)
Pas largimit të trupave osmane, Skënderbeu u kthye në frontin e luftës kundër Venedikut.
Për të shqyrtuar qëndrimin që duhej të mbanin ndaj përgatitjeve ushtarake antiosmane të J. Huniadi, anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare mblodhën Kuvendin dhe vendosën që një ushtri e fuqishme e tyre të bashkohej me forcat e Huniadit për të organizuar një fushatë ushtarake të përbashkët kundër pushtuesve osmanë. Për realizimin e këtij projekti të përbashkët, ushtria e J. Huniadit do të marshonte drejt viseve verilindore shqiptare, ku të bashkohej me rreth 20 mijë luftëtarë shqiptarë që do t`i komandonte vetë Skënderbeu.
Përballë perspektivës që hapte zhvillimi me sukses i një fushate ushtarake të përbashkët shqiptaro-hungareze, Skënderbeu hyri në bisedime me Republikën e Venedikut për t'i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe për të normalizuar marrëdhëniet me të.
Bisedimet me përfaqësuesit e Venedikut u zhvilluan në kampin ushtarak të Skënderbeut, të vendosur pranë Lezhës. Besëlidhjen Shqiptare e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, ndërsa Republikën e Venedikut e përfaqësonte qeveritari i Shkodrës, Paulo Loredani, dhe i dërguari i posaçëm i saj, Andrea Venerio.
Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua më 4 tetor 1448 traktati i paqes. Sipas tij Republika e Venedikut do të mbante zotërimet e saj në tokat shqiptare, duke përfshirë edhe Dejën, me disa kushte: Skënderbeut do t'i paguante çdo vit 1 400 dukate, disa anëtarë të Besëlidhjes Shqiptare do të kishin prej Republikës privilegje e favore të ndryshme, si p.sh. përjashtimin e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit nga taksat doganore për kripën e stofrat që mund të blinin në Durrës etj.
Por disa pika të këtij traktati nuk u respektuan nga Venediku. Kështu, Skënderbeut nuk iu dhanë 1 400 dukatet e vitit të parë, që sipas traktatit do t'i merrte brenda 15 ditëve që të përgatitej për fushatën ushtarake të përbashkët me J. Huniadin. Ai iu drejtua edhe Raguzës për një hua në të holla që të përgatitej ushtarakisht, por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Me gjithë përgatitjet intensive për luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare nuk arritën të merrnin pjesë në betejë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk lejoi ushtrinë shqiptare që të kalonte nëpër rrugët e zotërimeve të tij. Rrjedhimisht trupat e J. Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në betejën që u zhvillua më 18 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes të 4 tetorit 1448 konflikti ndërmjet shqiptarëve e Venedikut nuk u shua. Ai u rindez nga Lekë Dukagjini në mesin e viteve 50. Forcat e L. Dukagjinit, duke pasur mbështetjen e pashpallur të Skënderbeut (i cili ndërkohë, sipas qeveritarëve venecianë në Shqipëri, synonte për vete Drishtin dhe Tivarin), arritën të merrnin kështjellën e Dejës dhe atë të Shasit dhe i mbajtën ato për disa vjet, deri kur L. Dukagjini dhe Venediku nënshkruan traktatin e paqes të 19 shkurtit 1459.

Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit I (korrik-tetor 1450)
Fushata ushtarake e sulltan Muratit II kundër Shqipërisë gjatë vitit 1448 nuk dha përfundimet e dëshiruara prej tij. Ishte e natyrshme që, pas fitores së vitit 1448 kundër ushtrisë së Huniadit, sulltani do të kërkonte shkatërrimin e forcave shqiptare. Në mars të vitit 1449 ai pushtoi qytetin e Artës dhe zotërimet e despotit të Artës, Leonardit I (IV) Toko (1448 - 1479), që kishte lidhje me Skënderbeun, u reduktuan në Shqipërinë e Poshtme në Angjelokastër, Vonicë e Varnacë, si dhe në ishujt Leukadë, Qefaloni e Xantë. Prandaj Skënderbeu i përshpejtoi masat për forcimin e mbrojtjes së vendit. U riparuan kështjellat, të cilat u përforcuan edhe me luftëtarë e armatime.
Për fuqizimin e mbrojtjes së viseve lindore, ushtria shqiptare e komanduar nga Skënderbeu u përpoq të çlironte kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradin). Në këtë aksion morën pjesë me repartet ushtarake të tyre edhe Gjergj Arianiti, Moisi Arianiti (Golemi) e Zahari Gropa. Sopotnica u sulmua nga forcat shqiptare gjatë vitit 1449, por nuk e morën dot. Përpjekjet e sundimtarëve shqiptarë për të rivendosur pushtetin e tyre në rajonet e Sopotnicës e të Ohrit nuk reshtën.
Për forcimin e aftësisë mbrojtëse të vendit, rëndësi kishin edhe marrëdhëniet me Venedikun. Në prill të vitit 1449 Skënderbeu dërgoi në Venedik përfaqësuesit e vet për t`i kërkuar Senatit të Republikës ratifikimin e traktatit të paqes të tetorit 1448, si dhe autorizimin që ai të mobilizonte luftëtarë nga banorët e zotërimeve veneciane në Shqipëri. Gjithashtu Skënderbeu i kërkoi Republikës së Shën Markut të përforconte Shkodrën e zotërimet e tjera për të penguar kalimin nëpër to të ushtrive osmane që të mos sulmonin prapa krahëve forcat shqiptare. Këto kërkesa Senati i Venedikut i pranoi, kurse nuk pranoi bashkëpunimin ushtarak me Skënderbeun, që do të çonte në prishjen e traktatit të paqes së nënshkruar me sulltan Muratin II.
Sulmi i trupave osmane kundër Shqipërisë nuk vonoi. Në vitin 1450 sulltan Murati II ndërmori një fushatë ushtarake shumë të fuqishme, duke angazhuar në të gjithë ushtrinë e Perandorisë. Sipas burimeve të kohës, që përmendin Rrethimin I të Krujës, numri i trupave osmane arrinte në l00 mijë veta. Por, sipas rrëfimeve të bashkëkohësve që kanë njohur nga afër organizimin e ushtrisë osmane, numri maksimal i trupave të rregullta që mund të merrte pjesë nëpër beteja larg viseve të tyre ishte rreth 30 mijë veta.
I njoftuar me kohë për lëvizjen e ushtrisë armike, Skënderbeu përfundoi masat mbrojtëse. Në vende të sigurta malore dhe në qytetet e fortifikuara bregdetare ai strehoi popullsinë e paaftë për luftë, grumbulloi bagëtinë dhe prodhimet bujqësore në vende të sigurta. Në vjeljen, grumbullimin dhe transportimin e prodhimeve bujqësore në ndihmë të popullsisë vuri ushtrinë. Prodhimet bujqësore të paarrira u asgjësuan, që armiku të mos kishte mundësi furnizimi me to.
Skënderbeu mobilizoi popullsinë e aftë për luftë dhe organizoi një ushtri të fuqishme. Forcat ushtarake ai i ndau në tri pjesë. Nën komandën e Kont Uranit vendosi në kështjellën e Krujës 1 500 luftëtarë vullnetarë të sprovuar. Mijëra të tjerë i organizoi në formë çetash që të vepronin në të gjithë vendin, sidomos pranë rrugëve për të penguar furnizimin e trupave armike me ushqime e mallra të tjera, duke sulmuar sidomos karvanet e furnizimit të tyre. Nga këto më të rëndësishmet ishin forcat e Gjergj Arianitit, që do të vepronin kryesisht përgjatë Rrugës Mbretërore (Egnacia). Detyra më e rëndësishme iu caktua 8 mijë luftëtarëve që u vunë nën komandën e drejtpërdrejtë të Skënderbeut. Këta do të qëndronin kryesisht në rrethinat e Krujës dhe do të sulmonin pa ndërprerë ushtrinë osmane që të mos e lejonin atë të përqendrohej me të gjitha forcat kundër mbrojtësve të kështjellës së saj.
Gjatë verës së vitit 1450 u grumbulluan në Manastir rreth 30 mijë veta, që ishte numri maksimal i të gjitha forcave ushtarake të Rumelisë e të Anadollit, të cilat mund të grumbulloheshin dhe të merrnin pjesë në luftime larg vendbanimeve të tyre. Ata u vunë nën komandën e sulltan Muratit II, i cili, ashtu si para dy vjetësh në Sopotnicë, kishte me vete edhe të birin 23-vjeçar, sulltanin e ardhshëm, Mehmetin II. Në fund të muajit korrik 1450, sulltan Murati II iu drejtua viseve të lira shqiptare. Trupat osmane ishin të pajisura me mjete ushtarake të shumta e nga më modernet për kohën, duke përfshirë edhe metal për derdhjen e topave.
Ushtria osmane ndoqi Rrugën Mbretërore (Egnacia). Gjatë marshimit në drejtim të viseve perendimore trupat osmane u gjendën nën sulmet e pandërprera të luftëtarëve të Gjergj Arianitit që vepronin në formën e çetave. Ushtria osmane kudo ku kaloi, vinte në dukje kronisti bashkëkohor bizantin L. Halkokondili, "dogji, duke i vënë zjarrin çdo gjëje që takonte". Ajo depërtoi në thellësi të vendit, iu drejtua Krujës dhe i ngriti çadrat në fushën që shtrihej në perëndim të saj. Nënkuptohet se një pjesë e viseve lindore të zotërimeve të Kastriotëve e të Arianitëve, nëpër të cilat lëviznin ushtritë pushtuese, përkohësisht kaloi nën kontrollin osman.
Përballë ushtrisë së fuqishme osmane, sulltan Murati II mendoi se shqiptarët ishin ligështuar, prandaj u kërkoi mbrojtësve të kështjellës së Krujës dorëzimin e saj pa luftë. Ai i propozoi Kont Uranit një shumë të madhe të hollash dhe mbrojtësve paprekshmëri gjatë largimit nga kështjella. Por këto oferta u refuzuan prej shqiptarëve. Atëherë Murati II urdhëroi pushtimin me luftë të kështjellës së Krujës. Pranë mureve të saj osmanët derdhën topa të fuqishëm. Me to u rrahën muret kështjellës, një pjesë e të cilave së bashku me portën e hyrjes u dëmtua. Pas bombardimit osmanët u vërsulën drejt mureve të dëmtuara, por ndeshën në "murin" e pamposhtur të mbrojtësve të saj, të cilët me luftën dhe qëndresën e tyre, nuk i lanë të hynin në kështjellë.
Nga jashtë Skënderbeu me luftëtarët e vet godisnin pareshtur dhe befasishëm ushtrinë armike, nga drejtime të ndryshme, ditën e natën, dhe shpesh e sulmonin atë njëkohësisht në disa drejtime. Me ta bashkëvepronin edhe mbrojtësit e Krujës. Shpesh këta dilnin nga kështjella dhe sulmonin befasishëm ose u kundërpërgjig

29
Historia e Shqiperise / Re: Historia e Shqiptare - Mesjeta shqiptare
« on: January 10, 2008, 05:33:53 PM »
K R E U V

SHQIPËRIA PËRBALLË PUSHTIMIT OSMAN
(1385 - 1443)

1. PUSHTIMET E PARA OSMANE NË SHQIPËRI

Shtrirja e pushtimeve osmane në Ballkan
Osmanët ishin pasardhës të turqve oguzë. Këta u shpërngulën si tribu nga Azia Qendrore dhe u vendosën në Anadoll në fund të shek. XI, pas disfatës së rëndë ushtarake që turqit selxhukë i shkaktuan Perandorisë Bizantine (1071), së cilës i morën pjesën më të madhe të zotërimeve që kishin në Azinë e Vogël.
Turqit oguzë hynë në histori kur prijësi i tyre Ertogrulli mori si shpërblim prej sulltanit selxhuk një zotërim të vogël në brigjet e lumit Sangaria (Sakaria). Ndërkohë shteti i selxhukëve u shpërbë në shumë principata të vogla pas disfatës ushtarake që i shkaktuan mongolët (1243).
I biri i Ertogrullit, Osmani I (1290-1323), e zgjeroi zotërimin atëror dhe e ktheu në një shtet të pavarur me emrin Emirati Osman, që u bë bërthama e Perandorisë Osmane. Në vitin 1299 Osmani I mori titullin e sulltanit dhe nënshtetasit e tij u quajtën turq-osmanllinj. Ushtria e tij përbëhej nga feudalë të vegjël spahinj (sipah - kalorës), që ishin të detyruar të merrnin pjesë në luftë si kalorës sa herë të thirreshin nga komandantët eprorë të tyre.
Në vitin 1317 Osmani I ngarkoi të birin, Orhanin, me detyrën e komandantit të ushtrisë. Sulltan Orhani (1323-1362) në vitin 1326 pushtoi Bursën dhe e bëri kryeqytet. Ai i zgjeroi kufijtë e shtetit të tij, krijoi aleancë me Perandorinë Bizantine dhe u martua me vajzën e Perandorit Johani VI Kantakuzen.
Burimet historike, rrjedhimisht edhe historianët e sotëm, kanë disa ndryshime kronologjike për vitet e para të pushtimeve osmane në Ballkan. Në vitet 1347, 1349 dhe 1352 trupat e sulltan Orhanit zbarkuan në Ballkan për të luftuar përkrah vjehrrit të sulltanit kundër serbëve, bullgarëve dhe kundërshtarëve të brendshëm politikë të Johanit VI. Në këto rrethana në vitin 1352 osmanët krijuan zotërimin e parë të tyre në Evropë, duke marrë kështjellën Cimpes pranë qytetit të Galipolit dhe, pas dy vjetësh (1354), pushtuan edhe këtë qytet bashkë me rajonin e Dardaneleve e më gjerë.
Sulltan Orhani fuqizoi organizimin e brendshëm të Perandorisë Osmane. Ai preu një monedhë të veçantë për shtetin e tij dhe rreth vitit 1330 krijoi ushtrinë e përhershme elite, korpusin e jeniçerëve (jeniçer - ushtar i ri). Krahas spahinjve dhe jeniçerëve, Perandoria Osmane kishte edhe repartet ushtarake të akënxhinjve (akën - sulm), që ishin kalorës, të cilët zakonisht grumbulloheshin kur ndërmerreshin fushata pushtuese.
I biri i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389), vuri nën pushtetin e tij rajone të tëra të Ballkanit. Në mes të viteve 60 ai pushtoi Adrianopojën, të cilën e bëri kryeqytet të Perandorisë dhe e ripagëzoi me emrin Edrene. Pushtimi i saj ndikoi shumë për shtrirjen e pushtimeve osmane në Traki. Rrugën e pushtimeve masive osmane në Ballkan e hapi fitorja e vitit 1371 pranë lumit Marica, ku trupat osmane u shkaktuan një katastrofë ushtarake sundimtarëve sllavë, vëllezërve Vollkashin dhe Uglesha Mërnjavçeviqit, në krah të të cilëve qe edhe Aleksandri i Vlorës. Pas betejës së Maricës, perandorët bizantinë dhe shumë sundimtarë të tjerë të Ballkanit u bënë vasalë të Perandorisë Osmane. Si vasalë ata filluan t’i paguanin tribut të përvitshëm dhe, bashkë me trupat e tyre, merrnin pjesë në luftime përkrah ushtrive osmane sa herë thirreshin prej sulltan Muratit I dhe pasardhësve të tij. Aleatë të sulltanëve osmanë në Ballkan kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të kishës greke dhe sllave, që kishin siguruar një varg privilegjesh prej sulltanëve.
Zhvendosja e kryeqytetit nga Azia (Bursa) në Evropë (Adrianopojë - Edrene) dhe krijimi për herë të parë këtu dhe jo në Anadoll i bejlerbejllëkut (Ejalet i Rumelisë), dëshmojnë se që në kohën e sulltan Muratit I, Ballkani po merrte më shumë peshë në jetën e Perandorisë Osmane se Anadolli. Në mes të shek. XV sulltanët osmanë arritën të grumbullonin më shumë ushtarë dhe të ardhura prej sistemit tatimor nga Rumelia (pjesa evropiane e Perandorisë Osmane) sesa nga Anadolli.
Gjatë viteve e dhjetëvjeçarëve që vijuan, në qendër të veprimtarisë politike dhe ushtarake të sulltan Muratit I dhe të pasardhësve të tij, ishte zgjerimi i kufijve të Perandorisë Osmane në drejtim të Ballkanit dhe të rajoneve të tjera të Evropës.

Pushtimet e para osmane në Shqipëri
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha, në vitin 1385 ushtritë osmane, pasi morën Sofjen, u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e Shtipit, të Përlepit, të Manastirit dhe të Kosturit. Në dokumente perëndimore dhe osmane të shek. XIV-XV për qytetet e Shkupit, të Manastirit, të Kosturit, të Janinës etj., si dhe për Fushë-Dardaninë shprehimisht është shënuar se ato ishin "në Shqipëri" apo "në tokat shqiptare".
Në muajin gusht të vitit 1385 Balsha II i shkruante Republikës së Venedikut se zotërimet e tij ishin nën sulmet e përditshme të ushtrive osmane dhe se ato kishin shkaktuar një pështjellim të madh te nënshtetasit e tij. Kur Balsha II ishte i zënë në konflikt me mbretin e Bosnjës, Tvërtkon (1376-1391), për çështjen e zotërimit të Kotorrit, një ushtri e fuqishme osmane, e komanduar nga Timurtash Pasha, në shtator të vitit 1385 u fut me shpejtësi në thellësi të tokave shqiptare. Balsha II së bashku me një grup fisnikësh të udhëhequr prej tij, mobilizuan me shpejtësi një pjesë të ushtrisë dhe u dolën përpara osmanëve në fushën e Savrës (pranë Lushnjës). Në betejën e Savrës, që u zhvillua më 18 shtator 1385, forcat ushtarake shqiptare u thyen dhe vetë Balsha II gjeti vdekjen. Fitorja e betejës i dha mundësi ushtrisë osmane që të pushtonte Beratin, Krujën etj., të cilat i mbajti përkohësisht, derisa ua lëshoi zotëruesve të mëparshëm. Inkursionet e tyre u shtrinë edhe në Shqipërinë e Epërme deri në Lezhë, si dhe në Shqipërinë e Poshtme. Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin dhe pas një viti Selanikun, që e mbajtën përkohësisht në duart e tyre, deri më 1403.
Për disa familje fisnike të njohura, si Balshajt, Muzakajt etj., beteja e Savrës shënoi rënien e tyre nën vasalitetin osman, i cili në fillim qe i dobët dhe herë-herë formal. Pa kaluar shumë kohë nga disfata që pësuan në fushën e Savrës, Balshajt rifilluan të ndiqnin një politikë të pavarur. Në vitin 1388, Gjergji II Balsha, krahas forcave ushtarake të sundimtarëve të Rashës e të Bosnjës, mori pjesë në betejën që u zhvillua në Beliqë (Bosnjë) dhe forcat e tij luajtën një rol të rëndësishëm në thyerjen e ushtrive osmane, të komanduara nga L`alla Shahini. Kjo fitore nxiti Karl Topinë dhe Muzakajt që të shkëpusnin lidhjet e tyre të vasalitetit ndaj osmanëve.
Intensifikimi i sulmeve të ushtrive osmane dhe zgjerimi i vrullshëm i pushtimeve të tyre në Ballkan bënë që sundimtarët ballkanas të linin mënjanë grindjet e konfliktet ndërmjet tyre dhe të mendonin e të projektonin aksione të përbashkëta ushtarake për të mbrojtur zotërimet e veta. Në vitin 1387 u krijua një koalicion i gjerë ballkanik, ndërkohë që më 1388 sulltani përqendroi forca të shumta në Plovdiv për të vijuar pushtimet në Ballkanin Qendror.
Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren, Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas, si vojvoda rumun Mirçea, bani kroat Ivan Horvat, mbreti Tvërtko I i Bosnjës, sundimtari i Kosovës Vuk Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi (Vuk Brankoviçi) etj. Zotërimet familjare i kishte në pjesën veriore të Drenicës dhe të Fushë-Dardanisë. Pas vdekjes së Vukës në tetor 1398, jeta politike në zotërimet e tij u decentralizua.
Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman, krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit, komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të Bosnjës.
Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Në çastin e fillimit të betejës, V. Brankoviçi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më 15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të përgjakshme me focat osmane të komanduara nga sulltan Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive të koalicionit, fitorja në këtë betejë anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore të mëdha nga të dyja palët. Gjatë zhvillimit të betejës luftëtari Milosh Kopili vrau sulltan Muratin I. Për hakmarrje osmanët vranë robërit e luftës, duke përfshirë knjaz Llazarin e Milosh Kopilin. Në këtë betejë mbeti i vrarë Teodori I Muzaka, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tij dhe shqiptarë të tjerë. Beteja e Fushë-Dardanisë dhe akti heroik i Milosh Kopilit lanë mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës, të cilët i përjetësuan ato në këngë popullore.
Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për popujt e Gadishullit të Ballkanit. Ajo i dha fund krijimit të koalicioneve ballkanike të gjera kundër pushtuesve osmanë dhe sulltanit pasardhës, Bajazitit I (1389-1402), të njohur me cilësimin Rrufeja (Jëlldërëm), i lehtësoi rrugën për pushtime të reja në Ballkan.
Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin, të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan t'u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin (kështjellë pranë Mitrovicës) etj. Me marrjen e Shkupit, osmanët përforcuan pushtetin e tyre në pjesën lindore të Shqipërisë Qendrore (Maqedonia e sotme), veçanërisht nëpër rajonet fushore të lumit Vardar, që ishin nga më të begatat e Ballkanit. Pozicioni gjeografik shumë i favorshëm i Shkupit, ku kryqëzoheshin rrugët më të shkurtra që lidhnin kryeqytetin e Perandorisë Osmane me të gjitha tokat shqiptare dhe me rajonet e tjera të Ballkanit, nxitën sulltanët osmanë që ta bënin atë bazë ushtarake shumë të fuqishme, duke e shpallur Pashasanxhak, d.m.th. vend-rezidencë e bejlerbeut të Rumelisë.
Ndërkaq osmanët ishin përpjekur për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Shqipërinë Qendrore. Qysh në vitin 1385 ata u kishin marrë Muzakajve qytetin e rëndësishëm të Kosturit, kurse rreth vitit 1394 u morën Gropajve Ohrin, të cilin nuk e mbajtën dot për një kohë të gjatë. Ky qytet buzë liqenit kishte fortesë të fuqishme dhe një pozicion shumë të favorshëm për kontrollin e peshkimit në liqen e në dajlanet e shumta të lumit Drin në Strugë, ku tregtohej me shumicë peshku i thatë që përgatitej aty. Për zotërimin e rajonit të liqenit dhe dobësimin e pranisë së fisnikëve shqiptarë aty, osmanët vendosën administratën e tyre në Ohër dhe rrënuan tri kështjellat e tjera, të Strugës, të Pogradecit e të Starovës, që ishin në roje të liqenit dhe të rrugëve që gjendeshin pranë tij.
Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare shqiptare, që do të ndikonte shumë në ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në qytete të tjera të viseve lindore, filluan të përqafonin masivisht islamizmin. Që në fund të viteve 60 të shek. XV mbi 60% e banorëve të Shkupit e të Manastirit ishin myslimanë. Kurse te sllavët, që kishin kishën e tyre kombëtare, nuk u përhap procesi i islamizimit. Në regjistrat kadastralë osmanë të shek. XV thuajse asnjë spahi nuk ka të shënuar cilësimin se është serb apo sllav, ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë mbiemrin Shqiptari (Arnauti).
Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve i shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.
Pasi e konsoliduan pushtetin osman në viset lindore të Shqipërisë Qendrore, trupat osmane nisën sulmet në drejtim të rajoneve perëndimore e bregdetare, si dhe të Shqipërisë së Epërme dhe asaj të Poshtme, sulme që i vazhduan pa ndërprerë nga viti 1385 deri në vitin 1402 për t`i rifilluar pas një dhjetëvjeçari. Pasi morën Zveçanin, më 1393 osmanët arritën të pushtonin po përkohësisht Shkodrën, Ulqinin, Dejën e Krujën, të cilat i mbajtën deri më 1395. Po në fund të shek. XIV ata morën përkohësisht Janinën dhe pushtuan krahinat e Korçës e të Përmetit. Zgjerimi i pushtimeve osmane në Shqipëri u ndërpre përkohësisht pas betejës së Ankarasë, të zhvilluar më 20 qershor 1402, ku trupat osmane pësuan një disfatë të rëndë dhe sulltan Bajaziti I (1389-1402) ra rob në duart e ushtrive fitimtare mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Pas kësaj beteje, për një dhjetëvjeçar, jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të ashpra ndërmjet tre djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, konflikte që përfunduan me ardhjen në pushtet të Mehmetit I (1413-1421). Sulltani i ri riaktivizoi politikën pushtuese edhe në drejtim të Ballkanit dhe të Shqipërisë.
Para se sulltan Mehmeti I të vinte në pushtet, në vitin 1412 ushtritë osmane sulmuan Novobërdën dhe e mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë, por nuk e morën dot, sepse mbrojtësit e saj luftuan me guxim. Ushtritë e sulltan Mehmetit I, me vdekjen e Niketë Topisë, në fillim të vitit 1415 pushtuan Krujën, gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës, kurse në vjeshtë të vitit 1418 pushtuan Gjirokastrën, kryeqendrën e zotërimeve të Zenebishëve.
Fitorja e trupave osmane në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 dhe konsolidimi i pushtetit të tyre në fund të shek. XIV në qytetin e Shkupit, në rajonet e lumit Vardar si dhe pushtimi i Krujës, i Beratit, i Gjirokastrës etj., lehtësuan pushtimet e mëtejshme osmane në Ballkan e në Shqipëri dhe shtuan panikun në radhët e sundimtarëve ballkanas, shumë prej të cilëve u bënë vasalë të sulltanëve. Në Shkup u vendos selia e bejlerbeut të Rumelisë, që ishte komandanti i përgjithshëm i ushtrive osmane për pjesën evropiane të saj. Me një personalitet të tillë ushtarak e politik shumë të fuqishëm të Perandorisë Osmane duhej të përballeshin vazhdimisht fisnikët shqiptarë. Krahas tij ata duhej të përballeshin edhe me pinjollët e shumtë të familjes së fuqishme të Evrenozëve. Qysh kur nisën pushtimet e para osmane në Shqipërinë Lindore, në fund të shek. XIV, e deri në fund të shek. XV, kur ranë në duart e tyre edhe kështjellat e fundit në tokat shqiptare, ato të viseve perëndimore, në të gjitha betejat e aksionet e rëndësishme ushtarake të ushtrive pushtuese u shquan si komandantë ushtarakë osmanë një varg pinjollësh të familjes Evrenozi që jetonin në Shkup. I pari i tyre ishte Evrenoz-Beu (Pasha Jigit beu), i cili kishte pushtuar Thesalinë; emrin e tij e përdorën gjatë shekujve si mbiemër djemtë, nipërit e pasardhësit e tjerë të tyre.

2. REGJIMI FEUDAL USHTARAK OSMAN NË SHQIPËRI

Regjistrimet e para kadastrale osmane në Shqipëri
Organizimi i Perandorisë Osmane dhe funksionimi i aparatit të saj shtetëror mbështetej mbi pronën feudale ushtarake, sistemin e timarit. Kjo lloj prone u vendos në Ballkan dhe në Shqipëri gradualisht, që me pushtimet e para osmane të shek. XIV. Por mungojnë burimet historike të shek. XIV për të pasqyruar dinamikën e shtrirjes në kohë e hapësirë të sistemit të timarit.
Dokumenti më i hershëm i zbuluar der tani, për të njohur sistemin agrar që vendosën pushtuesit osmanë në Shqipëri dhe në Ballkan, është një regjistër kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), i emërtuar "Regjistri i Sanxhakut Shqiptar" (Defter-i Sancak-i Arvanid). Në të janë përfshirë një pjesë e viseve të Shqipërisë Perendimore, që shtriheshin nga Çamëria deri në lumin Mat. Krahas pasqyrimit të shpërndarjes së timareve në çastin e hartimit të regjistrit, në të ka edhe shënime që u referohen periudhave më të hershme, kohës së sulltan Bajazitit I (1389-1402) dhe të sulltan Mehmetit I (1413-1421).
Të dhënat e regjistrit të vitit 1431-1432 për praninë e sistemit të timarit në Shqipëri që në fund të shek. XIV janë fare të pakta dhe kanë të bëjnë me krahinën e Korçës e të Përmetit. Kurse për kohën e sulltan Mehmetit I janë më të shumta. Ato tregojnë se pas pushtimit prej osmanëve në vitet 1417 e 1418 të kështjellave të Gjirokastrës, të Beratit, të Kaninës etj., ishte bërë një regjistër kadastral dhe ishte formuar Sanxhaku Shqiptar po me atë shtrirje të përafërt që do të kishte edhe në regjistrimin e mëvonshëm të vitit 1431-1432.
Në kohën e sulltan Mehmetit I pushtuesit osmanë kryen regjistrimin themeltar të vendbanimeve, të shtëpive, të pronave tokësore, i grupuan ato nëpër timare të madhësive të ndryshme (sipas funksionit e influencës që kishin spahinjtë), caktuan llojet e taksave dhe sasinë e detyrimeve që familjet e regjistruara duhet t`i paguanin shtetit dhe spahiut të tyre.
Ata synonin të zbatonin sistemin e tyre feudal ushtarak dhe, në radhë të parë, të vendosnin pronësinë feudale osmane mbi tokën, e cila ishte mjeti kryesor i prodhimit. Të gjitha tokat e punueshme, arat, livadhet, kullotat, pyjet, korijet, pavarësisht në duart e kujt ndodheshin, konsideroheshin pronë mirie, d.m.th. pronë shtetërore (araz-i mirye) dhe vetëm një fond i kufizuar tokash u jepej si pronë private (araz-i mulk) komandantëve të shquar ushtarakë. Toka vakuf (erz-i vakfe-tokë e shenjtë) formonte një kategori të veçantë prone, atë të institucioneve fetare.
Nga ana formale juridike pronari i tokave të shpallura mirie konsiderohej Zoti, por ajo administrohej prej sulltanit, i cili konsiderohej halif (mëkëmbës i profetit Muhamed).
Me shpalljen e tokave të regjistruara si pronë mirie, fshatarëve, që ishin pronarë tokash, iu kufizua e drejta në pronat e tyre, kurse fisnikët shqiptarë u zhveshën nga zotërimet e tyre dhe nga favoret që kishin në bazë të së drejtës feudale. Tani tokat e pushtuara hynë në fondin e përgjithshëm tokësor të shtetit osman. Në vartësi me madhësinë e të ardhurave që, sipas funksioneve, rëndësisë e njohjeve, u caktoheshin feudalëve të rinj osmanë, tokat u pjesëtuan në feude të vogla, të mesme dhe të mëdha, që administrata osmane i emërtonte timare, ziamete e hase. Këto prona u shpërndaheshin me kusht ushtarakëve të quajtur spahinj (d.m.th. kalorës), subashë e sanxhakbejlerë, si dhe funksionarëve civilë. Këta i mbanin pronat për aq kohë sa ishin në funksionet përkatëse dhe përmbushnin detyrimet e tyre.
Në fillim administrata osmane në Shqipëri, në pjesën më të madhe të saj, përbëhej nga të huaj. Krahas tyre kishte një numër të konsiderueshëm spahinjsh shqiptarë të islamizuar, të cilët përgjithësisht vinin nga radhët e fëmijëve të fisnikëve që sulltani i kishte marrë si pengje. Kishte edhe një numër të kufizuar spahinjsh shqiptarë të krishterë. Timaret e këtyre të fundit përgjithësisht ishin në zona të thella, mbi të cilat administrata osmane e kishte shumë të vështirë të vepronte.
Krahinat e pushtuara osmanët i ndanin në njësi të ndryshme administrativo-ushtarake. Këto njësi nuk ishin krijesa arbitrare, por mbështeteshin në lidhjet historike e traditën vendase të ndarjeve kishtare e administrative. Sanxhakët ishin njësitë më të rëndësishme administrativo-ushtarake të Perandorisë Osmane.
Sipas burimeve historike, që njihen deri tani, në tokat shqiptare u krijuan, në periudha të ndryshme të shek. XV, disa sanxhakë: pashasanxhaku i Shkupit, sanxhaku i Janinës, Sanxhaku Shqiptar (Sancak-i Arvanid) etj. Më i rëndësishmi prej tyre ishte pashasanxhaku i Shkupit, që kishte 22 nahije gjithsej dhe një shtrirje shumë të gjerë: nga Selaniku në lindje dhe arrinte në perëndim deri në Gostivar e Kërçovë. Burimet më të hershme historike për organizimin e tyre, që kanë arritur të ruhen deri në ditët tona, i përkasin Sanxhakut Shqiptar.
Sanxhaku Shqiptar pati si kryeqendër Gjirokastrën dhe shtrihej nga Çamëria deri në lumin Mat. Ai bënte pjesë në ejaletin e Rumelisë, ku përfshiheshin të gjithë sanxhakët e Ballkanit. Sanxhaku Shqiptar ishte i ndarë në njësi të vogla, në vilajete, ku përfshiheshin disa krahina (nahije).
Në krye të sanxhakut qëndronte sanxhakbeu, komandanti i ushtrisë së sanxhakut që formohej nga disa qindra spahinj. Në krye të vilajetit ishte subashi, komandanti i spahinjve që i kishin timaret në vilajetin përkatës. Subashët vareshin nga sanxhakbeu dhe kishin vetëm funksione ushtarake.
Në çdo vilajet, pranë subashëve ishin kadilerët, kryetarët e zyrës së Sheriatit (Ligji i Shenjtë), të cilët kryenin funksione administrative, civile, gjyqësore dhe fetare. Ata si kryetarë gjyqi, vendosnin jo vetëm në proceset juridike, por edhe ndërhynin në çështjet e shfrytëzimit dhe të ndarjes së timareve. Pranë kadilerëve kishte edhe funksionarë të tjerë të administratës shtetërore osmane. Këta ishin naibët, zëvendësit e kadilerëve, dhe imamët, funksionarët e kultit osman. Në çdo qytet ishte edhe dizdari, komandanti i rojeve të kështjellës. Të gjithë ata ishin të pajisur me timare. Popullsia jo myslimane (e krishterë, etj.) cilësohej raja (e nënshtruar).

Regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432)
Aparati shtetëror qendror e lokal i Perandorisë Osmane kujdesej për zbatimin e sistemit të timarit, mbi bazën e të cilit ishte ngritur e funksiononte tërë ngrehina politike, ushtarake e administrative e Perandorisë Osmane. Të ardhurat që vileshin nga tatimet e sistemit të timarit mbanin në këmbë gjithë aparatin shtetëror dhe mbulonin shpenzimet e tij. Gjithashtu ushtria e spahinjve, e zotëruesve të timareve, ishte pjesa më e rëndësishme e forcave ushtarake osmane që zbatonte sistemin e timarit, që mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe që, nëpërmjet luftërave pushtuese, zgjeronte kufijtë e saj.
Kujdesin e veçantë, që kishte aparati shtetëror për zbatimin e sistemit të timarit, e tregojnë më së miri procesi i regjistrimeve kadastrale të herëpashershme dhe shënimet e shumta anësore me të cilat janë pajisur regjistrat përkatës. Hartuesit e kadastrave (eminët) dërgoheshin nga kryeqyteti për të bërë regjistrimet. Në bazë të dekreteve (berateve), që sulltani u kishte lëshuar spahinjve, eminët shkonin fshat më fshat për të regjistruar shtëpitë, pronat e tatimet që duhej të vileshin. Në përfundim të këtij procesi eminët hartonin regjistrat e hollësishëm (mufasal defteri). Gjithashtu ata bënin edhe kopje të përmbledhura të tyre, siç është edhe regjistri kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), që është zbuluar në arkivat turke. Ai është i pajisur me shënime anësore që janë bërë vazhdimisht, deri në vitin 1455, për të pasqyruar zëvendësimin e spahinjve të mëparshëm me të rinj, ndryshimet që pësonin timaret, duke i zmadhuar ose zvogëluar ato, si dhe krijimin e timareve të reja me fshatra e grupe familjesh që zbuloheshin si të paregjistruara e të fshehura etj. Prandaj herë pas here ndërmerreshin regjistrime të reja, nëpërmjet të cilave administrata qendrore e ajo lokale siguronte pasqyra më të plota e të sakta për funksionimin e sistemit të timarit. Në këtë kuadër u ndërmor edhe regjistrimi i vitit 835 h. (1431-1432), nga i cili është zbuluar një kopje e përmbledhur e tij. Ai është regjistri kadastral më i hershëm për Ballkanin i hartuar nga administrata osmane dhe i zbuluar deri më tani. Kjo kopje është e ndarë rastësisht në dy pjesë, nga të cilat vetëm njëra është botuar në vitin 1954 prej historianit turk Halil Inalçik. Në të janë shënuar emrat e ndarjeve administrative e të qendrave të banimit, emrat e spahinjve, llojet e tatimeve që paguheshin e madhësia e tyre e shënuar në akçe (monedhë osmane) etj.
Ashtu si gjatë regjistrimit të kohës së sulltan Mehmetit I, edhe me regjistrimin e ri të vitit 835 h. (1431-1432), Gjirokastra vazhdoi të ishte kryeqendra e Sanxhakut Shqiptar dhe në këtë sanxhak ishin përfshirë krahinat nga Çamëria deri në lumin Mat. Ai ishte i ndarë në 11 vilajete, të cilat më vonë do të quhen kaza: vilajeti i Gjirokastrës, i Këlcyrës, i Kaninës, i Beratit, i Tomoricës, i Skraparit, i Pavël-Kurtikut, i Çartallozit, i Krujës, i Përmetit dhe i Korçës. Dy vilajetet e fundit janë përfshirë në pjesën e pabotuar të regjistrit osman të vitit 835 h. Si sanxhakbe i Sanxhakut Shqiptar u caktua Ali bej Evrenozi.
Krahas krahinave që ishin përfshirë në Sanxhakun Shqiptar, shënimet anësore të regjistrit të vitit 835 h. (1431-1432) tregojnë se ndërkohë osmanët kishin regjistruar edhe rajone të tjera shqiptare. Sipas tyre, në një regjistër të veçantë e të panjohur deri tani ishin shënuar zotërimet e Gjon Kastriotit. Në këto regjistra nuk u përfshinë zotërimet veneciane në Shqipëri.
Sipas regjistrit të vitit 835 h. në Sanxhakun Shqiptar ishin rreth 475 timare, duke përfshirë edhe shtesat e bëra gjatë viteve të mëvonshme. Shumica e timareve, afro 80% e tyre, u ishte dhënë spahinjve myslimanë të huaj, midis të cilëve kishte edhe osmanë. Pjesa tjetër ishin spahinj shqiptarë myslimanë apo të krishterë. Këta, veçanërisht spahinjtë e krishterë, ishin caktuar në rajone të thella, ku administrata osmane e kishte vështirë të vepronte. Në raste të tilla eminët nuk shkelnin fare nëpër fshatra dhe i regjistronin banorët e tyre formalisht, sipas regjistrit të mëparshëm ose deklarimit të spahinjve. Kështu u veprua për fshatrat e rajonit të Këlcyrës, për fshatrat e viseve përgjatë rrjedhjes së lumit Shkumbin etj.

Rrjedhimet e sistemit të timarit
Vendosja e sistemit të timarit ndryshonte raportet e pronësisë mbi tokën, që ishte çështja themelore për jetën ekonomike, shoqërore e politike të vendit dhe që përcaktonte shkallën e zhvillimit të marrëdhënieve feudale.
Si trashëgim nga e drejta bizantine, për shekuj të tërë toka në tërësi konsiderohej se i përkiste sovranit (perandorit, mbretit etj.). Në këtë mënyrë ishin motivuar detyrimet që popullsia kishte ndaj pushtetit shtetëror qendror për prodhimet e tokës dhe që përbënte atë pjesë të rentës që merrte shteti bizantin (renta qendrore). Pjesa tjetër e rentës u përkiste individëve të veçantë, përfaqësuesve të shtresës së pasur, që ishte në krye të jetës ushtarake, politike e ekonomike në provinca. Një rentë e tillë, e ndarë në dy pjesë, krijonte marrëdhënie që në njërën apo tjetrën formë kufizonin të drejtat e pronësisë private mbi tokën. Mbi këtë formë të rentës qe ngritur e kishte vepruar institucioni feudal bizantin i pronies. Me kalimin e kohës kornizat kufizuese mbi të drejtat e pronësisë mbi tokën erdhën duke u shkelur gjithnjë e më shumë, derisa institucioni i pronies në fakt pushoi së vepruari dhe përgjithësisht toka kishte kaluar në pronësi private të plotë deri në shitblerjen e saj.
Me zbatimin e sistemit të timarit, pushtuesit osmanë realisht rivendosën pronien bizantine dhe prekën shtresat e ndryshme shoqërore, sidomos fisnikërinë shqiptare, e cila përgjithësisht u zhvesh nga pronat e veta. Vetëm një pjesë e përfaqësuesve të saj u integruan në radhët e spahinjve e të drejtuesve të shtetit osman. Këta, si dhe individë nga shtresat e tjera, qofshin edhe të ulëta, që futeshin në radhët e luftëtarëve osmanë dhe dalloheshin në luftime, merrnin timare dhe poste të ndryshme, madje edhe në viset shqiptare. Si vendas ata duhej të zbusnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj dhe të ndihmonin në vendosjen e sistemit të timarit. Edhe disa familje që ishin caktuar për ruajtjen e mirëmbajtjen e kështjellave e të ngushticave nga kalonin rrugët, osmanët i lironin nga një pjesë e detyrimeve për t`i lidhur me pushtetin e tyre.
Elementë të tjerë nga radhët e fisnikërisë shqiptare u përfshinë në shtresën e spahinjve e të funksionarëve osmanë nëpërmjet institucionit të iç-ogllanit (pazhë) dhe të gulamit (djalë i rritur).
Dokumentet dëshmojnë se, qysh kur nisën sulmet për pushtimin e tokave shqiptare, osmanët i kushtuan vëmendje shtresës së fisnikëve. Krahas prirjes për mënjanimin e përfaqësuesve të pabindur të kësaj shtrese, aty ku qëndresa ishte e dobët, në rajonet ku vendosja e pushtetit osman ishte e vështirë, pushtuesit u përpoqën të përdornin elementë nga radhët e fisnikërisë shqiptare për të neutralizuar pakënaqësinë dhe qëndresën e tyre. Për këtë ata përdorën marrëdhëniet e vasalitetit dhe i detyronin fisnikët shqiptarë të dërgonin bijtë e tyre të vegjël si pengje në oborrin e sulltanit, si iç-ogllanë (pazhë). Këtu ata konvertoheshin në fenë islame dhe edukoheshin me frymën e besnikërisë ndaj sulltanit. Pas një dekade, kur mendohej se ishin formuar si osmanllinj të vërtetë, ata pajiseshin me timare të mëdha dhe ofiqe të larta, sipas aftësive që tregonin. Nëpër institucionin e iç-ogllanit kaluan i biri i Gjon Kastriotit, Skënderbeu, i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu, i biri i Gjon Zenebishit, Hamza Beu etj.
Elementë të tjerë nga radhët e fisnikëve shqiptarë qëndronin pranë bejlerbeve e sanxhakbejlerëve si gulamë (djalë i rritur), jetonin e shërbenin pranë tyre që të përgatiteshin për karrierën e feudalit osman. Pas kësaj, gulamëve të islamizuar mund t`u jepeshin si timare dhe pronat e baballarëve ose të afërmve të tyre. Institucioni i gulamit u zbatua edhe në Shqipëri. Iç-ogllanë e gulamë me origjinë shqiptare morën timare e poste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajone të tjera të Perandorisë Osmane.
Këto masa nuk e dobësuan pakënaqësinë dhe qëndrimin e fisnikëve shqiptarë, të cilët përgjithësisht pushtimi osman i shkatërroi si shtresë shoqërore, duke u marrë pronat dhe të drejtat ekonomike, politike, gjyqësore e administrative që rridhnin nga e drejta feudale.
Sistemi i timarit preku thellë edhe shtresën e gjerë të fshatarësisë pronare tokash, së cilës deri diku iu kufizua shitblerja e tokës si e drejtë thelbësore e pronësisë reale mbi të. Nën sistemin e timarit toka konsiderohej pronë e shtetit dhe fshatari nuk mund ta braktiste atë. Vetëm me lejen e spahiut ai mund t`ia shiste atë një personi tjetër me kusht që blerësi të punonte tokën, të përmbushte të gjitha detyrimet ndaj shtetit e spahiut dhe t`i paguante këtij të fundit një taksë të veçantë, atë të tapisë, që lidhej me aktin e blerjes. Sistemi i timarit e përkeqësoi gjendjen e fshatarësisë si pronare tokash, e vendosi atë nën detyrime të shumta dhe nën varësinë e feudalëve të huaj osmanë. Duke u shpallur të gjitha tokat si pronë shtetërore (mirie), fshatarët ish-pronarë ndiheshin si të zhveshur nga pronat e tyre.
Para pushtimit osman fshatarët përgjithësisht i paguanin kryezotit të tyre të dhjetën e prodhimeve bujqësore, një dukat dhe obrokun (që ishte 4 grosh = 2/9 e dukatit) për çdo shtëpi. Kurse tani nën sistemin e timarit u rrit llojshmëria dhe madhësia e detyrimeve ndaj shtetit dhe timarlinjve (spahinjve). Këta të fundit u merrnin për vete fshatarëve yshyrin (e dhjeta), si taksë në natyrë për të gjitha prodhimet bujqësore e çdo aktivitet tjetër ekonomik, ispenxhën, taksë në të holla që ishte 25 akçe për familje fshatare jomyslimane (të krishterë etj.), 22 akçe për familje myslimane (e njohur me emrin resmi-çift) dhe ishte më e vogël për beqarët e moshës madhore, si dhe për familjet e drejtuara nga gra që u kishin vdekur burrat. Gjithashtu spahinjtë merrnin taksën e tapisë së tokës, kur ajo shitej apo trashëgohej nga fëmijët, taksën e martesës, gjoba të ndryshme etj. Kurse shteti merrte xhizjen, taksë që e paguanin për familje popullsitë jomyslimane (rajatë) që ishte në masën e 45 akçeve në vit, xhelepin, taksë e blegtorisë, të dhjetën e gjakut, që ishte një tribut vjetor me djem të vegjël, të cilin ishte e detyruar ta jepte çdo qendërbanim për të mbushur radhët e ushtrisë së jeniçerëve. Çdo familje, pavarësisht nga besimi, paguante avarizin e divanit, që ishte detyrim në të holla për Këshillin e Lartë të shtetit turk. Gjithashtu ato kishin edhe një varg detyrimesh specifike, si p.sh. mbulimin e shpenzimeve të ushtrisë kur ajo shkonte në luftë etj.
Pesha e detyrimeve të mësipërme rëndohej edhe më shumë prej abuzimeve që bëheshin gjatë vjeljes së tyre me dhunë nga aparati i fuqishëm ushtarako-administrativ i Perandorisë Osmane që, për nga ashpërsia, ishte i pakrahasueshëm me atë të sundimtarëve vendas të mëparshëm. Sa kohë që Perandoria Osmane vazhdonte të zgjeronte kufijtë e saj, spahinjtë nuk i kushtonin vëmendjen e duhur mbarëvajtjes së timareve, sepse të ardhurat që vilnin prej tyre ishin më të vogla nga ato që siguronin nëpërmjet grabitjeve gjatë luftërave pushtuese apo shtypjes së kryengritjeve e revoltave të ndryshme. Kur dalloheshin nëpër luftime, spahinjtë e ushtarët e tjerë osmanë në viset e sapopushtuara merrnin timare më të mëdha nga ato që kishin pasur më parë. Sipas së drejtës feudale osmane, spahiu e mbante timarin për aq kohë sa përmbushte detyrimin e pjesëmarrjes në luftë bashkë me pajisjet personale luftarake sa herë ta thërrisnin eprorët e tij. Kur timari i siguronte spahiut deri në 5 mijë akçe të ardhura në vit, duhej të shkonte në luftë vetëm dhe, për çdo 5 mijë akçe të ardhura më tepër, ai duhej të merrte me vete nga një ushtarak të armatosur (xhebeli).
Pozita e spahinjve, si zotërues timaresh, konsiderohej e përkohshme dhe e pasigurtë, prandaj veprimtaria e tyre karakterizohej nga abuzimet, grabitjet e krime të shumta, po ashtu siç vepronin edhe gjatë fushatave ushtarake. Vetë kronistët osmanë bashkëkohës me ngjarjet e mësipërme dëshmojnë për dhunën e spahinjve, për shkretimin e krahinave të tëra gjatë fushatave ushtarake të tyre, për grabitjen e pasurive të tundshme e të patundshme të banorëve të viseve që sulmoheshin, të gjësë së gjallë, si dhe të fëmijëve e të të rriturve, të cilët shiteshin si skllevër.

3. KRYENGRITJET ANTIOSMANE NË SHQIPËRI
(VITET 30 TË SHEK. XV)

Qëndresa antiosmane në Shqipëri
Pas pushtimit të kështjellave të viseve perëndimore shqiptare në fillim të shek. XV, osmanët vendosën edhe në këtë rajon të Shqipërisë administratën e tyre pushtuese. Nëpërmjet regjistrimeve të herëpashershme të banorëve e të tokës dhe të ndarjes së saj në prona të vogla feudale (timare), pushtuesit vendosën sistemin feudal ushtarak osman të timareve, që ishte i ngjashëm me sistemin e pronies bizantine. Kjo lloj prone ishte në shpërbërje të plotë në prag të pushtimit osman dhe shoqëria shqiptare ndodhej në fazën e zhvilluar të feudalizmit, ku prona tokësore shitej e blihej lirisht. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve osmanët i zhveshën fisnikët shqiptarë nga pronat e mëdha tokësore dhe nga pozitat e tyre drejtuese. Përveç kësaj, sulmet e njëpasnjëshme të ushtrive osmane për pushtimin e trojeve shqiptare, të shoqëruara me dhunë të egër e me shkatërrime masive, me rrëmbim të fëmijëve për të mbushur repartet e jeniçerëve si dhe me rrëmbimin e të rriturve për t`i shitur si skllevër, e dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit dhe shkaktuan një pakënaqësi të thellë në të gjitha shtresat shoqërore, duke i bashkuar e duke i ngritur këta në luftë kundër armikut të përbashkët, pushtuesit të huaj osman. Qëndresa dhe lufta e shqiptarëve shpërtheu kudo në forma të ndryshme deri në kryengritje të fuqishme.
Përballë një pushtuesi shumë të fuqishëm e të organizuar mirë, siç ishte Perandoria Osmane, një pjesë e shqiptarëve braktisnin përkohësisht vendbanimet e veta, duke u strehuar në vise të thella e malore, ku mund të përballohej më lehtë dhuna e pushtuesve. Të tjerë morën rrugën e mërgimit dhe u vendosën në Itali e në vende të tjera të huaja.
Braktisja e fshatrave nga banorët u bë një dukuri e përhapur në rajonet ku zhvilloheshin luftime ose që gjendeshin pranë rrugëve nga kalonin ushtritë pushtuese. Kjo dukuri është pasqyruar në regjistrin kadastral osman të vitit 835 h. (1431-1432), në të cilin janë shënuar me dhjetëra fshatra e qendërbanime të braktisura plotësisht e toka buke të bëra djerrina, që gjendeshin në rajonet pranë qendrave ushtarako-administrative, si Gjirokastra, Kanina, Berati, Kruja etj.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë shfaqej në forma të ndryshme. Shumë familje përpiqeshin t`u shmangeshin regjistrimeve kadastrale që administrata osmane ndërmerrte herë pas here. Gjatë regjistrimeve ato largoheshin përkohësisht nga vendbanimet e tyre e fshiheshin. Spahinjtë, nga ana e tyre, përpiqeshin t`i zbulonin familjet e fshatrat e fshehura dhe të vilnin prej tyre rentën. Në regjistrin kadastral të vitit 835 h. (1431-1432) gjenden mjaft shënime për zbulimin e familjeve, e deri të fshatrave të tëra, që ishin fshehur e kishin mbetur të paregjistruara. Kështu, p.sh., në krahinën e Korçës e të Përmetit vetëm dy spahinj (Sunkurxhe Beu dhe Abdullahu) kishin zbuluar dhe regjistruar për herë të parë 212 familje.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë shpërthente edhe në forma më të ashpra. Masa të tëra fshatarësh nuk pranonin të shkonin para komisioneve të regjistrimit dhe me armë në dorë i kundërshtonin ato, duke krijuar situata të rrezikshme për jetën e personave që duhej të shkelnin nëpër fshatra për të kryer regjistrimin e banorëve e të tokave. Përballë një qëndrimi të tillë, në shumë raste zyrtarët e kryenin regjistrimin formalisht e në kundërshtim me ligjet e tyre, pa shkuar në fshatrat përkatëse. Kështu p.sh. gjatë regjistrimit të lartpërmendur, për një numër të madh fshatrash të krahinave të Këlcyrës, të Kurveleshit etj. ai u bë formalisht, sipas të dhënave që ishin shënuar në regjistrat e mëparshëm. Kurse shumica e fshatrave, që gjendeshin në krahinat ndërmjet lumenjve Shkumbin dhe Erzen, u regjistruan sipas deklarimit gojor të spahinjve të tyre. Me dhjetëra e dhjetëra fshatra të tjera nëpër krahina të ndryshme nuk iu dhanë menjëherë spahinjve, por u shënuan nëpër regjistra si mevkuf (të bllokuar) për t`ua shpërndarë atyre më vonë. Numri i familjeve të fshehura arrinte në qindra.
Sanxhakbejlerët dhe funksionarët e tjerë osmanë përdorën gjerësisht e vazhdimisht forcat e tyre ushtarake për të zbatuar sistemin e timarit. Ata ndërmerrnin sulme të herëpashershme mbi fshatrat e pabindura dhe i shndërronin ato në gërmadha. Dhunës së tyre shqiptarët iu përgjigjën me luftë të armatosur, duke vepruar në bazë fshati, madje edhe banorët e disa fshatrave bashkëvepronin kundër pushtuesve. Në regjistrin e vitit 835 h. (1431-1432) ka shënime që cilësojnë fshatra apo timare të formuara me disa fshatra si "çerdhe qafirësh", "të hedhur në revoltë" etj. Për fshatin Luzat të Kurveleshit është vënë shënimi se "është fshat tradhtar, tre-katër herë dërguan njerëz, por nuk u kthyen".
Objekt i luftës së fshatarësisë u bënë edhe feudalët spahinj. Shënimet e regjistrit të vitit 835 h. (1431-1432) përmendin mjaft raste të vrasjes së spahinjve dhe të zhdukjes së tyre pa lënë gjurmë. Në rrethana të tilla shumë spahinj osmanë i braktisën timaret. Rrjedhimisht pushteti osman detyrohej t`i zëvendësonte spahinjtë me persona të tjerë. Kështu p.sh. në vilajetin e Pavël Kurtikut, të Çartallozit, të Tomoricës, të Këlcyrës etj., gjatë regjistrimit të vitit 835 h. (1431-1432), asnjë timar nuk ishte më nën zotërimin e spahinjve me origjinë të huaj, që kishin qenë gjatë regjistrimit të mëparshëm.

Kryengritja e Gjon Kastriotit (1429-1430)
Pushtimi osman i vendit dëmtoi rëndë interesat e të gjitha shtresave shoqërore, duke përfshirë edhe elitën drejtuese shqiptare. Një pjesë e fisnikëve të Shqipërisë së Poshtme, që i humbën plotësisht pronat e tyre, emigruan nga Shqipëria. Të tjerë në viset e Shqipërisë Qendrore e të Epërme, si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Dukagjinët, Zahariajt, Spanët etj. u përpoqën të shmangnin rrënimin e plotë të tyre, duke u dhënë garanci, tribute e pengje osmanëve, si dhe duke forcuar lidhjet me Venedikun dhe vendet e tjera me prirje antiosmane. Sulmet e ushtrive osmane mbi zotërimet e fisnikëve shqiptarë nxiteshin edhe nga vjehrri i mëvonshëm dhe vasali besnik i sulltan Muratit II, që ishte sundimtari i Despotatit të Rashës, Gjergj Brankoviçi, i cili ishte në luftë me fisnikët shqiptarë jo vetëm në rajonin bregdetar të Shqipërisë së Epërme. Nën trysninë edhe të fisnikëve shqiptarë, Gj. Brankoviçi u detyrua në vitin 1428 të zhvendoste kryeqytetin në veri të Despotatit të tij, në Smederevë, në brigjet e lumit Danub.
Kur presioni i pandërprerë osman përshkallëzohej aq shumë mbi fisnikët shqiptarë, sa që rrezikonte tërësisht ekzistencën e tyre, ata nuk ngurronin të rrëmbenin armët. Pakënaqësia e shtresave të gjera shoqërore ndaj pushtimit osman u kishte krijuar fisnikëve shqiptarë mundësi të reja e të panjohura më parë për krijimin e ushtrive të mëdha e pa pagesë, të karakterizuara nga një shpirt i lartë vetëmohimi, që nuk njihet në kushtet e luftërave të zakonshme feudale dhe tek ushtritë mercenare.
Kryengritja e parë në shkallë krahinore, që njihet deri tani, i përket kohës së sulltan Mehmetit I dhe duhet të jetë zhvilluar gjatë viteve 1419-1421. Burimet historike, që e përmendin atë, nuk japin hollësi për zhvillimin e saj, veçse tregojnë që banorët e krahinës së Vagenetisë (Çamërisë) u hodhën në kryengritje.
Në fund të viteve 20 të shek. XV dy ngjarje të rëndësishme ndikuan në jetën politike të fisnikëve shqiptarë: fuqizimi në drejtimin e pashasanxhakut të Shkupit i familjes së Evrenozëve (veçanërisht dy përfaqësues të saj Isak Beu dhe, pas vdekjes së tij, i biri, Isa Beu, arritën të fuqizoheshin shumë ekonomikisht duke shfytëzuar zgjerimin e pushtimeve osmane në Ballkan) dhe sidomos lufta e ushtrive osmane për pushtimin e qytetit të Selanikut, që në vitin 1423 kishte kaluar nën zotërimin e Venedikut.
Konfliktin e armatosur ndërmjet sulltan Muratit II dhe Republikës së Venedikut për qytetin e Selanikut, që zgjati afro tre vjet (1428-1430), disa prej fisnikëve shqiptarë e panë si një mundësi për shtrirjen e pushtetit të tyre mbi viset që ishin nën zotërimet veneciane dhe osmane. Kurse për Venedikun dhe sidomos për pushtuesit osmanë lufta e mësipërme i vinte në provë fisnikët shqiptarët nëse do të përmbushnin apo jo angazhimet ushtarake që kishin ndaj tyre.
Qysh në gusht të vitit 1428 njoftohej se Gjon Kastrioti ishte nën presionin e pandërprerë të sulltanit që të sulmonte zotërimet veneciane dhe se një djalë i tij, që ishte "bërë turk e mysliman", i mbante trupat ushtarake pranë rajonit venecian të Shkodrës. Kurse Stefan Spani, Kojë Zaharia dhe Stefan Maramonti, sipas dokumenteve të fillimit të vitit 1430, kishin ndërmarrë aksione të pasuksesshme kundër zotërimeve të Venedikut në rajonin e Shkodrës. Ndërkohë Gojçin Gjurashi (Cërnojeviçi) kishte çliruar zotërimet e tij në Gentë, duke dëbuar prej tyre forcat e despotit serb të Rashës, Gjergj Brankoviçit, djalë i Vukut.
Edhe marrëdhëniet e fisnikëve shqiptarë me osmanët acarohen shumë dhe pozitat e pushtetit osman në tokat shqiptare qenë dobësuar, ndonëse mungojnë të dhënat burimore për aksionet antiosmane të shqiptarëve. Nëpërmjet tyre tërthorazi del se ushtria e Gjon Kastrioti ka rrethuar Krujën dhe është përpjekur ta pushtojë atë, kështjellë që nuk është marrë ndonjëherë me forcën e armëve. Sidoqoftë, pushteti osman në tokat e Shqipërisë Perëndimore ishte tronditur thellësisht. Prandaj, pa pritur nënshkrimin e traktatit të paqes më Venedikun (4 shtator 1430), por sapo pushtuan Selanikun (29 mars 1430), ushtritë osmane të komanduara nga Isak Evrenozi dhe me pjesëmarrjen e trupave serbe, të komanduara nga djali i Gjergj Brankoviçit, iu drejtuan shtetit të Gjon Kastriotit. Sulmi i tyre qe i papërballueshëm. Gjatë muajve prill-maj 1430 ushtritë osmane shkatërruan disa kështjella të Gjon Kastriotit dhe arritën në Prishtinë. Prej këtu morën rrugën në drejtim të Gentës dhe në fund të muajit qershor, pasi thyen qëndresën e Gojçin Gjurashit, zbritën deri në rrethinat e Shkodrës, duke plaçkitur vendin, dhe morën Dejën.
Përballë një situate të tillë Gjoni kërkoi marrëveshje me Isak Beun. Edhe me ndërhyrjen e Skënderbeut dhe të Stanishtës pranë autoriteteve osmane, u rimëkëmb shpejt shteti i Kastriotëve. Gjatë gjysmës së parë të viteve 30 sërish ai u bë kufitar me zotërimet veneciane të Lezhës e të Shkodrës, siguroi dalje në det dhe kishte nën kontrollin e vet rrugët tregtare që lidhnin bregdetin me Prishtinën dhe Shkupin.
Gjon Kastrioti vdiq në fillim të muajit maj të vitit 1437 (2 ose 4 maj). Emri i tij do të përmendet edhe në dy dokumente të mëvonshme (mars 1438 dhe korrik 1439) në kuadrin e përpjekjeve të Stanishës e të Skënderbeut, si drejtues të rinj të shtetit të Kastriotëve, për të vijuar me Venedikun dhe me Raguzën po ato marrëdhënie që kishte pasur i ati i tyre, Gjon Kastrioti.

Fitoret e Gjergj Arianitit (1432-1435) dhe zgjerimi i luftës antiosmane
Regjistrimi kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432) u shoqërua me dhunë të ashpër të forcave pushtuese. Dokumente të kohës tregojnë se gjatë verës së vitit 1432 shqiptarët masivisht emigruan në drejtim të Puljes e të Venedikut. Pakënaqësia e përgjithshme nga regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), nxitja e revoltës së tyre nga Selia e Shenjtë dhe oborri hungarez, si dhe lajmi i pasaktë për vdekjen e sulltan Muratit II bënë që shqiptarët të hidheshin në luftë kundër pushtuesve osmanë.
Në ballë të kësaj vale të re e të fuqishme kryengritjesh u vu Gjergj Arianiti. Shqiptarët, të udhëhequr prej tij, i dëbuan spahinjtë osmanë prej një pjese të konsiderueshme të zotërimeve të Arianitëve. Qysh në fund të viteve 20, gjatë luftës veneto-osmane për zotërimin e Selanikut, kufijtë lindorë të shtetit të Gj. Arianitit duhet të jenë shtrirë në atë kohë deri në Manastir. Ndërkohë kryengritje shpërthyen edhe në krahina të tjera të vendit dhe i paralizuan forcat osmane që ishin në tokat shqiptare. Ato ndodheshin përballë asgjësimit të plotë, prandaj sulltan Murati II vendosi të merrej vetë me shtypjen e kryengritjeve shqiptare.
Gjatë dimrit të vitit 1432-1433 sulltani u vendos në Serez. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane dhe, duke ndjekur rrugën Egnatia, do të marshonin e do të sulmonin forcat e Gjergj Arianitit për ta nënshtruar atë.
Në Serez sulltani organizoi një ushtri prej 10 mijë vetash dhe në krye të tyre vuri sanxhakbeun e Sanxhakut Shqiptar, Ali bej Evrenozin. Ushtria osmane hyri në thellësi të shtetit të Gj. Arianitit dhe arriti në luginën e Shkumbinit pa u ndeshur me luftëtarët shqiptarë. Por, kur përparuan në thellësi të luginës, forcat e Gj. Arianitit u shfaqën befasisht dhe menjëherë e sulmuan ushtrinë osmane pranë burimeve të Bushekut. Shumë ushtarë osmanë u vranë ose ranë robër në duart e shqiptarëve, ndërsa të tjerët, bashkë me komandantin e tyre Ali bej Evrenozin, morën arratinë.
Kjo ishte fitorja e parë e rëndësishme e shqiptarëve kundër ushtrive të fuqishme osmane. Ajo pati jehonë edhe në vendet e tjera dhe i dha hov luftës antiosmane në Shqipëri. Fitorja, siç ka shkruar një bashkëkohës i saj, kronisti bizantin Halkokondili, i solli "lavdi të shkëlqyer" Gjergj Arianitit, që u bë personazhi kryesor i jetës politike shqiptare të viteve 30.
Vala e kryengritjeve antiosmane u përhap edhe në rajonet e Shqipërisë së Poshtme, edhe pse pozitat e osmanëve ishin fuqizuar atje me pushtimin prej tyre, në tetor të vitit 1430, të kryeqendrës së atyre viseve, të Janinës. Kryengritësit thirrën nga emigrimi në Korfuz dhe e vendosën në krye të tyre Depë Zenebishin, djalin e ish-sundimtarit të vdekur të tyre. Pas kthimit të D. Zenebishit kryengritësit rrethuan dhe sulmuan kryeqendrën administrative të Sanxhakut Shqiptar, Gjirokastrën. Për dëmtimin e mureve të kështjellës dhe çlirimin e saj, sulmuesit përdorën makina gurëhedhëse. Ndërkohë kryengritësit i shtrinë veprimet e tyre edhe në krahinat fqinjë dhe arritën të pushtonin kështjellën e Këlcyrës.
Kjo situatë i alarmoi osmanët. Prandaj, në kushtet e vështira të dimrit, u organizua një ushtri e re osmane e komanduar nga Turhan Beu. Në fillim të vitit 1433, duke marshuar me shpejtësi nëpër dëborë, ushtria e Turhan Beut në bashkëpunim me garnizonin osman të Gjirokastrës i sulmuan befasisht rrethuesit e kështjellës. Shqiptarët, të vënë ndërmjet dy zjarreve, nuk e përballuan dot goditjen dhe me humbje të rënda u tërhoqën nga rrethimi i Gjirokastrës. Osmanët e zunë rob Depë Zenebishin dhe e varën.
Valët e kryengritjeve antiosmane u përhapën edhe në rajone të tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme, Nikollë Dukagjini mori në duart e tij kështjellën e Dejës. Por këtë kështjellë Nikollë Dukagjini e mbajti për pak kohë dhe ajo kaloi sërish në duart e osmanëve. Në Shqipërinë Qendrore kryengritësit e udhëhequr nga Andre Topia sulmuan kështjellën e Krujës, por nuk e morën dot. Edhe në zonën e Vlorës dokumentet e kohës tregojnë se në vitin 1434 krerët e vendit donin që "turqve t`ua hiqnin nga duart kështjellën e Kaninës".
Gjatë viteve 30 të shek. XV zotërimet e Gjergj Arianitit mbetën rajoni kryesor i luftës antiosmane, prandaj sulltan Murati II, gjatë verës së vitit 1434, u vendos në Manastir. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane të Rumelisë dhe nën komandën e bejlerbeut të tyre, Sinan Pashës, në fillim të gushtit 1434 sulmuan zotërimet e Arianitëve. Pasi hynë në thellësi të tyre, trupat osmane u rrethuan dhe u goditën rreptë nga luftëtarët shqiptarë. Në këtë betejë, shkruante ato ditë Senati i Raguzës, shqiptarët "dolën fitues në fushën e nderit dhe shumë turq u vranë".
Pas fitores së shkëlqyer të shqiptarëve në gusht të vitit 1434, u ngarkuan Isak bej Evrenozi dhe sanxhakbejlerët e rajoneve kufitare që të vazhdonin luftën për shkatërrimin e forcave të Gj. Arianitit. Në dhjetor të vitit 1434 ushtria e Isak Beut iu drejtua zotërimeve të Arianitëve. Shqiptarët i dolën përpara ushtrisë osmane dhe zhvilluan me të një betejë të rreptë, që përfundoi me një fitore të shkëlqyer të tyre. Për këtë betejë Senati i Raguzës do të shkruante ato ditë: "Isaku vetëm me një numër shumë të vogël ushtarësh mundi të shpëtojë. Nga ushtria e tij shumë turq, nga më kryesorët e të rëndësishmit, u vranë në luftë e mbetën robër. Që prej asaj dite turqit mbetën të tmerruar, duke mos pasur guxim kundër arbërve".
Luftimet ndërmjet shqiptarëve dhe forcave osmane vazhduan edhe në vitin 1435. Më 20 prill të këtij viti luftëtarët e Gj. Arianitit u ndeshën rreptë me një ushtri osmane, duke e shpartalluar atë dhe, siç shkruhej ato ditë, "e mbajtën fushën e betejës si ngadhënjyes".
Pas disfatave të njëpasnjëshme, që pësuan trupat osmane prej luftëtarëve të Gj. Arianitit, sulltan Murati II ndërpreu dërgimin e ushtrive të tjera kundër shtetit të Arianitëve dhe gjatë viteve 1435 -1437 i angazhoi forcat e veta në Anadoll kundër emirit Ibrahim të Karamanisë. Përkohësisht në Shqipëri u krijua një gjendje e tillë që, siç shkruhej në fund të vitit 1435, "turqit e arbërit po qëndrojnë të qetë në kufijtë e tyre pa ndonjë trazim ose përleshje".
Kryengritjet e viteve 30 të shek. XV dhe fitoret e forcave të Gj. Arianitit patën jehonë të madhe si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të ndryshme të Evropës. Përpara bashkëkohësve të huaj shqiptarët dolën si një nga popujt më aktivë në luftën kundër pushtuesve osmanë. Rëndësia e luftës së tyre i kalonte kufijtë e botës shqiptare dhe me kohë tërhoqi vëmendjen e shteteve evropiane, interesat e të cilëve lidheshin me ngjarjet e Ballkanit. Gj. Arianiti u bë personalitet i njohur evropian, sepse fitoret e tij erdhën në një kohë kur Evropa ishte mësuar të dëgjonte për disfatat që pësonin forcat antiosmane. Për këto fitore atë e përgëzuan personalitetet më të shquara të kohës, si papa Eugjeni IV dhe perandori gjerman Sigismund, që ishte njëkohësisht edhe mbret i Hungarisë. Këta i dhanë luftës së shqiptarëve një përkrahje të gjerë morale.
Lufta e shqiptarëve përkonte me interesat e Hungarisë, që gjendej përballë sulmeve të ushtrisë osmane. Drejtuesit e kryengritjeve shqiptare si Gjergj Arianiti e Andre Topia krijuan lidhje të ndërsjella me mbretin e Hungarisë, Sigismundin, dhe dërguan përfaqësuesit e tyre te njëri-tjetri. Ata projektuan që, duke u mbështetur në viset e çliruara të Shqipërisë, të organizonin një kryengritje të përgjithshme antiosmane në Ballkan. Për këtë qëllim, në pranverë të vitit 1435, mbreti i Hungarisë dërgoi në Shqipëri Fruzhinin, pasardhës i mbretit bullgar Shishman, dhe në pranverë të vitit 1436 princin Daut, pretendent i fronit osman i strehuar në oborrin hungarez, me synimin që kundërshtarët politikë të sulltan Muratit II të ngriheshin kundër tij dhe ta rrëzonin nga froni. Me gjithë këto përpjekje nuk u arrit të organizohej një aksion i përbashkët ballkanik.
Jehona e luftës antiosmane të shqiptarëve u ndie edhe në vendet e tjera evropiane. Situatën e trazuar politike të viteve 30 në Shqipëri, Republika e Venedikut u përpoq ta shfrytëzonte për interesat e veta. Ajo arriti t`u merrte shqiptarëve Dejën dhe më pas, nën presionin e osmanëve, ua dorëzoi këtyre. Ndërkohë Venediku udhëzonte qeveritarët e saj në tokat shqiptare që të respektonin traktatet e paqes me sulltanin, të mos i ndihmonin kryengritësit shqiptarë, të lejonin kalimin e qëndrimin e trupave osmane në zotërimet veneciane etj.

Gjendja politike në Shqipëri pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV
Gjatë viteve 30 të shek. XV shqiptarët për herë të parë i thyen ushtritë osmane në disa beteja. Me gjithë këto fitore, lufta e tyre nuk dha përfundimet e dëshiruara, sepse mungoi bashkimi i të gjitha forcave shqiptare, mungoi bashkërendimi efikas i veprimtarisë ushtarake të tyre dhe aksionet luftarake në rajonet kryengritëse u zhvilluan të veçuara, prandaj përgjithësisht qenë të pasuksesshme. Kjo situatë e përgjithshme ndikoi negativisht edhe në shtetin e Gj. Arianitit, duke i bërë të paqëndrueshme rezultatet e fitoreve ushtarake të tij.
Situata politike në Shqipëri mbeti shpërthyese edhe gjatë gjysmës së dytë të viteve 30 të shek. XV, kur luftimet kishin pushuar. Në viset e Gjirokastrës e të Vlorës si dhe në zonat pranë qendrave ushtarake të pushtuara etj., qëndresa antiosmane vazhdoi në forma të tjera. Për të vendosur në to plotësisht pushtetin e vet, sulltan Murati II iu drejtua për ndihmë Venedikut. Kështu, në tetor të vitit 1436, një përfaqësues i sulltanit i kërkoi Republikës së Venedikut të ndëshkonte ata shqiptarë që, nga zotërimet e saj të Shkodrës, Pargës etj., sulmonin forcat osmane, si dhe të mos lejohej në to strehimi i dezertorëve të ushtrisë osmane.
Gjendja e rëndë politike në Shqipëri për pushtuesit osmanë dhe pamundësia e tyre për të dërguar aty vazhdimisht ushtri të mëdha, ndërkohë që kishte fronte të tjera lufte edhe në rajone të tjera kufitare me Perandorinë Osmane, e detyruan sulltan Muratin II të ndryshonte përkohësisht qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ai ndërpreu sulmet ushtarake mbi zotërimet e Arianitëve e të viseve të tjera shqiptare dhe i largoi forcat osmane nga zonat, ku pozitat e tyre ishin shumë të dobëta.
Osmanët i braktisën krahinat në veri të lumit Mat dhe kështjellën e Dejës ia dhanë Lekë Zaharisë. Me aktivizimin energjik të djemve të Gjon Kastriotit, Stanishës e Skënderbeut, që ishin funksionarë osmanë, shteti i Kastriotëve u rimëkëmb shpejt, siguroi përsëri dalje në det, duke rimarrë skelën e Shufadasë në grykëderdhjen e lumit Mat, si dhe kontrollin e rrugëve për në Prishtinë dhe në Shkup. Zotërimet e tij u bënë kufitare në perëndim me zotërimet veneciane të Lezhës e të Shkodrës. Edhe në rajone të tjera të brendshme e larg qendrave osmane, si në krahinat malore e fushore që shtriheshin ndërmjet lumenjve Devoll-Seman dhe Erzen u rivendosën pozitat e zotërve vendas, ndonjë prej të cilëve i mori zotërimet e veta në formën e timareve.
Për të ruajtur në viset shqiptare pushtetin e tronditur osman, sulltan Murati II u përpoq të mbështetej te ata fisnikë vendas që ishin të lidhur me administratën vendore osmane. Krahas Evrenozëve, që vazhduan të ishin në krye të pashasanxhakut të Shkupit, gjatë viteve 1437-1438 sulltani emëroi sanxhakbe të Sanxhakut Shqiptar të birin e Teodor Muzakës, Jakup Beun, dhe subash të Krujës Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Kurse qysh në verën e vitit 1434 ishte emëruar në postin e dizdarit të Krujës Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit të M. Barlecit me titullin pashë, titull që realisht nuk e ka pasur asnjëherë.
Gjatë qeverisjes së Sanxhakut Shqiptar prej Jakup Beut dhe të vilajetit të Krujës prej Skënderbeut, sipas rekomandimeve të tyre u bënë shumë ndryshime në shpërndarjen e timareve e të fshatrave në të mirë të elementit shqiptar, duke shprehur kështu vijimin e lidhjeve familjare që ata mbanin me elitën drejtuese shqiptare. Sa kohë që Skënderbeu qëndroi në postin e subashit të vilajetit të Krujës edhe këto vise mund të konsiderohen si pjesë e shtetit të Kastriotëve. Por Jakup bej Muzaka dhe Skënderbeu nuk i mbajtën gjatë pozitat drejtuese në Sanxhakun Shqiptar.
Në fund të vitit 1438 qenë të pasuksesshme aksionet e trupave osmane kundër ushtrisë hungareze në Transilvani. Më pas veprimet luftarake osmane u shtrinë pranë viseve shqiptare, në Rashë e në Bosnjë. Në vitin 1439 ata pushtuan kryeqytetin e Despotatit të Rashës, Smederevën, dhe e nënshtruan atë.
Ndërkohë sulltan Murati II largoi Skënderbeun dhe Jakup Beun nga funksionet e larta drejtuese që kishin në Sanxhakun Shqiptar dhe i ngarkoi me funksionet e larta të sanxhkbejlerëve në rajone të tjera më pak shpërthyese, me sa duket larg viseve shqiptare. Në vend të tyre për drejtimin e Sanxhakut Shqiptar u emëruan persona të huaj, që ishin më të besueshëm. Këta bënë ndryshime të shumta nëpër timaret e Sanxhakut Shqiptar, duke favorizuar elementin e huaj. Pas një rrethimi të gjatë njëvjeçar, në qershor të vitit 1441, osmanët pushtuan Novobërdën, qendra më e rëndësishme e prodhimit të arit e të argjendit në Ballkan, të cilin nuk arritën ta mbanin në duar për një kohë të gjatë.
Pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV jeta politike në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të tillë që çoi në forcimin shkallë-shkallë të pozitave të pushtuesve osmanë në dëm të shqiptarëve, gjë që rriti pakënaqësinë e tyre. Elita drejtuese shqiptare u vu në pritje të rrethanave më të favorshme për të rifilluar luftën kundër pushtuesve osmanë, siç do të ndodhte në nëntor të vitit 1443 në Shqipëri, kur në krye të saj u vu Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

30
Historia e Shqiperise / Re: Historia e Shqiptare - Mesjeta shqiptare
« on: January 10, 2008, 05:32:56 PM »
K R E U IV

SHOQËRIA SHQIPTARE DHE KULTURA NË MESJETË



1. SHOQËRIA SHQIPTARE


Fisnikëria
Lindja dhe zhvillimi i fisnikërisë shqiptare të tokës u krye në kushte specifike nëpërmjet veprimit të shumë faktorëve kontradiktorë. Së pari, në kushtet kur vendi mbeti përgjatë gjithë kohës nën sundimin e perandorive e të mbretërive të huaja, kuptohet që procesi i rritjes së klasës feudale shqiptare mbartte kufizimet e veta drejt arritjes së një fizionomie të plotë nacionale të saj.
Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre me sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator, sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.), aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles, kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan, kasnec, vojvodë etj). Në fakt, mjaft fisnikë shqiptarë ishin të integruar në administratat e huaja, qendrore e provinciale, në atë masë saqë dobësoheshin lidhjet me mjediset e tyre. Qysh në fillimet e shek. XI ka dëshmi për fisnikë shqiptarë nga familjet Skurra, Arianiti etj., që ishin përfshirë në fisnikërinë e Mbretërisë së Sicilisë apo të Perandorisë Bizantine. Por kjo nuk do të thotë se shumica e aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim e tutelë të huaj, të mos orientohej ku më shpejt e ku më vonë drejt emancipimit të vet, siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi i Principatës së Arbrit që në shek. XII, apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore shqiptare në shek. XIV-XV.
Karakteristikë e përbashkët është se vatrat e këtyre formacioneve ndodheshin thuajse gjithmonë larg qyteteve e kështjellave, ku qe përqendruar administrata e pushteti i huaj, qoftë ky bizantin, anzhuin apo serb. Familjet që ishin në krye të principatave të shekujve XII-XV, nga Skurrajt, Blinishtët, Jonimët, Arianitët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj., vinin kryesisht nga zonat malore. Pushteti i tyre mbështetej në lidhjet që këta krerë kishin me popullsinë e vendit, duke përfshirë edhe lidhjet e gjakut, në madhësinë e "fisit" e, për rrjedhojë, në numrin dhe në cilësinë e forcës së armatosur që këta krerë kishin mbas vetes. Kjo përbënte në thelb bazën e autoritetit të tyre. Sunduesit e radhës, bizantinët, anzhuinët apo serbët, detyroheshin t'i llogaritnin këta krerë, që zotëronin një potencial luftarak të konsiderueshëm. Ndaj kërkuan t'i tërhiqnin ata duke u njohur, në një farë mase, pushtetin e tyre mbi zonat respektive, duke u dhënë tituj e prona dhe duke i përfshirë kështu në sistemin e qeverisjes. Ky raport i pushteteve të huaja me aristokracinë shqiptare u shoqërua edhe me joshjen nëpërmjet dhënies së pronave dhe zhvendosjes së mjaft krerëve drejt viseve ku ndodheshin qendrat e pushtetit. Kështu, në shek. XIV, Skurrajt e malësisë së Tiranës ishin bërë zotër të një pjese të madhe të ultësirës, që për hir të tyre u quajt "Skurrje". Mjaft prej Skurrajve u vendosën në Durrës e u bënë qytetarë të tij. E njëjta gjë ndodhi me Muzakajt e malësisë së Oparit, të cilët po atë kohë shtinë në dorë një pjesë të mirë të ultësirës midis Beratit, Vlorës e Karavastasë, e cila për hir të tyre filloi të quhet "Muzakje" (Myzeqeja e sotme). Dhurimin e pronave apo të feudeve në zonat fushore, rreth e rrotull qendrave të mëdha, si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vlorë, Vageneti, Janinë, Kolonjë, Devoll etj., krerët shqiptarë duhet ta shpërblenin duke u ofruar shërbimet e tyre, kryesisht shërbimin ushtarak, strategëve bizantinë apo mëkëmbësve e kështjellarëve anzhuinë. Kështu, qoftë në epokën bizantine, qoftë edhe në atë anzhuine, në kështjellat kryesore të Durrësit e Vlorës përmenden krerë të ndryshëm nga krahinat fqinje, të cilët qëndronin brenda mureve të kështjellave në fjalë për një periudhë të caktuar bashkë me suitën e tyre (familia). Atyre u besohej ruajtja e objekteve të veçanta, zakonisht e kullave përgjatë murit rrethues. Pjesën tjetër të vitit krerët feudalë e kalonin në zotërimet e tyre ku ndodhej banesa e fortifikuar (fortis domus), në të cilën ata strehoheshin bashkë me familjen e me njerëzit e tyre të armatosur. Sipas shtrirjes së zotërimeve të tyre, feudalët mund të kishin disa vendqëndrime të tilla të fortifikuara. Mjaft prej tyre kishin dhe rezidenca verore, ku kalonin muajt e nxehtë të vitit, si, p.sh. Balshajt në malësinë e Tivarit apo Muzakajt në atë të Skraparit. Që nga shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi, Shkodra, Ohri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë të kohës "për punë ose për t'u zbavitur" (pro suis factis vel pro placere). Shumë prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve aristokrate të qyteteve tona, si Skurraj, Vranajt, Neshat në Durrës, Sumat e Spanët në Shkodër, flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë së tokës në shek. XIII-XIV. Në kohën e emancipimit të plotë të tyre, në shek. XIV, mjaft krerë shqiptarë e shpërngulën selinë e tyre kryesore në qytetet e kështjellat e mëdha. Kështu, Topiajt kaluan nga Kruja në Durrës, Balshajt e vendosën rezidencën kryesore në Shkodër, Zahariajt në Dejë, Dukagjinët në Lezhë, Gropajt në Ohër, Muzakajt në Berat, Shpatajt në Artë, e kështu me radhë. Vendqëndrimi i tyre në qytet ngrihej në pjesën mbizotëruese të tij (castrum), aty ku më parë qëndronte qeveritari bizantin, serb apo anzhuin. Ai formonte një sistem të fortifikuar të mëvetshëm brenda kështjellës, shpeshherë e ndarë prej saj me mure. Rezidenca e sundimtarit përfaqësohej nga banesa për të dhe për familjen, si dhe kazerma për gardën e tij të armatosur. Në të përfshiheshin depot e drithit e të armëve, pusi ose cisterna e ujit, farkëtaria e deri burgu i kështjellës, pra gjithçka që lejonte funksionimin e pavarur të kësaj pjese të qytetit në rast rrethimi. Zona rezidenciale e kështjellës përbënte në çdo rast pjesën më të mbrojtur të saj dhe bastionin e fundit të qëndresës në rast sulmi.
Objekte të rëndësishme ushtarake, siç ishin kullat përgjatë mureve rrethuese të qytetit, merreshin në mbrojtje nga njerëz të besuar të feudalit me trupat e tyre.
Veçoritë që karakterizuan zhvillimin e fisnikërisë shqiptare gjetën pasqyrim edhe në mënyrën e organizimit e të funksionimit të oborrit feudal e, në një kuptim më të gjerë, të formacioneve feudale shqiptare. Edhe këtu, ndikimi i traditës ishte mjaft i fuqishëm.
Nëse lihet mënjanë një shtrirje e kufizuar e territorit bregdetar shqiptar, ku në periudha të veçanta u ndie fort ndikimi i feudalizmit perëndimor, në përgjithësi në Shqipëri vepronte e drejta bizantine, por dhe kjo ishte efektive në viset fushore, pranë qendrave të mëdha administrative. Kjo e drejtë njihte si zot e pronar të vetëm shtetin, në personin e perandorit, ndërsa feudalët e veçantë s'ishin veçse përdorues të tokës, të cilën vetë perandori ua kalonte me dekret të veçantë, për një kohë të kufizuar dhe me kushte të përcaktuara, ndër të cilat shërbimi ushtarak në favor të perandorit përbënte kushtin kryesor. Ky qe thelbi i sistemit të pronies, që përbënte bazën e feudalizmit bizantin në shekujt XI-XIV. Kuptohet që një sistem i tillë, ndërsa krijonte një shtresë fisnikësh të lidhur me pushtetin qendror, i krijonte tej mase pengesa fuqizimit dhe emancipimit të tyre politik, për sa kohë ata nuk ishin pronarë me të drejta të plota të tokës së tyre. Në rast se proniari ose pasardhësi i tij nuk u përmbaheshin detyrimeve ndaj perandorit, përkatësisht detyrimit ushtarak, ata privoheshin nga pronia, e cila po me dekret perandorak (krysobullë) i jepej një personi tjetër. Rrjedhimisht, sistemi qe menduar i tillë që nuk nxiste fuqizimin e feudalëve të veçantë, qoftë nëpërmjet kufizimit e kushtëzimit të institucionit të trashëgimisë.

E drejta dhe jeta feudale në Shqipëri
Është e vërtetë se veprimi i së drejtës bizantine paraqitej i kufizuar në Shqipëri, qoftë për statusin e veçantë që kjo kishte në kuadrin e Perandorisë Bizantine, qoftë dhe për faktin se këtu, për kushtet e terrenit, kishte peshë deri vonë në shek. XIV prona e vogël e lirë e fshatarit. Kjo e fundit i nënshtrohej më së shumti veprimit të së drejtës tradicionale dokesore, e cila, nga ana e saj, nuk mungoi të ndikojë fuqishëm edhe në marrëdhëniet që ndërthurreshin përreth familjeve dhe oborreve feudale, aq më shumë që këto e kishin prejardhjen e tyre nga zona ku bashkësia fshatare dhe prona e vogël e lirë mbeteshin tipar mbizotërues i marrëdhënieve të pronës dhe i atyre shoqërore.
Një nga veçoritë thelbësore të së drejtës dhe praktikës dokesore shqiptare ishte ajo që kishte të bënte me institucionin e trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni që askush nga fëmijët meshkuj nuk përjashtohej nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej edhe në lëmin e autoritetit dhe të pushtetit. Qoftë familja fisnike e zakonshme, qoftë principatat e mëdha apo të vogla drejtoheshin në bazë të parimit të bashkëqeverisjes (konregjencës). Në fakt, institucioni i bashkëqeverisjes njihej dhe zbatohej sa në Bizant, aq edhe te popujt fqinjë të shqiptarëve. Por tek ata ky institucion realizohej nëpërmjet kooptimit në pushtet nga ana e babait sovran, e njërit prej bijve, zakonisht më të madhit, me qëllim trashëgimin e plotë e të pandarë të pushtetit. Përkundrazi, te shqiptarët si drejtimi i ekonomisë familjare, ashtu dhe qeverisja e shtetit (principatave) realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes së të gjithë vëllezërve. Kështu, Principatën e Balshajve në gjysmën e dytë të shek. XIV e qeverisnin njëherësh tre vëllezërit, Strazimiri, Gjergji e Balsha II. Po atë kohë, Despotati shqiptar i Artës (Epirit) qeverisej nga vëllezërit Gjin e Sguro Bua Shpata. Vëllezërit Lekë e Pal qenë në krye të Dukagjinëve të Lezhës, në kohën kur tre vëllezërit, Gjin, Stojë e Teodor, drejtonin po ashtu Principatën e Muzakajve. Asnjë vendim që kishte të bënte me principatën nuk mund të merrej në një mënyrë të njëanshme nga njëri prej vëllezërve. Deri edhe kancelaria dhe vula zyrtare ishte e përbashkët.
Në planin praktik, secili nga vëllezërit sundimtarë merrej me administrimin dhe qeverisjen e një pjese të zotërimit feudal. Vëllait të madh, i cili gjithsesi gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të drejtonte zotërimet tradicionale të familjes. Lidhjet e veçanta historike, njerëzore e shpirtërore që familja sundimtare kishte me to, e bënin këtë pjesë tradicionale të principatës elementin bazë e të qëndrueshëm të saj. Kështu në vitet 70 të shek. XIV, më i madhi i vëllezërve Muzaka, Gjini, administronte zotërimet e hershme të familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë që të vëllezërit qeverisnin vendet më të buta e më të pasura të Myzeqesë e të fushës së Korçës e të Kosturit. Por fakti që në Opar e në viset përreth Muzakajt kishin fillimet e historisë së tyre, njerëzit më besnikë, vatrat dhe varret e hershme të tyre, e bënte këtë krahinë qendrën shpirtërore të principatës.
Gjithsesi, bashkadministrimi dhe bashkëqeverisja e zotërimit familjar apo e principatave sillte shpërqendrimin e copëzimin e pronës e të pushtetit, për rrjedhojë edhe dobësimin e tyre, aq më tepër që kjo ndarje nuk i shmangte, por përkundrazi i nxiste grindjet e rivalitetet. Nuk është e rastit që zotërimet feudale shqiptare njohën kulmet e zhvillimit kur në krye të tyre, për një arsye apo tjetrën, qëndroi vetëm një person. Kështu ndodhi me Balshajt në kohën e sundimit të Balshës II, me Topijat në kohën e princit Karl Topia, apo me Muzakajt në kohën e sundimit të gjatë të despotit Andrea II (1335-1371).
Krijimi i zotërimeve e i principatave të pavarura shqiptare në shek. XIV kurorëzoi një proces të gjatë zhvillimi, gjatë të cilit klasa feudale shqiptare fitoi gjithnjë e më shumë atribute e pavarësi ekonomike, politike e së fundi dhe ato gjyqësore. Sunduesit bizantinë, serbë etj., e mbajtën me fanatizëm deri në fund pushtetin gjyqësor, si tregues kryesor i sovranitetit. Proceset dhe çështjet gjyqësore zgjidheshin nga gjykatës të dërguar nga qendra dhe që vepronin në bazë të ligjeve të mishëruara në përmbledhjet zyrtare ligjore, siç qenë kodet bizantine ose "kodi i Stefan Dushanit". Megjithatë normat dhe praktikat dokesore në marrëdhëniet e përditshme ishin aq shumë të rrënjosura, saqë ato shpeshherë mbizotëronin mbi ligjet e shtetit.
Në marrëveshjet e nënshkruara me krerët shqiptarë dhe në privilegjet e lëshuara për bashkësitë shqiptare, perandorë të ndryshëm bizantinë, mbretër serbë e anzhuinë apo qeveritarë venecianë angazhoheshin të qeverisnin sipas "normave dhe dokeve të vjetra". Kjo përbënte një element të rëndësishëm të njohjes së autonomisë gjyqësore administrative të bashkësive e të njësive të caktuara lokale. Me rënien e perandorive ballkanike, siç qenë ajo bizantine dhe ajo serbe, edhe privilegji i gjykimit u kaloi feudalëve të veçantë, të cilët tashmë mund të gjykonin e të vendosnin për të gjitha çështjet civile e penale që lindnin në zotërimet e tyre (rationen et iustitiam in civilibus et criminalibus dare). Marrja në dorë e gjykimit të çështjeve gjyqësore në juridiksionin e vet, shënonte hapin e fundit të kthimit të fisnikëve shqiptarë në zotër të pavarur. Megjithatë pushteti gjyqësor i fisnikëve vazhdoi të kufizohej nga veprimi i së drejtës dokesore apo asaj kanonike. Kjo e fundit mbizotëronte sidomos në çështjet që kishin të bënin me martesën, me të drejtën e trashëgimisë etj. Mjaft çështje të tjera zgjidheshin në bazë të "kodit të nderit". Ky i fundit shprehej më së pari në fushën e betejës. "Kronika e Janinës" e shek. XIV na bën të ditur se luftëtarët e Gjin Bua Shpatës i sulmonin armiqtë me thirrjen kalorësiake "ruaju" për t'u dhënë atyre mundësinë që të mbroheshin. Kjo ishte normë e së drejtës dokesore. Sado të ashpër që tregoheshin gjatë luftimit, shqiptarët fitimtarë nuk hakmerreshin mbi të mundurit në mënyra të vrazhdëta, siç ndodhte me shumë popuj të huaj. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Shumë-shumë, në shenjë zhburrërimi atyre u pritej mjekra. Shpesh robërit e luftës, sidomos kur qenë personalitete me emër, mbaheshin peng si mjet presioni ndaj kundërshtarit. Në mjaft raste, siç e donin praktikat e kohës, ata liroheshin kundrejt pagesës. Nuk mungonin edhe rastet kur një martesë në kohën e duhur kthente paqen midis familjeve rivale, siç ndodhi me Balshajt dhe Topiajt në vitet 60 të shek. XIV. Ndërkohë që çmonte trimërinë e fisnikërinë, qoftë edhe të kundërshtarit, morali shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhtinë. “Tradhtar” ishte sharja më e rëndë që mund t’i drejtohej dikujt. Më 1436 në Fano të Italisë u bë gjyqi i një shqiptari me emër Gjergj, i cili në zemërim e sipër kishte tentuar të vriste një banor vendas duke e thirrur atë “tradhtar”. Në statutet e Shkodrës kishte një dispozitë të veçantë për fyerjen me fjalën “tradhtar”. Kundravajtësit gjobiteshin me një shumë të jashtëzakonshme prej 500 hyperperësh, ndërkohë që prerja e mjekrës, e konsideruar edhe kjo fyerje e rëndë, dënohej me 50 hyperperë. Nga po të njëjtat statute mësohet se sharja “tradhtar” ishte mënyra më e mirë për të grishur dikë në dyluftim. Tradhtarët e frikacakët meritonin ndëshkimet më të rënda. Ky moral nuk bënte përjashtim as për bashkëpunëtorët më të afërt, as për njerëzit e familjes madje as dhe për njerëzit e fesë. Balshajt, Kastriotët, Dukagjinët, Muzakajt e të tjerë fisnikë shqiptarë nuk ngurronin t'i dënonin me burgim, madje dhe me vdekje, njerëzit e tyre, që në një moment të caktuar i kishin "tradhtuar ". Tradhtarëve gjithashtu u sekuestrohej pasuria.
Normat e së drejtës dokesore vepronin fort edhe në fushën e marrëdhënieve martesore, ndonëse këtu pretendonte të mbizotëronte e drejta kishtare (kanonike). Kurorëthyerja paguhej me jetë: një fisnik nga dera e Dukagjinëve nuk ngurroi të vrasë të dashurin e gruas së tij edhe pse ky ishte klerik i lartë. Në rast se një grua e martuar braktiste të shoqin, detyrën për ta gjetur dhe për ta risjellë e kishte sa burri i mashtruar, aq edhe "vëllazëria". Në vitin 1198 një fisnik nga Kolonja, Aleks Kapandriti, pasi kishte vrarë gruan e parë, u martua për së dyti me gruan e një arkondi nga Durrësi me emrin Bardh. Por nuk e gëzoi këtë martesë, sepse vëllai i kurorëthyeses e zuri e pasi i keqtrajtoi që të dy, ia dorëzoi përsëri të motrën burrit të parë.
Gjakmarrja dëshmohet që në atë kohë, vinte në luftë familje dhe bashkësi të tëra. Prej saj nuk shpëtonin as përfaqësuesit e elitës drejtuese. Kështu në vitin 1416 pas një vrasjeje, Balshajt kishin hyrë në gjak me bashkësinë e Hotëve. Në emër të "nderit" përziheshin në akte dhune e gjaku edhe vetë njerëzit e fesë. "Kronikat e zeza" të shekujve XII-XV japin raste jo të pakta, kur klerikë të thjeshtë e deri peshkopë e kryepeshkopë, bëheshin autorë ose viktimë krimesh për fyerje ose për çështje nderi.
Fuqia dhe pushteti i familjeve aristokrate shqiptare matej me madhësinë e cilësinë e zotërimeve të tyre, me sasinë e njerëzve që ata mund të armatosnin, por edhe me lidhjet dhe aleancat e tyre të jashtme. Këto të fundit ishte zakon të sanksionoheshin, përveçse me traktate e marrëveshje të përkohshme, edhe me lidhje familjare të qëndrueshme. Në shek. XIV të gjitha familjet fisnike shqiptare ishin të grupuara në aleanca të caktuara ushtarako-familjare. Kështu, nëpërmjet krushqive Muzakajt qenë lidhur në aleanca të qëndrueshme me Arianitët, Balshajt, Zenebishët, Gropajt e deri Dukagjinët e veriut. Po ashtu, përreth Balshajve në veri, apo Shpatajve në jug, qenë krijuar aleanca politiko-ushtarake, të cilat mbështeteshin edhe në lidhjet familjare. Roli i këtyre aleancave dilte në pah në rast se njëri nga pjesëtarët përfshihej në ndonjë konflikt ushtarak. Në atë rast, pjesëtarët e tjerë i gjendeshin në krah me forca e mjete. Kështu, në luftërat e shumta që pati me despotin serb të Janinës, Thoma Preljuboviçin, despoti i Artës, Gjin Bua Shpata, u ndihmua vazhdimisht nga dhëndri i tij, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës. Po ashtu, në betejën e Kosturit më 1371 kundër Mark Krajleviçit, despotit Andrea Muzaka i shkuan në ndihmë Balshajt, Gropajt e të tjerë fisnikë, aleatë e familjarë të tij.
Lidhja familjare midis familjeve të mëdha, përveç anëve politike e ushtarake, përmbante edhe elementin ekonomik, për sa kohë që shoqërohej edhe me dhënien e feudeve në formë paje. Një gjë e tillë u jepte shkas fisnikëve të caktuar që në momente të përshtatshme të ngrinin pretendime mbi zotërimet e familjeve me të cilat kishin krushqi, sidomos kur këto binin në vështirësi dhe nuk ishin në gjendje t'u dilnin zot pronave të tyre. Në këtë rrugë, Gjon Muzaka pretendonte të ishte nga fundi i shek. XV, zot i ligjshëm sa i zotërimeve atërore, aq edhe i atyre të Zenebishëve, të Gropajve, të Balshajve (Vlorë), Arianit-Komnenëve etj. Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mëtonte se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin. Por zakonisht, pretendime të tilla mbi bazë trashëgimie mbi zotërimet e familjeve të tjera, realizoheshin nëpërmjet aneksimit me forcë të tyre.
Jo rrallë herë aleancat familjare shtriheshin edhe me familje fisnike e princore të huaja, gjë që sillte një rritje të veçantë prestigji dhe mbështetje të jashtme. Kështu, Gjon Zenebishi e kishte martuar një vajzë të tij me Petro Altavilën, pinjollin e dinastisë së famshme normane, që mbretëroi në Italinë e Jugut në shek. XI-XII. Po ashtu, Gjin Bue Shpata një vajzë të tij ia kishte dhënë fisnikut nga Firencja, Ezau Buondelmonte Açajuoli, që u bë despot i Janinës. Nga ana e tij konti Andre Topia u martua me një princeshë nga anzhuinët e Napolit. Kjo lidhje familjare me dinastinë frënge të anzhuinëve ndihmonte në forcimin e pozitave të jashtme por dhe të brendshme të Karl Topisë kundrejt rivalëve të tij. Jo pa arsye ai shfrytëzonte çdo rast, siç bën edhe në mbishkrimin ktitorial të manastirit të Shën Gjon Vladimirit të vitit 1381, për të vënë në dukje këto marrëdhënie të veçanta "gjaku" (eks haimatos) me anzhuinët. Në këtë kuadër ai i shtoi stemës së familjes Topia, që kishte në qendër figurën e luanit, edhe motivin e zambakut, simboli i anzhuinëve francezë.
Për konsolidimin e pushtetit të tyre, feudalët shqiptarë nuk nënvleftësonin edhe faktorët fetarë e kulturorë. Të shumtë qenë ata që, sipas koniunkturës politike, ndërruan edhe besimin. Duke lënë mënjanë konvertimin në masë të fisnikëve shqiptarë në fenë islame prej shek. XV, edhe më përpara shumë syresh bënë kapërcime nga besimi ortodoks në atë katolik e anasjelltas, për t'iu përshtatur rrethanave politike. Përmasa të mëdha mori veçanërisht në shek. XIV kalimi në katolicizëm i mjaft dyerve fisnike, siç qenë Balshajt, Matrëngët, Skurrajt, Muzakajt, Zahariajt e shumë të tjerë, që me këtë hap kërkonin para së gjithash të siguronin aleancën e fuqive katolike të Evropës të kryesuara nga Papati kundër rrezikut të ekspansionit serb në tokat shqiptare. Në këtë kuadër edhe mjaft pinjollë të familjeve Skurraj, Topiaj, Kamonaj, Matrënga, Muzakaj etj., mbushnin radhët e klerit dhe të urdhrave fetarë katolikë, siç qenë ai françeskan e dominikan. Kuptohet se mjaft prej tyre edhe pse veshën petkun e klerikut, vazhduan të merrnin pjesë gjallërisht në ngjarjet dhe në intrigat politike, duke mbrojtur interesa të caktuara. Peshkopët e Durrësit, p.sh., luajtën një rol të dorës së parë në fatet e qytetit. Sipas rastit, ata përgatitën kalimin e qytetit sa te Bizanti, aq tek anzhuinët, te venecianët e deri te Topiajt shqiptarë.
Në shek. XIII-XIV oborret e fisnikëve shqiptarë morën pamjen e plotë të qendrave të pushtetit, me funksione sa ushtarake, aq dhe civile. Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë "civil" të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente "mëkatet" e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj. Futja në çështjet më intime të shtetit dhe të familjes së fisnikut i bënte këta klerikë persona me pushtet të jashtëzakonshëm, por edhe të ekspozuar ndaj zemërimit të padronëve të tyre. Karakteri i rezervuar dhe i përvuajtur bënte që klerikët në fjalë ta kryenin besnikërisht detyrën e njeriut të besuar të fisnikut. Por ndodhte edhe që për një fjalë apo një gjest të pamatur, që binte ndesh me natyrën e rezervuar të detyrës së tyre, edhe kleriku "i familjes" ta pësonte keq, siç e pësoi më 1408 murgu Theodotir, sekretar e këshilltar i Teodor Muzakës së Beratit, të cilin, s'dihet se për ç'mëkat, i zoti i tij e mbylli me pranga në burgun e kështjellës së Skraparit.
Aristokratët shqiptarë ndërhynin deri te Papa ose Patriku për t'i emëruar këta klerikë të oborrit peshkopë e kryepeshkopë në krahina, ku fisnikët në fjalë synonin të shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre. Në dokumentet e shek. XIII-XIV bëhet fjalë vazhdimisht për prelatë të tillë, të cilët ishin vënë në krye të dioqezave nën presionin e pushtetit laik (per potentiam laicalem). Me ndërhyrjen dhe rekomandimin e krerëve shqiptarë, një klerik shqiptar, murgu dominikan Domenik Topia, arriti të bëhet rreth vitit 1340, këshilltar e kapelan i mbretit të Napolit, Robertit I Anzhu.
Fuqizimi ekonomik e politik i fisnikëve nga shek. XIII, bëri që të rritej edhe funksioni i tyre shoqëror. Ata filluan të merrnin përsipër veprimtari të tilla me interes të përgjithshëm, si ndërtime kishash e manastiresh, hapje e meremetime rrugësh, ndërtim veprash me karakter mbrojtës, veçanërisht në dobi të qyteteve e manastireve të mëdha. Oborret e aristokratëve të tillë të mëdhenj, si Balshët, Topiajt, Arianitët etj., filluan të konkurrojnë shkronjëtoret (skriptoria) e manastireve për sa i përket realizimit të kodikëve e dorëshkrimeve të çmuara, me të cilat merreshin mjeshtër të kualifikuar që pajtoheshin nga qytetet e zhvilluara të Shqipërisë ose edhe nga vende të tjera. Për t'u lënë pasardhësve kujtimin e tyre dhe të familjeve të tyre, fisnikët shqiptarë morën zakonin të porosisnin shkrimin e kronikave e gjenealogjive, apo bërjen e portreteve të tyre në pikturë (afreske e miniaturë) nëpër fasadat e kishave ose në faqet e dorëshkrimeve.
Aristokratët linin porosi të varroseshin në kisha ose në manastire të ngritura nga ata vetë apo nga paraardhësit e tyre. Varret, shpeshherë monumentale, shoqëroheshin gjithnjë nga mbishkrime të pikturuara ose të gdhendura, që thuajse gjithnjë i thurrnin lavd përshpirtmërisë së të vdekurit. Këtë zakon e ruajtën edhe shumë nga fisnikët shqiptarë të emigruar në Itali pas pushtimit të vendit nga osmanët. Në këto mbishkrime thuajse asnjëherë nuk harrohet të shënohet atdheu i të vdekurve, si dhe rrethanat që detyruan largimin e tyre nga Shqipëria.
Mjaft nga këto sjellje dhe praktika të fisnikëve shqiptarë u përftuan pas kontaktit me qytetet, sidomos me ato të bregdetit perëndimor. Këtu këta blenë prona, shtëpi, troje dhe lidhën kontrata me tregtarë vendas për import-eksport mallrash. Mjaft prej tyre qëndronin një pjesë të vitit në qytet për të ndjekur vetë veprimtaritë ekonomike. Por shpeshherë qyteti ishte për ta edhe një vend zbavitjeje. Kishte edhe të tillë që vizitonin, për qëllime pune apo argëtimi, edhe qytetet e Italisë e të Dalmacisë. Krushqitë dhe miqësitë, që thurrnin aristokratët e tokës me familje të patriciatit qytetar, i bënin edhe më të ngushta lidhjet me qytetin. Mjaft pinjollë familjesh fisnike u vendosën përfundimisht në qytet dhe me kalimin e kohës me ta ndodhi dukuria e asimilimit shoqëror e kulturor dhe shkrirja e tyre në rrethin e aristokracisë qytetare.

Kleri dhe roli i tij në jetën shoqërore e politike
Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene.
Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj., rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë. Për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte veç të tjerash një mjet jetese. Megjithatë futja në karrierën fetare nuk e zgjidhte gjithmonë problemin e ekzistencës. Burimet historike përmendin priftërinj shqiptarë të katandisur në gjendjen e lypësit, që shpeshherë detyroheshin të braktisnin vendin e tyre e të kërkonin fatin e tyre gjetkë. Në shekujt XIII-XV Raguza e qytetet e tjera dalmatine buisnin nga klerikë të thjeshtë shqiptarë të ardhur nga Drishti, Baleci, Deja etj. Një pjesë e tyre arrinte të gjente njëfarë sistemimi në kishat e manastiret e këtyre qyteteve. Të tjerë detyroheshin të merreshin me veprimtari jashtëkishtare, si tregti, artizanat etj. Nuk mungojnë të dhënat edhe për ngatërrimin e tyre në akte kriminale.
Klerikët e lartë, në të kundërtën, si rregull vinin nga radhët e aristokracisë së tokës dhe të qytetit. Nga një familje e shquar qytetare durrsake rridhte kryepeshkopi Kostandin Kabasilla që, aty nga mesi i shek. XIII, ishte në krye të kishës ortodokse të Durrësit e më tej të asaj të Ohrit. Dominik Topia, vëlla i kontit Tanush Topia nga Arbri, bëri një karrierë të shquar në Urdhrin Dominikan. Në shek. XIV-XV vetëm qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima e Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skurra drejtuan selitë peshkopale të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Më 1422 Pjetër Spani nga Drishti emërohet kryepeshkop i Tivarit, ndërsa vite më vonë, drishtiani tjetër Pal Engjëlli ishte kryepeshkop i Durrësit.
Formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare që funksiononin pranë kishave katedrale ose pranë manastireve të mëdha në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, Mesopotam etj. Këtu merreshin njohuritë doktrinare e teologjike më të domosdoshme për t’iu kushtuar profesionit të priftit ose të murgut. Për shumë klerikë shqiptarë periudha e formimit vazhdonte edhe më tej, me ndjekjen e shkollave më të larta në vende të tjera. Për klerikët ortodoksë ishin mjaft të parapëlqyera manastiret e mëdha të Thesalisë (Stagoi, Meteorët) apo ato të Malit Athos (Lavra, Hilandari). Klerikët katolikë nga ana e tyre frekuentonin institucione të njohura në Dalmaci e në Itali. Mjaft prej këtyre klerikëve që i konsolidonin njohuritë e tyre jashtë, arritën të zënë poste të rëndësishme kishtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kështu, p.sh., rreth vitit 1250, Nikolla nga Durrësi, u tërhoq nga papa Inocenti IV në Dhomën Apostolike me detyrën e sekretarit e më tej u emërua prej tij peshkop i Krotonës. Një tjetër klerik katolik nga Durrësi, Andrea, u emërua më 1379 Provincial i Urdhrit Dominikan; Dominik Topia, nga familja e njohur e bujarëve të Arbrit, ishte për mjaft vjet kapelan personal i mbretit Robert Anzhu të Napolit e më 1345 vepronte si mëkëmbës i përgjithshëm i Urdhrit Dominikan për Dalmacinë e për Durrësin.
Edhe më i madh qe numri i klerikëve të thjeshtë katolikë që qenë sistemuar në vende të tjera, kryesisht në Itali e Dalmaci. Veçanërisht i lartë ishte numri i klerikëve shqiptarë në qytetin e Raguzës. Ata vinin kryesisht nga Drishti, Ulqini, Pulti, Tivari, Baleci e nga Durrësi. Në vitin 1374 kuvendi i fretërve dominikanë në Raguzë ishte thuajse plotësisht me murgj shqiptarë.
Anasjelltas, edhe në Shqipëri gjendeshin me shumicë klerikë të huaj. Duke e quajtur Shqipërinë një zonë tepër delikate të konfrontimit me ortodoksinë bizantine, Papati dërgoi këtu, që me krijimin e tyre në shek. XIII, misionarë të urdhrave dominikanë e françeskanë, që u bënë propagandistë të vijës së parë të çështjes katolike në Lindje. Pjesëtarët e këtyre dy urdhrave u vunë deri në krye të peshkopatave e kryepeshkopatave shqiptare, siç qenë kryepeshkopët e Tivarit, françeskani Giovanni de Plano Kaprino (1249-1252), dominikani Guljemi i Adës (1324-1344) ose françeskani tjetër, Antoni II, kryepeshkop i Durrësit (1269-1316).
Duke përjashtuar rastet kur emërimi bëhej drejtpërsëdrejti nga Selia e Shenjtë, krerët e dioqezave katolike në Shqipëri, përkatësisht kryepeshkopët e Durrësit e të Tivarit, zakonisht zgjidheshin nga këshilli i klerit (capitulum) që mblidhej në kishën katedrale të qytetit. Të njëjtën procedurë ndiqte edhe zgjedhja e arkidhjakut. Në Durrës arkidhjaku kryente funksionet e kryepeshkopit, kur posti i tij qe i zbrazët. Në çdo rast, për kryepeshkopët e porsazgjedhur ishte i detyrueshëm shugurimi (consacratio) nga Papa i Romës. Ky bëhej gjatë një ceremonie solemne, gjatë së cilës të dërguarit e Papës, në prani të klerit e të popullit të qytetit, i dorëzonin kryepeshkopit të ri tunikën (pallium).
Emërimi i peshkopëve bëhej nga kryepeshkopët e dioqezës përkatëse. Në çdo rast, konfirmimi i Selisë së Shenjtë ishte edhe këtu i domosdoshëm. Vetëm njëra ndër peshkopatat shqiptare, ajo e Arbrit, fitoi aty nga fundi i shek. XII statusin e veçantë të sufraganes së drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Peshkopi i saj emërohej e shkarkohej drejtpërdrejt nga Papa. Këtë status e fitoi në gjysmën e dytë të shek. XV edhe peshkopata e Drishtit, që kishte konflikte të ashpra me kryepeshkopatën e Tivarit.
Sidoqoftë emërimi i klerit të lartë në Shqipëri mbeti një çështje ku përplaseshin interesa e kompetenca të ndryshme, gjë që shkaktoi konflikte të herëpashershme midis përfaqësuesve të hierarkisë kishtare në Shqipëri, si dhe midis këtyre e Papatit.
Në çështjen e emërimit të klerit përzihej shpesh edhe pushteti laik, gjë që e ndërlikonte akoma më tepër problemin. Zakonisht pas konfirmimit formal nga ana e Papës apo e Patriarkut të Kostandinopojës, këta u dërgonin “letra rekomandimi” pushtetarëve lokalë, me të cilat i lutnin të ndihmonin prelatët e rinj në ushtrimin e funksioneve të tyre. Por sundimtarët lokalë shpesh pretendonin të kishin dorë të lirë edhe në çështjet kishtare, përsa u përket zotërimeve të veta. Në gjysmën e parë të shek. XIII, papa Grigori IX ankohej se në dioqezat katolike të Shqipërisë së Veriut nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit, “ofiqet kishtare shpërndaheshin nga pushtetarë laikë”. Po atë kohë patriarku i kishës ortodokse, Manueli, protestonte ndaj despotëve të Epirit për emërimet e paligjshme të peshkopëve të rinj në selitë e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Gjirokastrës e të Janinës. Problemi u bë më i mprehtë pas shek. XIV, kur pushteti i princërve dhe i feudalëve shqiptarë u forcua së tepërmi. Në vitet 70 të atij shekulli, Gjergj Balsha shkarkoi peshkopët e një sërë qendrave në zotërimet e tij dhe emëroi aty njerëzit e vet, pa përfillur protestat e papës Grigori IX. Në të njëjtën mënyrë vepronin me klerikët e tyre edhe fisnikë të tjerë shqiptarë, si Dukagjinët, Topiajt e Shpatajt.
Me gjithë përkushtimin fetar, që përgjithësisht karakterizonte klerin shqiptar, ai nuk mbeti i paprekur nga dukuri që përbënin një largim e shkelje nga normat e kishës e nga morali kristian. Në koncilin e Tivarit, në vitin 1199, disa nga këto shkelje, si shitblerja e ofiqeve kishtare (simonia), martesa e klerikëve (konkubinati), përvetësimi i të dhjetave, u stigmatizuan fort nga përfaqësuesit e papa Inocentit III. Megjithatë “reformimi i sjelljeve dhe i zakoneve të klerit katolik shqiptar” mbeti një problem i pazgjidhur për Selinë e Shenjtë.
Situata nuk ndryshonte shumë përsa i përket klerit ortodoks. Edhe te ky ndodhnin shpesh shkelje flagrante të moralit kristian dhe të statusit të klerikut. Kështu, në vitin 1160 Sinodi i Shenjtë në Konstandinopojë u mblodh për të gjykuar rastin e një murgu shqiptar, me emrin Muzaka, që jetonte i martuar dhe që qarkullonte gjithnjë i armatosur. Në vitin 1305 në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine u bë i njohur për bëmat e tij një tjetër klerik shqiptar, Gjon Trimi, që fillimisht arriti të fitonte miqësinë e perandorit Andronik II Paleologu, por më vonë organizoi kundër tij një kryengritje, ku u implikuan edhe bashkatdhetarë të tjerë të tij, me pozitë në administratën qendrore bizantine. I tillë qe epistrati Muzaka dhe një fisnik tjetër me emrin Matrënga. Historiani bizantin bashkëkohës, Niqifor Gregora, e përshkruan murgun Gjon Trimi si një tribun popullor, që i hipur mbi një karro dhe me shpatë zhveshur thërriste popullin e Konstandinopojës në kryengritje.
Figura e klerikut-luftëtar është një figurë tipike e mjedisit shqiptar, që ndeshet gjatë gjithë mesjetës. Barleci rrëfen se mbrojtjen e kështjellës së Sfetigradit më 1448 e drejtonte një murg nga abacia e Shën Lleshit në Mat. Në fillim të shek. XIV peshkopi i Krujës, Andrea, qe në ballë të organizimit të qëndresës së fisnikërisë shqiptare kundër pushtimit serb.
Përveç ushtrimit të armëve, që gjithsesi gjykohej si amoral nga ana e kishës, klerikët shqiptarë përfshiheshin edhe në veprimtari të tjera jofetare, që me kohë u bënë atribut i njerëzve të fesë. Fjala është në radhë të parë për përfaqësimin diplomatik të pushtetit laik, një fushë kjo ku çmoheshin shumë cilësi të tilla si erudicioni, inteligjenca, përmbajtja, gjakftohtësia, besueshmëria, që ishin karakteristike për njerëzit e fesë. Ndaj ishte e kuptueshme që, në shek. XIV, të gjithë princërit e sundimtarët shqiptarë ua besonin misionet delikate diplomatike brenda dhe jashtë vendit peshkopëve të dioqezave të tyre. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua ngarkonte misionet diplomatike në oborret e Evropës klerikëve të besuar, sidomos mikut të afërt të tij, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Shërbimet e klerikëve shqiptarë i vlerësonin si të çmuara edhe mbretërit serbë, anzhuinë apo qeveritarët venecianë, që i mbanin ata vazhdimisht pranë vetes në cilësinë e këshilltarit ose të emisarit për çështjet shqiptare.
Klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit (preceptorit), i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësojnë rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar. Vlen të përmendet roli i madh i klerit jo vetëm si krijues vlerash kulturore, por dhe si ruajtës i tyre. Kishat e manastiret u bënë vendet ku u shkruan, u kopjuan dhe u ruajtën në shekuj jo vetëm tekste fetare filozofike e letrare, por edhe kronika të gjalla të historisë së popullit. Ruajtja dhe transmetimi i tyre kërkoi shpeshherë sakrificat e vetëmohimin e klerit të thjeshtë. Në një shënim të vitit 1356, në një kodik të Beratit, përshkruhet vetëmohimi i priftit Theodul, i cili, gjatë rrethimit të qytetit nga serbët, transportoi në krahë në një vend të sigurt bibliotekën e manastirit të Shën Gjergjit për ta shpëtuar nga djegia e sigurt. Të njëjtën gjë bëri, më 1399, igumeni i manastirit të Shën Kollit në Perondi, Danaili, i cili nxori bibliotekën e pasur të manastirit e ia dorëzoi për ta ruajtur fisnikut Teodor Muzaka.

Ndjenja fetare te shqiptarët
Gjithçka flet për atë që feja dhe ndjenjat fetare qenë rrënjosur dhe qenë pjesë e pandarë e jetës dhe e ekzistencës. Por duke folur për ndjenjën fetare (besimin) të shqiptarëve në mesjetë, duhet thënë se ajo trashëgoi edhe një dozë të madhe të besimeve e riteve tradicionale pagane, gjë që i jepte asaj edhe tipare specifike. Rite të tilla shoqëronin çdo aspekt të jetës: lindjen, vdekjen, punën, martesën, madje ato kishin depërtuar edhe në vetë kultin e shenjtorëve të krishterë. Kështu, kulti i Shën Gjergjit, i Shën Ilias, i Shën Martinit, i Shën Nikollës, i Shën Vlashit etj., ishin të mpleksur me plot motive pagane. Të tillë shenjtorë, më tepër se simbole të krishtera, nderoheshin e festoheshin si luftëtarë kundër së keqes, mbrojtës të njerëzve e të bagëtive, begatues të tokës, shërues të sëmundjeve, pra, njëlloj siç ishin nderuar perënditë pagane të lashtësisë. Në jetën e përditshme vazhdonin të kryheshin praktika pagane, siç ishte ajo e flijimit, e therjes së një kafshe, sa herë që ndërtohej një shtëpi, një urë apo një kështjellë. Akti i flijimit shpeshherë bëhej nga dora e një prifti. Shqiptarët i besonin Zotit të të krishterëve, por njëherësh tregonin nderim e frikë edhe ndaj “zotave” të tjerë, demonëve, shpirtrave të këqinj, zanave, vitores (gjarprit mbrojtës të shtëpisë e të familjes), hajmalive etj., etj. Gjithë kjo trashëgimi pagane në besimin e shqiptarëve shihej me sy të keq dhe luftohej nga kisha zyrtare. Në fakt këto i jepnin krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor, jodoktrinor, dhe si të tillë e bënin të prekshëm nga lëvizjet kontestuese (herezitë), që trondisnin herë pas here kishën zyrtare. Një ndër këto herezi, që njohu përhapje të gjerë në Shqipëri nga shek. X dhe që aty-këtu mbijetoi deri në shek. XIV, është ajo e bogomilizmit, e quajtur kështu prej priftit bullgar Bogomil, që njihet si frymëzuesi i saj. Bogomilizmi, si çdo lëvizje dualiste, e quante botën të ndërtuar mbi bazën e dy parimeve: të së mirës dhe të së keqes. E mira përmblidhte botën shpirtërore, kurse e keqja identifikohej me natyrën e pasurinë. Në këtë të dytën përkrahësit e bogomilizmit përfshinin edhe institucionet e shtetit dhe të kishës, simbole të pushtetit, dhunës e të pasurisë, krijesa të Satanait. Kështu, idetë bogomile e kapërcenin kuadrin e një disidence të thjeshtë fetare dhe merrnin formën e lëvizjeve të vërteta shoqërore. Kjo shpjegon masivitetin e jashtëzakonshëm që njohu bogomilizmi, si dhe ashpërsinë me të cilën perandorët bizantinë u përpoqën ta mbytnin këtë lëvizje.
Në Shqipëri “herezia” bogomile pati një përhapje mjaft të gjerë dhe këtu ishte një nga vatrat kryesore të saj. Domethënës është fakti se i pari shqiptar, që na përcillet me emër tipik kombëtar nga burimet mesjetare, është një farë Leka, drejtues rreth vitit 1070 i një lëvizjeje bogomile në rrethet e Sofjes, ku ai kishte shërbyer deri atëherë si funksionar bizantin. Shqipëria ishte gjithashtu një nga vatrat, nga ku herezia bogomile u përhap drejt Italisë. Në shek. XIII përkrahësit e bogomilit (patarinët) kishin krijuar në Itali një kishë të tyre, në opozitë me Romën, e cila në disa vende të Italisë së Veriut quhej “kisha shqiptare” (ecclesia Albanensis), duke treguar kështu vendin e origjinës nga ku kjo herezi kishte ardhur në Itali.
Problemi i devocionit dhe i ndjenjave fetare te shqiptarët është po aq i ndërlikuar si dhe vetë problemi i fesë dhe i kishës. Është e vërtetë se burimet historike nuk mungojnë të shënojnë herë-herë mungesën e pasionit fetar, shfaqje të sinkretizmit apo raste të shkeljeve flagrante të normave e të moralit të kishës jo vetëm nga laikët, por dhe nga vetë klerikët. Ndërkaq më shumë ato dëshmojnë për të kundërtën, për përshpirtshmërinë e devocionin fetar të tyre. Në këtë kuadër është një tregues vetë numri i madh i kishave dhe i institucioneve të tjera fetare, të ndërtuara prej sundimtarëve vendas dhe shtetasve të tyre. Pothuaj të gjitha familjet fisnike shqiptare u dalluan në ndërtime të këtij lloji. Kështu, me emrin e Skurrajve lidhet kisha e Shën Mërisë së Brrarit (1201) ose ajo e Shën Klementit në Ohër (1295). Kjo e fundit u ristrukturua vite më vonë nga fisniku tjetër shqiptar, Andrea Gropa. Muzakajt e Beratit ndërtuan një sërë faltoresh, si p.sh., kishën e Shën Mërisë së Oparit dhe atë të Shën Thanasit në Kostur (1385). Një ndërtim i Topiajve është manastiri i Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit (1381). Kisha e Shën Mërisë në ishullin e vogël të Maligradit, që ruhet mjaft mirë edhe sot, në Liqenin e Prespës, u ndërtua në vitin 1369 nga një sundimtar i vogël lokal, Qesar Novaku. Si themelues kishash përmenden gjithashtu fisnikë nga familjet Dukagjini, Balsha, Zaharia etj. Të gjithë këta, bashkë me dhuratat, u njihnin kishave të tyre të drejta e privilegje të ndryshme. Portretet e ktitorëve (themeluesve) të kishave të tilla paraqiteshin në afresket që zbukuronin muret e tyre. Dokumente testamentare të klerikëve e të laikëve, qofshin këta fisnikë apo njerëz të thjeshtë, tregojnë se në shumë raste këta ua linin trashëgim pasuritë e tundshme apo të patundshme, pjesërisht ose tërësisht, institucioneve fetare.
Braktisja e jetës mondane është një tjetër tregues i ndjenjave fetare të shqiptarëve në mesjetë. Pasioni fetar i shtyu shumë njerëz të thjeshtë të zgjedhin jetën e heremitit apo të murgut, kushtuar tërësisht lutjeve dhe përsosjes morale nëpërmjet asketizmit. Në shek. XIV murgu Nifon nga Lukova u mbyll në një manastir në malin Athos, ku u shqua aq shumë për përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua e u shpall shenjt nga kisha ortodokse bizantine. Ashtu si Nifoni, në manastiret e Athosit apo të Thesalisë kishte edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë. Jetës monastike iu përkushtuan edhe pinjollë të familjeve fisnike, siç ishte rasti i Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që u mbyll në një manastir të malit Athos. Një shprehje kolektive e devocionit fetar qenë edhe pelegrinazhet në vendet e shenjta. I tillë qe për shqiptarët e Dioklesë (Gentës) manastiri i Shën Mërisë i Rotecit, afër Tivarit, apo ai i Shirgjit, në derdhjen e Bunës. Manastiri i Shën Mërisë së Krajës në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, ku ruheshin reliket e princit Gjon Vladimir të Dioklesë (vdekur më 1018), ishte një vend pelegrinazhi për popullsinë e rretheve çdo 22 maj, kur kremtohej festa e Shën Gjon Vladimirit.
Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe në manastiret e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), në atë të Shën Naumit (Ohër), Shën Kollit (Mesopotam), Shën Teodorës (Artë) etj. Klerikë e laikë shqiptarë katolikë e ortodoksë ndërmerrnin udhëtime të gjata e të rrezikshme për të vizituar vende të shenjta jashtë Shqipërisë, si në Monte Gargano, Kampostellë, Assizi, Bari e në Romë (Itali), ose në malin Athos, Konstandinopojë apo në Palestinë, me shpresë se kjo do t’i ndihmonte të shlyenin mëkatet e tyre.
Shtrati popullor e tradicional dhe karakteri jodogmatik i krishterimit shqiptar, bëri që te shqiptarët të mos kultivohej kurrfarë fanatizmi e intolerance fetare. Ai ofronte një pikë referimi të përbashkët për të gjitha besimet, besimin katolik, atë ortodoks e më vonë edhe me besimin mysliman. Prandaj Marin Barleci, që vetë ishte prift, ka shkruar për shqiptarët se janë “më shumë luftëtarë sesa fetarë”. Kjo është arsyeja që në festa e në ceremoni fetare, siç qenë ato për Shën Gjon Vladimirin apo Shën Gjergjin, merrnin pjesë sa të krishterët (katolikë e ortodoksë), aq edhe myslimanët.

2. KULTURA MESJETARE NË SHQIPËRI

Mënyra e jetesës
Të dhënat për mënyrën e jetesës në shek. XII-XV janë mjaft të kufizuara. Ato vijnë kryesisht nga gërmimet e pakta arkeologjike të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive mesjetare.
Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet me një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë. Edhe regjistrimet osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër të madh fshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi, gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre ose të malit a të vrrinit që u përkiste, p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër), Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergj-Tiranë), Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë), Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan) etj. Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret, ose atje ku ka një toponim “katund plak” a “katund i vjetër” etj. Me moshë nga mesjeta e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll etj., ose thjesht një emër të krishterë, si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan, Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjin, Mërtin, Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë, Simon, Sotirë etj.
Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella. Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë, si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella të trashëguara nga antikiteti, të ngritura kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella të lindura rishtas në afërsi të burimeve të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori.
Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe me grindje të shumta midis zotërve feudalë, që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre, me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit, të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në vendet e shenjta ose në Konstandinopojë. Pra jeta ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse në kushte jo fort të përshtatshme. Në trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë, të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri. Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave, njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë të vogël. Shtëpitë ishin të vogla, të ulëta, të errëta e me lagështi, ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese, që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve, për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta rridhte brenda një horizonti të ngushtë për sa kohë banorët detyroheshin të qëndronin në kështjellë, ngaqë nuk ishin të sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti, krijonin kushte të dëmshme për shëndetin; epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave.
Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve shqiptarë dhe që kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë për mundësitë materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë shekujve të mesjetës për të pasur kushte jetese sa më optimale.
Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave etj. Në oborrin e banesës kultivoheshin trandafila dhe lule të tjera.
Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara. Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere, që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor dizinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë llambadha. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendje artistike.
Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë; ato nuk kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të ndërtuara në terren të thyer, kështu që pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe në katin e sipërm banonte familja. Muret ishin të pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa mesjetare.
Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë, por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë, madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë shumë të gjerë.
Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri, me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse për shpinën e për parakrahët. Format e tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura në rrethet Pukë, Mirditë etj. deri në shek. XIX. Në përdorim të fisnikëve të kohës përmenden edhe frona ose poltrona të dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht thotë për Vojsavë Kastriotin: “rrinte pranë zjarrit mbi një poltron venecian …” (në prozën e shkurtër “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”). Edhe bujari Gjon Muzaka, në kujtimet e tij, përmend “një poltronë despotale”, të zbukuruar me një stem gurësh të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit 1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre poltronave janë fronat e dhespotëve në disa nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm të madh.
Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve dhe marangozëve vendës, por, për bujarinë e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e pajës. Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse, tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretër etj.
Për t’u çlodhur, malësori mund të ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse banori i fushës, për një pushim të shkurtër ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar në një qoshe të freskët brenda shtëpisë ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente, sidomos në testamente, përmenden shtretërit prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë shtresat dhe jastëkët a përkresat, që bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në formën e një këllëfi që mbushej me lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin të mbushur me pupla (siç dëshmon Gjon Muzaka).
Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë, siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e kultivuara me grurë, thekër, mel etj. Drithi, si artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse prej tij dilte një bukë shumë e qullët. Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë për eksport, përmendet edhe buka. Këtu është fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull shumë i nevojshëm për detarët sa kohë ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur gjithandej në brigjet e Mesdheut.
Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake, duke bluar në to edhe grurin për trahan etj. Të tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri. Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës. Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i përditshëm, por si ushqim ritual për të kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit të të vdekurve.
Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi i bulmetit dhe i yndyrnave. Në dokumentacionin e kohës, krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjelltarinë e kohës është i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë por që njiheshin që në antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishin ullishte.
Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t’i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e mëvonshëm.
Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur gjerësisht.
Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në forma disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët me fron dhe kupat po ashtu prej argjendi, në tryezat e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të mesjetës së hershme.
Në mënyrën e jetesës zinin vend edhe ngrohja e ndriçimi. Lënda djegëse në këta shekuj duket se ishin shkarpat e drutë. Është përdorur edhe qymyri i drurit, i cili njihej që në lashtësi, por në një masë shumë më të kufizuar. Lënda djegëse sigurohej që gjatë verës dhe vendosej në stiva pranë banesës. Drutë digjeshin në vatër dhe për të lehtësuar djegien mbështeteshin te një almise e thjeshtë prej hekuri, që quhej “kali i druve”. Rreth këtij zjarri i kalonte familja fshatare orët e gjata të mbrëmjeve gjatë dimrit.
Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të mëdhenj (ndoshta të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve më të vjetra të vendit). Në banesat e vogla fshatare mjetet e ndriçimit ishin, copat e pishës, të vendosura mbi një pishtar të thjeshtë hekuri, pranë vatrës.
Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat me vaj. Ndriçimi me këto kandila me vaj është ruajtur deri në shek. XX në kishat ortodokse të vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin krejtësisht prej argjendi dhe të mbuluara me gdhendje artistike, që u jepnin një shkëlqim të veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta kandilë të kushtueshëm janë pjesë e artit dhe e kulturës bizantine të këtyre shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset e Bizantit.
Përdorim të gjerë kishin edhe qirinjtë prej dylli, me trashësi të ndryshme, që vendoseshin në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë lambadha, që vendoseshin mbi tryezat a në vende të tjera të ngritura, për të ndriçuar më mirë.
Të dhënat për veshjet në shek. XII-XV janë të pakta e mjaft fragmentare. Për shkak të ngjarjeve historike të njohura, vendin e përshkuan turma të mëdha njerëzish nga dyndjet e barbarëve, nga kryqtarët, nga ushtri të vendeve fqinje etj. Në anën tjetër, këta janë shekujt e një zhvillimi mjaft të shpejtë të zejtarive. Veshjet nuk i prodhonte vetëm zejtaria shtëpiake, por edhe zejtarët e vendosur në qytetet e kohës. Ndikoi në prodhimin e veshjeve me cilësi të lartë edhe importimi i vazhdueshëm i cohërave të ndryshme. Përmirësimi i disa proceseve teknike, siç ishin avlemendi horizontal, që dha mundësinë e punimit të pëlhurave me katër lisa, ose përhapja e dërstilave që punonin me forcën e ujit ishin arritje që solli përmirësime të dukshme. Pjesë të veçanta të veshjeve popullore të mëparshme, si linjat e gjata e me mëngë të gjera, tirqit, hlamidat ose strukat e leshta por edhe xhupet e opingat, vazhdojnë të mbahen rregullisht. Në një dokument të vitit 1335, përmenden pjesët e veshjes së një detari, ndër të cilat edhe këmisha, fustani e fustanella (camisia, fustanum etc.). Gjatë shek. XIII e pastaj edhe në shekullin pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan, me të cilën filluan të bëhen edhe ato funde këmishe të gjera për burrat që u quajtën fustanella. Por familjet princore dhe aristokracia e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me qëndisje me fije ari e me gurë të çmuar. Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha, breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të çmuar. Në shek. XIV-XV përmenden më shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është interesant fakti se në fillim të shek. XV të tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum.
Së fundi, mund të kujtojmë se nga shek. XV deri në shek. XVIII, në shtresa të ndryshme të shoqërisë është mbajtur një lloj kapele mjaft e lartë dhe me strehë rreth e qark, që cilësohet në Francë si kapelë shqiptare (“chapeau albanois” ose thjesht “albanois”, nga F. Rabelais).
Krahas rrobaqepësve e gëzoftarëve, si zeje më vete, përmenden në qytetet e Shqipërisë edhe këpucarët, çizmarët e papuçinjtë.
Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës. Këtu nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare të kohës, si Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Gropajt, Muzakët, Zahariajt, Arianitët, Kastriotët, Jonimajt etj. ishin të përzier midis tyre me lidhje të shumëfishta gjaku e krushqie. Madje disa prej tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e mëdha të kohës si paleologët, asienët, anzhuinët, si edhe me aristokracinë kroate, serbe e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë me ta, madje edhe me fisnikët e Italisë së Jugut.
Këto familje fisnikësh kishin secila oborrin e vet, ku vinin rrotull një varg zotërinjsh e fisnikësh, kancelarësh, qefalinjsh e vojvodësh të rangjeve të ndryshme, si edhe një mori kalorësish, kasnecësh e shërbëtorësh, si edhe të ftuar të shumtë.
Kjo fisnikëri nga kontaktet me fisnikët e Perëndimit, synonte të jetonte e të zbavitej si ata. “Për një kohë shumë të gjatë, - thotë Shuflai, - fisnikët dhe zotërinjtë e hinterlandit, kishin zakon të shkonin në Durrës shumë herë në vit, për punët e veta dhe për dëfrim (“pro suis factis, vel pro placere”). Në një marrëveshje midis anzhuinëve dhe despotit shqiptar Andre Muzaka, në vitin 1336, u jepej liri anëtarëve të kësaj familjeje që të vinin në Durrës sa herë dëshironin dhe ata mbetën, deri në shpërnguljen e tyre në Itali më 1476, në raporte miqësore me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje miqësie, që favorizonin shtrirjen e modës veneciane në gjithë mënyrën e jetesës, duket se vazhduan edhe në shek. XVI.
Nën ndikimin perëndimor, sidomos të anzhuinëve, fisnikët e vendit tonë fillojnë të përdorin edhe stemat e vulat, duke zgjedhur secili shenja e simbole të veçanta. Stema e gdhendur në gur vendosej, zakonisht, në hyrjen kryesore të kështjellës. U bë zakon gjithashtu që familjet fisnike të hartonin edhe gjenealogjitë e tyre, më fort për të konsakruar prejardhjen e tyre, por edhe për t’u treguar pinjollëve pasardhës ku shtriheshin pronat e zotërimet e tyre. Një shembull i mirë për këtë është Gjon Muzaka, i cili në vitin 1510 hartoi gjenealogjinë e familjes së vet, duke na dhënë kështu një dokument shumë të vlefshëm për kohën.

Koha e kalimit nga ilirishtja në shqipen e lashtë (arbërishten)
Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më 395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor (romak). Për më tepër, duke qenë në periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar dalëngadalë. Këto rrethana bënë të mundur që popullsitë vendëse të këtyre trevave t’i shtonin e t’i forconin kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit të mëtejshëm të atyre popullsive, por u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur të shfaqej qysh në periudhën e fundit të lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime të tilla, që hapën rrugën për kalimin e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja jugore në një gjuhë cilësisht të re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja. Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar disa dukuri me karakter

Pages: 1 [2] 3